back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Fragmenti, detaji, momenti… tek “Më kujtohet”, si “puzzle” grimcash jete – Përshtypje e mbresa nga Ermira Xhomaqi – Godo

Gazeta

"Më kujtohet" 2 - Libri më i fundit i Ylli Demnerit
“Më kujtohet” 2 – Libri më i fundit i Ylli Demnerit
Të shtunën, më 11 maj, ora 18:30 në Maison de l’Albanie,
26 place Denfert-Rochereau 75014 Paris,
u prezantua vëllimi i dytë i librit “Më kujtohet…” i Ylli Demnerit.
***
Me pjesën e dytë të librit “Më kujtohet” mund të thuhet se Ylli Demneri
shikon me sy të ri një hapësirë të ndërmjetme të jetës nën komunizëm.
Është një hapësirë e konsideruar herë e papërfillshme
nga rrëfimi historik që i bëhet së kaluarës, e herë krejtësisht e munguar
nga gjithë produkti kulturor akoma i riciklueshëm nga ajo epokë.
Njerëzit, vendet, gjuha, festat, veshjet, shkolla, shijet, zanatet,
që gjithmonë kanë qenë aty, mbështjellë me një lloj kohe,
i nxjerr në një kohë tjetër shqisa poetike e Demnerit
dhe i faneps para nesh me një formulë “më kujtohet” që nuk është e përrallës.
Bukuria dhe shëmtia janë kaq ngjitur njëra-tjetrës, jo për t’u kontrastuar
po për të bashkëjetuar e për të krijuar një lloj epifanie të përditshmërisë komuniste...”
Elsa Demo
 
Ermira Xhomaqi Godo - 11 maj 2019
Ermira Xhomaqi Godo – 11 maj 2019

Fragmenti, detaji, momenti… tek “Më kujtohet”, si puzzle grimcash jete

Përshtypje e mbresa nga Ermira Xhomaqi – Godo

“Më kujtohet” i autorit Ylli Demneri, është një përmbledhje copëzash, fragmentesh e grimcash jete, të cilat ofrojnë projeksione imtësisht të sakta të realitetit të një kohe të shkuar dhe mbartin tema nga më të ndryshmet të kujtimeve të fëmijërisë e rinisë së tij, përjetimet, ëndërrimet, dashuritë, sloganet e një epoke të zymtë, frikën e ankthin, shkurt, përbërësit e momenteve të jetës në një kohë, në një vend, në një lagje, në një shtëpi, në një hapësirë, diku, dikur…
Përmes një teleskopi i cili zmadhon detajet e imta të kujtesës selektive, paragrafët e këtij libri bëjnë bashkë një “puzzle” kujtimesh të shkruara në një kohe të mëvonshme, të cilat kanë gjetur shteg e marrin rrugë prej kujtesës individuale, për t’u ndarë, e madje edhe pronësuar nga të tjerë, duke përcjellë kështu mesazhe të cilat kalojnë dukshëm kujtimet e një individi dhe u takojnë tashmë, më gjerësisht, një grupi a një komuniteti.
 
Autori rrëfen duke përzgjedhur fakte, ngjarje, personazhe të cilat shumë prej nesh, të një brezi me të, i kemi jetuar, dhe më pas diku i kemi lënë, e ndoshta i kemi harruar. Ai rendit e “krasit”, sipas një përzgjedhje diktuar nga vegime drite të shkëputura, të cilat diku ndalen e fotografojnë objektivin e vizuar, brenda një figure të çrregullt gjeometrike të përcaktuar prej tij e diku më tutje, ndoshta anashkalojnë duke lënë të tjera fakte në heshtje.
Në këtë rrafsh optik, “Më kujtohet” është një rrëfim vetëreferencial i përcaktuar nga pasqyrimi i një raporti individual, i cili shërben si nyja gordiane e vetë autorit me epokën e përshkruar, kompozuar kjo edhe nga prirja e tij e natyrshme për t’i përkitur një historie kolektive të cilën ai reflekton.
Metoda e autorit gjatë gjithë shkrimit të këtij libri do të përmblidhej në një triptik: Fragmenti, detaji, momenti... Kujtimet e copëzave të jetës të cilat pulsojnë nga thellësia e kujtesës, pikërisht aty ku ajo kërcënohet nga harresa… E përtej këtij përcaktimi, lexuesi mbetet natyrshëm i hapur, në rikuptimësimin, rikujtimin dhe plotësimin e tablove që teksti ofron në çdo ngjarje a personazh. Ato tablo të cilat pashmangshmërisht mund të mbushen e tejkalohen në horizonte krejtësisht të personalizuara. E në këtë rast, kjo marrëdhënie, lexues-autor u ngjan raporteve të cilat krijojmë me ndodhitë në një shfaqje teatrale, ku edhe pse në vendin e spektatorit, jemi njëherazi dëshmitarë e përjetues, shpeshherë po aq, në mos edhe më shumë, se vetë aktorët në skenë. 
“Më kujtohet kur i vogël, më kapte gjumi në prehrin e gjyshes dhe ndjeja dorën e saj që më kalonte mbi flokë duke më kënduar me zë të ulët ninulla të kohës së saj.”– e natyrshëm teksti të bëhet i afërt dhe dashuria e shfaqur për gjyshen, krijon këtu një marrëdhënie tejet personale me ngjarjen “kaluar në kohë”, e cila në këtë rast rikthehet madje në ngjarje “tejet e kohës”.
“Nëse do të isha i paracaktuar të jetoja, – thotë Chateaubriand – do të mishëroja në personin tim, në kujtimet e mia, parimet, idetë, ngjarjet, katastrofat, epopenë e kohës sime, aq më tepër pse kam parë mbarimin dhe fillimin e një bote, dhe se karakteret e kundërta të këtij mbarim-fillimi gjenden të pleksur në opinionet e mia.”
Atëherë, duke vazhduar në këtë diapazon kumbues të Chateaubriand, angazhimi i autorit në shkrimin e këtyre copëzave kujtimesh ngjan më një rikthim në kohë në të shkuarën, risjellë përmes filtrit të të sotmes. Por, edhe më shumë se kaq e në këndvështrimin tim, “Më kujtohet” është një përpjekje më shumë, për të kuptuar dhe plotësuar, përmes një rrëfimi të thjeshtë, atë boshllëk e zbrazëti, të kujtimeve të një epoke të mjegullt, të lidhura pashmangshmërisht me katër nocione bazë: Mohimin, Durimi (pa folur), Frikën dhe Heshtjen…
“Më kujtohen pullat me portretin e Viktor Emanuelit… si dhe frika se mund të të futnin në burg po t’i gjenin. (Kjo më ishte ngulitur në mendje.)”
“Më kujtohet se edhe atyre pak turistëve që vinin në Shqipëri, askush nuk guxonte t’u fliste. Aq e madhe ishte frika…”
.
Takimi ne Maison de l'Albanie, 26 place Denfert-Rochereau, Paris
Momente nga Takimi ne Maison de l’Albanie, 26 place Denfert-Rochereau, Paris
Dhe fragment pas fragmenti ti ndjen e takon, imazhe, bashkëkohës, të afërm e të panjohur, të cilët e plotësojnë këtë realitet dhe të shtyjnë ta vështrosh atë përtej përmasave individuale.
“Më kujtohet dhimbja dhe trishtimi që më pushtoi kur më thanë se Ilirian Zarin, një shok klase e kishin vrarë në kufi. Vetëm disa ditë para se të hapeshin kufijtë”
“Më kujtohet të kem menduar se ai izolim i panatyrshëm shkaktoi hemoragjinë më të madhe në gjithë historinë e Shqipërisë. Mijëra e mijëra vetë lanë vendin e tyre, ashtu si para pesë shekujve nga pushtimi otoman.”
Dhe ashtu siç kërkon e rrëmon në kujtimet e tij, po aq natyrshëm autori kërkon edhe jashtë tyre, në kujtesën e rrugëve, të kthinave të qytetit të tij të shkollave, tablove… i vetëdijshëm që mund të gjejë gjurmë që duhen ruajtur, duke zhbiruar deri në zona të mugëta, pa e harruar edhe humorin e hollë:
“Më kujtohet pastiçeria dhe 11 prilli i vitit 1985. Atë ditë ishte dhënë lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës. Dy djem që po pinin konjak i thanë një vajze që mbante në dorë një pastë: “ Jo një po dy duhet të hash sot!”
“Më kujtohet mërzia e disa pasditeve. Asnjë vend ku mund të shkoje. Pasdite komuniste”.
“Më kujtohet kur i vogël mund të luaja për orë të tëra vetëm me dy gurë të çfarëdoshëm”.
“Më kujtohet kënaqësia kur zbulova se liria mund të ekzistonte vetëm në kokë”.
Ky fotografim “i së gjithës në një”, kjo lëvizje e shtrirje, ndihmon, që veç copëzave të sjella prej autorit, të njohim e të zbulojmë gjithashtu diçka e shumë më tepër nga vetja jonë; herë-herë mbetur në vite disi të harruara apo të lëna me dashje në harresë, e më tej të endemi në tisin e ngjarjeve ku kanë marrë kuptim tregues të rëndësishëm të përkatësisë dhe ekzistencës sonë, edhe pse ato çka ndeshim në këtë libër, mund të mos jenë egzaktësisht të njëjtat me ato çka kemi përjetuar. Sepse vitet që rrjedhin e jeta jashtë atdheut, shpeshherë e shtojnë ndjeshmërinë ndaj përkatësisë e rrënjëve, dhe, sa më shumë ndien peshën dhe trysninë e natyrshme për asimilim në mjedisin e vendit të pritjes, aq më shumë reagon në mënyrë ndoshta të pavetëdijshme me një ndjesi kundërshtie, rezistence, të fshehur e të fjetur, për të ruajtur diçka thelbësore, diçka tënden të mirëfilltë, të patjetërsueshme, të paasimilueshme, të paharrueshme, sikurse mes të tjerash edhe Kujtimet.
E në këtë mënyrë, shkrimi i këtyre fragmenteve kujtimesh merr formën e një bashkëbisedimi, i cili kërkon të sfidojë vitet, kohën, epokën e shkuar, duke vendosur në sfond spektrin e skajshëm e të thjesht të një komunikimi tejet njerëzor.
“Më kujtohet të kem menduar, madje shpeshherë, që vdekja e vërtetë është harresa”… Dhe larg saj, këto grimca kujtimesh, zgjojnë tek lexuesi reflektimin se në vitet që shkojnë “harresa” është ajo, e cila nuk “do të falte”, asnjërin prej nesh, sepse duke patur përparësinë e ruajtjes së kujtesës, çdo njeri prej nesh mundëson “rikrijimin” e epokave dhe botëve.
.
Paris, 11 maj 2019
.
Ylli Demneri - "Me Kujtohet"  - Pjesa e 2
Ylli Demneri – “Më Kujtohet 2” 

***

“…Në kuadër të rrëfimeve të mëdha letrare të bën përshtypje fakti se autori, në vend të zmadhimit të mbresave të dikurshme, në vend të trillimit artistik për t’i mbushur zgavrat e kujtesës, në vend të shtrirjes së plotë në kohë e në hapësirë të fateve njerëzore a të sendeve me vlerë simbolike, ndjek metodologjikisht rrugën e kundërt që ndjekin zakonisht romancierët: e atomizon kujtimin, e lan dhe e pastron xeherorin e përvojës e të njohjeve të tij duke nxjerrë nëpër faqet e librit vetëm kristalet e çmuara të trashëgimisë, ato grimca që kanë shkëlqimin, forcën domethënëse dhe vlerën e arit, të diamantit…”
Virion Graçi
 
***
“…Përmes çdo ‘fotografie’, me lajmotivin “më kujtohet”, shkrimtari Demneri zbulon këndvështrimin e tij, që në optikën artistike shfaqet si dëshmi, si filozofi, si mesazh, si mënyrë e të jetuarit, si ekzistencë portreti, por edhe i plotësuar me detaje herë të dukshme e herë të fshehta, herë të dhimbshme e herë trishtuese.”
Xhahid Bushati
 
***
“…Janë skicime që vijnë koncize e të përkora, me një ndjenjë mase në mall e nostalgji, në humor e trishtim, në miklim e stigmatizim, në mirënjohje e urrejtje. Si për të na kujtuar se drejtpeshimi dhe ndjenja e masës janë tipare që dëshmojnë art…”
Çapajev Gjokutaj
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.