Edhe Dita e 21 Shkurtit, asht histori… nga Jozef Radi

Busti… shkon te studentët

Busti… shkon te studentët

Edhe Dita e 21 shkurtit, asht histori…

nga Jozef Radi

E mërkura e 20 shkurtit 1991, mbetet prej atyne ditëve që njeriu e ka të vështirë dhe të pamundur ta harrojë… Ajo rri e gozhdueme në kujtesën e gjithsecilit që e përjetoi at ditë, dhe veç kur ulesh dhe shkruen të vërtetën tande ndjehesh sikur çlirohesh pak…
Atë ditë… prej mëngjesit deri në mbramje ti ke qenë në rrugë, njashtu i dehun dhe i çoroditun, nën kërcënimin e diktaturës por me besimin e lirisë, midis nji turme që n’ekstazë edhe at vetminë tande ta ka ba të lumtun… dhe e ke ndje kët ditë si të pabesueshme,  pse gjithçka e kishe para syve,  para mendjes, para shpirtit… dhe krejt qenia jote e shfaqun tashma si turmë, e ka ndjekë gjithkund kët ditë… Aty asht edhe e shtymja jote në rrëzimin e atij busti përbindësh; aty asht edhe klithma jote n’at shpërthim mija krahnorësh; aty asht edhe ajo e pabesueshmja e rrëzimit të nji regjimi që tash duket sikur asht edhe nën kambët e tua… Dhe ti pyet me syte drejt qiellit: E vërtetë, o andërr…?!! Po ti e ke ndjekë at statujën hijerandë tek rrëzohej, tek tërhiqej zvarrë prej nji kamioni dhe çohej si trofeja e Madhe e studentve të grevës… ti ke mujtë me e prekë at hundën e madhe prej bronxi dhe me mendje ke thanë: “Eh sa na ke rrejtë mor diktator, dhe s’ka guxue kush mos me të besue! Eh sa na ka vra o përbindësh, po ne ja mbrritëm kësaj!!”… Mandej ti ke qenë pjesë e atij funerali të papërsëritshëm, e atij funerali festiv, brohoritës, pse ajo vdekje e domosdoshme e ka sjellë at funeral madhështor, festiv, çlirues…
…dhe në nji çast ti s’ke pasë dëshirë me ecë ngadalë me turmën, po ke gjetë rrugicat, ke nxitue hapat, diku edhe ke vrapue… me qenë atje te studentët e grevës, atje ku do të shpallej vdekja e nji emni e nji miti dhe e nji kohe dhe nji përbindshi njiherit… Doje ta prisje atje ardhjen e atij funerali… me e pa rrëzimin e dytë t’asaj statuje terrori, s’bashku me sytë e asaj rinie të ngujueme, që at mëngjes pat nevojë për mbështetje, e tash në mbramje ka nevojë me e lanë me fluturue ndër qiej, prej atij gëzimit të çmendum që asht gjithkah ulërimë… Shkurti në Tiranë ka nji jehonë të cuditshme… mjafton me folë pak dhe qyteti ta kthen shumfish!!! Tash në Qytetin e të Ngujuemve lajmi ka mbrritë dhe festa ka nisë… Janë çelë dritare, janë thye edhe xhama, ka ndodhë nji ngjirje kolektive, asht nji kangë e bukur, dehëse, e çmendun, dyshuese, ulëritse, qielli i mbramjes duket i mbushun përplot me fytyra djemsh e vajzash që bajnë dritë… shihen vepra kapakkuqe që shqyhen grimcohen dhe fluturojnë nëpër qiellin e mbramjes së shkurtit… Asht edhe nji mimozë e posaçelun… mbështetun me droje të godina e Grevës, edhe ajo dhuron ato verigat e verdha që derdhen e fluturojnë gjithkah… Asht nji dritë shpirtnash që derdhet gjithkah dhe e ndez botën… asht nji britëm që e ka mbushë me ngrohtësi mbramjen e ftoftë të shkurtit… dhe veç kur ja, u shfaq kamioni me Bronxin e nji Epoke tashma të marrun zhag, me at trup tashma të shkëputun prej kokës dhe kohës… Krejt Qyteti Studenti… asht nji ulërimë feste, nji çmenduni njerzore… Ai asht andrra e humbun e mija njerzve që s’kishin besue kurrë se do të vinte kjo ditë… ka ardhë per gjithkend edhe për mue fëmijën e kampeve… se mund të ket gjithfarë festash në kët botë, po festa që ka në themel terrorin që vdes dhe lirinë që lind ka pak, në mos aspak… Prandej ajo mbasditja e 20 shkurtit, la te unë e shumë si unë, at magjinë e papërsëritshme… ku andrrat e krejt nji rinie ishin në kërkim të rrugëve të lirisë…
Nata e atij 20 shkurti, ra shpejt dhe ndërsa nxitoja rrugicave nëpër muzg, po ndjeja se bashkë me terrin po ulej edhe nji tis terrori, terrori i asaj makine të egër e të frikshme që kishte ecë me dhunë mbi ne për nji gjysëm shekulli…
Në shtëpi e gjeta festën të ndezun… Im atë e kalonte televizorin n’ato pak kanale dhe më shprehu keqardhjen e vet pse s’kishte qenë në shesh at mbasdite… Në fakt televizioni e kish përsëritë shpesh at rrëzim, kështu që s’kishte pse t’i mbetesh peng…
Krahas entuziazmit të përgjithshëm… Im atë më porositi të jem i kujdesshëm, se “…diktatura s’shkulet me nji statujë, as me dhetë statuja… Diktatura ka me dashtë kohë me na u heqë qafet, pse veglat e saj mbeten mes nesh… Po e randsishme asht, se s’mund të jetë ma çka ishte!”
I pamë bashkë ato skena tashma dehëse deri vonë, edhe komentet e kanaleve të hueja. E ndjemë se kanali shtetnor sa vinte e bahesh ma i ftohtë e ma i zymtë… Njaty nga orët e vona rreth mesnate në rrugën Myslym Shyri dhe në dy rrugët e Lanës u ndjenë zhurma të frikshme… Ishin tankset… Im atë bëri nji gjest, sikur desh me m’thanë: “A të thashë!!”… Ishte si nji paralajmërim se andrra aq ishte… Tash e merrte fjalën prap gjuha e forcës…

Në mëngjes dola si zakonisht me marrë ndonji gazetë… në rrugë i pashë dhambët e tankseve, njashtu të freskët mbi asfalt… E enjtja e 21 shkurtit, edhe pse ishte gri, kishte edhe gjurma dielli, sikur kërkonte me derdhë pak shpresë ndër ne…

21 shkurt 1991

21 shkurt 1991

Shtëpia ishte pothuej bosh nga ushqimet… I hypa biçikletës dhe shkova te Pazari i Ri… Pak presh, pak lakna, pak spinaq, ndonji vezë, pak turshi e ndonji kile ullinj ishte krejt begatia e tregut… Befas nga qendra u ndigjuen disa breshni mitralozash… U duk për nji çast sikur edhe Pazari e mbajti frymën… Po kur kjo gja u përsërit për të dytën e të tretën herë, pjesa ma e madhe e njerzve u sulën me turr drejt qendrës… I hypa dhe i graha biçikletës… me nji ndjenjë instinktive andej nga vinin krismat… Nga të gjitha rrugët shihja njerëz që po derdheshin drejt qendrës. Te Pallati i Kulturës niste lumi i zemërimit… I graha edhe ma biçikletës sikur doja t’mos më shpëtonte asgja prej asaj çka mund të ndodhte. Te Ura e Lanës pashë që ajo tashma ishte e bllokueme, kurse turma po mbushte me shpejtësi sheshin nga Lana deri te Ministritë. Ishte nji turmë e egër, kërcënuese, e gatshme me u përplasë me Shtetin pa marrë parasysh asgja… Në rreshtat e para ishin ata, skifterët e gatshëm me ça bllokun policior të skafandrave dhe me iu turr Bllokut. Mbas tyne ishte Garda. Në dy qoshet e urës ishin tankset me tyta të ngrehuna egërsisht drejt turmës… ura tjetër, ajo e kalimtarve që të fuste drejt e në Bllok, qe bllokuar në të dy anët… E mbylla bicikletën afër Shallvares, dhe për nji çast e gjeta veten ballëpërballë me skafandrat… po i kqyrja ashtu kurreshtar nji për nji fytyrat e njerzve dhe ato të ushtarëve… Ushtarët ishin të akullt, ngjeshun fort mbas njeni tjetrit, ashtu blu dukeshin edhe ma të zinj, me armët e ngrehuna dhe dukej sikur prisnin veç nji urdhën… Po turma qe e egër, kërcënuese dhe e bindun se e drejta ishte në krah të saj, ndaj u kërkonte ushtarve të mos ishin peng të atyne bllokmenëve që e kishin shkatërrue Shqipërinë… Në turmë qarkullonte fjala se njeni prej fëmijëve të udhëheqjes ishte shprehë se: “Ou, u zgjuan kafshët…” Kjo e kishte ba turmën përbindëshe… Ajo bante përpjekje me e shmangë përplasjen me ushtarët… Dikush përpiqesh me e shty, dikush tjetër me e tërhjekë turmën nga përplasja… Dy tri herë turma u përplas egër me ushtarët… Po afronte mesdita kur nga krahu i Hotel Dajtit, u ndal nji Zuk i bardhë… dhe shpejt mbi të u shfaq nji burrë i pashëm me flokë krejt të thinjun me nji megafon në dorë… Nuk e di nëse ishte po ai megafon e nji dite ma parë në Qytetin Studenti… Turma dukej sikur kërkonte dikë që t’i besonte, dikë që ta nxiste e ta shpërthente at ishull të së keqes së krejt nji populli… por, ai njeriu që kish marrë përsipër me i folë turmës, s’e kishte ndërmend diçka të tillë… Fjala e tij, ashtu siç unë e kam regjistrue në mendje qe afërsisht e tillë “Vëllezër… Dje ishte nji ditë e madhe për gjithë popullin shqiptar, dhe dje fituam të gjithë… Atë që dje e fituam pa gjak… nuk duhet që sot ta humbasim me gjakderdhje…!!”

21 shkurti 1991

21 shkurti 1991

Befas turma u lëkund, u ndërdysh, mbeti ashtu mosbesuese, u ndje disi e tradhëtuar, pse nuk ishte as ajo fjala që ajo kërkonte dhe as ai kokthinjur, njeriu i providencës… E megjithatë ashtu si nji përbindësh i shkelun nguli kambë me qëndrue aty… Dikush kish qëllue me gurë e sende të forta në drejtim të skafandrave… ndërsa dikush tjetër kish bërtitë duke e ndjekë: “Lereni se është spiun, është provokator! Mos bini në provokime!” Ndërkohë që njeriu i gurve të hedhun mbi ushtarët u zhduk mbrenda Hotelit…
Kokbardhi i Megafonit zbriti në tokë dhe me kangën “Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra se s’ka me pritë!” – u përpoq ta merrte turmën me vete. Turma nuk u bind… mbeti aty… po u ndje e pafuqishme, dhe dikur e thyeme shpirtnisht, ajo ia ktheu shpinën skafandrave dhe Bllokut… dhe zbriti përtueshëm e dhimbshëm drejt Sheshit Qendror, pa lëvizë gjithë kohës prej aty. Pak ma nalt Hotel Dajtit ishin statujat e dy diktatorëve rusë: Leninit dhe Stalinit… rreth të cilave turma u vërtit deri në mbramje për t’i rrëzuar, po ishte pothuej e pamundun… Kokbardhi i Megafonit, përsëri u tha se asht marr vendimi dhe se gjatë natës do të hiqen… S’mund ta harroj at dëshpërimin e nji vajze studente me sy të bukur, që me litari në dorë, nuk i hiqesh nga shpirti dëshira për t’i hedhë në fyt Stalinit…
Gjithë at ditë, në televizionin dhe radio shtetnore kishte shpërthye epidemia e “Vullnetarëve të Enverit”. Në gjithë Jugun… grupe vullnetare me buste gipsi të diktatorit mbi shpinë, kërkonin marshimin drejt Tiranës… Po niste të ndjehej terrori psikollogjik… Shkolla e Bashkueme kishte kërkue me iu ba strehë diktatorit të rrëzuem nji natë ma parë… Ajo shtatorre e rrëzueme me triumf në Tiranë, dukej sikur po e kthente krejt Shqipninë kundra Tiranës…

Sot, kanë kalue njizet e tre vite… Shpesh ndër biseda me shumë prej atyne që kanë qenë pjesë e turmës në atë dite historike, e konsiderojnë të pafalshme mosshpërthimin e Bllokut me 21 shkurt. Shqipnia, mbetet mendimi i shumicës së tyne, s’do të ishte kjo që asht sot, nëse me 21 shkurt do të marshohej mbi Bllokun e Krimit, me çfardolloj kostoje që të bahej nji gjà e tillë…
Dhe Kokbardhi i Megafonit… ka meritën e vet të madhe në kët ngjarje…
(marrë nga shënimet e ditarit tim)
20 shkurt 2014

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj  Etiketat: , , , , , , ,
Një përgjigje
  1. anesti Tha:

    Ishin ditët më të lumtura… Nuk jam gëzuar aq shumë as kur jam bërë me fëmijë. Nana ime 75 vjeçe uroj me shpirt Krijuesin për këtë dhuratë që i dha përpara se të ndërrojë jetë.
    “Oh sa e lumtur jam që i pashë të rrëzohet” – tha.
    Kur gëzohet Nana, gëzon Shën Maria, pasi nanat janë unike.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook