back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Feja në shërbim të kombit – nga Shefqet Dibrani

Gazeta

Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani

Feja në shërbim të kombit

nga Shefqet Dibrani

Parantezë ose debati për shaminë

Ky shkrim është shkruar në vitin 1992. Në janar të vitit 1993, në një çajtore në Fushë-Kosovë, kam takuar për të parën dhe të fundmin herë mr. Naim Tërnava (tash Myfti i Kosovës), unë isha i shoqëruar me Avdullahin, një kusheriri i tij, shok i shkollës në Obiliq. Kur i shpjegova Naim Tërnavës, qëllimin e shkrimit më tha se duhej të isha i kujdesshëm, pasi vet ai do më luftonte(?!), përkatësisht të më kundërshtonte publikisht. Po atë kohë, shkrimi nuk është botuar as te revista “Fjala” në Prishtinë, kryeredaktor i së cilës ishte mr. Milazim Krasniqi, më vonë profesor universitar dhe babai i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Qëndrimi politik e fetar i të atit dhe të birit, është shpjeguesi më i mirë i të gjitha zhvillimeve fetare e politike në Kosovë. Për fat të mirë, një fragment i atij shkrimi është botuar te revista “VEPRIMI” , mars 1993, që doli për pak numra në Preshevë. Pas përfundimit të Luftës në Kosovë, po ky shkrim iu ka afruar gazetave dhe mediumeve të shumta në Kosovë, por nuk pat zgjuar interesim për t’u publikuar. Ky studim, nuk ka nevojë të pëson ndryshime as tash pas 30 vjetësh nga koha kur është shkruar. Po e risjellim për lexuesit e shumtë për të parë rëndësinë e tij historike që ka. (Autori).

Shamia si kulturë etografike dhe fati i grave afgane

Kur flasim për “shaminë” si mbulesë etnografike, por jo si detyrim regresiv, gjithmonë duhet me i imagjinuar fytyrat e dikurshme të grave afgane, të cilat në vitet e ’60-’70 në shekullin e kaluar ishin gratë më të gëzuara të planetit, pra edhe të planetit turko-arab. Pra, atëherë kur emancipimi i gruas afgane kishte shënuar progresin më të madh kulturor, progres të cilin e lakmonin të gjitha gratë në Evropë dhe Amerikë, gjë që edhe për këto dy kontinente të zhvilluara, ato vite shënonin Rilindje/ Renesancë të madhe kulturore, jo vetëm për gratë, por për tërë shoqëritë e emancipuara. Tashmë nëpër rrjetet sociale po qarkullojnë me dhjetëra pamje të gruas afgane të asaj kohe. E gëzuar, e lumturuar, e arsimuar dhe e barabartë me burrat afganë, me të cilët, krah për krah përparonin vendin e tyre dhe prosperonin drejt emancipimeve qytetruese. Afganistani dhe bota arabe ishin model i zhvillimit, shkollimit dhe emancipimit të gruas. Atje, gratë vishnin minifunde dhe mbanin flokët të shkurtëra. Ato shkonin në fakultet dhe punonin lirshëm, shëtisnin nëpër rrugë e sheshe pa shoqërimin e burrave me lesh të pa emancipuar.
Tashmë dihet se Afganistani, ka shënuar regres, ka humbur çdo vlerë të emancipimit që kishte para gjysëm shekulli. Atëherë, gratë afgane kishin të drejtën e votës dhe ishin të lira! E sot, gratë afgane i kanë humbur të gjitha liritë qytetare, prandaj shtrohet pyetja: A ka nevojë Kosova të shndërrohet në Afganistan?!
Pra jo aq moti, vetëm para gjysëm shekulli, për Afganistanin ka ndodhur kthimi i historisë prapa?! E çfarë ndodhi pastaj?! Tamam ajo që ka ndodhur para 550 vjetësh në Arbërinë tonë, atëherë kur erdhën Otomanët dhe përmbytën të gjitha zhvillimet e gjeratëhershme, prandaj të gjitha përmbytjet në Afganistan janë rezultat i Leshit në fytyrat e burrave, është zdrali në mendjen e burrave me shallvare, është urrejtja anti Amerikane dhe pikë! Po Kosova çfarë udhe po ndjek ose çfarë kahe qytetruese do të marrë?
Çfarë dhe cili është debati për shaminë, kur feja islame nuk kërkon që gratë të mbulohen me të zeza dhe të bartin shami. Aq më pak duhet ngatërruar shamia si kulturë etnografike e të gjitha kulturave dhe shoqërive të përparuara kudo në botë, por për shkolla e vede publike edhe ajo është e tejkaluar, prandaj çfarë insistohet me shamitë e zeza për faqe të zezë që dëshirojnë për të shënuar regres në emancipimin e femrës, kudo në botë, pa përjashtuar as botën turke e arabe, prandaj kjo tendencë për të margjinalizuar Ballkanin e trazuar dhe Arbërinë tonë Evropiane, është e qëllimshme dhe e porositur.

Çfarë lanë rusët në Afganistan?
Më 15 shkurt të vitit 1989 ushtari i fundit rus u largua nga Afganistani. Po atë vit Ballkani ishte trazuar nga lëvizje të mëdha. Federata e Jugosllavisë po shkatërrohej. Në Kosovë kishte filluar një frymë e re politike, kurse në dhjetorin e po atij viti 1989 u themelua LDK-ja. Më pas edhe Partitë tjera shqiptare duke përfshirë Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Diku në vitin 1991, me rastin e themelimit të Degës së Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës në St. Gallen të Zvicrës, në cilësinë e përfaqësuesit të LDK-së, pata marrë shembullin e kaosit politik që rusët për nëntë vite e mbollën në Afganistan. Me lutjen që ai mentalitet i kaosit politik në Afganistan të mos bartet edhe tek ne në Kosovë dhe Shqipëri, me një fjalë te partitë shqiptare që po themeloheshin kudo në hapësirën ballkanike.

Motivi për t’iu qasur kësaj teme:
Në dhjetor të vitit 1992, për të parën herë vizitova Shqipërinë. Pash me sytë e mi grupet dhe organizatat radikale fetare në Jug dhe Veri që ia kishin mësyrë Shqipërisë. I ndikuar nga ato lëvizje, kam bërë studimin mbi pikëpamjet fetare, i cili edhe pas tridhjetë vitesh mbetet dokument mjaft i saktë, i cili do të duhej të futej në shërbim të shoqërisë. Për të qenë i saktë, me pikëpamjen time rreth ushtrimit të fesë si edukatë, si kulturë, si emancipim, më poshtë po sjellim at studim që ka të bëjë me çështjen fetare, i trajtuar para 30 vjetësh. Edhe pse ky shkrim nuk është marrë fare parasysh ia vlen të lexohet, pasi me pak përshtatje mund të bëhet dokument zyrtar dhe i detyrueshëm në nivel Nacional! (St. Gallen, 20.08.2022).

Roli dhe rëndësia e fesë

Feja si pjesë kulturore dhe edukative e kombit
Vitet 1990-1991, shënojnë kohën e ndryshimeve në Evropën Lindore, ku do të qesin në pah pasojat e sistemit komunist që kishin lënë vragë nëpër këto vende, si në zhvillimin ekonomik po ashtu në atë industrial, kulturor dhe religjioz. Përkundër faktit se në të gjitha vendet e Lindjes, politika e centralizuar komuniste ishte kundër fesë, prapseprap ato nuk e shkëputën kontinuitetin e besimit në tempujt e tyre shpirtërore, të cilat në kushte të vështira kishin marrë edhe fatin e kombit në duart e tyre. Tashmë në pjesën kryesore të këtyre vendeve Kisha ishte bërë simbol i rezistencës dhe rrugë e vetme për ta shporrur nga vendi komunizmin. Kjo gjendje në Shqipëri ndryshonte. Atje feja ishte ndaluar me ligj. Ishin përdhosur institucionet e shenjta, klerikët ishin katandisur nëpër burgje. Kontinuiteti i mësimit fetar e kishte humbur ritmin e tij. Tashmë atje gjeneratat hynin në dekadën e tretë pa ushtrimin dhe ndikimin e fesë, si religjion, si kulturë.
Tanimë ishin zgjuar ambiciet e kishës ortodokse greke dhe qëllimet e saj politike për të invaduar në Jugun e Shqipërisë, po ashtu kishte filluar një invazion i ri i vendeve islamike, kurse evropianët rrinin indiferentë ngase ata gjithmonë kanë qenë alergjikë sidomos ndaj fesë islame. Interesat politike, të cilat ishin kamufluar nën petkun religjioz paraqisnin shenjat e para mjaft të rrezikshme për të ardhmen e vendit, ndonëse edhe vet intelektualët shqiptarë i frynin me të madhe zjarrit të ndasive fetare duke u bërë hallka të së keqes në këtë përmbytje të madhe.
Për t’u marrë seriozisht me trajtimin e kësaj teme duhet pasur guxim dhe kurajë sepse një shtresë e caktuar as nuk do të të kuptoj karshi interesave të tyre të ngushta. Megjithatë kjo temë nuk duhet të mbetet tabu, prandaj trajtimin e kësaj dukurie po e lëmë më shumë në formë të një ideje, ku do të përpiqem me shpalosë sheshazi edhe rrezikun që i kanoset Jugut të Shqipërisë nga ndikimi dhe tendenca e Kishës Ortodokse greke duke dhënë edhe udhëzime elementare, për një preventivë të mundshme për t’i balancuar tendencat e lindjes dhe perëndimit në këtë plan. Kjo ofensivë fetare kishte dalë në pah në Veriun e Shqipërisë, atje ku popullata shumicë ishte e ndikimit islam, si religjion, si fe dhe si ndikim.
Nuk arrita të mësoj kurrë pse nuk u debatua më seriozisht, si hapa preventivë në kohën kur ende s’kishin invaduar Kisha Ortodokse greke dhe organizata fanatike nga orienti nëpër gjithë Shqipërinë e dal nga regjimi obskurantist. Shikuar në retrospektivë, ngjarjet që ndodhën më vonë, në Shqipëri dhe tendencat e politikës orientale pas luftës në Kosovë, më japin të drejtë të them se pikëpamjet e shtruara në atë kohë kishin qenë të sakta, ndërsa tagrin e pasojave do të paguajnë brezat tjerë.

Edukata fetare e fëmijës

Çdo fëmijë i vogël, fjalën e parë që mund ta dëgjoj nga Nëna e tij është Krishti apo Muhamedi, kjo ndodhë te fëmija i porsalindur i cili ende thithë qumështin e nënës. Pse ndodhë pikërisht kështu? Sepse lutjet në shenjtin e tij Zotin, gjendjen shpirtërore të nënave në situata të caktuara, në mënyrë permanente, me një imagjinatë a fantazmë të pa përshkruar e mëkon. Nënat, bekimin më të madh fëmijës ia bëjnë duke fragmentarizuar pjesë të caktuar nga librat e shenjtë Bibla apo Kurani. Fëmija që rritet instinktivisht i nxitur nga prindërit, fillon të marrë pjesë në ritet fetare. Këto ndodhin në çdo shtëpi dhe njëherë çdo fëmijë e brumosin me porositë morale të fesë që i përkasin prindit. Pa pyetur “përse”, fëmija futet në krishterizëm apo islamizëm, dalëngadalë, instinktivisht pa bërë zë e pranon fenë e prindërve, (vallë kush ka bërë zë apo ka menduar përse pranuam këtë apo atë fe). Dhe është krejt normale se fëmija i posa lindur pranon fenë e mesit ku ai lind, pra në cilën zonë fetare lind ai. Dhe pa mbushur formularët e anëtarësimit e përqafon fenë e atij rrethi, më konkretisht fenë e familjes. Pra zgjedhja e fesë nuk është rezultat i një zgjedhje të vullnetshme, por është një imponim i dhunshëm nga prindërit.
Bindjet fetare u ngjajnë shumë bindjeve morale dhe zakoneve. Askush nuk di t’i përgjigjet pyetjes përse ka pranuar dhe praktikuar një zakon. Andaj edhe fyerjet dhe abuzimet tjera që bëjnë ndaj feve duhet t’i shmangim nga fjalori bastard i mësuar dekada me radhë.
Shoqëria jonë ka hyrë edhe ajo, më së fundi në epokën e pluralizmit politik. Në këtë kohë nuk kemi të bëjmë me besimin në kultin e individit, që predikoi Zotin, dhe sipas kësaj duhej ta kemi vetëm një mendim, vetëm një rrugë, vetëm një parti, vetëm një organizatë, vetëm një gazetë, vetëm një roman, vetëm një libër, vetëm një dramë, vetëm një fjalë që së bashku bëjnë vetëm një tragjedi… Pra deshëm apo nuk deshëm në shoqërinë tonë u shfaq pluralizmi i mendimeve që nënkupton, mendimin, që me udhë të ndryshme të arrihet liria! E, ç’kuptojmë me pluralizmin fetar, përveç udhë të besimeve për të arritur në parajsë. Pluralizmin fetar e kemi pasur që moti, ngase hapësira shqiptare i përket tri besimeve të mëdha të cilët kanë ndikimin e tyre në regjione të caktuara të vendit, pa pasur konflikte e luftëra ndërfetare.
Kur jemi në pluralizëm, jo vetëm politik, por në pluralizëm të shprehjes së lirë të mendimeve dhe bindjeve fetare, duhet të shfrytëzojmë të gjithë faktorët e rëndësishëm për ecjen përpara të shoqërisë sonë, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë moralo-kulturor, duke shfrytëzuar në maksimum edhe pluralizmin tonë fetar në shërbim të perspektivës, duke ushqyer shpirtërisht njeriun tonë me porositë themelore të librave të shenjtë, të cilët bazë fondamentale të edukatës kanë dashurinë për njëri-tjetrin, mëshirën për nevojtarin, bujarinë, tolerancën, vëllazërimin etj.
Tokat shqiptare janë të ndara në disa zona fetare. Kjo ndarje fetare e shqiptarëve nuk duhet të kuptohet si rrezik në aspektin retrospektiv, por duhet të kihet parasysh në aspektin perspektiv. Mund të thuhet se pesha specifike e fesë, në procesin e riformimit të shpirtit të njeriut është e madhe, dhe një mospërfillje e saj shkakton probleme specifike morale e pse jo edhe politike.
Tek shqiptarët gjithnjë kanë ekzistuar dy tendenca. Një tendencë intelektuale për njësimin e fesë dhe për shqiptarizimin sa më të mundshëm të feve ekzistuese dhe tendenca tjetër anti-intelektuale për të pjellë sa më shumë fe dhe sa më tepër përmes fesë të denigrohet kultura kombëtare. Mospërfillja e pushtetit të madh shpirtëror nga ana e komunistëve ishte e një botëkuptimi sektar, që nuk respekton ndjenjat e bindjet e njeriut. Është ky një episod shumë sinjifikativ që duhet të trajtojë pushtetin shpirtëror të institucioneve fetare.
Një tendencë dhe një rrezik permanent i përmasave të mëdha për edukimin shpirtëror të shqiptarëve sidomos atyre në Shqipëri, u pa me invadimin e klerikëve të ndryshëm të cilët pushtuan pëllëmbë për pëllëmbë të atij vendi, kurse në Kosovë kjo dukuri u shfaq vetëm pas përfundimit të Luftës, sidomos të vendeve arabe, të cilat nëpër fshatra të tëra kushtëzonin meremetimet dhe ndreqjet e shtëpive me ngritjen e një tempulli fetar. Pra, në të dy rastet, në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste dhe në Kosovë pas shporrjes së sllavëve kanë vërshuar nga anët e anëve klerikë dhe organizata të ndryshme, të cilat shkojnë dhe propagandojnë fenë e tyre, duke pasur duar të lira të bëjnë dhe realizojnë qëllimet e tyre. Kjo s’do të kishte gjë të keqe në kushte të tjera, mirëpo, në kushtet e tanishme, në të cilat gjenden institucionet shtetërore dhe fetare të Shqipërisë si dhe institucionet shtetërore të Kosovës, ata njerëz që predikojnë ato fe, do të spekulojnë duke ditur interesat materiale dhe interesat e tjera jetike.
Klerikët e Kosovës dhe të diasporës, të cilët i shpëtuan kthetrës së ateizmit bolshevik e në mënyrë të pandërprerë e kanë ushtruar profesionin e tyre, dhe të cilët kanë ndikim të madh tek besimtarët, zotërojnë mjete të shumta materiale, duhet të punojnë për aspektin shqiptar të feve, për rritjen e profesionalitetit dhe autoritetit të klerikëve shqiptarë. Ata duhet të drejtojnë vetë institucionet fetare, e jo të lejojnë të vinë nga ana e anës klerik të huaj dhe të predikojnë çfarë iu përshtatet për të realizuar interesat e tyre.
Po ashtu edhe intelektuali shqiptar, i cili për fe ka shqiptarizmin, sot ka detyra të mëdha. Së pari, që në asnjë mënyrë të mos jenë indiferentë ndaj feve, sidomos ndaj klerikëve si kolegë dhe bashkëpunëtorë në projekte të ndryshme shkencore. Pozita më e mirë e çdo intelektuali, do të ishte që për hir të interesave kombëtare me respektin e tij, t’u përkasë të tri feve të sotme që ushtrohen në trojet tona. Me shpresë se kjo do te zbuste sadopak efektin ndarës e përçarës, të cilin e shkaktoi për një periudhë gjysmëshekullore rryma ateiste e bolshevizmit stalinian, duke i shkaktuar dëm të madh shpirtit fisnik të njeriut tonë. Prandaj, klerikët dhe intelektualët shqiptar kanë shumë detyra atdhetare në këto kohë.

Toleranca e feve

Analiza e marrëdhënieve të feve, sidomos në truallin shqiptar, tregon se ky popull në asnjë rast, në asnjë periudhë historike, edhe pse nën sundime të ndryshme dhe përkundër përpjekjeve, nuk pati përçarje, grindje apo luftëra fetare ndërmjet veti, çka është shumë normale edhe për shtetet më moderne demokratike të cilat për bazë fetare kanë krishterimin p.sh. Irlanda e Veriut dhe Anglia. Në asnjë rast predikuesit e feve, të të tri besimeve nuk patën këmbëngulje kategorike, për të mbisunduar mbi fenë tjetër dhe proklamuar se vetëm ajo fe që ushtron vet, ka të drejtën e ekzistencës. Fundamentalistët apo integralistët e feve qëndrojnë tamam në këto pozita mostolerance, megjithëse historia e feve, sikurse edhe historia e feve shqiptare është e mbushur përplot me shembuj të një tolerance të madhe. Edhe pushtuesit më të rreptë me besimin islamik (sulltanët ndërmjet tyre) janë treguar tolerantë ndaj fesë së popujve të okupuar, sikurse edhe shqiptarët në periudha të ndryshme historike që u treguan mjaft tolerantë. Po sot këtë tolerancë e kultivon krishterimi evropian dhe ai amerikan, të cilët kanë lejuar ngritjen e tempujve të fesë islame dhe ushtrimin e kësaj feje pa pengesa nëpër vendet euro-amerikane kështu që toleranca fetare e këtyre vendeve ka pushtuar shpirtrat e miliona njerëzve të cilët për fe kanë islamizmin. Këtë tolerancë e gjejmë edhe në vendet arabe të cilat edhe pse ligjet i kanë të bazuara në të drejtën islame në vendet e tyre kanë lejuar ngritjen e kishave të cilat ushtrojnë fenë e krishtere në mënyrë autonome. Po kështu, kur u pushtua Spanja, predikuesit e besimit islamik (shek. IX), në Universitetin e Kordovës, lejonin të jepej aty mësim, njëkohësisht, nga mysliman, të krishterë dhe çifutë! “Noli, duke qenë vetë klerik i krishterë, në shkrimin e tij “Lëvizja panislamike në Misir” i thur lavde qytetërimit islamik arab dhe, në mënyrë të veçantë, tolerancës së madhe që ky qytetërim pat treguar (në shekujt e kaluar) ndaj besimtarëve tjerë”. Në planin letrar, edhe studiuesi i njohur Kristë Maloki, qysh në vitet ’30, të shekullit të kaluar, duke folur për poezinë e Naim Frashërit, shprehet se poezia e tij merr karakter nacional vetëm atëherë kur Naimi shkon në Stambollin Evropian të të vëllait Avdyl Frashëri.
Por, e ashtuquajtura luftë klasore, që u praktikua në gjithë kampin e socializmit, tregoi një arrogancë të paparë ndaj fesë, sidomos pushteti i Enver Hoxhës në Shqipëri, i cili si justifikim teorik pat mohimin e çdo lirie të besimit dhe të mendimit, si pretekst për të shtypur çdo lloj kulti tjetër, përveç atij të “prijësit”; pastaj ndëshkimet fizike, shartimi, gjegjësisht prekja e ideve në veprat e rilindësve kur ishte fjala për predikim fetar, prishja e institucioneve fetare e gjer tek likuidimet e atyre klerikëve, që guxuan të merren me predikimin e vlerave më pozitive të fesë, çuan në një denigrim të madh, në një shkatërrim gati të plotë të shpirtit të njeriut. Vrazhdësia e sjelljeve të klasës në pushtet dëmtoi shumë shpirtin njerëzor, duke u sjellë ashpër, rreptësinë në dënimin e tjetrit; prirjen për t’u zemëruar me mikun, indiferencën ndaj të leckosurit që kërkon lëmoshë, gatishmërinë për t’u grindur, sharë, ngacmimin ofendues të femrës, shtyrjen me bërryla të të fortit ndaj të dobëtit, tallja në rrugë etj. Kjo vrazhdësi u gjeneralizua, u bë terren ushqyes për klasën në pushtet, e cila nuk ngurroi të bëjë procese të montuara dhe t’i linçojë njerëzit dhe klerikët me burgime të përjetshme.

Dante dhe Virgjili në Ferr
Dante dhe Virgjili në Ferr

Qëndrimi parimor ndaj fesë

Me këtë rast nuk duhet nxehur gjakrat, por kjo është një shenjë e tmerrshme që është bërë ndaj njerëzve e shpirtit njerëzor: se sa e tmerrshme dhe tragjike do të ishte përsëritja e tyre. Tani më shihet nevoja e madhe dhe mjaft urgjente për një punë sistematike, frontale, në drejtim të shëndoshjes së shpirtrave, nga ana e të gjithë atyre që, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi kanë të bëjnë me shpirtin e njeriut.
Nga qëndrimet parimore të intelektualëve ndaj fesë duhet të burojnë edhe qëndrimet e besimtarëve, edhe atyre më fanatikëve. Në rast se forcat demokratike e në rend të parë ato fetare arrijnë të përparojnë shpirtin vizionar të njeriut, (megjithëse jo të idealizuar), por në thelbin e tij paqësor, joviolent, të butë, zemërbardhë, solidar në fatkeqësi, shkurt, formimin e një njeriu, që do të kishte për model figura nga librat e shenjtë, kjo do të ishte një fitore e madhe për shoqërinë tonë. Kjo, mendoj, nuk është aspak një utopi, as edhe një qëllim tepër i largët, që do të kërkonte shumë e shumë brezni. Pas një periudhe kohore 15 eventualisht 20 vjetësh, do të kemi njeriun shqiptar që do të përshkohet nga një shpirt i butë, i dashur e humanitar. Sikurse që do të kemi besimtarë të mirë, të cilët siç respektojnë shenjtorët e fesë së vet, respektojnë shenjtorët e fesë tjetër, po ashtu do të respektojnë festat, kultet, ritet e në veçanti kulturën dhe traditën kombëtare. (Tash pas 30 vjetësh, shohim se klerikët fetar kanë bërë të kundërtën e kësaj teze të shtruar qysh në vitin 1992.)
Në këtë mënyrë një shërbim i madh mendoj do t’i bëhej shqiptarizmit të fesë, duke nxjerr në pah shenjtorët që kombi ynë u ka dhënë feve. Po sikur në këtë drejtim të angazhohen klerikët, shkrimtarët, psikologët, pedagogët, sociologët, mjekët, me një fjalë njerëzit e mbrrimë, e të përpunonin një program shkencor, kompleks, për një zhvillim të shëndetshëm fizik e shpirtëror të shkollarëve. A thua pas një periudhe të shkurtër kohore këta shkollarë nuk do të ndryshojnë nga ata të sotmit? A thua shpirtin e tyre nuk do ta mbushte gëzimi e optimizmi për shqiptarizimin e fesë, në vend të injorancës e të denigrimit. Kështu për të shkuar tek ideali atdhetar përmes fesë na duhet shpenzuar energji të shumta intelektuale, na duhet punë e përpjekje të sinqerta. Pra, pse të jemi pesimistë e skeptikë ndaj perspektivës. E gjithë kjo na duhet edhe për të mos arritur, që të huajt të instrumentalizojnë fenë. Klerikët tanë duke thithur jo vetëm dije shkencore, por më shumë se çdo gjë duke thithur edukatë, duke thithur mirësi, zemërbardhësi, e pse jo, edhe trimëri e patriotizëm, në mënyrë që klerikëve të huaj të mos u japin në duar asnjë konjukturë dhe asnjë faktor tjetër për të ndikuar negativisht në jetën e kombit tonë. Kjo që u tha deri më tani, do të jetë një përdorim i ndershëm i fesë, dhe shembull i mirë, si burim frymëzimi për veprime paqësore, për veprime të urta, njerëzore, për veprime pajtimi e dashurie ndaj njëri-tjetrit.
Gjendja e krijuar në Shqipërinë komuniste, ku diktatura përmbyti të gjitha institucionet fetare, ishte shansi më i mirë i pretendimeve greke për të invaduar në këtë vend pas shkatërrimit të komunizmit. Tashmë Shqipërisë i mungonin kuadrot e veta profesionale, ishte bërë një shkëputje e kontinuitetit të ushtrimit dhe edukimit laik, gjë që siguroi kushte të favorshme për pretendimet ultra-nacionaliste greke dhe atyre fundamentaliste islamike, në Shqipërinë e Mesme dhe në Veriun e saj. Tashmë nëpër Shqipëri kleri grek shëtitej pa pengesa dhe atë nën maskën vëllazërore për të restauruar kishat e me këtë duke agjituar propagandë nacionaliste, ku as shtetet më demokratike të botës këto gjëra nuk i tolerojnë. Duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike, kisha greke tashmë filloi të helenizoj pjesë të caktuara të trojeve shqiptare, filloi t’ua ndryshon emrat dhe kombin. Dhe siç thuhet në këto kushte shqiptari i sfilitur nga diktatura e kuqe, brenda dite ishte në gjendje të ndryshon shtat herë fenë. Bredhjet e klerit grek nëpër Shqipëri, përkrahja që iu dha atij edhe nga intelektualë të njohur në vend e deri te pritja madhështore që iu bë nga intelektualë e klerikë shqiptarë në Amerikë qet në pah difekte tejet tragjike me përmasa shqetësuese. Po këtij revani ia mësynë shoqata të ndryshme islamike të cilat në emër të ndihmës “vëllazërore” ishin në gjendje që në secilin fshat të ndërtonin nga një xhami. Pra, as grekët e as arabët në Shqipëri nuk erdhën me qëllime fisnike, por me prapavija të tejdukshme politike. Logjika greke ka punuar me vetëdije të plotë se për ta mbajtur të robëruar Çamërinë, Janinën e Selanikun, duhet pasur pretendime në Korçë, Gjirokastër e pse jo edhe në Elbasan. Kjo logjikë ka vepruar në mënyrë perfide sa që ka arritur sot të jetë altoparlante e politikës shtetërore dhe diplomatike të Greqisë, ku për fat të keq kësaj daulleje po i mëshon kleri dhe mjerisht një pjesë e intelektualëve shqiptarë.
Në Kosovë, (atëherë mendoja) se kjo gjendje ndryshonte për arsye të funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve fetare edhe gjatë periudhës së komunizmit. Edhe këtu shihen disa lëvizje apo më mirë t’i quaj disa prirje për t’iu rikthyer religjionit, tashmë në ekstremin tjetër, pra atij fundamentalist-islamik. Është për t’u çuditur kur dëgjon se sot me dhjetëra intelektualë shqiptarë, mësues e profesorë, inxhinierë e nëpunës administrate, të cilët deri dje ishin funksionarë politik të Lidhjes Komuniste e më këtë ateist të përbetuar, tashmë iu kthyen papritmas xhamive dhe agjërimit, shembull tipik i një fushate panislamike në kohën kur ndërrojnë erërat politike. Po kështu vepruan edhe nostalgjikët e ateizmit enverian, që pat marrë përmasa të mëdha në Kosovë, tash edhe ata iu kthyen befas besimit dhe orientit, të cilët na dalin më klerikë se vet kleri, vetëm se duke i zëvendësuar teoritë edhe ashtu të shtrembëruara të marksizëm-leninizmit. E gjithë kjo hipotezë e thënë vite më parë, pas Luftës së Kosovës është duke u vënë në skenë dhe qëllimet panorientale kanë marrë përmasa shqetësuese.
Padyshim se arma më e ftohtë për ta asimiluar një popull është feja. Kjo formë mund të quhet mbytje me pambuk. Ndonëse asimilimi fetar kërkon kohë të gjatë, sllavët këtë e përdornin duke e kombinuar me dhunë permanente se gjoja këtë e bëjnë në mbrojtje të krishterimit, për të cilin besim do të flijohen, për ta penguar invadimin islam drejt Evropës.
Me këtë metodë, më shumë se të gjithë të tjerët kanë pësuar shqiptarët. Në kohën kur u shkatërrua Perandoria Romake dhe me fillimin e ndikimit të Bizantit, mjet të vetmin për ta pushtuar një vend ishte feja. Invadimet e shumta dhe mjaft të shpeshta në periudha të ndryshme të cilat shoqëroheshin me luftëra të pandërprera bëri që shqiptarët të lodhen e drobiten. Sllavët në tokat shqiptare synim pushtimi kishin institucionet fetare duke i adaptuar si kisha të tyre, me ç’rast bëhej edhe terror mbi popullatën vendore dhe të pambrojtur të cilën e përbënin shqiptarët. Për t’i shpëtuar kësaj shfarosje, një numër i madh i popullsisë u kthye në ritin bizantin, të cilin e udhëhiqnin kryesisht sllavët, duke i pranuar të gjitha ritet e ortodoksizmit.
Në këtë kohë fillon sundimi i egër serb ku ekzistonte një dallim etnik midis shtresave të ulëta popullore të përbërë kryesisht nga shqiptarët dhe klasës sunduese feudale në shumicë serbe e përzier me pak element shqiptarë. Në rrethanat e sundimit politik e fetar të kishës serbe, kjo popullsi shqiptare, si element politikisht e shoqërisht e shtypur, i ishte nënshtruar një procesi sllavizimi dhe duke qenë ortodokse, për shkak të mbizotërimit politik e fetar serb, mbante një antroponimi që e kishte humbur karakterin e dalluar etnik shqiptar dhe i përkiste në shumicë antroponimisë së sferës ortodokse serbe e bizantine, ose ishte e përzier shqiptaro-sllave, krahas asaj pjese të popullsisë shqiptare të besimit katolik që mbante antroponimi të pastër shqipe.
Popullsia shqiptare e cila ruante me fanatizëm krishterimin sipas ritit romak, për t’u dalluar nga pjesa tjetër e popullsisë shqiptare tashmë që kishin pranuar ritin ortodoks me sa duket i quante “shkie”. Kjo shprehje edhe sot e kësaj dite ruhet ndër shqiptarët dhe me fjalën “Shka, shkja, shkie” etj., nënkuptohej ai person që nuk i zbaton ritet fetare të familjes, përkatësisht i dalë nga feja, gjegjësisht nga rendi familjar. Mendoj se për t’u shpjeguar kjo fjalë për bazë duhet marrë kuptimi dhe domethënia e saj se sa teoritë e deritanishme. Megjithatë kjo le të mbetet çështje e profesionistëve dhe atyre që i qëmtojnë më saktë gjërat linguistike.
Tashmë shqiptarët e kthyer në këtë rit, predikimet e tyre i dëgjonin në gjuhën sllave, po ashtu edhe festat filluan të mbahen sipas kalendarit të bizantit që e predikonin sllavët, kështu që u krijuan parakushtet e një ndarje të re të popullsisë të cilës dalëngadalë filloi t’i imponohet edhe gjuha sllave. Për më shumë kjo ndodhi për shkak të rregullimit të dokumentacionit, bekimeve, kongulimeve e riteve të tjera që ishin të përditshme dhe bëheshin vetëm në gjuhën sllave. Tashmë, ky etnikum shqiptar që dalëngadalë u asimilua në shkie e jo sllav, dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë shqiptare dhe e ardhacakëve sllavë. Është e rëndësishme të rikujtohet se popullsia vendëse kurrë nuk e quajti këtë etnikum serb, sepse nuk ishin. Elementi shqiptar tashmë u emërtua me një emër tjetër duke e quajtur shkja. Me këtë emër dallohej menjëherë se ai është shqiptarë i cili ka pranuar ritin bizant dhe se për gjuhë ka gjuhën sllave. Politika sllave kishte pretendime të mëdha me një politikë afatgjate, por nuk ia arrinte qëllimit të përvetësonte shumë shqiptarë e kështu detyrohej shpeshherë të sillte elementin serb për ta shtuar numrin e popullsisë me këtë rit për të ripërtërirë shpirtin e ortodoksizmit të cilin zakonisht e vendoste mbikëqyrës të institucioneve fetare të cilat ua kishin grabitur më parë me dhunë shqiptarëve e duke i pasuruar me toka pjellore dhe kapital të çmuar. Elementi ardhës serb, i cili në Kosovë udhëhiqte vetëm institucionet fetare, kishat dhe manastiret, që punonte tokat e kishave ishte i pakt në numër, fare i pakt. Ky element dalëngadalë filloi t’i humb tiparet e veta kombëtare dhe me shpejtësi iu përshtatën atyre të shqiptarëve, kuptohet sidomos të atyre të ritit ortodoks. Për studiuesit nuk është e vështirë të përcakton ngjashmëritë e shqiptarëve të dy riteve atij islam dhe ortodoks. Kurse te elementi ardhës serb ndryshimet janë të mëdha me ato të serbëve që jetojnë në brendësi të sllavëve.
Duke e parë një rrezik të humbjes përgjithmonë të pushtetit shpirtëror mbi institucionet kishtare të shqiptarëve, kisha ortodokse serbe filloi të bënë invadimin e popullsisë serbe në këto treva sidomos gjatë mesjetës së hershme dhe asaj të vonë ku gjurmët janë të dalluara dhe dokumentacion është ruajtur deri në ditët tona, megjithatë në asnjë periudhë kohore nuk arritën ti kalojnë në epërsi shqiptarët.
Shqiptarët i ruajtën kishat e tyre brez pas brezi, jo si institucione sllave por si institucione të veta shpirtërore. Edhe pse sundimi otoman zgjati shumë, edhe pse popullsia shqiptare (pjesa më e madhe), kaloi në islamizëm, prapëseprapë kulti i kujdesjes ndaj kishave dhe manastireve, gjenezën e ka në shpirtin e vet fanatik për mos të hequr dorë kurrë nga diçka që ishte e vetja. Asimilime të popullsisë shqiptare ka pasur edhe më vonë, tash jo duke ua imponuar fenë, por vetëm gjuhën sllave, kështu ndodhi me shqiptarët në trevën e Sanxhakut te Pazari i Ri, pastaj në Gorë të Prizrenit apo në trevën e Strugës me të ashtuquajturit Turbesh dhe në Rekën e Keqe me elementin e shqiptarëve ortodoks. Është fatkeqësi për shkencën shqiptare që nuk i ka studiuar hollësisht këto raste për të argumentuar botërisht se çfarë pushtuesi kanë pasur deri dje dhe çfarë kanë ata në Maqedoni dhe Kosovë Lindore edhe tashti. Shpresoj se së paku tash e tutje dikush do të merret me këto analiza dhe studime. Asimilime më të dhimbshme ka pësuar popullsia shqiptare në Çamëri, megjithatë nuk janë shkatërruar të gjitha gjurmët dalluese. Për këtë tragjedi ndikim të drejtpërdrejt ushtroi kisha ortodokse greke dhe injoranca totale e pushtetit komunist në atdheun amë.

Luftërat dhe feja

Bota është e ndarë në dy zona të mëdha të interesit. Në mes këtyre dy zonave ekziston edhe një rrip ortodoks që shtrihet nga Kremlini e deri në Athinë, i cili e ndanë botën e besimeve të kundërta kurse vet ka ushtruar dhe ushtron dhunë e terror permanent në emër të besimit të tyre. Nuk më ka rënë të lexoj nga ndonjë studiues i cili do të shpjegonte më mirë si ka mbetur rripi ortodoks në mes këtyre besimeve të mëdha dhe si ka mbetur tek ta kult fetar dhuna dhe krimi mbi të gjithë besimtarët e fesë jo ortodokse. Prandaj dihet se këto interesa më shumë se çdo gjë tjetër i dallon besimi i tyre fetar që ndahet në krishterizëm dhe islamizëm. Nga ky parim i ndarjes edhe luftërat më të mëdha në botë janë lufta të karakterit fetar. Konfliktet e përhershme në Lindjen e afërt dhe sidomos luftërat e herëpashershme në Ballkan janë treguesi më i mirë i kësaj që pohojmë. Këto janë më shumë luftëra fetare se sa nacionale, pavarësisht nga dekori dhe petku që ua m’veshin. Luftëra fetare jo rrallë bëhen edhe nëpër ato zona ku ushtron ndikim vetëm njëri religjion. Kjo ndodh, sepse edhe njëra edhe tjetra fe i ka ndarjet dhe nënndarjet brenda për brenda religjionit të vet. Gjithmonë luftërat kanë qëllim të realizojnë ushtrimin e fesë në regjione të caktuara. Luftërat në këto vende do të marrin kahe tjetër po sikur të ishin regjione krejtësisht të krishtera, pavarësisht cilit ndikim i takojnë, katolik, protestant, evangjelist a diçka tjetër.

Ushtrimi i fesë në diasporë

Një çështje tjetër për t’u analizuar është edhe ushtrimi i fesë në diasporë, ku Komuniteti shqiptarë në Evropën Perëndimore është i madh, dhe ka tendenca për t’u rritur ende. Në këto kushte të kaosit ekzistues, shqiptarët me vete morën fëmijët, plaçkat, mentalitetin e së bashku me to edhe religjionin. Tash në Evropë me një fanatizëm të theksuar ushtrohet dhe kultivohet feja islame. Ekziston Komiteti Islamik Shqiptar, i cili me një eufori do të hap xhami nëpër gati çdo qytet a qytezë të perëndimit, sa të shkon mendja se shqiptarët na qenkan kujdestarët themelor të kësaj feje në gjithë botën oksidentale. Kësaj fushate që po i vjen erë fundamentalizëm islamik me kujdes të shtuar i kanë fryrë edhe shtypi i përditshëm. Nëse ia lëshon syrin gazetave në njërën nga ditët e festave islame, nuk e beson se nuk je diku thellë në zonat orientale. Madje, është tepër brengosës rasti kur takon në mes të Evropës aty këtu vajza shqiptare madje nën moshën 20 vjeçare me kostume dhe veshje orientale, ndërsa gratë më të moshuara iu kanë kthyer një dimensioni tjetër karshi atij që e kanë pasur në atdhe. Të rralla janë qytetet e mos të ketë xhaminë e vet, absurdi arrin deri aty, kur dëgjon se shqiptarët e këtij besimi kanë grumbulluar miliona franga për të ndërtuar edhe xhamit e tyre?! Nëse jua llogarisim qiranë e përgjithshme në një shtet Evropian siç është ta zëmë Zvicra, do të kemi investime në këtë fushë me përmasa marramendëse.
Një rol me rëndësi në këtë tridhjetëvjetësh ka mundur ta luan Misioni Katolik Shqiptarë, por ai përveç disa meshave që i mban, nuk e di se çfarë bënë për shqiptarët, kur në të njëjtën kohë kishat e popujve tjerë (serbë, kroat, maqedon, grek etj.), udhëheqin gjithë arsenalin e propagandës së shteteve të tyre përmes kishës. Më shumë se çdo gjë në botën perëndimore dhe në Amerikë, “Misioni Katolik Shqiptar”, duhet ta kryen misionin e shenjtë në dobi të çështjes kombëtare.
Në fillim pas rënies së komunizmit në Shqipëri qe thënë se është manipuluar me numrin e vërtet të popullsisë shqiptare me besim islam, me qëllim që Shqipëria t’i bashkëngjitet Lindjes. Është tragjike se si intelektuali ynë ra aq poshtë sa që nuk ishte në gjendje t’i kapi gjërat me kohë.
Derisa popullsia e Shqipërisë për më shumë se 30 vjet nuk ushtroi fenë (hiç ndonjë të vjetër) të gjitha gjeneratat e reja u lindën, u rritën dhe u shkolluan pa ndikimin e fesë. Në këtë periudhë, në Shqipëri duhej formuar një grup i shkencëtarëve për t’ia dhënë kahen përqindjes së popullsisë me besim të krishterë. Kjo do të bëhej pa dhembje, tronditje e trauma shpirtërore sepse Shqipëria evropiane është atëherë kur edhe kultura shpirtërore e fetare e Evropës flenë në Shqipëri.
Në këtë plan nëse kishim vepruar sipas logjikës së etnobotanistit rus Timarzajev, gjatë kësaj kohe ka qen e mundur dhe mjaft lehtë që 95% e popullsisë shqiptare të bëhej e krishtere. Pastaj në Kosovë të gjithë komunistët, marksist-leninistët dhe stalinistët duke i përfshi edhe ateistët do të mund të besonin jo më në Marx-Engels-Lenin-Stalin dhe Tito të krishterë por në Jezu Krishtin po ashtu i krishterë.
Kështu do të ishte mirë të ndodhte edhe tek shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi. Është tepër e çuditshme dhe mjaft qesharake kur dëgjon se pijanecët brenda nate na u bënë laik dhe fanatik të theksuar të kultit islam. Ky problem duhej të trajtohej shkencërisht dhe të përcaktohej fare qartë fati i popullit tonë, për t’i shpëtuar gjeneratat e ardhshme.
Kush garanton se pjesa e emigruar e shqiptarëve nëpër botën e krishterë, pas dy-tri gjeneratash nuk do të asimilohen tërësisht e më këtë edhe shpirtërisht do tu përshtatet rrethanave të reja, pavarësisht nga ajo që Komiteti fetar islamik sot përpiqen të ndikojnë në këtë çështje.
Të gjitha luftërat e bëra në tokat shqiptare janë luftëra nacionale. Të gjitha padrejtësitë që janë bërë kundër shqiptarëve kanë rezultat besimin fetar. Edhe sa kohë do të bëhen shqiptarët beden i luftërave të pandërprera dhe a kanë mundësi t’i përballojnë edhe më tej padrejtësitë historike. Kjo që kisha shtruar atëherë nuk ishte utopi për të bërë sensacione, por e konsideroja mjaft të vlefshme për momentin historik që kalonte vendi ynë…
Zvicër, 1992.

*Botuar në gazetën “Koha Jonë”, Tiranë, datë, 9 mars 2009 dhe nëpër disa rrjete sociale.

Versioni më i kompletuar është pjesë e librit “VIRTYTE E VISARE”, botoi, Sh. B. “Faik Konica”, Prishtinë 2010, faqe 161-182.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.