back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Faqe të përgjakura kujtese… Mirush Osmani

Gazeta

Mirush Osmani
Mirush Osmani

Faqe të përgjakura kujtese… Mirush Osmani

…dëshmitë rrënqethëse

të një ish të burgosuri të ndërgjegjes

“Në betejën e madhe të Lirisë,
ne humbëm shumë miq,
shokë e bashkëluftëtarë,
ne humbëm jetën, rininë, ëndrrat;
na rrahën, poshtëruan,
na torturuan fizikisht, na dërmuan…
por në fund moralisht Ne fituam!
Diktatura humbi kështu betejën me lirinë
dhe shumë prej Nesh mbijetuan
si dëshmitarë në kët fitore të përgjakur të lirisë…”

Mirush Osmani

Mirushi Osmani, gëzon po dhe kujton...
Mirushi Osmani, gëzon po dhe kujton…

Grupi “Pishtari i së vërtetës” do të hapë një faqe me policët më idiotë të Spaçit dhe Qafë-Barit. Eshtë i mirëpritur kushdo që mundet të tregojë ndonjë ngjarje të përjetuar…

***
Preng Rrapi, kështu quhesh “divi”, në fakt ishte 1m etër e 58, dhe rreth 50 kg. I thatë dhe mjaft i zbehte në fytyrë.
 Nga pamja e jashtme të jipte përshtypjen e një mirditori të pangopur kurrë!
Një mbasdite isha turni i dytë, nuk pranoja të shkoja në punë sepse e kisha dorën e djathtë me 14 qepje për së gjalli. 
”Divi” ndërsa më lidhte me hekura më pyeti:
-O i dënuar, sa vjet ke në Spaç?
-Shtatë, – ju përgjegja. Në fakt isha vetëm 21 vjeç, po gomari e hëngri.
-Si ka mundesi që nuk të njof bre? – më pyeti Prenga.
-Epo jam djalë i urtë dhe punëtorë. – ju përgjigja.
-E di ti si më thërrasin mue armiqtë? – vazhdoi hajvani Preng.
-Po patjetër e di, – ju përgjigja, – ti je “Divi” i kampit, – vazhdova jo pa tallje.
-E sa vjet je dënuar? 
- 18 vjet – i thashë (në fakt 10 vjet isha dënuar)
Prenga u kënaq nga “lëvdatat” e mia dhe m’i zgjidhi duart…
Eh i gjori njeri, me çfarë idiotësh kishte të bënte.
19 korrik 2014

***
Mirëmbrëma miqtë e mi;
po vazhdojmë ciklin “policë idiotë”
 se kur je idiot,
automatikisht bëhesh kriminel.
Pjetër Koka ishte një qelbësirë, një kriminel i gradës së fundit, të gjithë ata të burgosur që patën fatin e keq të bien në duart e kësaj bishe me fytyrë njeriu, e njohin dhe shpresoj të mos ia harrojnë torturat e këtij krimineli.
Ai ishte njeriu që kënaqej dhe ndjehej i lumtur kur shikonte gjakun që rridhte nga goja dhe hundët e “armiqëve” të diktaturës… Pjetër Koka ishte poshtërsia vetë.
 Edhe Ligji i Diktaturës “e ndalonte” dhunën dhe torturimin e të Burgosurve të Ndërgjegjes, dakort!
 Po pse sot nuk dënohen këta lloj egërsirash për krimet e bëra “jashtë” ligjit të tyre komunist? Ai ka shkelur ligjin, krime mbi njerëzimin!!!!!
Kjo është e vetmja foto që shpëtoi nga duart e minstrisë së punëve të brendshme
 Gjirokastër 1980.
21 korrik 2014

Mirushi… duke dëshmuar pse e bëri burgun!!

Mirëmbrëma miq të dashur.
“Pishtari i së vërtetës” ju paraqet lopçarin polic Islam Doko, Qafë-Bari, Puke 1984…
Qose, nuk kishte vënë akoma brisk në faqe, ishte “adoleshent” rreth të 30-ave, njeri pa din dhe iman, poshtërsia dhe injoranca ishin bërë te ai nyje në mënyrë më perfekte, por… ishte Polic i Diktaturës.
Një ditë më gjeti me një metodë anglishte. Isha duke lexuar, ma mori dhe po kontrollonte dhomat me radhë, librin e mbante hapur dhe ecte ngadalë, në fakt “po lexonte”.
 Bashkëvuajtësit e mi e panë të gjithë, se libri ishte së prapthi… Hahaha po qeshnin, po i shkreti Islam nuk dinte as shkrim e as këndim, ishte analfabet. Ai u afrua dhe më tha:
-Nuk lejohet të lexosh në dhomë. Librin nuk ta jap!
-Mirë komandant, -i thashë – ti e di! – ja ktheva, Iku libri im – thashë me vete.
- Komandant – i drejtohem.
-Çfarë do – m’u përgjegjsi bishë.
-Ti kontrollove të gjitha dhomat me librin e hapur, të gjithë të burgosurit të panë, por libri e kishe kokëposhtë dhe ata kujtojnë se ty nuk di të lexosh, bëj dhe një xhiro dhe mbaje librin si duhet.
-Mire e ke! – u përgjigj Islami dhe u nis…
Haaha hahaha.
Kur u kthye ma dha librin dhe ma tha:
-Të mos shoh duke lexuar në dhomë!
Kështu e shpëtova librin tim o miqtë e mi.
24 korrik 2014

Mirushi me bashkëvuajtësin Xhelal Boçin
Mirushi me bashkëvuajtësin Xhelal Boçin

Mirdita miqtë e mi: Vazhdimin e ciklit “policë idiotë”, sot do t’ju shkruaj për një nga bashkëluftetarët dhe miqte e mi Çajup Bejko.
Të gjithë e mbajnë mend Çajupin nga Lazarati, i respektuar dhe i dashur me të gjithë bashkëvuajtësit, e ndante kafshatën me këdo.
 Çajupi, kur dikush izolohej në birucë, i dërgonte cigare, sapun që të lahesh, etj,. Por sigurisht pak “fshehurazi” nga policia.
 Racionin e kishim 3 cigare në ditë, sapuni nuk lejohej.
 Çajupi i bënte cigaret dopio ose edhe triple (një cigare me dy tre fije letre, i mbushur mirë me duhan), kështu në vend të 3 cigareve na bëheshin 6 deri në 9 të tilla, një fitore e vogël, por ama fitore.
 Tellalli, (kështu quhej një i burgosur që e kishte ngarkuar komanda me mision të “pëlliste” gjithë ditën, dhe të lëvizte nga këmba natën atë që i thoshte Operativi, (sigurisht qe i besuari Partisë) 
Çajupi ua fuste të dyve, edhe policit edhe “shokut” tonë.
Sot Çajupi jeton i lumtur me familjen e tij në USA.
26 korrik 2014

Mirëmbrëma miqtë e mi:
Firdusi një miku im do të njohë nga “jeta” jonë në kampet e përqëndrimit…
Miku im i shtrenjtë Firdus, do të shkruaj mbi temën: “Prodhimi i armiqëve nga PPSH-ja!”
E quanin Kurt Muslika, nga rrethi i Kukësit, nuk e di se nga ç’vend ekzaktesisht (nuk e meriton). 
Ky i dënuar “armik i diktatures!!!???” në fakt kishte vrarë një nënë të moshuar për 30 lekë të vjetra (asnjë bukë nuk mund të merrje me 30 lek) dhe mbasi bëri krimin e shëmtuar, donte të kalonte kufirin! E kapën dhe e dënuan 25 vjet (ai meritonte litarin në grykë) po meqë ishte dënuar 10 vjet për vrasje!!!!!!! dhe 15 vjet për “tradheti”!!!!!!! e sollën qelbësirën në kampin e të Dënuarve të Ndërgjegjes (nuk meritonte të jetonte mes nesh një ordiner i ndyrë!!).
 Jo vetëm kaq, por ishte dhe intrigant, edhe spiun… të gjitha veset e keqia i rëndonin në kurriz të tij. Ky bastard nuk mund të quhej kundërshtar i diktaturës, ai ishte thjesht një prodhim i PPSH-së…
me respekt Mirushi.
26 korrik 2014

Shqipëri-Poloni 2:2, fitova bastin me Nikollaq Mihallari nga Korça.
 Më dënuan 5 ditë izolim në birucën e ftohtë dhe me shumë lagështirë.
 Po pse më dënuan vetëm mua?
 Bastin e vura për barazim, Nikolla mori fitoren e polakëve. 
Faleminderit Arben Minga dhe Agustin Kola.
Fitova 150 paketa “Partizani”, dhe isha për ca kohë “më i pasuri” i kampit.
 Për vete mbajta nja 30 paketa, tjerat i ndava me shokët.
Nikollaqi nuk bëri birucë!!!!??? Si mendoni Ju miqtë e mi?
26 korrik 2014

Burgu i Qafë-barit
Burgu i Qafë-barit

Krimineli Edmond Caja dhe “celulari” i Ilir Manushit...
Qafë-Bari 1984.
 Edmond Caja, 25 vjeç nga Nivica dhe me banim në Tiranë, shef policie në kampin e Qafë-Barit.
 Ilir Manushi, 25 vjeç, me origjine nga Permeti, banues në Tiranë, i dënuar me heqje lirie 16 vjet.
 Mos me pyesni për çfarë ishte denuar?
 Djalë i shkëlqyer në shoqëri, i pafjalë, nuk kishte ndonjë “dashuri” për politikën, i pëlqente thjesht qejfi dhe jeta pa telashe, nuk punonte dhe nuk e hapte gojën nën torture, ishte një fenomen.
 Edmond Caja, ky “bukurosh” me zemër të zezë, e kapi Ilirin tek “bisedonte” me “celular” me një femër që ndodhej jashtë rrethimit të kampit në oborrin ku ndodheshin komanda.
Vjen me shpejtësi i shoqëruar nga 3 policë idiote dhe e qëllojnë duke e pyetur: -çfare i the asaj shoqes? Shoqja ishte të paktën nja 300 metra larg, dhe nga dhoma jonë dukej fare pak!!!?
 Sadisti Caja donte një përgjigje, por Iliri i shkretë nuk po e kuptonte se përse qe fjala… E morën zvarrë dhe e çuan në birucë, “muzika” atje nuk dëgjohej nga të denuarit e tjerë.
 Mbas pesë ditësh Iliri na tha:
-Nuk kisha “celular”.
 Në fakt, celulari akoma nuk ekzistonte.
E përshëndes kudo që të ndodhet.
27 korrik 2014

Mirushi dhe nëna e tij, Gjirokastër 2011
Mirushi dhe nëna e tij, Gjirokastër 2011

Kampi i Përqëndrimit Qafë-Bari: dënohet me 5 vjet heqje lirie!!!!!!
Mbas revoltës së 23 Majit, mbas rrahjeve dhe torturave (dhe vrasjes në kamp të Sandër Sokolit), mbas arrestimeve masive dhe ridënimeve, Partia vendosi ta dënojë Kampin e Qafë-Barit me 5 vjet “heqje lirie”!!!
Po çfarë do të thotë të dënohet Kampi i Burgut?
1.Ndalimi i takimeve të të burgosurve me familjet.
2.Realizimi me çdo kusht i normave gjithnji e më të rënda të vëna nga Lugatët.
3.Ndalimi i korrespondecave me familjen.
4.Shërbim i detyrueshëm 2 orësh gjatë natës, në korridoret e ndërtesës ku flinin të burgosurit.
5.Ndalimi i vajtjes në WC natën.
6.Dëgjim i detyruar i lajmeve të orën 20.00
7.Policia kishte të drejtë të qëllonte kur t’i mbushej mendja dhe ndaj kujdo që i mbushej mendja.
 (Në këtë pikë policia idiote dibrane ishte më e lumturuara… Të rrahurit ushtrohej me të gjitha llojet e mjetevesi: dru, bishta kazme, kamzhikë, shkopa gome, shkelma e grushta. Mbasi na lidhnin 3-6 policë, hidhnin valle mbi shpinat e stërlodhurë të burgosurve.)
8.Brigadat do të shoqëroheshin prej 3 policësh, nga një polic që kish qenë më parë.
9.Edmond Caja vendoste dhe vuloste për çdo ngjarje… (Normale, ai ishte superkrimineli i kampit…)
10.Te koka e krevatit nuk duhej të kishte asnjë libër, gazetë ose fletore.
11.Te këmbët e krevatit nuk duhej të liheshin çorapet të thaheshin.
12.Nuk kishim të drejtë të bënim xhiro me shumë se një njeri (hahaha! Me kë do flisje? – Me vete!!).
13.Ushtarët në vendroje, kishin të drejtë të qëllonin në trup çdo të burgosur që i afrohej tabelës “Stop”
14.Edmond Caja u rekomandonte policëve të punës se cilët të burgosur duheshin trajtuar “mirë” (cilët duhej të rriheshin)
Ky ishte dënimi i Kampit të Përqëndrimit “Ramiz Alia” në Qafë-Bari. 
Bashkëvuajtësit e mi janë të lutur të plotësojnë nëse kam harruar ndonjë nen të këtij genocidi…
Ju falenderoj për mirëkuptimin.
27 korrik 2014

Mirëmëngjez të dashur miqtë e mi! Vdekje Tragjike në Qafë-Bari – 1984.

Hijenat e Qafë-Barit nuk kishin të ngopur me gjak shqiptari.
 Dilaver Hysi dhe Ilmi Çoçka u futën në galeri me këmbët e tyre dhe dolën copa-copa të hedhur në vagonat e vdekjes.
Pjesë e programit kriminal mbas revoltës ishte Presioni Psikologjik i ushtruar nga policia dibrane me në krye Kriminelin Edmond Caja, i ngritur tashmë në detyrë…
Ky ishte realiteti i diktaturës.
 Sa më shumë t’i lyeje duart me gjak aq më shumë dekoroheshe nga Partia.
Dilaverin dhe Ilmiun i kishim miq të mirë, bashkëluftëtarë shembullore. Ata bënin pjesë në atë kategori të dënuarish që nuk e duronin përuljen dhe çnderimin moral të ushtruar nga veglat qorre të kampit nën udhëheqjen e sadistit Caja.
 Pak sekonda i pashë dy trupat e shokëve tanë të hedhur në vagona si të ishin dy qenë të ngordhur (më pas na detyruan të futemi nëpër dhoma, nga frika se mos përsëritej 23 Maji) Nuk mund të shlyej nga kujtesa ime, kokën e prerë mbi vagon të Ilmiut, më duket sikur e kam ketu mbi tavolinë edhe pse kanë kaluar afro 30 vjet. 
”O planin, o xhanin!!” ulërinin policët barkëthatë pa din e iman të Dibrës… polici që nuk e njifte fare fjalën “njerzillëk-humanizëm”. 
Në galeri qëllonin të burgosurit me të gjitha llojet e mjeteve që kishin.
 Dilaveri dhe Ilmiu për t’i shpëtuar jo torturës fizike, por Poshtërimit, bënin ç’ishte e mundur për realizimin e normës.
 Këta dy Heronj të Lirisë dhe Demokracisë, le t’i kujtojmë sot dhe të përulemi në shenjë nderimi të jetës së tyre të rrëmbyer egërsisht nga diktatura. 
I Përjetshëm qoftë Kujtimi i Dilaver Hysit dhe Ilmi Çoçkës!
“Endrra e tyre e vrarë”, “Rinia e tyre nën zinxhirë”, “Fitorja jonë mbi diktaturën”
29 korrik 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.