back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Fluturim mbi veprën poetike të Lazër Radit e disa histori rreth saj… – nga Jozef Radi

Gazeta

Lazer Radi - Poetika - 2019
Lazer Radi – Poetika – 2019 

Fluturim mbi veprën poetike të Lazër Radit

dhe disa histori rreth saj…

nga Jozef Radi

Në hymje të kësaj përmbledhjeje poetike, e cila përban krejt veprën poetike të Lazër Radit, asht edhe kjo dyzinë e ma tepër poezish, që kemi mujtë me i mbledhë me kujdes prej shtypit të viteve ’30, botue gjatë periudhës 1937 deri në 1944. E gjykuem të drejtë mendimin që ato të ishin pjesë e këtij botimi përmbledhës, mbasi s’janë të përfaqsueme në asnji libër të botuem deri sot.
Sigurisht, nëse ndjek rrugëtimin e këtyne poezive, të shpërndame ndër gazeta e kohna të largëta, kupton se Lazër Radi i ka qindrue besnik stilit, ritmit dhe frymës së tij poetike, tue ruejtë nji individualitet të vetin, si në formë edhe në përmbajtje, çka asht nji dëshmi e soliditetit artistik, pa u zhyt në thellsi e në vlerat e saj, për të cilat duhet të shprehen tjerë profesionistë që kanë me u marrë në kohnat që vijnë… Ajo çka vlen me u theksue asht fakti se falë botimit në shtyp të kësaj dyzine poetike, këto pak vargje shpëtuen prej tragjedisë së kohnave të mavonshme.
Jam i sigurt, se botimet në shtyp duhet të kenë edhe ma tepër poezi, po mundsia jonë dhe gërmimet ndalen këtu. Ajo çka asht e nevojshme me u shpjegue për kët libër, asht dëshpërimi që edhe nëse gjendet diçka, kanë me mungue përgjithmonë dorëshkrimet poetike të autorit, të cilat u dogjën nji mbramje terrori të shkurtit të 1951, mbas “bombës” së hjedhun në Ambasadë Sovjetike, ku nji prej të arrestuemve, do të ishte edhe i vllai i Lazrit, Baltoja, lirimi i të cilit bani hi “thesin e dorshkrimeve”! Sikur të kishte mbijetue ai thes dorëshkrimesh do të kishim nji tjetër diskurs ndaj poezisë dhe veprës së Lazër Radit.
.

Lazer Radi, Cascade delle Mormore - Terni, korrik 1991Terni
Lazer Radi, Cascade delle Mormore – Terni, korrik 1991
Si dëshmi e kësaj që po shkruejmë, asht artikulli i kritikut letrar dhe gazetarit të njoftun të viteve ’30, Jani Lili, i cili le disa gjurmë të kësaj pune në shtypin e kohës e në mënyrë të veçantë ai flet për nji poemë, të cilën Lazër Radi e kishte gati për botim, bile ndonji fragment e kishte botue edhe në shtyp. Le ta shofim nji fragmet prej shkrimit të Jani Lilit: “…Kishim shqetësimin e justifikuar të mësonim se me çfarë merret sot shkrimtari i jonë, i pari sociolog shkrimtar shqiptar. E shikojmë të punojë ditë e natë dhe ja përgjigja mbi pyetjen tonë përkatëse:
-Kam gati për botim një vjershë sinfonike, që kam në punim këtu e tri vjet.
Sa për këtë libër të ri të Radit kisha nderin ta shijoj vlerën e tij në dorëshkrim. Në këtë vepër të re sado që i vjetër për poetin që sjell titullin Toka e vdekun” vizatohen shqetësimet e një epoke të tërë. Me një dridhje danteske del si përfundim dëshira e çlirimit, një dëshirë e gjallë për një jetë të re. Poeti kërkon flakën e pastrimit që do të sjell dhuratën e ringjalljes. Një jetë e shkuar pa frute dhe përbri shquhet dëshira, tensioni i poetit, tension dhe dëshirë e gjithë rinisë së re për nji jetë të sigurt, për nji të arthme të ndritur.
Është një vjershë sinfonike e fortë që përmbledh ankimet dhe shqetësimet e epokës së kaluar…” (Gazeta Tomori, e premte, 20 prill 1940)
Gjithsesi, kjo e vërtetë tashma hyn te drama e autorit dhe veprës së tij, ne thjesht e përcollëm kët formacion të verifikuem prej shtypit të kohës, që mbetet nji dëshmi modeste e vijimësisë së tij poetike.
Asht me vlerë të shtohet edhe nji detaj tjetër i këtij libri, që dëshmon se poezia në vendet e vuajtjes intelektuale, që do ta ndiqte për shumë vite edhe jetën e Lazër Radit, ka jetue edhe tue u trasmetue si mbamendje! Midis poezive të shkrueme nëpër burgje, janë edhe tri poezi të autorit, të shkrueme në burgjet e shumta ku ai vuejti. Ato janë shpëtue prej nji mikut të tij të burgut, nji poet për të cilin pak asht folë dhe pak njifet. Ai ka qenë shpëtimtar i tyne, mbasi plotësoi edhe nji tmerr të folun për burgjet shqiptare, ku poezi të ndryshme janë regjistrue thjesht me kujtesë, me mbijetue prej kontrolleve e terroreve e shumta.
.
Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut”
Nji mbramje vjeshte të vitit 1973, në shpinë tonë erdhi nji mik i panjoftun i quejtun Hamit Ajdini! Kishte qenë në burg me babën qysh 18 vjeçar, i arratisun prej Kërçovës dhe jetonte në Çermë Emigrant. Erdhën me babën në të errun. Ishte i dobët, i veshun keq, i sëmunë dhe i vetmuem. Atë natë aty mes nesh u shndrit i gjithi dhe gjaja ma e bukur qe recitimi i tri poezive të babës të ruejtuna prej tij për aq shumë vite (më shumë se 20) në kujtesë. Titujt e të cilave ishin: “Orë Poeti”, “Piramidat” dhe“Barbarët e Kuq”, të cilat mbasi i recitoi me nji pasion të rrallë, unë kambngula me i shkrue. Isha jo ma shumë se 16 vjeç, në vit të dytë gjimnaz. At natë ai m’i diktonte ngadalë dhe unë i shkrova ato tri poezi, që kishin mbijetue burgjeve dhe prej asaj nate erdhën edhe në shpinë tonë, tue i dhurue nji kënaqësi të rrallë, jo vetëm tim eti! Këto tri poezi u banë pjesë e randsishme e librit “Muret e Muzgut”, botue në 1993, tue theksue faktin se ishin dëshmi që edhe në burgjet e diktaturës midis intelektualve të shumtë qe mbajtë gjallë poezia, që kishte mbijetue tue shërbye edhe si shkollë edukimi, ndërkohë që kultura jasht burgut vritej dita-ditës prej barbarve të kuq.
Në mbyllje të këtij shënimi, mundem me thanë se në kët përmbledhje asht ba përpjekje me u mbledhë krejt krijimtaria poetike e Lazër Radit dhe asht ruejtw krejt sistemi kronologjik i botimeve te autorit. Çdo krijim që mund të gjendet mbas këtij botimi, ka me u trajtue me kujdes e m’u paraqitë në ndonji botim të ardhshëm…
Shtator 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.