back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Festa e Novruzit nga Prof. Lutfi Alia

Gazeta

Prof. Lutfi Alia
Prof. Lutfi Alia

Festa e Novruzit

nga Prof. Lutfi Alia

Nga viti 1870 dhe në vazhdim, më 22 mars, martaneshasit kremtojnë festën e Sulltan Novruzit – festën e lindjes të Imam Aliut, i pari dhe i vetmi fëmijë, që është lindur brenda ndërtesës të Qabes në Mekë. Dita e lindjes të Imam Aliut, kremtohet si festa e ditës së re, dita e fisnikërisë dhe e bamirësisë bektashiane, dita e ripërtritjes së përgjithëshme e natyrës dhe e shoqërisë njerëzore.
Festa e Sulltan Novruzit përkon me ditën e ekuinoksit pranveror.
Emri Novruz është me origjinë nga gjuha persiane e do të thotë “dita e re”. Kjo festë e mori emrin Novruz, për të nderuar ditën e lindjes të Imam Aliut, ndërsa emëri Sulltan është me origjinë nga gjuha arabe dhe ka kuptimet “autoritet”, “i fortë”, “i madhërishëm”, “sovran”.
Festa e Sulltan Novruzit, është dita e re, dita e bekuar e lindjes të madhërishmit Ali, është festa e shenjtë e bektashijve të gjithë botës. Dita e lindjes të Imam Aliut dhe ekuinoksi pranveror, së bashku shprehin rizgjimin e natyrës, ripërtritjen e njerëzimit, vitalitetin dhe gëzimin shoqëror, andaj kjo festë fillon dhe mbyllet me urimet për të gëzuar shëndet, mbarësi, mirëqenie, dashuri, paqe dhe shpresa për një të ardhme më të mirë.
Festa e Novruzit fillon në mëngjezin e 22 marsit, në përkujtim të ditës të lindjes të Imam Aliut dhe vazhdon tre ditë, deri ditën e tretë, kur e pagëzuan me emërin Ali.
Në këtë festë, të gjithë besimtarët veshin rrobat më të mira dhe familjarisht shkojnë në teqe, për të marrë pjesë në ritualet e festës, të falen dhe të luten në këtë ditë të shenjtë.
Profeti Muhamet, për Imam Aliun ka thënë: “Unë jam qyteti i diturisë, Aliu është porta ime. Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si ajo e Zylfikar Aliut. Kush e do Aliun, më do dhe mua, kush urren Aliun, më ka urryer mua”.
Aliu ishte dhëndri dhe krahu i djathë i profetit Muhamet, i pari ndër dymbëdhjetë imamët, i shquar për dituri, trimëri dhe autoritet.
Imam Aliu asht personifikim besnikërisë, i tolerancës dhe i luftës kundër të keqes dhe kundër urrejtjes, andaj festa e Novruzit, është e shenjtë dhe me domethënie të veçantë për urdhërin e bektashijve, që predikon dhe zbaton virtyte të larta humane.
Imam Aliu është idhulli shpirtëror i rendit të bektashijve, andaj nderohet dhe renditet në trininë e shenjtë: Zoti – Muhameti – Aliu, pra ndryshe nga synitet, që nderojnë binomin Zoti – Muhameti.
Doktrina bektashiane bazohet në katër parimet themelore të për-caktuara nga Imam Aliu:
.
Imam Aliu
Imam Aliu
1.Besimi – thirrja e brendëshme
2.Dituria – shkollimi.
3.Uniteti njerëzor – paqa.
4.Drejtësia – e vërteta.
 
Për festën e Novruzit, poeti ynë i madh bektashian Naim Frashëri ka shkruar: “Sot është ditë e re, përsëritet moti, lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vetë Zoti”.
Më 22 mars, bektashijt martaneshas dhe ato të Grykës së Madhe, të Çermenikës, të Bulqizës, Okshtunit dhe të ftuar nga trevat e tjera, mblidhen në Teqen e Poshtëme për të festuar këtë ditë të shenjtë.
Të gjithë së bashku përjetojnë ceremoninë e fillimit të festës dhe në vazhdim përfshihen në peligrinazhet në Tyrbet e Baba Jasharit, të Baba Hajdarit, të Baba Rushitit dhe të Baba Xhaferrit.
Pjesëmarrësit ndjekin ceremoninë e fillimit të festës dhe ritualet mistike para mekameve të shenjta, luten, falen, ndezin qirinjë për amëshim dhe bëjnë oferta bamirësie, madje shumica hedhin parà dhe vendosin dhurata.
Sipas besimit bektashian, me ndezjen e qirinjëve, i dhurohet dritë shpirtërave, për t’iu ndriçuar rrugën dhe ngjitjen në paqe drejt Zotit, ndërsa me blatimet (ofertat e dhuratat), japin një kontribut modest në mbështetje të Teqes, por njëkohësisht bëjnë dhe bamirësi bektashiane, japin ndihma për familjet e vobegta dhe të semurët. Gjatë dy ditëve të tjera në vazhdim, besimtarët shkëmbejnë vizita urimesh në shtëpitë e njëri tjetri e me pas shkojnë në tyrbet e tjera te fshatrave, si ne tyrbet e Liçit, të Dedës, të Koxherreve, të Gurabardhit dhe Kotjave, ku ndezin qirinjë për amëshim, vendosin kandila vaji, falen dhe i luten Imam Aliut t’iu dhuroj shëndet, mirësi e begati për familjen e vet, për të afërmit dhe njëkohesisht bëjnë oferta.
Pas këtyre ritualeve mistike, të gjithë rikthehen në Teqe, për gostite me drekat dhe darkat, që ofrohen nga Babai.
Xhamia e Aliut në Nexhef, Irak
Xhamia e Aliut në Nexhef, Irak

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.