Fernando Pessoa: “Poet do me thanë me u shti…”

Fernando Pessoa (1888-1935)

Fernando Pessoa (1888-1935)

Drojë e përjetshme prej Pessoas…

nga Jozef Radi

Fernando Pessoa,
asht ndër figurat ma komplekse të letërsisë portugeze dhe asaj botnore…

Artist i madh fragmentar,
për të cilin asht pak e vështirë me u dhanë nji përcaktim i plotë e i saktë,
po asht e pamundun mos thuesh se asht i madh…!
Po… po, shumë i madh.
Ka lanë mbas vedit nji vepër shumpermasaah
dhe nji shumsi shkrimesh, që prekin zhanre të ndryshme krijimi,
prej së cilës del nji mendim i trazuem dhe origjinal,
i karakterizuem prej pikpyetjesh dhe enigmash të shumta…
Pessoa, asht ndër ata poetë që m’ka mundue shumë në sjelljen e tij në shqip…
pse n’vend që me gërmue un te Ai,
asht Ai që pakuptue ka gërmue mbrenda teje,
dhe s’ma ka ban të lehtë me u merrë me të…
pse ai tehu i mprehtë i fjalës, i mendimit dhe ndjenjës së tij…
te vret nëse ti s’e ke kuptue si dhe sa duhet shpirtin e tij…
lene mandej po ta kesh keqkuptue… e keqahkrue!!!
Ky pra, asht Fernando Pessoa sipas meje…
me të cilin merrem prej ma shumë se nji dekade… dhe kam botue vec pak gjà prej tij,
diku e dikur në “Arsin” e 2004-ës…
dhe mundem me thanë vetëm se s’asht i lehtë me u mbrritë Pessoa,
dhe s’di sa m’duhet që Ai nji ditë t’më pranojë si mik të tijin…
Mundem me thanë se u banë shumë kohë që me droje ia lypi kët nder…
Po ai vec hesht… e asgjà ma shumë…
Ju mbetet ju si lexues të lodhjes seme, me u ba fjalëmirë, nëse e gjeni Pessoan në përkthimet e mia!! j.r.

2003-2014

Fernando Pessoa

Fernando Pessoa

Fernando Pessoa:

nga “Poet do me thanë me u shti…”

S’jam asgjà.
S’do të jem kurrë asgjà.
S’mundem ta pranoj mosqenien asgjà.
Pse, kam mbrenda vedit krejt andrrat e botës… Pessoa

1.
Poeti jeton me shtirjen.
Dhe kaq n’thellësi mbrrin me u shtirë ai
sa shfaqet si dhimbje
n’at dhimbje që ai ndjen me t’vërtetë…
2.
Të qenit poet s’asht nji ambicje imja.
Asht mënyra ime me qëndrue vetëm…
3.
Kam dhimbje koke
dhe bote…
4.
S’kam dëshirë me kujtue askënd e më m’njoftë kërkush.
Ndjehemi tepër nëse e kuptojmë se kush jemi…
5.
Shtirje do me thanë me njoftë
ose e thanun ndryshe (Shtiru dhe njih!)…
6.
Letërsia, si krejt artet,
asht nji rrëfim…
se jeta s’na mjafton..
7.
Kam për jetën
interesat e nji xherdhitsi lamshesh…
8.
Mendimi duhet të nisi prej të qenit i panënshtrueshëm…
9.
Sinqeriteti asht nji pengesë serioze,
mbi të cilin artisti duhet të fitojë…
10.
Jam bà i shumfishtë që të më ndjejnë,
që t’më ndjejnë jam detyrue me ndje gjithçka,
dhe kam shpërthye,
jo s’kam bà tjetër veçse kam vërshue…
11.
Kaloj dhe mbetem,
njashtu si Universi…

Skicë mbi portretin e Pessoas

Skicë mbi portretin e Pessoas

12.
Të ndjeshë gjithçka në gjithfar formash,
të jetosh gjithçka kudo që të ndodhesh,
dhe të mbetesh e njejta gjà
n’krejt trajtat e mundshme njiherit…
13.
Derdhë mbi buzët e mia puthjet e krejt takimeve,
valvitun mbi zemrën time shamitë e krejt lamtumirave…
14.
Jam edukue me Fantazi,
kam udhëtue vazhdimisht duke ua dhanë dorën,
kam dashurue, kam urrye, kam folë,
dhe kam mendue gjithnji kët gjà,
gjitha ditët mia ta ken kët dritare përballë,
dhe gjitha orët m’duken të miat, bash prej kësaj…
15.
Vdekja asht kthesa e rrugës,
të vdesësh do me thanë se s’të ka pà askush…
16.
Çfarë di?
Çfarë kërkoj?
Çfarë ndjej?
Çfarë duhet të kërkoj nëse m’duhet të kërkoj?
17.
Nga  kati im i katërt gjer n’pafundësi,
n’intimitetin e kandshëm të mbramjes që zbret kadalë,
prej njasaj dritareje që sheh shfaqjen e yjeve,
lshohen andrrat e mia n’harmoni t’nji ritmi,
n’nji largësi që i shtyn ndër udhë e vende t’panjoftuna,
ndoshta hipotetike, o thjesht t’pamunduna…

Fernando Pessoa

Fernando Pessoa

18.
Mall!
Oh sa mall kam edhe për ato gjanà që s’qenë asgja për mue,
për ankthin e ikjes së kohës dhe smundjen e misterit të jetës.
Fytyrat që random i shihja n’rrugët e mia t’zakonshme:
nëse s’i shoh m’kap trishtimi,
edhe s’qenë asgjà tjetër për mue,
veçse simbol i krejt jetës.
Ku asht ai plaku i paemën, me tutat e pista
me t’cilin kryqëzoheshim pothuej përdit
në nantë e gjysëm të nadjes?
Po ai topalli që shiste biletat e llotarisë
e m’dërdëlliste pa prà, t’ma mbushte mendjen pa sukses?
Po ai trashamani i hareshëm, me cigare n’gojë,
që rrinte si shtyllë te dera e duhanshitsit.
Po ai duhanshitsi veremli?
Çfarë bahet me të gjithë ata,
që veç për faktin se jem pà vazhdimisht,
tash bajnë pjesë n’jetën time?
Nesër edhe unë kam me humbë në Rua da Prada,
o në Rua dos Douradores, o në Rua dos Fanquerios.
Nesër edhe unë – shpirti që ndjen e që mendon,
ai univers që unë bart n’vetvedi -
po, po nesër edhe unë do t’jem nji prej atyne
që ka me rreshtë s’kaluemi andej pari,
e nji prej atyne tjerve ka me pyetë habitshëm:
“Ç’ka t’ket ndodhë vallë me at filanin?”
Po e gjitha kjo ç’ka po ndodh tash,
ajo ç’ka ndjej dhe ajo ç’ka përjetoj kët çast
s’do t’jetë asgja ma shumë
veç nji kalimtar ma pak
në t’përditshmen e rrugëve t’nji qyteti çfaredo…
19.
Shpirti im asht nji orkestër misterioze;
s’di sa vegla muzikore tingllojnë e klithin mbrenda meje:
korda dhe harpa, lodra dhe tambure.
Po vedin, ah vedin… e njof si simfoni…
20.
Sot papritmas
ndjeva në vetvetdi
nji sensacion absurd po të drejtë.
Përmes nji drite të msheftë e hyjnore,
kam kuptue që s’jam askushi.
Askushi,
po, absolutisht askushi…
21.
Çdonjeni prej nesh
asht ma shumë se nji,
asht shumë,
asht nji shumsi vetvetesh…

Përktheu: Jozef Radi

(Pjesa hyrse e Librit “Il Poeta è un Fingitore”. 200 citime të përzgjedhuna nga Pessoa prej Antonio Tabucchit për botuesin Feltrinelli” botuar te Revista Ars, gusht 2004)

Rubrika e Arsit: "Qiell i Përtejmë"

Rubrika e Arsit: “Qiell i Përtejmë”

Skeda Fernando Pessoa

Ndër veprat ma të njoftuna të tij janë
-Nji shumsi e vetme.
-Poezi
-Poezia e Alvaro de Campos
-Odet e Ricardo Reis
-Faqe ezoterike
-Letër së fejuemes
-Libri i shqetsimeve.
-Poeti – si filozof i shtirjes
-Marinari
-Novela policore

Fernando António Nogueira Pessoa lind në Lisbonë, me 13 qershor 1888 nga Madalena Pinheiro Nogueira dhe Joaquim de Seabra Pessoa, kritik muzikor në nji t’përditshme portugeze. Jetim nga i ati prej vitit 1893, e kalon rininë në Afrikën e Jugut, në ndjekje të martese të dytë, që e ëma bën më 1895, me komandantin Joào Miguel Rosa, konsull portugez në Durban, ku Pessoa kryen të gjitha studimet.
Në 1905, kthehet në Lisbonë, i regjistruem në kursin e Filozofisë në fakultetin e Letrave, por mbas nji aventure të dështuem botuese impenjohet si korrespondent i frëngjishtes dhe anglishtes për ndërmarrje të ndryshme tregtare. Detyrime të cilat i ruajti për krejt jetën.
Në 1913, mbasi kishte kalue eksperienca të ndryshme, bahet përhapës i “paulismit” dhe gjen entusiazëm midis shkrimtarëve të brezit të vet. Në të njajtën kohë nis me bashkëpunue me revistat si A-Aguia, Portugal Futurista, etjerë, duke iu kushtue në mënyrë të veçantë romantikëve anglezë dhe Baudelaire, nji aktivitet letrar i nisun qysh prej kohës kur ishte student në Universitetin e Kjeptaunit. Aty rreth vitit 1914 shfaqet përmes pseudonimeve: Alberto Caeiro, Ricardo Reis dhe Álvaro de Campos.
nga fëminia shfaqja e personazhit të fantazisë së tij Kavalier la Pas, nëpërmjet të cilit Pessoa “i shkruante letra vetvetes”.
Në 1915, së bashku Mário de Sá-Carneiro, Almada Negreiros, Armando Córtes-Rodriguez, Luis de Montalvor, Alfredo Pedro Guisado e të tjerë i japin jetë revistës avanguardiste Orpheu, ku shfaqen edhe eksperiencat futuriste, pauliste e kubiste; revista edhe pse jetëshkurtë, zgjoi polemika të thella në ambientet letrare portogeze, duke i hapur prespektivë evolucionit të poezisë portugeze.
Vjen nji periudhë në të cilën Pessoa tërhiqen nga interesa ezoterike, të cilat do të kenë nji ndikim të thellë në veprën e tij. Ka nisur prej vitit 1920, e vetmja aventurë sentimentale e jetës së tij. Gruaja e quajtur, Ofelia Queiroz, asht nëpunëse e nji prej ndërmarrjeve të import-eksportit, për të cilat punonte edhe Pessoa. Raporti, mbas nji pauze prej disa vitesh, ndërpritet përfundimisht në 1929.
Në 1926, në nji intervistë dhanë nji gazete të kryeqytetit, mbas grushtit ushtarak që i dha fund Republikës, Pessoa nisi me shprehë pikëpamjet e veta rreth teorisë së Perandorisë së Pestë, sipas së cilave mbreti Don Sebastian, i vdekur në 1578, në betejën e Alcazarquivir, do të kthehej me trup e shpirt për të rivendosë nji mbretni të drejtësisë dhe paqes. Kjo Perandori do të kishte karakter të veçantë kulturor dhe aspak politik a ushtarak si Perandoritë e maparshme.
Më 1934, Pessoa publikon Mensagem, të vetmen përmbledhje me vargje, nën kujdesin e vet poetit.
Me 30 nëndor 1935, Fernando Pessoa vdes në nji spital të Lisbonës, mbas nji krize hepatice, shkaktue kryesisht prej abuzimit me alkoolin.
Në 1942, u botuan “Poesias de Fernando Pessoa” të ndjekuna nga “Poesias de Álvaro de Campos” (1944), “Odes de Ricardo Reis” (1946), “Poemas de Alberto Caeiro” (1946), Poemas dramaticos (1952), Poesias ineditas (1955 e 1956), Quadras ao gosto popular (1965), Novas poesias ineditas (1937), Poemas inglese (1974), Livro de Desassossego (1982), etjerë.

Revista Kulturore Ars

Revista Kulturore Ars

Përgatiti j.r. (botue ne Ars – Gusht 2004)

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Kafe letrare, Përkthime  Etiketat: , , , , , , , , , , ,
Një përgjigje
  1. Noni... Tha:

    Pessoa ështe një nga poetët që ka lënë një thesar të paçmueshëm, por përgezimet duhet t’i shkojnë edhe përkthyesit që ka bërë gjithashtu një punë të mrekullueshme dhe na dha mundësinë të lexojmë mjaft vargje magjike prej këtij autori!!!!!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook