Eshtnat e At Gjergj Fishtës o.f.m. janë në Rrëmaj…! – nga Fritz Radovani – Letër e hapun Nr. 4

At Gjergj Fishta (1871-1940)

At Gjergj Fishta (1871-1940)

“Eshtnat e At Gjergj Fishtës o.f.m. janë në Rrëmaj…!”

nga Fritz Radovani – Letër e hapun Nr. 4

Të gjithë atdhetarëve shqiptarë mbrenda e jashta atdheut!
“Unë do të vazhdoj me ju shkrue,
derisa… pena e eme,
t’ju therin eshtnat tueja!”, thonte, një Dijetar!

Jemi në Pragun e Vitit 2022.
të Përjetësimit të Poetit Kombëtar At Gjergj Fishta OFM.

Fritz Radovani

Fritz Radovani

Për dijeni:
-Argjipeshkvisë Shkodër dhe Tiranë,
-Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan,Mirditë.
-Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë,
-z.Prefektit të Shkodres,
-z.Kryetarit të Bashkisë së Shkodres,
-z.Prokurorit të Shkodres,
-z.Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder,
Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjeteve të Informacionit Shqiptar!

Shtoj: – Argjipeshkvinë e Tivarit, Argjipeshkvinë e Prizrenit, Famullinë e Tuzit dhe të Grudës, Këshillit të Pleqve të Fshatit Fishtë, Lezhë.
-Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë, Tiranë,
-z. Ardian Marashi, Kryetar i Inst. Stud. Albanologjike. Tiranë.
-Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder dhe të gjithë Rinisë Universitare,
-Diasporën Shqiptare të Malësisë së Hotit dhe të Grudës,
-Diasporën Shqiptare nga Tivari deri në Kep të Paganës…

At Fishta në shtratin e vdekjes

At Fishta në shtratin e vdekjes

***
Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: “Shko e thuej Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll…!
Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas, se boll kam heshtë!…
Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rrëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve.
Mbas pak minuta heshtje, më tha: “Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë…”
Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: “Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me askend pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue… Se je i ri e një ditë…
këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës…!”.
U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnji fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e nji grues së re që kishte një foto në porcelan. Kam numrue edhe nji herë selvijat dhe jena kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap.
Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t’ishte pyetja ime: “Si mundën me kenë në Rrëmaj ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të “tretuna” në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallëkut?”….
Më shpjegoi se: “Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndërmarrjës që merrej me riparimin e Kinema “Puntori” (ish Kisha e Fretënve), i ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rrëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, kah rruga Canej ku banonte Gjoni.
Kanë hy me makinë deri te Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue te vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë “thesin e qimentos”. Gjoni me nji lopatë ka hapë nji gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhet të fliste me asnji përson.
Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerrë eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue nji punëtor me i futë Eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre, prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe t’i hidhte në lumin Drin. Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyrë të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyrë dhe kur ka vërejtë se asnjeni nuk interesohet ma për at çeshtje, ka shkue te Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me të në vorrezat e Rrëmajit”.
Për këte çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre persona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Zef Pllumbin. Unë dhe A. Benussi jemi gjallë… tjerët jo!…
Mendoj, se nuk duhet vazhdue ma mos me folë, edhe pse “demokratët” shqiptarë janë bijtë e baballarëve që e kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën. Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër “Shyqyri Rrjoll”, që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqes maparshme me At Fishtën:
Turpi do t’i mbetët vetëm Shkodrës dhe vetëm asaj!

Maska e Vdekjes e Fishtës

Maska e Vdekjes e Fishtës

Shënim: Në muajin tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk kanë denjue me m’u përgjigjë.
-Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.
-Mekenëse At Fishta ishte mik i babës sem, të ndjemit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri te Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, ju përgjegjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet.
Melbourne, 20 Dhjetor 2021, Fritz Radovani

.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook