Edhe një ngjarje “historike” në një Shqipëri ku nuk ndryshon historia! – nga Kim Mehmeti

Shkrimtari Kim Mehmeti

Shkrimtari Kim Mehmeti

Edhe një ngjarje “historike”

në një Shqipëri ku nuk ndryshon historia!

nga Kim Mehmeti

Sot u mbajt Kuvendi i ‘rithemelimit’ të PD-së. Dhe aty u thanë të gjitha ato që u përsëritën gjatë takimeve paraprake të Doktorit me përkrahësit e vet, takime që treguan se Shqipëria është një “Foltore” ku nuk ndryshojnë as oratorët, as kryefolësi, e as ajo që thuhet, por vetëm gota me ujë, që u ofrohet folësve.
Dhe gjatë këtij Kuvendi, disa herë me radhë, u theksua pesha historike e së sotmes. Por thuajse të gjithë harruan të tregojnë se kalendari i Shqipërisë është përplot me data historike dhe se, shumë nga ato ditë të ‘lavdishme’, rrëfejnë për të shkuarën e dhembshme, për të sotmen e pashpresë dhe për të ardhmen e turbullt të shqiptarisë.
Në Tiranë, në Kuvendin e ‘rithemelimit’ të PD-së, shumë nga ndërtuesit e së djeshmes së vendit, u besatuan se do e ribëjnë të sotmen e Shqipërisë dhe se do e projektojnë të ardhmen e saj. Por duke mos treguar se cili ishte roli i tyre gjatë rrugëtimit të PD-së që nga dhjetori i lindjes së saj, e deri te ky i ‘rithemelimit’ dhe, si ndodhi që në mëmëdhe, të shtohet numri i folësve, e të pakësohet ai i banorëve të saj.
Pra Kuvendi i sotëm i PD-së së Doktorit, i solli vendimet e veta, që mbase do arrijnë vetëm një qëllim: ta dobësojnë partinë dhe, të ardhmen e saj ta marrin në duar të ardhurit nga e djeshmja, ata që, o besojnë se nuk i kanë dhënë aq sa munden vendin, o se nuk kanë marrë aq sa meritojnë!
Tani mbetet të presim të mbahet edhe Kuvendi i PD-së së Kryetarit aktual, e atij që trupin e ka në seli të partisë, e kokën të dhënë me qira te ambasada amerikane, e me çka tregon se di ta drejtojë partinë, por jo edhe paaftësinë e vet politike. Dhe pa dyshim se edhe në Kuvendin e ‘dytë’ të PD-së, do përsëriten po ato që u thanë në Kuvendin e ‘rithemelimit’ të saj. Pra, edhe ata do betohen se i janë përkushtuar të mirës së Shqipërisë dhe popullit të vet, pa shpjeguar si u bë që nga përkushtimi i tyre të mos përfitojë Shqipëria, por Piktori.
.
Kuvendi Rithemelues i PD-së - 11 Dhjetor 2021

Kuvendi Rithemelues i PD-së – 11 Dhjetor 2021

Po pra, së shpejti do përfundojnë të gjithë kuvendet e PD-së e që do e shpalosin të vërtetën se sa më shumë rritet numri i të përkushtuarve për të mirën e vendit dhe të popullit, aq më keq e kanë shqiptarët dhe Shqipëria. Dhe se, edhe kur PD-ja ka kryetarin e saj të nderit, Shqipëria mbetet vend ku deri në mesditë je hero, e pasdite je gomar, ku ata që në drekë të duartrokasin e lëvdojnë si hero, pasdreke të shkelmojnë si të ishe gomar.
Dhe përderisa PD i mbanë kuvendet e saja, Piktori vazhdon ta çojë Shqipërinë drejtë projektit serb të quajtur ‘Ballkani i Hapur’, e nëpërmjet të cilit projekt, Rusia e realizon kontrollin e vet mbi këto hapësira. Edhe atë jo si në vendet e dala nga ish Bashkimi Sovjetik, duke i kërcënuar ato me forcat e veta ushtarake, por nëpërmjet konflikteve të heshtura, nëpërmjet shteteve që Beogradi mund t’i destabilizojë kur të dojë, si për shembull Bosnjën, nëpërmjet Republikës Serpska, Malin e Zi nëpërmjet kishës, Kosovën nëpërmjet veriut të saj, e Maqedoninë nëpërmjet elementeve proserbe brenda vetvetes.
Po pra, përderisa PD-ja mbanë kuvendet e saja dhe e begaton shqiptarinë me data historike, në Ballkan vazhdon të realizohet projekti serbo-rus “Ballkani i Hapur”, e që është pjesë e projektit për “Botën e mbyllur ruso-serbe”. Projekt i vëllazërisë së Piktorit me Vuçiqin, projekt që i defaktorizon shqiptarët, edhe atë duke e treguar Kosovën si kundërshtare të stabilitetit të Ballkanit, duke e shpërfaqur Kryeministrin e Kosovës si ngucakeqi që nuk i nënshtrohet presidentin serb, njeriut të dalë nga kapota e Millosheviqitt, njeriut që ishte me ata që e vrisnin Sarajevën, që e kërcënonte botën se për një serb të vrarë, ai do pushkatonte njëqind boshnjakë!
Po pra, sot Shqipërisë iu shtua edhe një ditë historike dhe u mbajt Kuvendi i ‘rithemelimit’ të PD-së. Në këtë Kuvend folën ata që besojnë se janë duke e shkruar një kapitull të ri të historisë së Shqipërisë, kapitull që ka autorë ata që e përcaktuan të djeshmen e mëmëdheut, ata që vendin e sollën deri te “Foltoret” e sotme. Dhe pa dyshim se nga Kuvendi i sotëm, doli me e dobët PD-ja, por më i fort Doktori! Dhe ku ta dish, mbase edhe ky ishte qëllimi i këtij Kuvendi. I këtij kuvendi që tregoi hapur se mëmëdheu assesi nuk ia del ta jetojë të sotmen e ta projektojë të ardhmen e vet dhe se, Shqipëria ka mbetur peng i mendësisë së saj së shkuar komuniste.
(Kim Mehmeti)
 .

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook