back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Filmi shqiptar: një arkivol që e paraqesin si djep – nga Edison Ypi

Gazeta

Sigla e Kinostudios Shqiptare
Sigla e Kinostudios Shqiptare

Filmi shqiptar: një arkivol që e paraqesin si djep

nga Edison Ypi

Kazan plehrash plot me coftina, bilbila polici të ndryshkur, gajde të çara, lahuta të çakorduara, çizme të grisura, stomaqe bosh, sy të çakërrdisur, veshë të zënë, tru të atrofizuar, gjëndra kanceroze, lëkura me ekzema, kocka të deformuara, gjarpërinj të ngordhur, lepuj të zgjebosur, kufoma të kalbura, i tillë ishte filmi shqiptar.
Filmi shqiptar ishte një pëgërje propagandistike, të cilën shqiptarët pasi e hëngrën pritën sa u erdhi rasti të rrëmbejnë një anije për të ikur për ta vjellë në fund të botës.
Në vendin ku i vetmi kamjon ishte ZIS-i, e vetmja veturë ishte GAZ-i, i vetmi vend gatimi ishte haleja, e vetmja këpucë që nuk fuste ujë ishte çizmja e ushtarit, e vetmja dashuri ishte imagjinata, e vetmja dashnore ishte dora, e vetmja dëshirë ishte të ikje nga sytë këmbët; çfarë thoshin se prodhonin në një mjedis të tillë, ishin të gjitha rrena.
Shqipëria diktatoriale prodhoi vetëm 1 gjë. Atë më të urryerën, më brutalen, më të turpshmen. Atë që i thuri lavde skllavërimit, bindjes së verbër, servilizmit, spiunllëkut dhe të gjitha veseve të tjera më të ndyra; makabritetin estetik më kriminal që ka parë bota, fëlliqësirën e quajtur film shqiptar.
Filma të mirë pa aktorë të mëdhenj, ka. Aktorë të mëdhenj pa filma të mirë, nuk ka kurrkund tjetër veçse në filmat shqiptarë. Filmi shqiptar është e vetmja këllirë kinematografike e historisë së botës i bërë nga regjizorë “gjenialë” dhe aktorë “korifej”.
Filmi shqiptar ishte një shiringë nga ato të ndërzimit artificial të lopëve që disa shqiptarë bastardë ua ngulën në kokë shqiptarëve normalë me dhjetra vite derisa ja thithën trurin dhe në vend të trurit i futën zhavorrin.
Filmi shqiptar ishte çmendina ku shqiptarët lëpinë budallallëkun e njëri-tjetrit si macet dhe qëntë gjakun në oborrin e thertores.
Filmi shqiptar ishte një pirun me tre dhëmbë; një sqepar i përgjakur i quajtur “regjizor i madh”, një brisk rroje i ndryshkur i cilësuar “aktor gjenial”, një trupjerdhur që mbahej për “skenarist i talentuar”. Ky pirun me këta tre dhëmbë, nën mbikqyrjen e rreptë të diktatorit dhe Sigurimit, bashkëpunuan ngushtësisht për t’ua nxjerrë sytë dhe çjerrë fytyrën shqiptarëve.
Filmi shqiptar është ajo dukuri katastrofike gjoja edukative që i ndan shqiptarët; Në njerëz që dinë ose nuk dinë ta bëjnë dallimin mes propagandës dhe Artit, janë apo nuk janë të aftë të konstatojnë se Arti nuk është “realitet” por “fiction”, diçka që nuk kuptohet e as interpretohet, thjesht ndjehet.
Filmi shqiptar është një helm që po ta pish, edhe pesë lek po të kesh në xhep, të lind dëshira t’ja falësh një jevge me shpresën e marrë se jevga do t’i shumfishojë.
Filmi shqiptar është një koktejl trullosës të cilin pasi e pi, çoroditesh aq tepër sa shkon shqyen derën e një depoje armësh ku armatosesh deri në dhëmbë, pa e ditur se çfarë lufte do bësh e me kë do luftosh.
Filmi shqiptar është një kakofoni me tekst katastrofik që ka lënë në mendjet e shqiptarëve batutat më të shpëlara e më të neveritshme. Mos provo të kuptosh pse ndodhi kështu se sëmuresh me një diagnozë që s’ka çmendinë që ta shëron.
Filmi shqiptar është një arkivol që e paraqesin si djep.
Filmi shqiptar është një varr që e paraqesin si aeroplan.
Filmi shqiptar është instruktori më i mirë për të mësuar si ta kalosh jetën në kafene.
Filmi shqiptar është këshilltari më i mrekullueshëm për të bindur të mos zësh kurrë libër me dorë.
Filmi shqiptar është mjeti më efikas për t’i shumfishuar budallenjtë.
Për të qënë të sigurt në suksesin imagjinar të filmit shqiptar, po thonë edhe broçkullën e broçkullave, se filmin shqiptar e pëlqen populli Kinez!
Dy lloj shqiptarësh janë apologjetët e fantazmës së përgjakur të quajtur film shqiptar.
Të parët janë ata që me Artin, stilin, frymëzimin, talentin, energjinë kreative, nuk i lidh asgjë, dhe s’kanë asnjë haber kush janë e çfarë kanë bërë, për shembull, Pedro Almodovar, Woody Allen, Roman Polanski, Luis Bunuel. Ngaqë s’mund të fajsohet askush për atë që s’ndjen, këta s’mbajnë asnjë përgjegjësi.
Të dytët janë autorët, aktorët, regjizorët, që ndoshta e dinë kush është Orson Welles, Stanley Kubrick, Akira Kurosawa, por nuk duan t’u ikin për dhjamë qeni dhjetra vitet krrusur mbi govatën e ndryshkur “Shqipëria e Re” brenda së cilës për hesap të diktatorit provuan të lajnë lëveret e përgjakura të shqiptarëve përmes monstruoziteteve propagandistike huazuar nga stepat dhe gulagët.
Zoti i ruajt nga skëterra e këtejme dhe e përtejme edhe të parët edhe të dytët. Filmi shqiptar nuk është asgjë tjetër përpos një vampir propagandistik që mund të shihet pa pasoja psiqike vetëm ulur në rradhën zero, karrikja infinit.
.
Marrë nga Muri i Edison Ypit 18 Mars 2020
.

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Teki Çarçani
    Mendoj se me tepër se propagandë, ashtu si gjithë Realizmi Socialist, kjo kinematografi është johumane. Të gjithë personazhet negative janë patjetër “armiq” apo bij të tyre, si ndodh tek filmi “Dora e ngrohtë” personazhi i interpretuar nga Mirush Kabashi. Po kështu në komedinë “Prefekti”. Ky art “Humanitar” nuk mjaftohet me iternmin e padrejtë të familjarëve, por edhe tallet me Hajrien dhe Shitin, një fëmijë krejt të pafajshëm edhe sipas vetë ligjit komunist. Mjeshtëria artistike kur arti është inhuman, bën efekt të kundërt. Eshtë njëlloj sikur vë në lojë një njeri handikap, sa më “bukur” ta imitosh aq më i pështirë bëhesh. Pra, vetëm një fjalë mund të gjesh për kinematografinë shqiptare të Realizmit Socialist: E pështirë. Kjo është aresyeja që kur dilte një film i huaj (shumë rrallë) kthehej në ngjarje artistike kombëtare.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.