Elegji për Gac Çunin (shkrue prej Arshi Pipës)

Gac (Gasper) Çuni

Gac (Gasper) Çuni

Elegji për Gac Çunin

poezi nga Arshi Pipa

Elegji për Gac Çunin - Gac Çuni nga Shkodra, nuk i kishte të tridhjetat kur vdiq në Burgun e Burrelit. Ishte arrestue qysh më Shtatuer 1946, kur ishte mësues në Kastrat të Shkodrës. Nuk kishte me mbarue dënimin edhe katër muej kur vdiq, në prill 1956, nga një sulm apandeciti.
Gac Çunin un e kam pasë nxanës qysh në vjetin shkolluer nga 1942-’43, në lyceun Shtetnuer të Shkodrës; ai ishte atëherë në klasën e gjashtë. Gac Çunin e takova në Burgun e Burrelit më 1954, kur ai u prit aty me nji grup të burgosunsh nga Shkodra. Ishte tuberkuloz, kishte vuejtë shumë prej kësaj lëngate, por i kish qendrue. Qysh se erdhi ai ndejti bashkë me mue, në njenën nga qelat tuberkulare. Ma vonë na shpunë q’andej në dhomën tuberkulare.
Në Mars 1956, Gaci pati nji sulm të papritun apandeciti: Mjeku Burrelit qi e vizitoi shfaqi mendimin, se ishte një rasë e “apandesitis acuta” i alarmuem prej ksaj, unë me dorën time ju drejtova Drejtorisë së Burgut me nji kërkesë qi ta dërgojshin ngutshëm, për operim.
Asgja s’u ba. Në nji sulm të përsritun ma vonë Gaci vdiq.
Unë nuk u çudita për kët sjellje të autoriteteve të burgut. Nuk ishte kjo rasa e parë qi kisha pa tue vdekë njerëz, të cilët mund të kishin shpëtue lehtë nga ndërhymja me kohë e mjeksisë. Aq ma pak çuditesha se kjo i ngjau Gac Çunit, tue pasë njoftë at si nji nga të rinjtë ma të pastër e ma guximtarë në luftën kundër komunizmit.
Gac Çunin komunistët nuk mund t’i falshin ndërmjet tjerave faktin, se ai tue qenë në burg, kishte kompozue kangë patriotike antikomuniste. Njena nga kto ishte kanga për tre të rinjtë shkodranë të vramë në Gusht 1948, prej pritave komuniste: Bardhosh Dani, Mark Cacaj (Triepshi) dhe Ibrahim Dërguti.
Gaci kishte kompozue dhe kangë të tjera, mbi motive popullore. Njena ndër kto, “Kanga e Kaçurrelit” asht ba sot popullore në Shqipni. Ai kishte dhe nji za shumë të kandshëm, kish qenë njeni nga kangtarët e njoftun të Shkodrës. Gaci mbi të tjera bante vetë tekstin e kangëve, mbasi kishte edhe nji damar vjershëtari.
Marrë nga Shënime te “Libri i Burgut” Arshi Pipa faqe 213-214
.
Arshi Pipa (1920-1997)

Arshi Pipa (1920-1997)

Elegji për Gac Çunin

Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë të ngratin!
Banja t’madhe gjamën! Vdiq tuj sosë afatin!
si pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë
tue luftue me mordjen! Vdiq: e lanë me vdekë!

Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t’Bedenit,
fill andej përplasun brrakave t’liqenit,
ra e u mek djaloshi… vinte i imte kah shtati,
s’ishte për te kazma, s’ishte për te shati.

Se ktij qielli i fali ç’ka s’i dha seicilit:
frymën e muzikës, zanin e bilbilit.
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zà
zemrës qi lëngonte balçem ai ju bà!

Dridhej nën za lehtas mallshëm melodija,
tash ndër kangë shkodrane, tash n’Ave Maria.
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë vështrojshin
tretun ndër kujtime t’ambla qi ato zgjojshin…

Gac, o shok i vuejtjes, nxansi im i lashtë,
ma s’ta gjegja zanin, ma nuk t’ndesha jashtë!
N’imshten e Burrelit vorrin ku ta banë
kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshan?

Fshaj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahnuer!
Fshaj nji jetë artisti qi pa fryt u buer!
Fshaj e përmbas teje le t’ankojë shoqnija
qi ta njofti vlerën, mbarë t’ankojë rinija!

Prof. Arshi Pipa (1920-1997)

Prof. Arshi Pipa (1920-1997)

“Libri i Burgut” Arshi Pipa faqe 191-192

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook