Edgar Allan Poe Korbi – Poemë (Perktheu Jozef Radi)

Edgar Allan Poe Raven - Korbi

Edgar Allan Poe – Raven – Korbi

Edgar Allan Poe

Korbi – Poemë

Përktheu Jozef Radi

Nji herë, n’nji mesnatë krejt i lodhun e i rraskapitun
kur mendueshëm shfletoja do libra dijesh t’lashta
koka n’përgjumje m’qe zhytë – sa përpjetë dot s’e mbaja,
befas brofa, pse nji krismë krrau u ndje n’portën time:
“Ndoshta ndoj shtegtar rrughumbun – mërmërita – derës i ka ra,
Veç kaq mendova e tjetër asgja!”

Oh, si sot m’kujtohet, dhjetor i dëshpruem ishte, shndrisnin
e kalamendeshin gacat e oxhakut e mekeshin tuj qendisë shtrojën,
i trishtë ndjehesha, e m’kot prisja n’agim ndoj shenjë shprese
i tretun n’libra isha, m’e harrue Lenorën time t’humbun
njat dritë hyjnore të virgjën që engjujt e thirrshin Lenorë
po sot njat emën ajo ma s’e ka!

Nji fëshfërimë perdesh t’randa prej kadifeje të purpurt,
më shkaktoi drithma, e n’nji tmerr t’panjoftun më shtyu
dhe i tronditun u perpoqa me ia ndal ankthin n’zemrës sime,
e n’mërmërimë fola: “Mos asht ai shtegtari që derës i ka ra,
o mos ndonji rrughumbun ka mbetë njaty mbas dere!”
Kaq mendova, e tjetër kurrgja!”

Atherë i dhashë shpirtit hov, e i shprisha ato dyshime,
nji hap para bana dhe thirra: “Zotni a zojë në qofsh,
njimijë herë ndjesë t’lypi – pse fort t’trazuem shpirtin e kam,
i përgjumun isha edhe pse ju aq lehtë i ratë portës sime
zhytun në mendime t’thella e i pasigurt! Krejt derën e hapa:
Veç terri ishte, e tjetër asgja.

Edgar Allan Poe (1809-1849)

Edgar Allan Poe (1809-1849)

Ja ngula sytë territ, e n’dyshime brejtse, shtang qëndrova
i zymtë, tretun n’andrra që asnji i vdekatar s’i ka andrrue
po nata s’jepte asnji shenjë – as heshtja s’u thye, mbet e plotë,
veç nji fjalë, nji emën i vetëm u ndigjue n’murmurimë: “Lenorë!”
Isha un vetë që thirra pa e kuptue, dhe jehona m’u gjegj “Lenoooorë!”
Veç kjo ishte e tjetër asgja…

U lshova n’dhomën time, me zemër të tronditun
i ndërdyshtë, kur nji trokitje m’shkundi edhe ma e fort
“Oh vërtet, – mendova – diçka n’dritare don me hy mbrendë
e përmes grilash misterin përpiqet me e shfaqë.
E lashë shpirtin n’fashë, e binda vedin: ndoj fanitje e kotë,
do të jetë… veç era e tjetër asgja!

U hap dritarja e vrik mbrendë, – nji e rrafme e fortë flatrash
nji korb i hijerandë madhështor – si n’kohnat e dikurshme
asnji shenjë nderimi s’bani – s’begenisi kënd, veç u soll
si t’ishte ndonji zotni o zojë e randë e shkoj te dera
e mbi nji bust Minerve u ndal, mbi derë t’odës sime,
gjet paqe dhe ma asgja.

Tuj e kqyrë njat shpend t’zi që me pompë qindronte
u mundova me i buzëqeshë mendimeve të trishta
“T’rrafshtë e ke njat kreshtë t’zezë, – i thashë – po s’je frikacak,
as ogurzi, as i zymtë: O korb i kahershëm, ardhë nga mbretni e territ;
më thuej me ç’emën t’kanë pagzue n’mbretnin e t’zezës Natë?
Dhe korbi u gjegj – “Kurrë ma!”

Edgar Allan Poe

Edgar Allan Poe

Qe mrekulli ta ndigjoje njat shpend të ngathët kur lshonte
ndoj fjalë o rrokje të këputun e krejt pa lidhje n’përgjigje,
ia pranova at shfaqje – mjaft t’mos m’rrinte majëdere
s’doja m’e pa njat zog ndalun aty në dhomë time
njat shpend a kafshë mbi statujë te porta e odës sime
me njat emën “Kurrë ma!”

