Frederik Rreshpja dhe poezia e tij mitike nga Dr. Yzedin Hima

Frederik Reshpja

Frederik Reshpja

Frederik Rreshpja dhe poezia e tij mitike

nga Dr. Yzedin Hima

Miti i humbjes

.

“…Vërtetë që kam fituar shumë pak në këtë jetë,
Por humbjet i kam patur të mëdha.”
F. Rreshpja
 
Një nga mitet që ndeshet shpesh në “Letërsinë e penguar” është miti i humbjes. Në “Letërsinë e penguar” dhe në të gjithë “Letërsinë shqipe” nuk gjen asnjë poet, që me aq ashk t’i ketë kënduar humbjes sa poeti Frederik Rreshpja. Ai mund të cilësohet si Kadmi i “Letërsisë shqipe.” Frederik Rreshpja, krenar dhe në humbjet e tij, nuk preferon t’i ndajë humbjet me të tjerë. Perëndia që i ka qëndruar më pranë unit poetik është Perëndia e Humbjes. Të bën përshtypje fakti që poeti rebel ndaj shoqërisë, rebel ndaj diktaturës, rebel ndaj postdiktaturës, i nënshtrohet Perëndisë së Humbjes, pa protestuar, pa u ankuar. Thjesht duke konstatuar. Në tekstin e poezisë “Fat”, Poeti i nëmur jo vetëm që nuk pranon të ndajë fatin me të tjerë, fatin e tij “budalla”, siç e quan tek kjo poezi, jo vetëm nuk pranon të ndajë “humbjet e mëdha”, jo vetëm nuk pranon as aleatë në luftë, por as nuk pranon të ndajë me njeri tjetër edhe pasojat e fatit si pikëllimin, dhembjen, trishtimin, mermerin e thyer, edhe thjesht si ngushëllim. Maks Velo në romanin e tij “Spaçi” bën një vëzhgim interesant në ndarjen e humbjes, vuajtjes me të tjerët. Ai thotë se termi bashkëvuajtës, që përdoret rëndom, është një term pa antonimi. Nuk e kemi në gjuhën shqipe fjalën bashkëlumturues. Vetëm vuajtja ndahet me të tjerë, ndërsa lumturia jo, ajo përjetohet individualisht.
Poeti Frederik Rreshpja nuk e ndan vuajtjen me të tjerë, e perjeton, e vuan atë tërësisht vetë. Në pamje të parë mund të krijohet përshtypja e një ndjenje mazohizmi që përcillet nga dy vargje: Çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet/ Kam edhe unë për prehje dhembjen time/, por pikërisht te kjo strofë, në dy vargjet pararendës tregohet se prej fatit të keq uni poetik ndjehet ligsht.: Mirëpo unë jam pagan i vjetër;/ Për këtë fat të keq nuk ndihem mirë./ Në dy vargjet më sipër nuk pranohet vuajtja as në këndvështrimin kristian si provë e Zotit për njeriun. Poeti në këtë tekst nuk ndjen kënaqësinë e vuajtjes personale, përkundrazi vuan dhe ndjen trishtim, dhembje, pikëllim, por këto nuk pranon t’i ndajë me të tjerë. Më tepër se ndjenjë mazohiste kjo mund të thirret si ndjenjë altruiste, vetësakrifikuese. Poeti në këtë tekst dhe në poezinë e tij në përgjithësi nuk e pranon luftën si sfidë a domosdoshmëri, përkundrazi e quan “luftë të kotë”: Unë për fatin tim pikëllohem vetë/ S’dua të pikëllohet kush për fatin tim,/ Më ndjek pas Perëndia e Humbjes/ Me mermerin e thyer në luftra pa kuptim./ Mendojmë se poeti Frederik Rreshpja pranon të ndajë me të tjerët, pra me lexuesin, siç do të vërejmë edhe më poshtë, vetëm dhimbjen estetike që buron nga tekstet poetikë të tij, dhimbje që e fisnikëron shpirtin e njeriut. Ai kërkon bashkëlumturues të përjetimit estetik të artit të tij të pazakontë.
Diku thuhet se në vjeshtë ne të gjithë vdesim nga pak. Në tekstet poetikë vjeshta është shenjues i trishtimit, i ndarjes. Kjo fjalë është një nga fjalët çelsa për të dekodifikuar poezinë e F. Rreshpjes, ku ndeshet shpesh. Nëse në pranverë natyra fiton mjaft ngjyrë e gjallëri, në vjeshtë humb ngjyrat dhe gjallërinë. Që në titullin e poezisë “Rekuiem” Rreshpja paralajmëron përshpirtje për diçka që humbi dhe nuk kthehet më. Fjalët dhe shprehjet çelësa të këtij teksti janë: përrua, gjethe, një ditë e vdekur, vjeshtë, shtergët e fundit, të ngrirë, me sytë e verdhë, në heshtje, rrëzohet, trishtimi i borës, lugina, hënë, drerët e erës, kuje, dhimbje, thyer, vdiq, qefin, dimër i drerëve, qajmë. Pyetja retorike në fund të poezisë shpjegon diçka ose gjithçka nga rrafshi kuptimor i këtij teksti. Humbjet janë të mëdha, nuk është thjesht një vjeshtë që ka vdekur, por më shumë se aq, përdersa ndeshin pyetjen retorike në vargun e fundit: O dimër i drerëve me brirët në erë/ Kë vjeshtë të qajmë më parë?/ Teksti është thurur nga metafora të tilla si: Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës/ Dhe drerët e erës venë kujen me dhembje./ Frederik Rreshpja është adhurues i natyrës dhe në tekstet e tij poetikë ai e krijon natyrën me mjaft finesë e delikatesë, thellësisht shpirtërore, me ngjyrat, tingujt, format që të japin ndijesinë e pikturës, muzikës, skulpturës, ku fjala është edhe daltë edhe penel, edhe tingull: Rrëzohet nga druri trishtimi i borës,/ Lugina me hënë e lyer/ Dhe drerët e erës vënë kujen me dhembje,/ Me brirët prej akulli thyer./ Poezia “Zog i vogël” nis me vargjet: Tani ti do të ikësh qiejve./ Por akoma fluturimi yt rrin në duart e mija./ Në tekst ndihet shqetësimi për humbjen, ndonëse ende zogu i vogël gjendet në duart e unit poetik. Bie në sy se vëmendja e unit poetik nuk është te objekti, zogu i vogël, por te veprimi, fluturimi (Fluturimi yt rrin në duart e mija). Zogu nuk është me zog, por fluturim dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë kurrsesi në çerdhen e duarve, Në dy vargjet që vijojnë paralajmërohet humbja e moskthimi: Mos i harro duart e mija!/ Në një çerdhe të tillë njerëzore/ s’ke për t’u prehur kurrë më./
Frederik Rreshpja nuk e shikon humbjen si fatalitet, por si diçka të zakonshme, të pritshme që do ndodhë, herë-herë edhe të domosdoshme. Madje ai e grish zogun e vogël të shkojë, i vetdijshëm për humbjen e re në radhën e gjatë të humbjeve: Shko të presin qiejt!/ Kam pasur shumë gjëra që i kam lëshuar me duart e mija./ Kam pasur shumë dashuri që ikën një nga një…/ Në këto vargje sërish duket sikur shfaqet ndjenja e mazohizmit, përjetimit të kënaqësisë që vjen nga vuajtja, por si edhe në rastin që përmendëm më lart, te poezia “Fat”, altruizmi është ndjenja mbizotëruese. Vërtet, duart njerëzore janë çerdhja më e ngrohtë, por grishja e qiejve është shumë më e fortë. Dhimbja e humbjes shfaqet më qartë në dy vargjet e fundit: Eh, fluturoi edhe gëzimi i fundit./ Hija e tij u bë hënë dhe ra në det./
Në një tekst tjetër të Frederik Rreshpjes ikja, humbja merr përmasa të mëdha, sa humbja e Trojës. Uni poetik në këtë tekst sheh edhe humbjen e vetes. Kjo poezi titullohet “Shtëpia e këngës”. Teksti sjell pamje të “Shtëpisë së këngës”, që mund të jetë ngrehina e poezisë në një kohë antipoezi: Shtëpi e vjetër kulmrrëzuar si fati im/ Shtegu i mbuluar me lule-harresë./ Shkoi dhe bardi plak me lahutë,/ Me sytë prej mermeri të verbër./ Mund të mendohet se ka një ngutje kur krahasohet humbja personale me humbjen e Trojës. Në jetën e individit ka jo një, por shumë beteja që janë për të më të rëndësishme sa beteja për Trojën dhe humbjet e saj. Për të sqaruar këtë na vjen në ndihmë një episod nga jeta e Charli Chaplinit. Kur dikush u çudit se nëna e Chaplinit nuk e dinte se kishte filluar Lufta e Parë Botërore, dhe këtë çudi ia shprehu asaj, ajo iu përgjigj se nuk kishte se si ta dinte. Në shtëpinë e saj kishte një luftë shumë më të madhe dhe shumë më të rëndësishme se çdo luftë tjetër, kishte luftën për të ushqyer e rritur një vatër fëmijë. Më poshtë poezia vazhdon me këto vargje: Tani edhe mua te balli/ çdo ditë më rëndon një mermer i verbër./ Po shkoj edhe unë mbi lule-harrese,/ Po shkoj edhe unë në shtegun e vjetër./ Uni poetik është i pikëlluar nga harresa, flakja në një kohë tjetër dhe vetë pranon të largohet i mundur, i humbur. Në dy strofat që vijojnë teksti mbart kuptimin pse ndodh kjo ikje, kjo humbje: O shtëpi kulmrrëzuar, ç’qe ky fat?/ Sytë e mermertë i kemi pasë/ Por, koha jonë ka Kuaj Prej Druri,/ Por koha jonë nuk ka Iliadë./ Natyrisht është fjala për kohën e diktaturës që nuk kishte ngjarje, nuk kishte beteja, nuk kishte heroizma, nuk kishte as heronj, pra nuk kishte Iliadë. Kishte, sikurse thuhet në tekst Kuaj Prej Druri, pra tradhëti e kurthe. E në këtë antikohë për çfarë duhet të këndojnë poetët? Cilët do të jenë heronjtë e poemave të tyre? Strofa e fundit e poezisë është e drejtpërdrejtë: Ç’të këndojmë iliada të stisura?/ Ç’të këndojmë akilët e gënjeshtërt?/ Homerin e bënë heronjtë,/ Homerin nuk e bëri talenti./ Me ç’duket është koha kur gënjeshtra, falsifikimi i historisë, sajimet e luftrave dhe betejave, fabrikimi i heronjve nga produkt artizanal qe kthyer në produkt të kombinatizuar. Kujtoni miliona e miliona kopje librash ku shtypej gënjeshtra.
 .

Frederik Rreshpja (1940-2006)

Frederik Rreshpja (1940-2006)

Miti i humbjes në diskursin erotik

Ekzistenca njerëzore ka në themel të saj dashurinë. “Përderisa marr frymë, dashuroj” – thotë në një intervistë për median poeti Visar Zhiti. Diskursi erotik i Frederik Rreshpjes është në tërësinë e tij rrjedhë e sprapsme e humbjes. Të gjithë tekstet kanë si rifiniturë trishtimin, pikëllimin, vetminë si pasojë e humbjes së dashurisë. Nuk mungon edhe shpresa për rikthim si në tekstin e poezisë “Aerodrom”: Dal e të pres në breg të një qielli,/ Dal e të pres buzë një reje./ Vështroj si rrëzohen shirat, ylberët, yjet./ Siç shihet në këtë tekst edhe vendi i pritjes nuk është në tokë, por lart në qiell, a në breg të një qielli, nuk është në një port, por buzë një reje. Më tepër se dashurinë reale uni poetik kërkon e pret dashurinë sublime. E pret të ulet poshtë me shirat, ylberët, yjet. Madje është aq i sigurt se ajo gjendet aty, sa guxon edhe e urdhëron: Zbrit!/ E di që je diku pas një mjegulle. Si në të gjithë tekstet me diskurs erotik të Rreshpjes ai nuk takon dashurinë, por humbjen e saj. Në pritje që dashuria e tij të zbresë poshtë, dhimbja e tij ngrihet lart: Venë e vinë avionët e botës./ Po ti, në ç’shira je fshehur vallë?/ A e ke parë dhëmbjen time/ Si ngjitej me ulërimë nëpër qiej? E në vijim autori është humbësi më i madh ndërsa lexuesi është përfituesi më i madh estetik nga vargje të tillë. Për këtë është i vetdijshëm edhe autori. Në një tekst tjetër poetik të Frederik Rreshpjes me titull “Peizazh pa ty” ndeshim këto vargje: Dikush po ikën/ Por tërë këto shira/ Jo, nuk bien për një ndarje të thjeshtë./ Ndarja është e madhe, është ndarja me njeriun e dashur. Në tekst sërish ndeshim një pyetje retorike, që më shumë se pyet shpjegon: O palma,/ Për kë festojnë këto portokalle?/ Unit poetik i duket bosh peizazhi pa të dashurën. Madje ai çuditet kur shikon se në peizazhin pa të dashurën e tij ka ende dritë: Dhe dritat e portokalleve i lëkund era në muzg/ Mbi detin tërë valë./ Në tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes miti i humbjes së përhershme shoqërohet edhe nga miti i metamorfozës, kur trishtimi, dhimbja, pikëllimi janë të përmasave të mëdha. Në kë rast miti i metamorfozës është rrjedhojë e mitit të humbjes. Boshi që lë pas humbja e dashurisë e kthen njeriun, në këtë rast unin poetik, në shpirt të shkretëtirës dhe koha do të kthehet në rërë. Në poezinë “Vetëm rëra” Rreshpja shkruan: Si shpirt i shkretëtirës u ula/ Mbi trishtimin e kësaj nate vere./ Tani e tutje, pa ty./ Tëra netët kanë për të qenë prej rëre./ Siç shihet humbjet pa fund lënë gjurmë te uni poetik. Metamorfoza nga njeri në shpirt të shkretëtirës dhe nga netë në rërë, tregon për trauma të forta të përjetimit të humbjes. Krahasimi si shpirt i shkretëtirës është befasues për nga origjinaliteti. Në mitologjinë tonë motra që humb vëllezërit kthehet në qyqe, në një zog të përzishëm, por sidoqoftë me shpirt, ndërsa metamorfoza në shpirt rëre dhe natë rëre është ku e ku më e rëndë. Po cili është shpjegimi i grisë së madhe në diskursin poetik për dashurinë te tekstet e Frederik Rreshpjes? Nga teksti, për mendimin tonë, nxjerrim arsyen estetike. Një dashuri ku mbizotëron ndarja, ikja, mosardhja jep mundësi të mira për të krijime më cilësore. Natyrisht, jashtë tekstit arsyen duhet ta kërkojmë te jeta e autorit, jetë tërë privime, ndëshkime, izolime nga shteti i kohës. Gjendet një tekst poetik me titullin “Ndjesë”, ku autori fajëson veten për humbjen e dashurisë. Kur të vërtetat dalin nga teksti, ato janë edhe më të verifikueshme edhe më të besueshme. Ja poezia: Më mbeti pa thënë ajo fjalë/ Ndoshta shkallët e kësaj nate, deri te Hëna/ Do t’i ngjisnim dorë për dore./ Tani te Hëna shkoj i vetëm./ Askush nuk do të na shohi dorë për dore./ Dhe vetëm për një fjalë të pathënë./
Edhe në këtë tekst shohim se udhëtimi deri te Hëna është një pelegrinazh estetik, për të cilin shpirti i unit poetik është i unshëm.
Në librin poetik “Në vetmi” të Frederik Rreshpjes gjendet një cikël poetik kushtuar nënës, i titulluar “Homazh nënës”. Humbja e nënës për unin poetik është ndër humbjet më të dhimbshme: Në asnjë dorë të botës nuk më zë gjumi./ Isha mësuar me kokën në duart e tua./ E ke ditur që kam diçka nga deti;/ Breg më breg dhe gjumi nuk më zë./
Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)

Poeti Shqiptar – Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)

 .

Miti i metamorfozës

 Ngjitet malli nëpër rrënjë dhe bëhet lule.
O druri i qershisë që të mbolli nëna ime
Unë jam vëllau yt!
…Përkund era pikëllimin e luleve
A ndoshta duart e nënës vizatuar në erë.
Rritu, rritu druri i qershisë!
Unë s’kam për të lulëzuar më…
Frederik Rreshpja
 
Frederik Rreshpja është para së gjithash poet. Para se të jetë i burgosur politik, disident, publicist, ai është veçanwrisht poet. I vetdijshëm për këtë fakt ai pothuajse nuk e përmend fjalën burg. Nuk gjen në krijimtarinë e tij tekste poetikë me temën e burgut. Një njeri që ka kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet në burgjet e diktaturës e ka pështyrë fjalën burg para se të marrë penën dhe të shkruajë: “Unë muret dhe prangat i pështyj” – shkruan ai. Vërehet përkujdesja e tij që të mos përmendë fjalën burg, por në vend të saj të përdorë fjalën muret. Të krijohet ideja se burgu me mizoritë e tij ia bëjnë pis dashurinë e tij të madhe dhe të vetme, poezinë. Diku kam lexuar se një i burgosur refuzonte të takonte gruan e tij të bukur dhe të virtytshme gjatë viteve të burgut në mjediset e burgut, thjesht nga ndrojtja se burgu e bënte pis dlirësinë e saj. Frederik Rreshpja e dënon fjalën burg, e dëbon atë nga tekstet e tij, duke mos e shqiptuar dhe duke mos e shkruar kurrë në krijimet e tij. Fjala burg, mbart për të atë kujtim të tmerrit, atë punishte të ç’njerëzimit, ndaj ai e refuzon me mospërfillje fine. Dy janë fjalët që është e pamundur t’i takosh në tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes fjala diell dhe fjala burg. Herë-herë tekstet e tij poetikë të lënë përshtypjen se për Frederik Rreshpjen nuk kishte ndonjë ndryshim të madh midis burgut të madh të rrethuar me tela me gjëmba dhe roje që thirrej Shqipëri dhe burgut të vogël, po të rrethuar me tela me gjëmba dhe me roje, që thirrej Spaç apo Qafë-Bari. Madje siç edhe kemi përmendur më lart poeti Frederik Rreshpja nuk doli nga burgu kurrë, nga burgu i madh apo i vogli nuk ka rëndësi. Edhe postdiktaturën e pa si zgjatim të diktaturës në kushte të reja. Te tekstet e tij poetikë miti i humbjes, sikurse e pamë edhe më lart është miti dominues, ndërsa miti i metamorfozës ndeshet më rrallë. Uni poetik në diskursin poetik të Frederik Rreshpjes ndihet më komod i prangosur nga zinxhiri i humbjeve se sa nga komforti që vjen si rrjedhojë e procesit të shndërrimeve dhe konvertimeve, ndaj kur ndjen se duhet të shndërrohet, ai zgjedh vdekjen, si shndërrim sublim.Në tekstin poetik “…Është një zog” fati i unit poetik është i parathënë nga një zog i vogël që vajton natë e ditë. Është fati a fataliteti i tij: U shuan yjet në pëllëmbët e mija/ Dhe sytë e tu u bënë dimër./ E kam ditur ç’braktisje më pret,/ Moti ky zog ma ka thënë./ Më poshtë poeti pohon metamorfozën e tij në vjeshtë, si akt vetflijimi, jo si mundësi shpëtimi. Kur e gjen shtëpinë e gjetheve të kyçur me hënë, poeti ndihet edhe më fatkeq, sepse nuk ka as ku të vdesë: Do të bëhem vjeshtë dhe do të shkoj/ Të vdes te shtëpia e gjetheve./ Shtëpia e gjetheve kyçur me hënë./ O Zot! Nuk kam as ku të vdes…/
Nëse në balada i vdekuri ngrihet nga varri, në poezinë e Rreshpjes ndodh e kundërta. Uni poetik vdes herë pas here, për t’u shfaqur përsëri: O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri./ …Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura./ Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua./ Unë kam qënë trishtimi i botës…/
Trishtimi është shenjë semantike në tërë diskursin poetik të Frederik Rreshpjes. Edhe në këtë tekst pohimi “Unë kam qënë trishtimi i botës” e vesh këtë dukuri të poezisë së tij me petka kozmike. Metamorfozat në të gjithë tekstet e Frederik Rreshpjes janë metamorfoza formale, që kalojnë nga një forëm në një tjetër me synime thellësisht estetike. Nëse të poezia e Visar Zhitit miti i metamorfozës përdoret më shpesh në funksion të rrafshit semantik të tekstit, te Frederik Rreshpja miti i metamorfozës përdoret pothuajse në të gjitha rastet në funksion të rrafshit estetik të tekstit. Në tekstin e poezise “Dhembje” malli ngjitet nëpër rrënjë dhe shndërrohet në lule. Qershia, që e mbolli nëna e unit poetik shndërrohet në motër të tij. Era e përkund pikëllimin e luleve dhe ato shndërrohen në duart e nënës vizatuar në erë. Në një tekst tjetër poetik e dashura ekziston si e mira ime prej lotësh, pra si dhimbje, e parelizuar, vetëm si ekzistencë estetike, në një tjetër tekst drurët janë shndërruar në antena që nuk përcjellin asnjë lajm: Drurët, si antena ku zërat kanë vdekur, pikëllimi i unit poetik shndërrohet në një kalë të zi te poezia “Dashuri e humbur”: Kali i Zi i Pikëllimit ç’më rrëzoi/ dhe rashë si në balada./ vetmia në poezinë me titull “Oremus” shndërrohet në dru: Vetmia mbi supin tim/ Rëndon e bëhet dru./
Në tekstin e poezisë “Det” hëna kthehet në varkë të dhimbjes, ndërsa dallgët sipas një logjike të brendshme në lotë: Hëna ikën nëpër mjegulla/ si varka e dhëmbjes sime/ apo Vijnë dallgët dhe bëhen lotë/. Siç shihet edhe nga shembujt e sjellë të gjitha metamorfozat e përdorura në tekste janë në funksion të rrafshit estetik të diskursit poetik. Zotimi për të estetizuar dukuri, lehtësisht të estetizueshme nëpërmjet metamorfozës së tyre si dallgët, hëna, vjeshta, shiu, trishtimi, pikëllimi, drerët, bora, është i pranishëm në poetikën e Frederik Rreshpjes. Ndërsa kushti për të ndodhur metamorfoza, një ngjarje e rëndë apo një gjendje e rëndë shpirtërore, janë të pranishme në mënyrë të pandalshme te uni poetik, pra te autori, që nuk pa një ditë të bardhë në këtë botë, përveç kënaqësisë sublime estetike të krijimit.
Tek poezia me titull “Ave, nëna ime!” nëna është kthyer si Shën Mëri për poetin, pas ikjes së saj nga kjo botë. Duhet të lexojmë kontekstin për të qartësuar këtë tekst. Poeti u dërgua dhunshëm në burg për 16 vjet.Në atë ferr, ku vuajti padrejtësisht, provoi harrimin e miqve, harrimin e shokëve, harrimin e gjithkujt, përveç nënës së tij, që i shkonte në burg me boçen e ushqimeve ndaj ai shkruan: Ave, nëna ime!/ Vetëm te ti kam besuar,/ Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen! Adhurimi për nënën takohet edhe te poezia “Nënës”, ku kemi një rrëfim të hapur: Nëna ime, ti dhembje e pashuar,/ Ka kaq vjet që rri në dhe të zi;/ Edhe yt bir, siç duket së shpejti,/ Do ta lërë këtë botë, nënë, e di. S’më vjen që iki kështu,/ Se asnjëherë i lumtur s’kam qënë,/ Veç në pyjet ku xhindët vallëzojnë/ Rreth drurëve të galvanizuar me hënë./
