back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Ekspertiza e antiromanit te Fatos Lubonjës – Akti i Ekpertimit ideoartistik – nga Neshat Tozaj

Gazeta

Fatos Lubonja - Ridënimi
Fatos Lubonja – Ridënimi

Ekspertiza e antiromanit te Fatos Lubonjës

Akti i Ekpertimit ideoartistik

 
Unë Neshat Tozaj,
i ngarkuar nga Dega e e Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme
me vendimin e hetuesit Koço Josifi, për të kryer ekspertimin ideoartistik
të shënimeve letrar që i janë gjetur të pandehurit Fatos Lubonja, të cilat janë shkruar në bllok.
Përpara ekspertimit shtrohen pyetjet:
Ka përmbajtje armiqësore në formë dhe nëpërmjet figurave artistike
në materialet e shënimet e Fatos Lubonjës.
.

Identiteti i materialeve

I.Shënimet letrare të Fatos Lubonjës janë shkruar me stilograf në një bllok me kapak të zi me kapse metalike me ngjyrë të zezë. Letra është me kuadrat dhe është shkruar vetëm në njërën faqe të sejcilës. Shkrimi është i imtë dhe i vështirë për t’u lexur. Me qëllim lehtësimi hetuesia ka bërë transkriptimin e shënimeve me makinë shkrimi letër daktilografike të bardhë.
Leximi i kësaj vepre paraqitet tepër i vështirë sepse autori e ka ndërtuar atë me një parim që e pohon dhe vetë në faqen 91: “ka ardhur një kohë që sido që t’i rrotullosh fjalët në fjali, fjalia ka kuptim. Dhe fjalët në një libër, libri ka kuptim”.
Subjekti i veprës është ky: dy vetë me një shpatë e një pushkë (që kërkojnë turq e grek) janë në qendër të saj. Autori i veprës në mendimet dhe veprimet e tyre jep botën e tyre të brendshme dhe të gjitha pikëpamjet e tij për probleme të ndryshme të mprehta që e shqetësojnë i ve në gojën e tyre pa mbajtur vetë asnjë lloj qëndrimi kritik. Herë – herë ka nga një pauzë në të cilat autori përshkruan dashuriçkat e tij dhe jep mendime për problemet që e shqetësojnë.
I gjithë subjekti i këtyre shënimeve është pa fillim, pa kulm, pa zgjidhje, pa fund, një model i përsorur vepre dekadente.
Duhet thënë që në fillim se në këto shënime letrare autori mban qëndrim diametralisht të kundërt me filozofinë materialiste për të gjitha problemet që e shqetësojnë. Në vetë objektin e kësaj pseudovepre letrare kërkon të bëjë një transplantim të kohëve të shkuara në të sotmen pa konstatuar asnjë ndryshim midis tyre.
Duke u nisur nga fakti i thjeshtë se letërsia merret me skalitjen dhe individualizimin e personazheve, me problemet që shqetësojnë autorin në një periudhë të caktuar, me botëkuptimin e autorit që e pasqyron në një vepër dhe me qëndrim ndaj problemeve që thekson ai, po ndalemi për të analizuar shkurtimisht disa nga problemet kryesore.
1.Vend të madh nëpër faqet e shënimeve letrare ze qëndrimi ndaj zotit. Sipas autorit mendimet i drejton një fuqi e jashtme (f.29), bëhet një analizë prej teologu mbi trupin dhe shpirtin (f.23), mbrohet mendimi i ekzistencës së zotit dhe më tej jepet ideja se zot nuk ka sepse me krijimin e njeriut zoti u nda në pjesëza të vogla dhe zuri vend tek çdo njeri… (f.73)
Në lidhje me qëndrimin e partisë ndaj fesë autori i shënimeve letrare mbron dhe argumenton konkretisht se Partia jonë i zhduku institucionet fetare me forcën e armëve (f.30) dhe jo ashtu siç ndodhi në të vërtetë që rinia dhe masat punojëse të ndriçuara nga mësimet e partisë u ngritën kundër gënjeshtrave dhe hipikrizisë së dogmës fetare.
2.Në shënimet letrare të Fatos Lubonjës i kushtohet një vend i madh problemeve të dashurisë dhe martesës. Në faqen 32 autori thotë: “e di se ç’është puna, e di se ç’ndodh me dashurinë tek ne? Prapambetja e madhe gjatë shekujve ka lënë një kënetë me ujë të turbullt, gjigande në trutë e njerëzve. Ato kanë mbetur të gjalla dhe janë zhvilluar ca zakone dhe një psikologji e tmerrshme për jetën. Si puna e atyre kafshëve parahistorike. Dhe këto duke u munduar e copëtojnë dhe e hanë” dhe më poshtë (f.44) vazhdon: “…fjala “puthje” psh. këtu tek ne ka marrë një formë të ngatërruar, është mbështjellë me natë, me thashetheme, me gënjeshtër. Ndërsa ku njerëzit puthen në mes të rrugës (në perëndim shënimi im N.T.) ka formën e një luleje të çelur të rrethuar me dritë” (po aty f.44) autori bën thirrje të hapur për kurvëri kur thotë: “E shikon vlerën e vetvetes vetëm në bukurinë dhe virgjërinë prandaj nuk do t’i humbasësh këto. Këto janë fuqia jote për të luftuar në këtë…” etj.
Në faqen 98 autori arrin të përcaktojë një nocion të ri për dashurinë: “Dashuria është shkalla më e lartë e pronës private” dhe duke patur këto mendime për dashurinë autori arrin (f. 105) në konkluzionin se: “martesa është një burg…”.
Këto që përmendëm më sipër dhe të tjera banalitete që përshkojnë shënimet letrare të Fatos Lubonjës për dashurinë dhe martesën vijnë në kundërshtim flagrant me mësimet e partisë dhe të shokut Enver, bëjnë thirrje të hapur për kurvëri, për liri seksuale, për të shqelmuar normat më të mira morale dhe të traditës së popullit tonë për martesën dhe familjen.
3.Manifestimet popullore dhe stërvitjet ushtarake të popullit autori i shikon si moment çmendurie, psikopati, idealizim. Njerëzit bërtasin me stomakun bosh. Ja si thotë autori (f. 99) “Kështu e ka jeta. M’u ngjirr zëri duke bërtitur në parakalim. Çudi si nuk më del gjella. Kam bërtitur sot sa kurrë ndojëherë. Sa të fortë jemi. I patë tankset?” Në faqen 93, autori ve në gojën e një personazhi këto fjalë për mbrojtjen: “Duan të sulmojnë qiellin” duke shtrembëruar kështu karakterin e stërvitjes ushtarake të ushtrisë tonë, duke u tallur me karakterin e stërvitjeve tona e duke ironizuar përpjekjet që bën populli dhe partia në këtë fushë.
.
Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit

4.Në shënimet letrare autori kap në tendenciozitet dhe interpreton keq edhe problemin e pastërtisë morale të ushtrisë partizane. Ai ka përshkruar në ngjyrimet më të errta nga këndi krejtësisht i kundërt pushkatimin e një partizaneje. Autori operon në botën e brendshme të saj (Hënës) dhe jep mendimin se këta (partizanët) po vrasin dashurinë, komisari paraqitet si njeri që vetëm jep parimet, fjalë të stërthëna, ai që e pushkaton ndjen dhimbje (s’ka ç’ti bëjë urdhërit) dhe nuk do ta mbulojë me dhe atë fytyrë të bukur, etj.

5.Autori mohon çdo lloj zhvillimi në Shqipëri kur thotë (f. 52) “unë mendoja se njerëzit do të kishin vajtur shumë larg, aq sa nuk do t’u përshtateshim dot, por nuk qenka ashtu” dhe këtë e thotë ai me shpatë që ka luftur që në kohën kur luftojnë me shpata. Pra jeta ka ngecur në vend, nuk ka evoluar as në periudhën e ndërtimit të socializmit në vendin tonë.
6.Në vepër zenë vend dhe mjaft skena makabër si koka njerëzish të zjera, prerja e krahut, koka të prera deri tek qafa që mbahen me kënaqësi sadiste, etj.
7.Autori, në përpjekjet për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që i lindin arrin më në fund në konkluzionini “nuk e di është përgjigja e të gjitha pyetjeve” (f. 67), duke mbajtur kështu një qëndrim agnosticist ndaj gjithshkaje ndaj botës, ndaj jetës ndaj ndërgjegjes, etj.
8.Për një seri problemesh autorit nuk i kanë mjaftuar zgjidhjet e filozofisë marksiste por jep definicionet e tij. Kështu p.sh.:
Ligësia është shprehje e koncentruar e ekonomisë (f. 33)
-Shkaku i luftës është se njerëzit nuk e njohin njëri tjetrin (f.38)
-Pafajësia është vetëm një napë e hollë e bardhë, pothuaj e tejdukshme që njerëzit e grisin shumë shpejt ndonjëherë dhe pa e parë fare;
-E vërteta më e madhe është kjo: të gjithë njerëzit duan veten më shumë se çdo gjë tjetër në botë (fq. 74)
-Cmira është zemra e të gjitha veprave të njeriut (fq. 78)
-Mendimi është koordinim përfytyrimesh. Përfytyrime të ngordhura që ngjallen si Krishti. (fq. 86)
Mendojmë se këto nuk kanë nevojë për asnjë koment…
9.Mbrohet mendimi se njeriu për njeriun është ujk.
Autori ve në gojën e një personazhi pa mbajtur vetë asnjë qëndrim, këto fjalë: “Nëse unë do të jetoja duke ngrënë trupin tënd të vrarë, unë do ta bëja…” dhe më poshtë vazhdon me një tjetër mendim “…bota ish ai vetë dhe po të vdiste ai nuk do të kishte më botë” dhe më poshtë vazhdon: “…pra çdo gjë e dua për vete, pra vetja mbi gjithshka. Është gjëja më e thjeshtë më e vërtetë” (f. 44-45).
Me këto ide autori largohet nga çdo parim i moralit tonë komunist. Ai kërkon ekzistencën me çdo kusht, qoftë edhe duke ngrënë trupin e një tjetri, deheroizimin, frikën nga çdo gjë etj.
10.Në shënimet letrare zenë një vend të rëndësishëm psikopatët dhe idiotët për të cilët autori ndërmjetson (f.99) etj. Mendimin për idiotët autori e shpreh kështu: “Të gjithë janë idiotë… të gjthë idiotët thonë diçka të vërtetë. Diçka absolute”.
11.Autori ngrihet kundër ligjeve. Atij shpesh i lindi ideja të hedhë një bombë. Kur vjen momenti si në (f.48-49) gjykon se ata që kanë vënë konditat (lexo ligjet N. T.) janë anormalë sepse i pengojnë njerëzit që të luftojnë për lirinë absolute(!) (fq. 51) që ta fitojnë atë.
Edhe nga ana artistike shënimet letrare të Fatos Lubonjës vuajnë shumë, ato duken si produkt i punës së një psikopati, të një njeriu me mendje krejtësisht të çoroditur që e ka humbur besimin ndaj jetës, të një njeriu egoist e mendjemadh: ja një dialog (fq. 112)
-Ti je i madh.
-Unë dua të krijoj.
-Çfarë?
-T’u them njerëzve diçka që nuk e kanë dëgjuar”.
Më poshtë (fq. 113) autori, duke i dhënë vlerën e arit vetvetes thotë: “Çfarë mund t’u thuash njerëzve përveç asaj që ti je më lart se ata? T’u tregosh ku je për t’u krijuar lakminë e ngjitjes”.
.

Burgu i diktaturës...
Burgu i diktaturës…

Konkluzion

Duke u mbështetur në sa më sipër mendoj se shënimet letrare të Fatos Lubonjës që na janë vënë në dispozicion për vlerësim ideo-artistik përmbajnë në vetvete ide armiqësore në përmbajtje dhe nëpërmjet figurave artistike për shumë nga çështjet që trajton.
Tiranë, më 20. 9. 1974
Neshat Tozaj

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.