back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Etyd për poetin Sergei Esenin (3 tetor 1895 – 28 dhjetor 1925)

Gazeta

Sergej Esenin (1895-1925)
Sergej Esenin (1895-1925)

Etyd për poetin Sergei Esenin

(3 tetor 1895 – 28 dhjetor 1925)

nga Klodi Stralla

në 90 vjetorin e vdekjes

Sergej Eseninin si poet të Madh
qenë të shumtë ata që deshën ta imitojnë…
po askush nuk mundi…
Qoftë edhe për faktin e thjeshtë
se pakkush ia del që 30 vjeçar
të ketë nji jetë dhe nji poezi aq të plotë sa ai…!
Si duket ai iku pse kishte ngut…
o pse e parandjeu se revolucioni
po sillte kohë të vështira për lirikën!
o ndoshta e përzunë pse u dilte tepër…
dhe e vonuan të shfaqesh me krejt madheshtinë e tij…
E megjithatë ai mbeti i madh… mbeti Esenin!
Jozef Radi, 28 dhjetor 2015

Sergej Esenin - Liriku i madh Rus
Sergej Esenin – Liriku i madh Rus

Sergei Esenin është pa dyshim poeti më i madh lirik rus i shek. XX-të.
Ndonëse jetoi vetëm 30 vjet, ai la pas një thesar poezish lirike që u recituan përmendësh nga breza të rinjsh në mbarë botën.
Talenti i tij u shfaq shumë herët, kur ishte rreth 14 vjeç dhe prej atëhere e deri sa vdiq nuk rreshti së shkruari poezi me frymëzim nga jeta, dashuria dhe folklori aq i pasur rus.
I bekuar nga Zoti, me një fytyrë të bukur dhe personalitet romantik, ai binte në dashuri shpesh herë… aq sa realizoi 5 martesa të njëpasnjëshme, në harkun e vetëm 10 viteve!
Të gjitha gratë  martesave ishin femra me personalitet të spikatur si fjala vjen: Ana Izdradnova – ishte publiciste; Zinaida Raik – ishte aktore; Isadora Dankan – valltare e famëshme e salloneve parisiane (17 vjet më e madhe se ai); Agustina Miklashevskaja – aktore e njohur; dhe e fundit Sophia Tolstoya – (mbesa e shkrimtarit të famshëm Leon Tolstoit)… për të mos folur për disa nga të dashurat e tij, midis të cilave edhe Galina Belisladovskaja, e cila i dha fund jetës nje vit mbas vdekjes mbi varrin e Poetit.
Dy vitet e fundit të jetës së Eseninit janë të mbushura me çrregullime të personalitetit (depresion), me dehje dhe drogime të vazhdushme, por duhet shtuar se pikërisht në këtë periudhe ai krijoi edhe poezitë e tij më të bukura.
Natën e 28 dhjetorit 1925, Eseninin e gjejnë të vetëvrarë në dhomën e tij në Hotel Angleterre në Moskë, kur posa kishte mbushur të 30 vitet. (U përfol mjafyt se kishte qenë një vrasje e organizuar nga GPU (KGB e ardhëshme), ndonëse regjimi i Stalinit i bëri varrim madhështor me ceremoni zyrtare.
Edhe pse një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë, shumica e poezive të tij u ndaluan të qarkullonin gjatë regjimit të Stalinit po edhe të Hrushovit. Vetëm pas vitit 1966, poezitë e tij nisën të qarkullllojnë lirisht në mbarë Rusinë.
Thuhet se poezinë e tij “Lamtumirë!”, që ju gjend te shtrati i vdekjes, e shkroi me gjakun e rrjedhur nga damarët e tij të prerë.

Monumentit i Sergej Esenin ne Rjazan
Monumentit i Sergej Esenin ne Rjazan

Katër poezi nga Sergei Esenin

Lamtumirë!

Miku im i shtrenjtë, lamtumirë!
Ty këtu ne shpirt të kam, ta dish!
Fati po na ndan sot pa dëshirë,
Por diku do të shihemi sërish!

Lamtumirë mik, pa fjalë e lot!
Vetullat t’i ngrysësh, s’ke përse
Vdekja s’është gjë e re në botë
As të rrosh nuk është gjë e re!

Sergei Esenin - 28 dhjetor 1925
Sergei Esenin – 28 dhjetor 1925
i vetvrare a i vrare?!

Moj nënokja ime, a je gjallë?

Moj nënokja ime, a je gjallë?
Edhe unë rroj. Të përshëndes!
Le të ndritë mbrëmja si përallë
Mbi kasollen tënde që veç hesht!

Mora vesh se ti je shqetësuar
Dhe për mua brenga po te ha
Del në rrugë larg duke vështruar
Me xhuben hedhur përmbi krahë

Dhe në mbrëmje shpesh të fanitet
Ëndërr’e keqe sytë ty t’i mbush
Sikur, ja dikush po më avitet
Në mejhane thikën po ma ngul!

Qetësohu moj e shtrenjta nënë,
Fshije që nga sytë atë kllapi
Pijanec i tillë nuk jam bërë
Sa të vdes pa kthyer në shtëpi

Jam i butë ashtu siç kam qenë
Dhe mendoj, mendoj vetëm një gjë
Që me malln’e madh që më ka zënë
Kokën përmbi prehërin tënd ta vë

Ti me fole për Saadinë

Ti më fole për Saadinë
the se puthte veç në gji
po ti prit pash perëndinë
ta mësoj meqe unë s’e di

Ti më the se te Kurani
thuhet: I ligu – i lig
mirëpo un jam nga Rjazani
ja që s’di shumë fjalë brisk

Ti këndoje – pas Eufrati
lulja zbeh çdo virgjëreshë
të isha pasanik nga fati
unë do bëja tjetër vjershë

Trandafila kam parë plotë
po veç një unë njoh mbi dhe
s’krahasohet gjë në botë
me të shtrenjtën Shagane

Boll më lodh me amanete
nuk di unë asnjë amanet
gjersa kam damar poeti
lermë të puth si puth një poet.

Sergej Esenin & Isadora Duncan
Sergej Esenin & Isadora Duncan

Ti s’më do?

Ti s’më do? S’të dhimbsem sado pak?
Nuk ta mbushkam syrin apo si?
Prapseprap ti ndizesh e merr flakë
Tek shtërngohesh supeve të mi.

Mike, epsh e tëra, lajka s’dua
As i vrazhë nuk të sillem dot
Veç me thuaj sa kështu si mua
Puthur e shtërnguar ke gjer sot?

Unë e di të gjithë hije u bënë
Dhe s’ta shuan zjarrin e pambarim
Prehër pa u ulur ti s’ke lënë
Siç po rri tani në preherin tim.

Në këto çaste ndonjë tjetër
Sjell ndërmend ti, syçkat kur pulit
Mos pandeh se po mërzitem tepër
Tjeterkënd kam dhe unë në shpirt.

S’është fat kjo lidhje mëndjelehtë
Po një flakë çasti, veç ta dish
Si të njoha rastësisht i qetë
“Mirëmbetsh” do të them sërish

Edhe ti do marrësh udhën tënde
Do bësh pluhur ditën plot mërzi
Veç ti mos lakmo t’i prishësh mendjen
Kujt s’ka njohur puthje as dashuri

Krah për krah me ndonjë tjetër djalë
Udhës kur të shkosh ti ku ta dish?
Ndoshta dhe unë do të kem dalë
Për shetitje, dhe shihemi sërish!

Ti më fort pas tjetrit do të ngjeshesh
Dhe me kryet ulur ftohtësisht
“Mirëmbrëma” do më pëshpërisësh
Ndërsa unë: “Oh mirëmbrëma Miss!”

Dhe asgjë s’do t’më turbullojë
S’do më dridhet shpirti për asgjë
Kush ka dashur s’mund të dashurojë
Kush është djegur s’mund të digjet më!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.