Një nga dukuritë që ndeshet shpesh dhe shkakton metamorfoza në tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes është pritja.Në tekstin e poezisë “Rri e rri” për shkak të mosardhjes së asaj ndodhin shndërrime traumatike: Druri i pritjes u bë dimër,/ çeli dëbora lule te era./ Ndërsa përjetësinë e nënës së vet e shikon te shndërrimi i syve dhe zërit të saj në bar. E takon fëmininë e saj të ruajtur në pasqyrat e ujit të vendlindjes së saj: Pashë fëmininë e nënës sime/ Ruajtur në pasqyrime krojesh/ Këngët e rinisë së saj,/ Shndërruar tashmë në erë./
Rrëfimi para nënës është rrëfimi më i besueshëm. Që në strofën e parë gjejmë një varg profetik të Frederik Rreshpjes, parashikimin për ikjen e tij të shpejtë nga kjo botë: Edhe yt bir, siç duket, së shpejti,/ Do ta lërë këtë botë, nënë, e di./ Në këtë rrëfim ne dallojmë të vërteta që i kemi ndeshur, ndoshta jo kaq drejpërdrejtë, si mungesa e lumturisë së unit poetik, apo takimi me lumturinë vetëm në poezi: veç në pyjet ku xhindet vallëzojnë/ Rreth drurëve të galvanizuar me hënë/. Gjithashtu në vargjet që vijojnë takojmë edhe një të vërtetë tjetër, mungesën e kompromisit, mungesën e përshtatjes, mungesën e konvertimi, mungesën e shndërrimit të qytetarit Frederik Rreshpja përballë dhe me arrogancën e pushtetit: Shkoj te lumi ku qajnë ciganët/ për rërat e largëta me dritë./ Po pse dreqin jam gatuar kështu/ Të grindem me të tëra qeveritë?/ Ndërsa në strofën e fundit, në kundërshtim me përshtypjen që krijohet për poetin si ateist, ai shfaqet si besimtar: Nënë, nuk kam qënë në faltore kaq vjet,/ Por do t’i lutem Shën Mërisë për ty;/ Eh, mundet që edhe mua ndokush/ do ma gdhendi mbi krye një kryq./ Metamorfozën e njeriut, shndërrimin e formës së tij, por thjesht formës, Frederik Rreshpja, në kundërshtim me arketipet e poezisë së tij, e sjell në një tekst poetik të drejpërdrejtë, thurur me fije revolte e zëmërimi të titulluar “Deklaratë shtypi”. Kjo poezi është shkruar në postdiktaturë, ku zogu i zgjedhur për emblem nga shumë njerëz është kameleoni. Mungesa e respektit, apo edhe mosvëmëndja e shtetit dhe e shtetarëve për një shpirt të martirizuar si shpirti i Frederik Rreshpjes, tregon se në postdiktaturë nuk ka sistem vlerash, por anarki vlerash. Mendojmë se zemërimi i poetit te ky tekst është i përligjur: Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje/ Te këmbët e diktatorit jeni shtrirë,/ Dhe më keni quajtur mua skandaloz/ Për fjalën time të lirë./ …Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë,/ Kope hipokritësh servilë;/ Unë muret dhe prangat i pështyj,/ Unë kam lindur skandaloz dhe i lirë!/

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook