Enciklopedia e Historisë së Botës” e Prof. John Bawle, Përkthyer nga Lazër Radi

ISKK - Enciklopedia e Historisë së Botës - përkth. Lazër Radi

ISKK – John Bowle – Enciklopedia e Historisë së Botës -
përkthyer nga Lazër Radi

“Asht në dorë tuej, të bani çka të doni me të!”

nga Jozef Radi

Nji fluturim rreth botimit të veprës
“Enciklopedia e Historisë së Botës”
e Prof. John Bawle,
Përkthyer nga Lazër Radi…
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Nji nga grindjet e mia të hershme e ma të gjata me tim atë, në kapërcyell të viteve ’90, asht ba edhe kjo vepër e tij në fushën e përkthimeve, sigurisht ma e madhja e ma e gjana, e Enciklopedisë së Historisë së Botës! Edhe pse atkohë isha në moshë të pjekun, dhe me Lazrin pos tjerash ishim mjaft miq, nuk munda t’ia pranoj asnjiherë ato orë të pafundme përqëndrimi, që ai harxhoi nga ma e thella kohë e së tretës moshë, kur mendoja dhe besoja se mund të bante shumë ma mirë e shumë ma me vlerë gjana dhe punë që sot më dhembin që ai s’mbrriti dhe as mundi me i ba!
Ka qenë pikërisht kjo grindje mes nesh, që nuk ka marrë fund as sot dhe për të cilën jam i detyruem me i thanë këto fjalë.
Botimi sot i kësaj Enciklopedie të historisë së botës, e nisun këtu e 28 vite të shkueme, kur Shqipnia ishte ende diktaturë, po me nji fashë drite në agim, ai iu fut përkthimit të këtij libri që kishte rreth 600 faqe, dhe që kërkonte nji kohë aq të madhë çka unë, nuk mendoja se duhej ta konsumonte kështu, nji nga figurat muzeale e gjallë e viteve ’30! Dhe kjo ishte grindja ime e përditshme me të e ndoshta sot grindja ime e fundit me të, në të Njizetin vit të largimit të tij.
Ndoshta kjo “grindje” tashma në thonjza e ka vonue disi edhe botimin e kësaj vepre që nisi në ditët ma të mbrame të vuejtjeve të tija, mbaroi kur liria sapo ia kishte hapë portën sa me hy nji fill drite, dhe zbret ndër lexues sot kur ai asht Njëzet vite në mungesë prej respektit tonë!
Prandej nuk e quej të pavend me e kujtue at përkushtimin e tij me laps e stiliolaps, me fletë të ndryshmi që ia sillte nipi i tij, Nandi i cili qe edhe sugjerues i këtij libri!
Me orët e pafundme, nisun nga baraka e pupulitit në Savër, e deri në banjon e shndërrue në studio pune në Tiranë, asht itinerari i kësaj vepre ku kokfortësisë së nji stoiku unë shkoja dhe i vërshëlleja vazhdimisht në vesh për kohën e humbun në ngujim të përkthimit!
-Po dil mor burrë se jashtë asht ditë e bekueme me diell! Po lene mor kët përkthim se nesër mundem ta baj unë o ndokush tjetër! Po ke njiqind punë ma të vyeshme se kjo që kanë me i vlejtë kohës…! A s’të vjen keq për krejt kët kohë që mund të kishe shkrue, të kishe redaktue a të kishe rishikue punët e shumta që ke në mendje e në dorëshkrime!
Të shumtat e herëve ai s’më kthente aspak përgjigje… Po vazhdonte me at Olivettin e tij të kuq e doracak në nji muzikë trokesh n’nji shpërfillje sokratiane ose kur e kisha lodhë më kpuste ndonji të shame, të cilën si duket unë ia kërkoja me qëllim!!
.
Lazër Radi e Jozef Radi 1996

Lazër Radi e Jozef Radi 1996

Kur e shoh sot kët libër gëzohem, e nuk mundem m’e thanë saktë se sa kohë, sa përkushtimin e sa sakrificë ka mbrenda në vetvedi ky përkthim. Të jeni të sigurtë se ka shumë, shumë ma tepër se besojmë çdonjeni prej nesh. Veç nji gjà e di mirë. Aty nga fillimi i vitit 1995, Lazër Radi e përfundoi edhe kët vepër, dhe krahas çlirimit të kohës së tij fizike prej nji pune “të detyrueme”, ndjeu edhe entuziazmin e nji pune tashma të përfundueme, dhe i lirë me u marrë me tjera gjana!
Kurse ajo fjala e tij kur mbaroi: “Merreni tashti! Unë e kreva misionin tim! Asht në dorë tuej, me ba çka të doni me të! Ju keni ma shumë nevojë për të se sa unë…!”
Para meje ishin rreth 600 faqe libri, mbi 30 autorë, të gjithë profesorë universitetesh nga ma të njoftunit e botës, në 20 kapituj, me nji patrathanie dhe nji pasthanie, ku bota nis prej gjenezës së saj dhe përfundon te ngjarjet ma të randsishme të shek. të XX, e gjitha kjo tashma e kalueme nëpër mendje dhe punën të tij. Për të kishte qenë si nji çlirim shpirtnor, që edhe rinia shqiptare të mund ta lexonte krejt historinë e kësaj bote jashtë koncepteve ideollogjike, jashtë mungesës së profesionalizmit, jashtë vogëlsisë së asaj bote ku ajo ndodhesh, në nji sintezë abstraguese të rrallë, ku ma shumë se 30 profesorë nga katedra të përndritshme të universiteteve të botës kishin vendosë dijet, studimet dhe hulumtimet e tyne, dhe ku secili kishte mbulue nji etapë historike të kësaj bote që ne e quejmë tonën!
Prej asaj dite përkthyesi hoqi dorë prej kësaj vepre. Ajo mbeti në dosjet e punës së tij si amanet po edhe si kumt i atij njeriu idealist!
Vepra mbeti e gjitha në dorëshkrim, fillimisht veç me shkrimin e përkthyesit. Mbasi angazhimet e mia të shumta t’asaj kohe, po edhe të kohnave të mëvona s’më lejuen kohë përkushtimi, po as mjete financiare me e mbrritë te lexuesi. Kohë ma vonë unë iu futa ma së pari kompiuterizimit të saj, e që falë përkushtimit, e mbaroi im vëlla Luçiani. Ashtu e kompiuterizuar ajo mbeti në pritje t’nji dite ma të mirë, ku të mund të zbriste në letër librash e të mbrrinte te lexuesi. Sot mendoj se më shumë se te lexuesi i thjeshtë ajo duhet të trokasë në dyert e shkollave, në sytë e studentëve të rinj që ta kuptojnë si asht e ndërtue kjo botë, në kohë, hapsinë dhe rrethana!
E gjitha kjo u realizue falë vlerësimit që i bani kësaj vepre ISKK, dhe drejtori Tufa, që ma së fundi mundsuen që mundimi dhe sakrificat e nji intelektuali ende të përjashtuem, si Dr. Lazër Radi, me ardhë në kët takim me librin e 8 të përkthimeve, realizue në kufijtë e moshës 75-79 vjeçare. Prej sot kjo vepër ka dritën e jetës së saj ndër lexues!
Ky, me siguri do të ishte edhe nji falenderim me zemër në dorë i atij njeriu, në kët 20 vjetor të ngjitjes së tij të paqme në qiell, duke na lanë krahas nji përkthimi kaq te rëndësishëm si “Enciklopedia e Historisë së Botës” po edhe nji hise mundi dhe përkushtimi të tij për vlerat e vërteta të historisë!
Shkurt 2018

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta, Shkrime mbi Dr. Radin  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook