back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Ferdinand Radi (1942-2004) Dashuri, mall dhe dhimbje për Ty Babi… nga Andeta Radi

Gazeta

Familja e Ferdinand Radit (2002)
Familja e Ferdinand Radit (2002)

Ferdinand Radi (1942-2004)

Dashuri, mall dhe dhimbje për Ty Babi…

nga Andeta Radi

Sa mirë të njihja dhe sa shumë më njihje…
sa shumë diskutime dhe sa rrallë qetësi midis nesh,
por sot qetësia jote më është akull që ma ngrin shpirtin,
më është zjarr që ma djeg mendjen, më është ujë që ma fundos zemrën…
Ti je, por s’je më… për Egin që aq shumë e deshe
dhe e le të mbështeste kokën në prehrin tënd në të fundmet minuta të tuat,
u ngjite te një yll lart në qiell, që ai e vështron dhe shpesh flet me ty…
do të shkëlqesh që lart e do ta shohësh të rritet e të bëhet burrë.

Andeta dhe Rozana - Vajzat e Ferdinandit
Andeta dhe Rozana – Vajzat e Ferdinandit

Shkurti është muaji që të vodhi nga ne dhe na solli kaq dhimbje,
por është edhe muaji kur lindi Nocol… një tjetër kënaqësi e jetës…
Me sa duket ti mendove të na balancoje dhimbjen me gëzimin e jetës së re që erdhi…
Ajo nuk të njeh… ajo thjesht ka dëgjuar që ti ke ikur…
Ra për të fjetur dhe papritur në mes të natës u zgjua dhe më tha:
Mami e dua Babi Nandin… pastaj ra sërish për të fjetur…
Të jetë rastësi, apo nga dashuria e madhe që dije ti të jepje
vendose t’i flasësh në ëndërr dhe t’i thuash se do të doje shumë e ta mbaje në krahë…
ta shihje kur ecte… ta merrje përdore dhe të shetisnit së bashku diku…
Sigurisht që diçka i ke thënë sepse ajo mbylli sytë… fjeti dhe buzëqeshte në gjumë.
Faleminderit Babi, që më lejove të të përqafoj përpara se të largoheshe përgjithnjë,
faleminderit që më mësove rrugën tende dhe unë eca e sigurt në të,
faleminderit që më bëre të fal gjysmën e dashurisë që ti dije t’ua falje njerëzve…
faleminderit që më mësove së të qash nuk është turp por është njerëzore…
dhe njerzorja ime sot derdh shumë lotë se ti më mungon shumë…
Sot edhe pse qielli është i errët e di se ti ndriçon diku…
E di se tani je larg, shumë larg… e di se po të ulëras me gjithë thellësinë e shpirtit,
fjalet e mia do t’i marrë era, e do t’i përcjellë tek yjet,
yjet tek hëna dhe në veshët e tu do të vijnë fjalët e mia:
Të dua shumë Babi…dhe do të shihemi!

Të kam thënë në njëmijë mënyra sa të dua por dua të ta them sërish pa fund…
se më mungon shumë dhe të lutem nëpër erë na dërgo një puthje mua dhe Rozit
sepse që nga lart ti mundesh për gjithçka…
Je idhulli që na drejton në jetë të dyjave… Të duammmm shuuuuuuumë!
11 shkurt 2012

Ferdinand dhe Françesk Radi (2002)
Ferdinand dhe Françesk Radi (2002)

Ferdinand Radi (29 gusht 1942 – 11 shkurt 2004)

Ferdinand Radi u lind në Durrës, në 29 gusht 1942, në një familje intelektuale. Nandi ishte nipi i Vinçens Prennushit nga nëna, dhe i Lazër Radit nga babai.
Në vitin 1945, me çlirimin e vendit, familja vendoset në Tiranë. Në vitet e shkollës shquhej për humorin e tij të hollë. Ishte i shkathët, i fuqishëm dhe merrej edhe me sport. Fillimet e veta Radi, i ka në sportin e futbollit, ku nga viti 1958 deri në vitin 1962 luajti me ekipin e parë të Dinamos, derisa mbaroi shkollën e mesme, por që në një moment iu desh të zgjidhte midis sportit dhe artit… vendosi për këtë të fundit. Për këtë ndikoi njohja dhe miqësia me Kujtim Spahivoglin, njohje nga e cila do të kushtëzohej më pas edhe vetë jeta e Ferdinand Radit.
Kujtim Spahivogli u bë shoku dhe miku i tij më i ngushtë, i cili ndikoi drejtpërdrejt në formimin e tij artistik. Në vitin 1965, krahas punës në uzinën “Partizani”, Radi fillon edhe aktivitetin e tij artistik me amatorët e kësaj uzine. Në vitin 1968 mbaron kursin e regjisurës nën drejtimin e pedagogëve të nderuar, Pandi Stillu e Pirro Mani. E megjithatë, formimi i tij nuk ishte i kompletuar, ndaj në vitin 1970, ndjek një kurs pasuniversitar për regjisurë, nën drejtimin e Spahivoglit. Krahas aktivitetit të tij me amatorët, Ferdinand Radi punoi me kontratë edhe pranë Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të ILA (Akademia e Arteve). Këtu interpreton në një sërë pjesësh, të cilat evidentuan aftësitë aktoriale të tij. Kjo pjesëmarrje me trupën profesioniste ndikoi edhe në aktivizimin e tij në film.
Me dënimin e Kujtim Spahivoglit në 1974-ën, Ferdinand Radit iu hap një plagë e madhe në shpirt, dhe kështu merr fund edhe ëndrra e tij për t’u bërë aktor profesionist… shto edhe vështirësi të tjera politike të familjes. Ferdinand Radi arriti të bëhej i tillë, vetëm mbasi u shemb diktatura. Një meritë të madhe Ferdinand Radi ka edhe në filmin artistik, me të cilin ka qenë i suksesshëm, ku ka interpretuar me mjeshtëri figura e tipa që mbahen mend nga spektatori ynë, e që për një kohë të gjatë kishte raste që edhe e thërrisnin me emrin e vetë personazhit. Një ndër ta ka qenë edhe Zani i filmit televiziv “I Treti”. Në film e nisi rrugën e tij në vitin 1971, me rolin e tipografit nga filmi “Kur zbardh një ditë”. Në përgjithësi rolet e tij janë role të dyta, por që kanë një peshë të madhe në filma, e që të mbeten në mendje për figurat e arrira artistike. Punëtor i thjeshtë, agjent, ushtarak i uniformave të ndryshme, kriminel, e shumë tipa të marrë nga jeta, por që falë talentit ata fituan përjetësinë në art. Ndër kulmet artistike në film, Ferdinand Radi ka pa dyshim Zanin nga “I treti”, kapter Mevlani nga “Historiani dhe kameleonët”, ku u nderua me kupën e Festivalit të IX, Sejmeni tek “Balada e Kurbinit”, arixhiu nga “Vdekja e kalit” si dhe roli i fundit i Mishariut në filmin “Nata”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.