Po ai Korb, vetmitar ndalë mbi bust, tjetër fjalë s’tha,
veç nji t’vetme, thue se shpirti i tij qe ngecë n’at fjalë
e tjetër s’e lshoj – asnji pendë s’e shkundi – me nji frymë thashë
“Shumë prej miqve t’kanë hikë  -  nesër dhe ti ke me hikë me tjerët
njashtu si gjithë shpresat tona nji ditë shkojnë e tresin!”
Dhe ai shpend ma ktheu “Kurrë ma”

I habitun n’at përgjigje të beftë që kish thye heshtjen
“Pa dyshim -  vazhdova – ai do më m’thanë gjithçka di
shty prej ndoj padroni o Fatkeqsia e ka ndrydhë aq fort
dhe ma tepër, aq sa kanga e tij ka mbetë veç njaj refren
e hymn ajo shpresë e trishtë t’mos jetë veç nji pikëllimë e vetme
“Kurrë, kurrë ma!”

E ndërsa korbi m’shtynte m’i buzqesh mendimeve t’trishta,
e shtyva kolltukun te porta para bustit dhe njatij shpendi,
ashtu i fundosun n’kadife m’u desht me i ndrrue mendimet,
tuj pyet vedin ç’ka dreqin qe ai shpend kohnash të shkueme
ai shpend i zi, fodull, grykës, ogurzi, kërcnues kohnash t’largta
që tuj krrokatë m’thoshte: “Kurrë ma!”

Edgar Allan Poe - Korbi

Edgar Allan Poe – Korbi

Njashtu zhytun n’hamendje i drejtohesha atij shpendi
sytë e tij krenarë n’gjoks më përcëllonin – e përballë i rrija,
për të o ndoj tjetër tuj paramendue, me kryet mbështetë
mbi kadifen e jastekut, ku llampa e fiksonte at sy drite,
mbi at pëlhurë vjollcë ku llampa e ndriçonte at sy drite
që ai s’do ta prekte kurrë ma…

M’u duk se ajri u randue, o profumosë me temjan t’padukshëm
prej engjëjsh t’çoroditun, e n’tringllim hapash sikur i ledhatonin shiltet
“Ah, o mjeran – thirra – po t’le Zotin mes këtyre engjujve, Zotin po t’ofroj
si ngushllim – ngushllim dhe melhem n’kujtim të Lenorës tande
Gëlltite, oh gëlltite kët melhem t’ambël e harroje të shkretën Lenorë
Dhe korbi u gjegj “Kurrë ma!”

O Profet, o përbindësh i së keqes – profet i përjetë shpend a djall je!
Edhe n’qoftë se e keqja të ka pru, o stuhia t’ka përplasë këtyne brigjeve
dobësue t’ka po jo zbutë, mbi kët tokë shkretane e t’mallkueme
mbi kët shtëpi të shetitun prej Tmerrit – ma thuej tash që t’lutem
a ka ndonji melhem në kët Gilead. Ma thuej, ma thuej t’lutem
Dhe korbi iu gjegj “Kurrë ma!”

O Profet, o përbindësh i së keqes – o profet i përjetë shpend a djall je,
për njat qiell që mbi ne përkulet, për njat t’madhin Zot
që s’bashku adhurojmë – përzema kët shpirt t’shtypun
pse a mundet Edeni t’përqafi ksi vajze që engjujt e quejnë Lenorë
a mundet t’përqafi ksi vajze rrezlluese që engjejt e thirrin Lenorë?!
Dhe korbi iu gjegj “Jo! Kurrë ma!”

Edgar Allan Poe - Nevermore

Edgar Allan Poe – Nevermore

“Kjo asht fjala jote si shenjë lamtumire – shpend a djall je – ulërita
e n’kambë u çova  – Kthehu te stuhitë e tua n’terrin e brigjeve t’natës
asnji pendë t’zez tanden mos ma len pse s’asht veç mashtrim
mos guxo t’ma prekësh vetminë e ma hiq njat pamje prej derës sime
zhduke njat sqep prej zemrës sime, zhduke njat surrat prej portës sime
dhe korbi iu gjegj – “Jo! Kurrë!”

Dhe kurrë s’u shkul prej njaty e njaty asht ende sot aj Korb
ende aty heshtet mbi trupin e zbehtë n’terr të dhomës sime
dhe ata sy që aq shumë u ngjajnë nji djalli që andrron
e drita e llambës shpërndahet e derdh mbi dysheme hijen
e shpirti im prej njasaj hije shprishet e dridhet mbi dysheme pa pra
e me u çue Kurrë s’ka!

(Përktheu Jozef Radi, tetor 2015)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Përkthime  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook