back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Ernest Koliqi: 110 vitet e këtij gjigandi t’kulturës shqipe!

Gazeta

Ernest Koliqi (1903-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

Ernest Koliqi,

110 vitet e këtij gjigandi të kulturës shqipe…

nga Jozef Radi

Ernest Koliqi ka edhe sot nji përvjetor atë të 110 e Lindjes! Edhe ky përvjetor asht si mjaft prej atyne që janë përcjellë e vazhdojnë të përcillen nënzà dhe me heshtje institucionale, tashma të shpallun…!
Jo, s’prish asnji punë!
“Nuk asht madhështia e tij që ka nevojë për ne, jemi ne ata që kemi nevojë për madhështinë e tij…!” sepse shumçka e kulturës sonë do të ishte e mangut, po të mos ishte drita, po edhe hija e këtij njeriu, që edhe në kohnat ma të vështira, me guxim prej burri mori barrën e përgjegjsive mbi vedi, që në t’ardhmen shumë punë tonat t’i kishim pak ma të lehta…
Dhe sot ky njeri, ky shkrimtar, ky intelektual largpamës, ky albanolog, ky drejtues shtypi (tri prej revistave ma n’zà të kulturë shqipe: “Illyria” “Shkëndija” dhe “Shenjzat” i përkasin atij), ky politikan i sakrifikuem, jo n’emën të së përkohshmes po të prespektivës, sot ende zbret me droje mes nesh, mos dikush po ia numron “mëkatet”…!!
Po cilat mëkate paska ky Kollos Kulture dhe kjo familje kollosash të Shqiptarizmës?! Mëkat pse asht në themelet e prozës moderne shqipe? Mëkat pse me revistat e tij shembullore ishte ndër përkrahsit dhe nxitësit e letërsisë ma të mirë shqipe? Mëkat pse i bani me folë shqip poetët e mëdhaj të Italisë? Mëkat pse e desh si kërkush gjuhën dhe letërsinë shqipe? Mëkat, pse çoi dyqind mësues dhe hapi nji pafundsi shkollash në Kosovë? Mëkat pse liroi nga burgjet mjaft prej djemnisë së çoroditun që do shkruenin faqen e tyne të zezë për të mirat që iu bani? Mëkat pse nuk e desh komunizmin dhe bani ç’asht e mundun me e mbajtë në kambë kulturën e traditës edhe pse i ikun? Mëkat pse ishte para Oruellit që e parashkroi ramjen e komunizmit? Mëkat pse e mbajti me shpirt nëpër dhambë katedrën e albanologjisë dhe gjuhës shqipe, kur askujt s’i binte ndërmend për Shqipni e për shqiptarë…?
O Zot! Po kësi mëkatesh duhej t’i dëshironte çdonjeni prej nesh! Këto janë “mekatë” të nji lavdie, qe vetëm cmirzesve jua vrasin sytë dhe mendjen… Ne, e kushdo që ndjehet sado pak shqiptar në gjak e në shpirtin e vet, duhet me iu ra në gjunjë këtyne mëkateve… Dhe të mos harrojmë kurrë se figura si Koliqi e Fishta, si Lasgushi e Kuteli, si Tefta Tashko e Marie Kraja, i vijnë rrallë këtij vendi, dhe pse i vijnë rrallë, ato meritojnë vetëm nderimin tonë, dhe asht e turpshme me u përcjellë për gati nji shekull me përçmim e heshtje!!!!

Ernest Koliqi - Instituti i Studimeve Shqiptare - Nji tavoline e masakrueme
Ernest Koliqi – Instituti i Studimeve Shqiptare – Nji tavoline e masakrueme

Koliqi ka edhe kësaj here nji përvjetor të vetin… të lindjes!
Ai e gëzon sot të plotë vlerësimin dhe respektin e nji shumice shqiptarësh, e cila do të bahet përditë e ma e shumtë, por unë edhe si i mësues i tim eti, edhe si mik i tim eti, edhe si koleg i tim eti, edhe si person për të cilin në shtëpinë tonë asht folë gjithnji, e ndjej për detyrë me e respektue, e nderue edhe ma tepër Profesor Koliqin përmes këtyne rreshtave, po edhe sikur t’mos t’ishte i tillë, do ta respektoja dhe do ta nderoja njisoj, sepse asht krejt Kontributi i tij, asht vepra dhe jeta e tij, që s’më lejojnë as mue dhe askënd me e anashkalue dhe me e lanë Atë në heshtjen tonë  mjerane…
Ernest Koliqi ka edhe sot nji përvjetor të tijin… atë të 110-in e lindjes … Dhe sigurisht s’janë ma të paktë, por bahen gjithnji e ma të shumtë ata që e urojnë Profesor Koliqin për gjithçka na la, po njiherësh duhet që çdonjeni prej nesh t’mos lejojë që guri i randë i heshtjes me randue mbi të… sepse mbetemi ne faji, pse s’po dimë kurrsesi me ia heqë vedit gurët prej shpine…!
20 maj 2013

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.