back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Fqinji i Bodrumit tregim nga Edmond Hasani

Gazeta

Edmond Hasani - Refleksione mbi bunker
Edmond Hasani – Refleksione mbi bunker

Fqinji i Bodrumit

tregim nga Edmond Hasani

I vjen gjithmonë era hudhra nga goja, e pavarsisht se dua ta shikoj me simpati, kur ja ndjej edhe aromën e rakisë e shmang takimin me të, por sot gjithçka brenda meje u përmbys.
-Mondi, – me thotë – eja të të tregoj diçka! – dhe duke ecur para meje me heq udhën poshtë, tek bodrumi i pallatit ku banon prej kur nuk mbahet mend. Përkulet poshtë një shtrati të madh e të lashtë  bashkëshortor, e prej andej nxjerr një kuti! E hap dhe në duart e tij shikoj një gramafon të vjetër. Ulet mbi shtrat, pi ujë nga një broke e zbukuruar me vija jeshile dhe befas më thotë:
-Ti je i ri në këtë pallat e ndoshta nuk më njeh fare as mua e as banorët e tjerë apo jo?”
-Po, – i them, – ka dy muaj që kam ardhur këtu!
Ai nuk flet, ndërkohë e ve në punë gramafonin e ndërsa prisja të dëgjoja ndonjë këngë të vjetër sa mosha e gramafonit në vesh çuditërisht më futen ca ofshama, britma, pasthirrma, psherëtima… Ah… uh…. oooooooh…!
-Edmond, gruaja ime është vrarë duke u arratisur me not bashkë me një mik të sajin, i cili rezultoi të ishte dashnori i saj, diku mes liqenit të Ohrit para nja 30 vjetësh!
Çava sytë nga habia dhe mekja ime shoqëruar me tingujt e çuditshëm të gramafonit të lashtë i dhanë kurajo fqinjit tim të vazhdonte tregimin!
-Pas vrasjes së saj dhe demaskimit tim para kolektivit si armik i klasës më detyruan të divorcohem prej saj, megjithse ajo  kushedi ku ishte dekompozuar plotësisht nga ujrat dhe korani i liqenit!
Ju afrova fqinjit, i hodha krahun në qafë pa ditur ç’ti them, por rrudhat e tij ishin më të forta se ç’mendoja unë e kështu nisa të dëgjoj në heshtje mes klithmave të gramafonit një thriller të jashtzakonshëm!
-Ok, – i thashë dikur, – veç një zemër e fortë si ti, i mbijetoi kësaj tragjedie familjare, por më thuaj çfarë janë këto klithma në gramafon!
-Hahahahaha, – shpërtheu e qeshura e tij me një histeri dhe kollë azmatike sa desh ma vdiq fqinjin tim! Pastaj kur u qetësua disi, vazhdoi të më thotë:
-O Edmond, fqinjët e këtij pallati ose me saktë të hyrjes tonë nuk jane njerëz dosido, përkundrazi, ata janë vipa, dhe bëri nji buzqeshje tallëse! – Ja, në kat të katërt jeton vëllai i kufitarit që vrau gruan time dhe dashnorin e saj në liqen të Ohrit! Në kat të tretë jeton ish sekretari i partisë i uzinës që më demaskoi mua si armik i Partisë! Në kat të dytë jeton ish gjykatësja që e dënoi pas vdekjes gruan time me 25 vjet burg dhe ndalim të së drejtës për të votuar e për t’u votuar! Kurse përballë saj jeton gruaja e ish dashnorit të ish gruas time që është martuar me kufitarin vrasës të tyre! A e bën dot lidhjen e tyre me gramafonin tim o Edmond, se më dukesh edhe si gjë e zgjuar!?!
Kishte filluar të më ngacmonte hundët era e mykut, egrasisë dhe pisllëkut të bodrumit dhe mezi prisja të dilja prej andej kur ai vazhdoi:
-Pas pijes kthehem vonë fare në shtëpi dhe që ta dish në orët e vona të natës rreth pallatit dëgjohen pëshpërima, rënkime, ngashërime, pasthirrma të cilat unë i incizoj në shiritin e gramafonit! Do thuash ti ç’janë këto tinguj! Edhe unë ende nuk e di nëse këto që po dëgjojmë janë britmat e ndërgjegjeve të plagosura të mëkatarëve tanë, o mos vallë britmat, rënkimet e gruas time, e dashnorit të saj dhe viktimave të tjera të kriminelëve që sot jetojnë më mirë se dje… dhe mbi mua gjithmonë?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.