back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

“Është vendi i zotit Vexhi” – nga Namir Lapardhaja

Gazeta

Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja (1920-1987)

“Është vendi i zotit Vexhi”

nga Namir Lapardhaja

Shënim në 102-vjetorin e lindjes së Vexhi Buharasë

Vexhi Buharaja ishte një personalitet i gjithanshëm. Poet, studiues, gjuhëtar, orientalist, historian, përkthyes, publicist, njohës i gjuhëve të lindjes dhe të perëndimit, njeri me kulturë të gjerë dhe i admirueshëm prej atyre që e njohën nga afër.
Jeta e tij endet mes mohimit dhe harrimit. I dënuar politikisht në 1947, në vitin 1965, pranohet në Institutin e Historisë në Tiranë. Me profesionalizëm dhe skrupulozitet, mbledh dhe përkthen në shqip mbishkrimet turko-osmano-arabe në vendin tonë.
Gjatë kësaj kohe, përkthen shumë materiale të periudhës së Rilindjes Kombëtare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është përkthyes i shumë veprave letrare dhe poetike. Sjell në shqip veprat shkencore të Hoxhë Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e Firdeusit, “Ëndërrimet” e Naim Frashërit, “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit etj. Emri i tij renditet si një ndër përkthyesit e mëdhenj të shqipes, krahas Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Fan Nolit.
Në vitin 1975, hapen “defterët e vjetër”. Dëbohet nga Instituti i Historisë. Sipas disa të dhënave, një pjesë e punëve i përvetësohen nga njerëz të partisë në këtë institucion. Përkthime e studime të tij botohen në revista shkencore si punë të tyre.
Kthehet në qytetin e lindjes.
Për ata që e njohin, shoqërohet nga një aureolë drite. Beratasit e vjetër e respektojnë dhe e përshëndesin me nderime. Për të tjerët, është një armik më shumë, i dënuar dikur dhe i lënë rrugëve. Paraqitet në Komitetin Ekzekutiv, ku kërkon punë. Kryetari e pret me respekt. I thotë të vijë një ditë më pas, sepse do të gjendet një punë për të. Të nesërmen i komunikohet: do të presë bileta në berberanën në qendër të qytetit. Pranon. E di se me injorantët nuk mund të bëhet shaka. Ka kaluar një herë në tehun e shpatës vite më parë dhe ia ka hedhur paq.
Vetëm një kohë monstruoze, ku mbizotëron injoranca, mund të caktojë Vexhi Buharanë të presë bileta në berberanë. Pjesën e mbetur të viteve aktive i kalon aty. Vijon individualisht studimet dhe përkthimet. Miqtë e mbetur në Institut, i sjellin punë dhe ai i kryen me profesionalizëm. Është periudhë e heshtjes dhe vetmisë së madhe. Shoqërohet me shumë pak njerëz. Del në pension dhe nga ajo kohë nuk e kalon më Urën e Goricës. Vendtakimi i tij i përditshëm me një grup pleqsh, më të mëdhenj në moshë, është lulishtja e qytetit në lagjen “Dëshmorët e Kombit”. Ai ulej mes bashkëbiseduesve dhe niste e tregonte në një gjuhë mjaft të thjeshtë. Të gjithë, ndonëse më të mëdhenj se ai, e thërrisnin “zoti Vexhi”. Mjeshtri vijonte ta endte rrëfimin sipas modelit të përrallave persiane. Ata e dëgjonin me respekt, gojëhapur.
Një Zot e di se sa i vetmuar është ndjerë Buharaja gjatë asaj kohe në qytet.
Si pasojë e një sëmundje të rëndë, ndërron jetë më 5 korrik 1987, në moshën 67-vjeçare.
Pas viteve ’90, si për çdo emër të madh të larguar nga kjo jetë, rreth tij qarkullojnë legjenda. Të gjithë kërkojnë të marrin nga lavdia e tij, duke treguar se si e njihnin dhe se si shoqëroheshin me të.
Por e vërteta e asaj kohe të marrë është ndryshe. Vexhiu endej në qytet mes mitit dhe mjegullës, i qetë në dukje dhe i vetmuar. Përherë i rrethuar nga të njëjtët njerëz.
Ata kujdeseshin që stolin e tij të mos e zinte askush. “Është vendi i zotit Vexhi!” – thoshin…
Marrë nga muri i fb i Namir Lapardhasë, 12 maj 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.