back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Feriku i Fidaneve – nga Meti Fidani

Gazeta

Familja Fidani
Familja Fidani

Feriku i Fidaneve

nga Meti Fidani

Xhaxhai im Feriku, ishte më i madhi dhe më i urti i 5 vëllezërve Fidani. Ndoshta më i urti po dhe më punëtori në gjithë Devollin e Siperm. I vetmi njeri që nuk turbullonte ujët kurrë, i themi ne nga anët tona.
Ne nipërit e mbesat e tij i thërrisnim Baba, në shenjë respekti apo dhe sipas traditës bektashiane ku xhaxhait të madh i thërritej: baba.
Feriku ishte martuar në Poloskë, në sojin e Demir Bej Poloskës, një familje patriotike. Bile vete Demiri kishte njësitin e tij vullnetar në Nikolicë, për mbrojtjen e kufirit nga reprezaljet greke të pasluftës së Parë Botërore. Ferdaneja ishte xhaxhaica ime, bejlereshë e Poloskës, nusja e parë dhe më e madhja e 4 kunatave.
Në fillimin e viteve ’40, vëllezërit Fidani kishin një ekonomi të fortë e të qëndrueshme. Ata kishin mullinj, destila për larjen e përpunimin e qilimave, kishin një dyqan në Korçë, bagëti, kullota, pyje, etj. Rrjedhimisht merrnin edhe punetorë (hyzmeqarë), nga Devolli i Poshtëm.
Rreth vitit 1943, xhaxha Estrefi siguroi një turbinë nga Italia, për kthimin e energjisë së ujit të mullirit në energji elektrike.
Kjo ishte e nevojshme, mbasi aty punohej me turne, ngaqë kishte ngarkesë tregu. U montua turbina ngjitur me mullirin, dhe u instaluan drita të fuqishme, të cilat e bënë natën ditë, në gjithë sheshin ku ishin nderë gunat dhe qilimat, si dhe në dy punishtet. Hyzmeqarët u trembën shumë nga dritat, dhe e ndërprenë punën. “Ka hyrë shejtani!” – thoshin – mbasi nuk kishin parë dritë aq të fortë…
Atë ditë në fshat erdhi edhe një batalion partizan. Por, që të jetojë e të luftojë partizani, duhet edhe të hajë, edhe të ndërrohet, edhe të flerë. Ku më mirë se në shtëpinë tonë. Aty ishte bollëku, qumështi, djathi, mishi e mbi te gjitha mikpritja. Plot 4 dhoma u lëshuan për miqtë partizanë. Hyzmeqarët e trembur nga dritat, thanë se, “Më mirë të na hajë gjermani, se shejtani…” dhe u bashkuan me batalionin. Po atë ditë edhe xhaxhai im i vogël, Nekiu, doli partizan. Nga emri nacional-çlirimtare, kuptohej dhe mendohej që kishte vend edhe për nacionalistët në luftë… Nga parrulla, pa dallim feje dhe ideje, kuptohej që do kishte pluralizëm! Kur thuhej që do krijohet qeveria demokratike e pasluftës, të jepej përshtypja që do të kishte një demokraci. Kjo ishte arsyeja që Familja Fidani e dërgoi Nekiun në luftë, megjithëse i vogël në moshë
xhaxha Nekiu si shakator që ishte dhe është, edhe pse po afrohet në 100-at, u thoshte hyzmeqaro-partizanëve
“Ne, kur u trembem nga drita e korrentit, vaj halli nga gjermanët! Po hajde tani dolëm! Të dalë ku të dalë!”
Nekiu është nga veteranët e paktë të luftës në Korçë, që janë gjallë. Ai tregon se “I ndoqëm gjermanët këmba-këmbës gjer në Jugosllavi, por gjermanë nuk pamë gjëkundi!” Ndoshta gjermanët ishin më të shpejtë. Por në të njëjtën kohë duhej bërë spastrimi nga forcat e brendshme kundërshtare, nga bajraktarët dhe kleri katolik, tregëtarët e ballistët. Edhe pse ishte në Jugosllavi, Nekiu e kuptoi se lufta nuk ishte vetëm çlirimtare, po ishte edhe vëllavrasëse!
Një ditë rreshtuan brigadën e u thanë se “E çliruam edhe Jugosllavinë! Tani e tutje kush dëshiron të qëndrojë oficer në ushtri, le të qëndrojë, kush nuk dëshiron, le të kthehet pranë familjes. Nekiu zgjodhi variantin e dytë.
Kur u kthye ai nga lufta nuk gjeti as edhe një vella. Dyqani në qendër të Korçës qe sekuestruar, shtetëzuar dhe boshatisur. Tregetarët e Korçës po i shkonin në thikë. Një prej tyre ishte dhe xhaxha Estrefi.
Estrefi e kuptoi rrezikun që i kanosej, por ishte dhe mjaft i zgjuar.
Ai lajmëroi nxënësit e shkollave dhe i dha të gjithë artikujt shkollorë dhe veshjet për bamirësi, për fëmijët në nevojë. Kjo e ndihmoi disi, për t’i shpëtuar dënimit kapital, por megjithatë u fsheh në Melçan, te njerëzit e së shoqes, Xhevos!
Xhaxhai tjetër, Lacja, u fsheh në Qinam të Kolonjës, në familjen e Ibrahim Salikos, ne të cilën ishte martuar me Vedijen… Xhaxha tjetër Ferikun e kishin marrë pa treguar se ku e do ta çonin…
Etem Fidanin, babain e shkruesit të këtyre rreshtave e kishin dënuar me pushkatim, por falë ndërhyrjes së Myftar Tares, u anullua vendimi me 101 vjet burgim.
Partizani i liruar, Neki Fidani, mori rrugën për në Nikolicë…
Ka arritur natën në fshat. Trokiti në dritare.
-Kush është? – u dëgjua nënë Naimeja, gjyshja ime trimëreshë.
-Nekiu jam
-U gjallë qenke mor Nekua i nënës. Neve na mori lumi mor bir… Unë jam vetëm me fëmijët, me Engjëllin dhe Shazijen. Por ti mos hyrë brenda. Partizanët ruajnë shtëpinë. Erdhën për ta djegur. Shtëpinë e Pajo Bejkos e dogjën
Shko në Batanet dhe ruaj bereqetin dhe qilimat e myshterinjve. Të lajmërosh që nesër në Devoll, Korçë dhe Kolonjë të vijnë e të marrin bereqetin, miellin apo gunat e qilimat, se do të na bastisin. U bë si u bë të mos turpërohemi me myshterinjtë tanë hallexhinj. Ik Neko të keqen nëna!
Eh, gjyshja ime e halleve, me 5 djem e pa djem. Me gjithë atë prokopi dhe pa prokopi, e megjithatë gjyshja Name mendonte për klientelën e Fidanëve, shumica vllehë… Të mos dalim të turpëruar nga kjo gjullurdi!
Atë natë dhe plot ditë e netë, Nekiu i kaloi në mulli, dhe shpërndante porositë e klientëve..
Një ditë erdhi në mulli njëra nga mushkat tona. Atë e kishin ngarkuar tej mase me gurë. Kafsha e sekuestruar e njohu Nekiun. Iu afrua sikur t’i thoshte që ma hiq pak peshën. Nekiu e shkarkoi e përkëdheli dhe e puthi mushkën. Aty u dha një partizan.
-Pse e shkarkove mushkën. Ne po ndërtojmë postën
-Pse kaq shumë ngarkohet mushka? Janë gurë nuk janë pambuk. Mushka do të këputet në mes!
-Ty të vjen keq për mushkën e të deklasuarve – i dhe partizani dhe e goditi kafshën në kokë me kondakun e pushkës, si dënim që kishte hyrë në mullirin e saj, atje ku kishte hyre vite me rradhë.
Nekiu e kapi partizanin për jakë të xhaketës dhe të dy dolën përjashta duke u kacafytur. Të ishte ndodhur Lacja gjaknxehtë, e kishte vrarë fare, por Nekiu ishte shumë i përmbajtur. Në gjysmë errësirën brenda mullirit ata nuk e kishin njohur njeri-tjetrin.
Partizani u mundua të përdorte armën, por Nekiu i fuqishëm ia mori e ja hodhi në jazin e mullirit. Po në jaz, përfunduan dhe kapela e Nekiut dhe kapela e tjetrit me yll të kuq. Një çast burrat shtangën njëherësh
-Po ti qenke, o spurdhjaku i Devollit
-Ti Neki je..
Partizani kishte qenë hyzmeqari ynë, por dhe miku ynë. Ishte kushëri i afërt i Ferdane Cakshirit, i gruas së xhaxha Ferikut… Te dy me Nekiun ata hanin bukë bashkë, luanin bashkë, dilnin për gjah bashkë
-Kemi urdhër t’i ngarkojmë sa më shumë kafshët e konfiskuara nga të deklasuarit – u shfajësua devolliu!
.
Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)
Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)
Dite pas dite, sikur po zbutej disi gjendja, dhe xhaxha Lacja, u kthye nga Qinami, ku rrinte fshehur, si person në kërkim, ai kishte vendosur të dorëzohej. Çadrat e gjyqit partizan ishin në Shipckë të Voskopojës. Nga ai gjyq zor se dilte njeri gjallë. Atje shkonje e nuk ktheheshe më.
Lacja e kishte vendosur. Mori dhe dy fëmijët Engjëllin dhe Shazijen, të dy të vegjël dhe u
paraqit në çadrën e parë që ishte sekretaria. Plotësoi të dhënat në një formular, duke kërkuar që ta falnin për hatrin e këtyre dy fëmijve!
Nga një çadër ngjitur u dëgjua një zë urdhërues
-Iljaz Fidanit t’i falet jeta. Të dënohet 6 muaj me pune të detyruar. As Lacja dhe as sekretarja nuk e prisnin këtë
-Ik o Lace, ik! Merri fëmijët e shko në shtëpi. Ik mor Lace, mor vëlla, se gjaku nuk bëhet ujë – foli ai tjetri pa dalë fare nga çadra.
Ai që po fliste nga brenda çadrës ishte Muharrem Butka, i biri i Sali Butkës
Lacja e hodhi lumin, shpëtoi nga plumbi, po kështu edhe babai im. Ai u dënua me 101 vite burgim në Burrel, por të paktën ishte gjallë… Xhaxha Estrefi u kthye nga Melcani, i falur dhe ai, si tregëtar që e dha pasurinë për shkollat.
Vetëm xhaxha Feriku ishte pa nam e nishan. Thanë se e kishin çuar në Porto Palermo. Nekiu mbushi çantën me bukë dhe u nis në kërkim të vëllait të madh. Mbas 7 ditë e net arriti në Porto Palermo. E gjeti! Ishte gjallë. Gjithë ai Ferik, vetëm rrobat e trupit e mbanin.
Pas rrobave, në trupin e tij nuk kishte mish, vetëm kocka. Po të paktën rronte. Ta marrë vesh dhe nënë Namja, që djali i madh është gjallë
Prej Porto Palermos, Ferikun e çuan në kampin famëkeq të Tepelenës.
.
Engjell Fidani
Engjell Fidani
Atje ishte ç’ishte!
Turpi i rradhës i Partisë Komuniste shqiptaro-jugosllave. Viktima të këtij turpi, fëmijët e familjeve më të medha shqiptare. Fëmijët e Mirditës, fatkeqët e hakmarrjes së madhe për Bardhok Bibën. Tmerret e këtij kampi i ka provuar dhe i ka parë xhaxha Feriku. Ka parë kur fëmija jepte shpirt dhe fjala e tij e fundit ishte bukë… Kishte parë se në një ditë humbën 30 jetë fëminore. Kishte pare kur as arkivole nuk kishte për fëmijët e vdekur… as varre nuk kishte. Komandanti legjendar u kishte hequr dhe të drejtën e varrit… Armiq këta fëmijë. Humbën pa nam e nishan. Shumë eshtra i mori Vjosa. Shumë eshtra nuk dihet se të kujt janë, shumë eshtra nuk dihet se ku janë. Dhe nuk jane pak, po 6000 të zhdukur në gjithë Shqiperinë…
Shqiptarë, o të keqen, Gjaku ynë o t’u befsha unë… Nuk e di nëse u vranë apo jo, 6000 gjermanë në luftë. Por edhe të jenë vrarë, le të jenë vrarë se pushtues kanë qenë, por jo 6000 fëmijë, gra, pleq, të rritur e të parritur. Të gjithë shqiptarë. As genocid nuk i thone kësaj. Nuk i zhduku as greku, as turku, as shkiau. Vetë i zhdukem
ore, as genocid nuk e ka emrin kjo gjë. Si t’ia vesh emrin. Vetëm çmenduri! Çmenduri, Po, po. Vetëm ky emër i shkon!
-Per qahmet të Tepelenës – thoshte shpesh xhaxha Feriku.
Ai ishte një nga të mbijetuarit e këtij kampi. Nuk fliste shumë i urti xhaxha. Sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Vetëm se kur dëgjonte ndonjë këngë për komandantin shkonte me vrap dhe e mbyllte radion. Dhe kush, tepelenasit i kendonin dhe e uronin dita njëmijë. Ç’janë njëmijë?! Njëmijë janë pak. Me shumë… më shume, marrtë ditë edhe nga tonat, se i kemi me shumicë…
Por unë do shkoj tek varri i xhaxha Ferikut, do shkoj t’i them, se po i këndojnë edhe sot xhaxha. Dhe jo vetëm në Tepelenë, po edhe në Korçë, edhe në Sarandë, edhe në Krujë, bile kam dëgjuar që i këndojnë edhe në Kosovë!!
Ke parë kështu ti xhaxha Ferik? Jo nuk ke parë e as dëgjuar. Se ne shqiptarët, o xhaçka im i dashur vdesim për njëçikë sërvilllek, sidomos për këta liderat tanë. Se mos e dish se vetëm Enverit, i thurim këngë. Jo, or jo! I thurim këngë Ilir Metës, Ramës, Monikës. E kujt nuk i thurim!?
Ka dhe me keq xhaxha. Shyqyr o xhaçke që je poshtë dherit e poshtë asaj pllakës së gurtë, dhe as shikon e as nuk dëgjon gjë. Se ta dish ti xhaxha Ferik, edhe Kamberit të Fajdeve dhe te piramidave i thurën këngë ata të Përmetit…
 
Atë dit që erdh haberi
Dilni se erdhi Kamberi!
 
Eh o xhaxhai im i shtrenjtë. I mbijetuari im i Tepelenës. E pikërisht në Tepelenë dhe në gjithë Shqipërinë, lonte dynjaja këto ditë. Atmosferë votimesh xhaxha. Këngë e valle për liderrat. Po jo o xhaxha. Ç’bëhet kështu. Në vend që t’i presim me muzikë vajtimi, ju ngrejmë bejte. Përse këto saze, këto valle, këto këngë. Jo or jo. Muzike vajtimi duhet… Sepse eshtrat e fëmijve të kampit në Tepelenë, nuk janë gjendur akoma… shkaktarët e asaj tragjedie nuk janë gjendur akoma…
Muzike vajtimi, sepse po ikën e gjithë rinia, xhaxha. Prit edhe ca, dhe kur të mbeten vetëm pensionistët dhe ndonjë veteran tek-tuk. E pastaj kush do votoje për liderrat, kush do t’u këndojë. Muzikë vajtimi xhaçka im i shtrenjtë, se Shqipëria po kthehet mbrapa… Si në ’45-n po kthehemi… Shume mbrapa!
Ku të vejë më keq. Po u këndojmë liderrave, dhe komandantit tonë legjendar që krijoi kampin tënd të Tepelenës, atje ku hyre Ferik e dole gjysëm Ferik!
Ç’të të them më shumë xhaxha Ferik. Je mirë atje nën bar dhe nën pllakën e gurte. Je mirë. As dëgjon e as shikon ç’bëhet. Se ne që shikojmë… ç’të të themi xhaxhai im i shtrenjtë… shikojmë e shikojmë, dhe prapë…
S’kemi parë gjë akoma!
.
 
Marre nga muri i fb i Meti Fidanit, korrik 2019
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.