back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Edinburgh… nga Ilir Seci

Gazeta

Qyteti i Edinburghut
Qyteti i Edinburghut

Edinburgh…

nga Ilir Seci

Nuk e di nji tjetër qytet që mundet me u krahasue me Edinburgh-un, kryeqytetin e Skocisë. Asht shumë e vështirë me e gjetë tjerakund atë atmosferë të kohës mesjetare, atmosferë që e krijojnë ndërtesat e mahnitshme, karakterstike të këtij qyteti. Atmosferë e krijueme nga ngjyrat e përhimta të mblojave, nga rrugët e kalldramta e mbi të tanà nga banorët që me shekuj mbajnë nji ritëm paqësor jete, nji gjallni që buron nga shpirti i paepun skocez.
Qyteti i Edinburgh-ut asht vendi ku Historia dhe Paqja shkojnë me u shplodhë. E ka nji magji ky qytet që vetëm kur je aty mundesh me e ndijue. Ndërsa me e përshkrue asht ndër gjanat ma të vështira që mund të ndërmerren… Sidomos kur të bjen në mend se për këtë qytet kanë shkrue gjigandë si Sir Walter Scott dhe Charles Dickens. Kur njeh njeriu magjinë e Edinburgh-ut, nuk habitet aspak pse bash në këtë qytet e pat gjetë frymezimin për me shkrue “Harry Potter”, shkrimtarja Joanne K. Rowling. Atmosfera e Edinburgh-it ia tharmoi atë vepër, si e ka thanë shkrimtarja vetë. Me vend e ka shkrimtarja sepse njeriu që ka fantazi kur shkon në Edinburgh kujton se ka hy në nji botë përrallore. Edhe Sir Arthur Conan Doyle, që lèu dhe u rrit në Edinburgh, nga atmosfera e këtij qyteti u frymëzue dhe krijoi detektivin e tij të famshëm, Sherlock Holmes. Edinburgh asht sak Disney World, jo Disney World për turistë por Disney  World me banorë…
.
Pamje nga Edinburghu
Pamje nga Edinburghu
Edinburgasit e kanë thirrë këtë vend Shpi qysh ne shekullin e shtatë para Krishtit. Kur je aty në qytetin magjik, e sheh se jo rastësisht plot njerëz të famshëm e kanë quejtë Edinburgh-un “Athina e Veriut”. E ka fitue atë emën nga nji anë prej arkitekturës në za si të Athinës antike e ka ana tjetër për faktin se Edinburgh asht djepi i Iluminizmit Skocez të shekullit të 18-të, Iluminizmit që filloi pikërisht në Edinburgh. Si nji lëvizje intelektuale dhe shkencore, Iluminizmi Skocez qiti shumë figura të randsishme në fushat e filozofisë, ekonomisë dhe shkencës, si David Hume, James Watt, Francis Hutcheson dhe James Hutton. Prandaj nuk qe e rastit qe Enciklopedia Britanike, (Encyclopedia Britannica), u publikue ma së pari në Edinburgh.
Kur e shetitë këtë qytet pajtohesh plotësisht me shkrimtarin Robert Louis Stevenson, që ka thanë se “Edinburgh-u asht njashtu si andrron me qenë Parisi.”
Shkrimtari Stevenson ka lè e asht rritë në Edinburgh dhe për nji kohë jetoi në Paris, i ka njoftë mirë të dy qytetet.
.
Pamje nga qyteti i Edinburgh
Pamje nga qyteti i Edinburgh
Po çka e ban kaq magjik kët qytet!?Kështjella madhështore, nji strukturë mahnitëse e Edinburgh-ut asht e para që magjeps. Asht e ndërtueme mbi nji krater vullkani të shkimun. Hera e mbrame që ai vullkani ka shpërthye ka kenë 350 milionë vjet ma parë. Kraterit te vullkanit ia patën ngjitë emnin “Froni i Arturit”. Qysh nga kohnat ma të lashta Kështjella e Edinburgh-ut asht shndërrue me të drejtë në simbolin e Skocisë tue marrë emnin domethanës “Çelësi”. Kështjella e Edinburgut gjatë historisë asht gjindë nën rrethim ma shumë se çdo kështjellë tjetër në Britani. Gjatë shekujve kjo kështjellë ka njoftë 23 përpjekje që janë ba me e pushtue. Si asht provue nga arkeologët, 1 mijë vjet para Krishtit janë gjetë gjurmë aktiviteti njerëzor në vendin ku sot asht kjo kështjellë.
Kjo kështjellë ka lëshue rranjë të forta në tanë Mbretninë e Bashkueme, mbreti ma i parë i Britanisë së Madhe, James i Parë, (i cili për skocezët ka qenë Xhejmsi i Gjashtë), asht lindë në kështjellën e Edinburghut. Aty, në këtë kështjellë ruhet “Guri i Fatit”, (The Stone of Destiny), guri mitik që përdoret edhe sot kur kunorëzohen monarkët angleze.
.
Ross fountain, Edinburgh
Ross fountain, Edinburgh
Mbas magjepsjes së parë prej kështjellës madhështore, vijnë me rend magjepsje tjera… Edinburgh-u asht qytet i ndërtuem mbi shtatë kodra, ashtu si Roma. Me nji arkitekturë unike, me ndërtesa të ruejtuna mirë për shumë shekuj. Njaq ndërtesa historike ka Edinburgh sa mban vendin e parë në botë për numrin e ndërtesave të shpalluna “Monumente të Trashëgimisë Historike”, janë rreth 16 mijë ndërtesa historike të tilla. Edinburgh asht qyteti ma i gjelbruem në krejt Britaninë e Madhe, ka plot 112 parqe në këtë qytet. Për mue Parku Holyrood asht ma i preferuemi ndër to. Në këtë park nji koder e toj asht “Karrigia e Arturit”, bri asaj kodre asht nji ledinë që dikur ka qenë arena ma e famshme e dueleve,(dyluftimeve) me shpata në Skoci. Malësoret skocezë i zgjidhnin konfliktet me shpata aty, dyluftimi i fundit aty asht mbajtë në vjetën 1850. Nëse ulesh e pushon pak maje asaj kodre të bahet sikur ndien përplasjen e shpatave në dyluftimet e malësorëve… të bahet sikur jeton përshkrimet e romaneve historike të Sir Walter Scott… Mjeshtri i letërsisë që naltoi Skocinë në veprat e tij. Mjeshtri të cilin Skocia e naltoi duke e ba simbol kombëtar, monumenti i Sir ëalter Scott në Edinburgh asht monumenti ma i madh në botë ngritun për nder të nji shkrimtari.
Në Edinburgh ngado që të sillesh ke me hasë në nji objekt historik, ke me “zbulue” ndonji gja me interes. Rrugë si “Milja Mbretnore”, (Royal Mile), që asht rruga mà e famshme në qytet, të krijon ndjesinë se je tue ecë në histori, kjo ka qenë rruga ma e preferueme për me dalë në sheti mbretnit skocezë dhe anglezë…
.
Qyteti i Edinburghut
Qyteti i Edinburghut

Edinburgh-u asht nji qytet arti, çdo vit në muejin Gusht, në këtë qytet mblidhen trupat ma të mira në botë të teatrove dhe koncerteve, për me marrë pjesë në “Festivalin Veror të Artit”. Mjedisi kulturor, mikpritja e Edinburghasve, e kanë ba të mujtun që me pasë pjesmarrje të gjanë nga tanë bota. Edinburgh-u sot asht destinacioni numër nji në botë për festivale. Gushti, mueji kur mbahet ky Festival, asht periudha ma e bukur me vizitue këtë qytet që vizitohet shumë në çdo kohë. Dikund rreth 13 milionë turistë nga tanë bota e vizitojnë çdo vjetë qytetin e Edinburgh-ut…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.