back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Elita e rreme e diktaturës – nga Elona Caslli –

Gazeta

Diktatori Hoxha te Lidhja e Shkrimtareve
Diktatori Hoxha te Lidhja e Shkrimtareve

Elita e rreme e diktaturës

nga Elona Caslli

Sipas mendimit tim, fjala diktaturë dhe fjala elitë nuk mund të qëndrojnë bashkë. Nëse Shqipëria gjatë diktaturës, do të kishte prodhuar një elitë intelektualësh që përfaqësonin fusha të ndryshme, nuk do të ishim këtu ku jemi në vitin 2020.
Elita intelektuale nuk mund të lindë në diktaturë. Nuk mund të përfaqësosh mendim elitar, kur të hiqet e drejta të mendosh dhe e drejta të shprehësh në liri të plotë mendimin tënd.
Elitat krijohen në shoqëri që dinë kuptimin dhe vlerën e fjalës “ liri”. Krijohen në ato shoqëri që dinë të administrojnë lirinë dhe nuk dehen nga kjo e fundit.
Shqipëria e postdiktaturës u deh nga liria. Mendoi se liria e fjalës ishte gjithçka. Mendoi se të shprehje mendimin kundër me zë të lartë ishte gjithçka. Ndërkohë që liria është krejt gjë tjetër.
Shoqëria shqiptare nuk mendoi kurrë të lante hesapet me të shkuarën. Ta lexonte të shkuarën lakuriq. Ashtu siç ishte.
Çdo hetues në vendin përkatës, çdo spiun në vendin përkatës, çdo i persekutuar në vendin përkatës.
Kështu do të ishte përvëluar ajo elitë e rreme, që u ngjiz, u rrit dhe po plaket e privilegjuar në Shqipëri.
Do të kish qenë një proces i dhimbshëm, pasi do të përvëloheshin shumë idhuj të rremë, do të shkatërroheshin shumë marrëdhënie njerëzore, por të paktën do ta kishim parë dramën tonë lakuriq dhe do të ringriheshim mbi lakuriqësinë dhe hirin e kësaj drame me vullnetin për të mos ta përsëritur më.
.
Post Scriptum – Diktaturat prodhojnë njerëz të rremë, dëshmi të rreme dhe si rrjedhim edhe një elitë të rreme.
.
Shkencëtari Çabej përballë diktatorit Hoxha
Shkencëtari Çabej përballë diktatorit Hoxha

Disa grimca historie

***
-Zef, a e din ti se shka kam punue un?
-Jo.
-Un ishem bazhdar. Bazhdar që peshojshem në treg me kandar. Un e kam rrenën profesion, sepse sikur mos të rrejëshem me kandar un do të delshem filuzë. Shikjo më tha: Unë ishem një njeri i përbuzun prej gjithkuj; dikush më thirrte Dul Qorri e dikush Dul Rrena. Ndërsa Partia sot më ka bâ njeri të nderuem. Më sheh?! I veshun e i mbathun si krajl, ha e pi shka më do qejfi. E atëherë si mos punoj për Partinë?
At Zef Pllumi- Rrno vetëm me tregue
 
***
Jepet shenja: “Hya! Hya!” Të pandehurit me hetuesit mbi shpinë vrapojnë në pistën e korridorit. Vajtje-kthim. Ndizet gara. Hetuesi- kalorës e godet “kalin” e tij me grushta në kokë dhe me thembra në ije për ta motivuar “kafshën” që ka nën vithe. Dihet; ai hetues që fiton garën me “kalin” e vet, është i çliruar nga pagesa e pijeve në “Kafen e Madhe”, ndërsa “kali” i tij, ka mundësi, që së paku një herë, të torturohet më pak.
Kësaj tabloje argëtimi i duhet shtuar vetëm një hollësi; “kuajt” kanë mbaruar kush një e kush dy universitete në Europë. Por janë të rrallë “kalorësit”, që kanë mbaruar klasën e katërt fillore.
Agron Tufa: Shkëputur nga – Argëtimi.
 
***
Diktaturat prodhojnë me shumicë shterpësi, kontroll, dhunë e shkretëtirë… Por e gjitha kjo kërkon edhe një elitë fasadë. Pra ajo e prodhon këtë elitë shërbestare deri në neveri, dhe embron deri në vdekje. Pra, ajo prodhoi elitën e saj! Koha tregoi që diktatura e përdori elitën e saj si fasadë, po edhe ajo elitë fasadë iu përshtat sa hap e mbyll sytë një kohe tjetër duke e shëndrruar tashmë edhe atë pak liri në fasadë… Prandaj kjo elitë, s’ka nevojë për fjalën “e rreme” po thjesht me qyrkun e saj përcaktues… Elitë e diktaturës!!
Jozef Radi, Elita e Diktaturës
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.