back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Fehime Pipa Udhëtimi i gjatë e i pashpresë për një strehë

Gazeta

Fehime Pipa
Fehime Pipa

Fehime Pipa

Udhëtimi i gjatë e i pashpresë për një strehë

Aty nga viti 1995,
më ra në dorë një numër i revistës “Albanica”,
i pranverës së vitit 1991, që dilte në Nju Jork.
Në të ishte një tregim i Fehime Pipës,
motrës së Myzafer dhe Arshi Pipës,
i cili përmbante episode mjerimi, brenge,
persekutimi e torture që përjetoi familja e saj,
por njëkohësisht tregonte edhe solidaritetin familjar,
të zhvilluar, në një masë ose në një tjetër, nga një mori familjesh intelektuale,
nacionaliste e antikomuniste shqiptare të asaj kohe,
krejt ndryshe nga ato që ndodhën me familjet komuniste.
Shkrimi më bëri përshtypje të thellë.
E përktheva menjëherë dhe e botova në gazetën “E Djathta”.
Në qoftë se ju duket me interes,
këtë shkrim mund ta botoni në gazetën tuaj.
Me respekt, Ilir Hashorva
.
Arshi Pipa i shkruan Faik Mirakut 1958
Arshi Pipa i shkruan Faik Mirakut 1958

Për pothuaj dy vjet ishim në zi për vdekjen e vëllait tonë, Myzaferit, dhe motrës, Bedit. Megjithatë, meqenëse po afronte dita e lëshimit nga burgu e Arshiut, filluam të ndjenim njëfarë lehtësimi.

Babai, që dergjej në shtrat prej katër vjetësh, me femorën të thyer, u gjallërua disi dhe filloi të na tregonte, mua dhe motrave, ngjarje të jetës se tij.
Nëna lau dhe hekurosi kostumin e Arshiut e i beri një kravatë të re. I duhej edhe një dyshek, por me mundësitë financiare që kishim, nuk mund t’ia blinim.
Ne, motrat, ndjeheshim më mirë, veçanërisht unë që, në mënyrë të fshehtë isha lidhur me Arshinë, gjë që vetëm nëna e dinte.
Ngushëlloheshim edhe pse, të paktën, tashti kishim një çati
mbi kokë. Ishte një banesë primitive në periferi të Durresit, në fund të një rruge të gjatë të cilën shirat e dimrit e bënin të pakalueshme. Shtëpia kishte dy dhoma dhe një haur të vogël që e përdornim për kuzhinë. Ne e quanim atë “kështjella jonë e vogël”. E kishim gjetur pasi komunistët na kishin detyruar të shpërnguleshim tre herë brenda gjashtë muajve.
Banesa jonë e parë, e përkohshme ishte një apartament me dy dhoma. Ndërsa banonim aty, një anëtar partie, ish-student i Arshiut, u ngarkua ta takonte atë në burg. Kishte për detyrë të zbulonte nëse Arshiu, ndërkohë, kishte ndryshuar apo jo.
Arshiu i kishte thënë se s’kishte bërë asgjë për t’u penduar.
Shpejt, pas kësaj, Zyra e Strehimit na shpërnguli nga apartamenti që kishim, në një dhome të një ndërtese tjetër. Sapo e bëmë atë dhome të banueshme, duke e larë dhe lyer, Zyra e Strehimit na transferoi te një apartament tjetër me një dhome me të vogël e me të ndyrë se e mëparshmja.
“Për ku pas kësaj?” – pyetëm kur për të tretën here u detyruam të largoheshim.
“Këtë herë ju do të keni një banesë më vete, bile me pamje të këndshme. Nuk do të lëvizni më prej saj.”
Banesa e re ndodhej në zonën që quhej Stan, në zonën me të varfër të qytetit.
Shkova ta gjeja.
Gjatë rrugës, në kodër, dukeshin baraka e kasolle të rrënuara që pasonin njëra tjetrën, me oborre ballore ku ndereshin rrecka për t’u thare. Një plakë më tregoi se si shkohej tek shtëpia që kërkoja.
Eca përmes kaçubash e ferrash që mbulonin një rrugicë e arrita në një lëndinë mbushur me lule të egra. Në largësi, deti vezullonte. Panorama qe mahnitëse. Mendoja babanë në shtrat, me kokën të ngritur me jastëkë që sodiste detin përballë. Vendi do të kishte qenë fare i mirë edhe për Bedin.
Gjatë endjeve tona prej ciganësh, Bedi vdiq nga tuberkulozi, pa asnjë pranë nga familja, në një dhome të spitalit të Tiranës. Shoqja e saj e dhomës na tha se, para vdekjes, ndjehej e lumtur, pasi mendonte se së shpejti do ta merrnim në shtëpi.
Ishte një trillim i yni, për t’i lehtësuar asaj dhimbjen.
Shtëpia në lëndinë ishte rreth shtatë metra e gjatë dhe pesë metra e gjerë. Ishte e mbuluar me mbeturina fletësh alumini që kërcisnin, kur frynte erë. Dritare ishin dy vrima të zëna me dërrasa. Dera mbyllej me një copë tel. Brenda ishte e mbushur me kashtë të kalbur e bajga. Ishte përdorur më parë si stallë.
Atë natë asnjë prej nesh nuk fjeti. Të nesërmen, shkova në Zyrën e Strehimit për t’u thënë se nuk do të lëvizim nga banesa ku ndodheshim.
Njëri nga punonjësit me bërtiti “Çfarë prisni, vilë?! Është e vërtetë, shtëpia ka nevojë për riparime, por ju mund t’i bëni ato, ashtu siç bëtë edhe me banesat e tjera!”
“S’kemi mundësi të shndërrojmë stallën në shtëpi” – i u përgjigja, – por, edhe në qoftë se do të kishim, çezma është tepër larg, poshtë në luginë dhe kasollja nuk ka banjë, nuk ka korrent elektrik. Për më tepër, babai është i paralizuar. Si mund ta çojmë aty, ku s’ka rruge?”
“Me aeroplan, – u tall ai – lutuni Zotit t’ju ndihmojë”.
“Ne kemi probleme strehimi me njerëzit tanë – tha një nëpunës tjetër, – në qoftë se gjeni vetë një vend tjetër, ne nuk kundërshtojmë.”
Shanset për të gjetur shtëpinë tjetër ishin fare të pakta. Megjithatë, unë u lidha me Nuçin, një mik të familjes që na pat ndihmuar në shumë raste të vështira. Ai foli me Markun, një anëtar partie të cilin e njihja. Kishim bërë se bashku “punë vullnetare” në plazh. Marku, epileptik, ndërsa punonim një ditë me diell të fortë, pati një krizë epilepsie. Unë e ndihmova.
Marku na dha adresën e një familjeje që kishte një shtëpi me katër dhoma e një kuzhinë.
“Ata janë miq, – na shpjegoi, – por ju lutem, mos e përmendni emrin tim!”.
Shtëpia ishte e një shoferi kamioni që banonte aty me nënë plakë dhe me gruan pa fëmijë. Ishte njeri me zemër të butë.
Babai ndjehej i lehtësuar në dhomën e tij: me diell në dimër e me freski në verë. Aty celebruam fejesën e njerës prej motrave. Unë punoja në një fabrike makaronash. Po aty punonte, gjatë pushimeve të verës, Bukurushi, që do të martohej se shpejti. Deti, motra me e vogël, nganjëherë u jepte mësime privatë rusishteje shoqeve të saj të klasës. Por, ishte nëna që punonte më rënde. Përveçse që kujdesej për babanë, ajo gjente kohe për të bërë jorganë që i shiste një tregtar shëtitës. Kur fqinjët tanë kishin festa familjare, ajo u bënte ëmbëlsira. Ata e shpërblenin me qumësht, ushqim që gjendej me vështirësi. Qumështi dhe kosi ishin ushqimet kryesore për babanë. Ai nuk përdorte më protezat e dhëmbëve. Ato e vrisnin. Ushqimet më të mira i ruanim për babanë dhe për Arshinë.
Nuk mundëm kurrë të vendosnim një lule në varrin e vëllait tonë, Myzaferit. Ai u torturua për vdekje, përnjëherë pas arrestimit, në vitin 1946, në Degën e Sigurimit në Shkodër. Nuk dinim, dhe ende nuk dimë, vendin e varrit të tij.
Një ditë tregu, pasi do të blinim disa ushqime për Arshinë, mora një trastë në të cilën kisha futur një bluzë dhe kuletën me triskat e paret dhe u nisa për në dyqan. Në dyqan kishin mbetur vetëm marmelatë dhe djathë. Porosita nga dy kilogram prej të dyjave dhe nisa të kërkoja paret për të paguar. Kuleta nuk ndodhej në trastë. Si e çmendur, e boshatisa atë, kërkova në xhepat e bluzës, kuleta nuk ndodhej. U ktheva mbrapsht e kërkova disa here rreth dyqanit. Kur i humba shpresat, u nisa e dëshpëruar për në shtëpi, duke tërhequr zvarre këmbët nëpër shi. Përveç pareve që mezi i kishim kursyer, kuleta kishte dhe tri triska buke për tetorin që sapo kishte filluar.
E sfilitur dhe krejtësisht e lagur, arrita aty ku rruga kryesore ndërpritej me rrugicën tonë. Befas pashë një send të zi në tokë që në fillim m’u duk si një cope gome. Ishte kuleta. Isha e sigurt se ishte kuleta ime, dhe sendet duhej të ndodheshin në të, pasi asnjë shqiptar, në atë kohe, nuk do të hidhte një kuletë boshe, sado e vjetër dhe e grisur që të ishte, por pata frike se shiu do të kishte prishur triskat dhe paret. Por, jo. Nëna i kishte mbështjellë ato në celofan. Më parë, si duket, kur unë kisha nxjerrë bluzën nga trasta për ta veshur, kuleta më kishte rënë. Që prej asaj kohe kishin kaluar tre ore. Njerëz, gomarë e mushka mund të kishin shkelur mbi të, por, për fat, s’e kishin venë re.
Në një pasdite nëntori të vitit 1947, kur unë me motrën time Bukurushin po ktheheshim për në shtëpi, pamë një xhip që ndaloi para Prokurorisë se Përgjithshme. Dy roje zbritën prei tij dhe hapen portën e të burgosurit. Prej saj doli vëllai ynë, Arshiu, me pizhame e pantofla. Gjatë daljes nga xhipi, ai ktheu kokën, na vështroi, dhe u fut në ndërtese.
Ne ngrimë. Arshinë e kishin nxjerrë nga infermieria. Pse? Ai duhej të lirohej pas tre muajsh.
Qëndruam para ndërtesës gjersa u err. Rrugët u boshatisën dhe dritat e rrugës u ndezën. Në këtë kohë dy roje dolën nga godina dhe na urdhëruan të largoheshim.
Babait nuk ia thamë. Në të tjerët jetuam në ankth, deri sa erdhi dita e takimit. Shkuam në burg, duke mos ditur ç’na priste. Kërkuam të takoheshim me Arshinë. Atij i thirrën emrin. Qe gjallë!
.
Myzafer Pipa (1914-1946)
Myzafer Pipa (1914-1946)

Arshiu u gjykua për here të dytë. Gjatë gjykimit, mori vesh vdekjen e vëllait, Myzaferit. Na qortoi që nuk e kishim njoftuar. Nuk ia kishim thënë për të mos e munduar edhe më, ndërkohë që brengën e kishim mbytur brenda vetes tonë. Kur vizitonim Arshinë në burg, hiqnim rrobat e zisë dhe vishnim ato normale. Kur Arshiu na pyeste për Myzaferin, i thoshim se ishte mirë, duke mbajtur në zemrat tona pikëllimin.

Në korrik 1948, Arshiu u dërgua në kampin e punës se detyruar famëzi të Vloçishtit. Disa muaj më pas, në nëntor 1948, ai u dënua për herë të dytë me njëzet vjet dhe u transferua në kështjellën burg të Gjirokastrës.
Në vjeshtë të vitit 1949, regjimi shpërnguli nga Durrësi rreth njëzet familje të persekutuara dhe i vendosi në shtëpi boshe në plazh. Ne ishim, doemos, midis tyre.
Kërkuam që babanë ta transportonin me autoambulancë.
Partia refuzoi. Pajtuam një karroce me kalë, i vetmi mjet transporti që mund të gjendesh.
Për here të parë në katër vjet, babai i veshur me kostum, u detyrua të qëndronte në këmbë. Në karrocë ai i mbante ato të shtrira para vetes. Ne, motrat, ndiqnim nga pas karrocën.
Plazhi ishte rreth 5 kilometra larg nga shtëpia që lamë.
Meqenëse rruga ishte e keqe e me gropa, iu lutëm karrocierit të ecte më ngadalë, për të mos tronditur babanë. Por, ai donte të kthehej në Durrës para se të fillonte shiu e, prandaj, nuk na e plotësoi lutjen.
Në një çast babai u zbeh. Ndjente dhimbje. Karrocieri ndaloi karrocën. Nëna i mbështeti babait kokën në gjirin e saj.
Kur arritëm në strehën e re, ishte bërë natë e binte shi.
Babai vdiq po atë natë nga një goditje në zemër. Për ta varrosur, na u desh të shisnim orën e tij të xhepit.
Përktheu Ilir Hashorva
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.