back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

E vërteta dhe dashuria në ngadhënjim Menita Ljarja

Gazeta

Menita Ljarja
Menita Ljarja

Nji njohje, nji paraqitje dhe nji shkrim… nga Jozef Radi

Sot, po paraqes për t’parën herë shkrimet e nji vajze të re, pothuej të panjoftun…
Para pak ditësh, ajo më kërkoi miqsi të zakonshme, pa paraqitje përmes komunikimit të botës virtuale… E kqyra emnin, dhe u ndala te miqtë e përbashkët mbasi për mue aty shpesh bahet edhe percaktimi. Quhej Menita Ljarja, mbiemën jo i pagjurmë dhe jo i panjoftun. Pranimim ajo e shoqnoi menjiherë me sqarime të qarta, dhe ajo paraqitja e saj më bani përshtypje mjaft pozitive… gja e cila më shtyu në kurreshtje… I hodha nji sy edhe botës së saj fotografike… e meqë edhe aty gjeta të njoftun, iu përgjigja shënimeve të saj… dhe ajo bisedë prezantimi u ba shkas me gjetë nji botë plot interesa, që shpesh thuhet se nuk ekziston te rinia e sodit…
Nuk asht e vërtetë… për njerzit që kanë interesa shkolla asht gjithnji e vlefshme, për ata njerëz që e duen shkollën për me e tundë si dëshmi, s’kanë asnji randsi interesat…
Pra, mbas atij prezantimit u ndjemë miq… pse pikat e përbashkëta u banë edhe ma të shumta, dhe ajo vajzë me nji thjeshti t’edukueme, më kërkoi mendimin për ndonji nga shkrimet e saj të botueme në shtyp… Për me i dhanë ndonji mendim, unë kambngula që të më niste disa të tillë… dhe si ndodh gjithnji me ata që besojnë te vetja, ajo më nisi katër shkrime, të cilat i lexova në qetësinë ma të plotë të natës… Kur mbarova leximin, u ndjeva si të kisha lanë mbas nji koncert të cilit m’duhej t’i rikthehesha…
Ishte vonë… tejet vonë… por ma shumë u ndjeva unë i vonuem… prandej nisa me i shkrue kësaj vajze, tashma jo fort të panjoftun…

Menita dhe Ded Markagjoni
Menita dhe Ded Markagjoni

E dashtun Menita,
Të lexova dhe të shijova n’orët ma të vona të natës e n’ato ma të qetat e ditës së re… dhe ndjej se kam shumë pak me të thanë… pse meriton aq shumë me të lëvdue… jo veç për qartsinë e të shkruemit e thellsinë e të ndjemit, po edhe për qetsinë e mendimit dhe për at “qepjen” e kujdesshme prej artisteje të rafinueme të kohnave, personazheve dhe krejt atyne vlerave, tashma të largëta, duke i përcjellë ndër ne me nji delikatesë dhe nji dashni kaq të natyrshme, në shmangje të çdo teprie e euforie, që shpesh munden me ta diktue ata personazhe, të cilëve ti u referohesh dhe i përdor si orientues në endjen e pëlhurës tande studimore, e për gjithçka asht zhbà me nji përkujdesje bishash në kët vend fatkeq…
Oh, të falenderoj shumë Menitë, që mundin e kësaj mesnate ma bane kaq reflektiv e qetsues, kaq të thellë, besues e shpresëdhanës…
Të falenderoj shumfish, ma së pari për faktin se kuptova se jemi krejt të nji mendje se Shqipnia e viteve ’30, bani atë çka mund të quhet: Shqipni e Vërtetë… falë atij kujdesi, falë atyne figurave hijerande e hirplote, ende ajo frymë e tyne, edhe pse e rrënueme përbindshëm, vërtitet ndër ne si fantazëm hamletiane dhe përpiqet gjithqysh me na pshtue e me na kthjellë…
I lexova dhe i rilexova shkrimet e tua të shkrueme aq qetë e aq qartë, dhe mundem me të thanë se janë nji model që duhet me i shërbye gjithë atyne që ende besojnë në vlerat… prandej me kënaqsi do t’i pranoja në sitit tim si relike po edhe si dëshmi të nji pune serioze, të nji vajze tejet të re, po që e ka curriculën e saj plot veprim e besim…
Të falenderoj, dhe mundem me të thanë se e ke gjithnji portën hapun dhe përkrahjen time…
Ndërsa, po e mbyll kët shkrim, s’bashku me sytë e lodhun… mbetem i bindun se s’të kam thanë asgja të tepërt, ndoshta ma pak se meriton… po e randsishme asht që ti të vazhdosh në kët drejtim e me kët frymë që asht jo veç njohse e vlersuese, po çliruese dhe e vyeshme për të gjithë brezat e për të gjitha kohnat…
Tana t’mirat, dhe suksese të matejme Menitë,
Jozef Radi
14 maj 2014

Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

E vërteta dhe dashuria në ngadhënjim Menita Ljarja

Ali Asllani së bashku me Ernest Koliqin dhe disa miq të tjerë në vitin 1941, mblidhen në shtëpinë e Ali Asllanit për të dëgjuar Veprën e tij. Ja si e përshkruan Ernest Koliqi: “Ne ishim ndejun rrotull në nji dhomë plot me dritore të mëdhaja prej kah hyente drita e marrun e qiellit të vrantë tue krijue nji atmosferë intime. Vjershatari lexonte. Në za të tij dridhej zjarri i dashunis qi ai ka për poezi…”
Shkrimi që Ernest Koliqi boton në revistën “Shejzat” për këtë takim mes intelektualëve titullohet “Ke Auktori i Hanko-Hallës”. Hanko – Halla është titulli i poemës të Ali Asllanit që miqtë ishin mbledhur për ta dëgjuar. Personazhi i Hanko Hallës përfaqëson sipas Koliqit frymën e kaluar, bukurinë e dokeve në perëndim dhe përballë saj kemi personazhin e nuses, vajzës së re e cila pasqyron përfytyrimin e ri të jetës që po vjen.
Mes rreshtave të Koliqi lexohet mjaft qartë harmonia e atij ambienti të kulluar intelektual. “Qe nji orë prehjeje poetike, – thotë ai, – qi na ngushëlloi thellësisht në shpirt që nji pauzë plot frymë muzikore mbas së cilës duelme ma të forcuem në vullnet për të krye detyrat t’ona të përditshme…”
Leximi i këtij shkrimi më solli në mendje mbrëmjen kulturore që është zhvilluar me rastin e botimit të Veprës së Plotë Poetike të Ali Asllanit përpara dy viteve. Një mbrëmje e cila mblodhi në gjirin e saj dashamirës të fjalë së shkruar dhe të folur, poetë, aktorë e muzikantë. Ajo që e bëri më të mrekullueshme atë mbrëmje ishin tingujt e pianos që këndshëm përkëdhelnin firmamentin e shpirtit të secilit duke e afruar edhe më shumë atë me fjalën e ëmbël të Ali Asllanit. Melodia, mendimi dhe ndijimi kishin marrë trajtën e një kompozimi të mrekullueshëm muzikor. Nëpër vapë i thash’hije,/ nëpër hije er’ e shije,/ i dhash’ shije poezie,/ gjith’ fuqit’ e një magjie,/ gjith ato, që fllad i ëmbël/ nëpër lule mbar e bije,/ ari i dielli me tallaze,/ ari i hënës fije-fije… – i këndon së bukurës Ali Asllani.
E vërteta është dashuria në ngadhënjim, e cila qëndron e fshehur edhe mbas një note të një kompozimi muzikor apo edhe vetëm pas një vargu të poezisë. E bukura ka nevojë të shprehet dhe kur kjo shprehje e së bukurës në tërësinë e saj fiton shpirtin e dëgjuesit fjala hesht dhe vetëm atëherë fillon të flasë zemra. E kur zemrat flasin të njëjtën gjuhë të firmamentit të shpirtit dashuria ngadhënjen. Aktiviteti zuri fill në sallën e ngrohtë të një teatri dhe përfundoi shoqëruar me tingujt e “Ne me quitte pas” të Jacques Brel.
“Dikush, – thoshte Koliqi, – mund të vërejë se e sotmja nuk asht koha ma e përshtatun për ndëgjim vjershash. Mund të duket kjo mbledhje letrarësh si nji akademizëm i zbrazun e i kotë kur mendjet e njerzvet janë të kapërthyeme në kundrimin e ngjarjeve të jashta zakonshme qi po zhvillohen mes nesh…”
Sot ka ardhur koha që shqiptari të lexojë përtej germave të zeza, të kuptojë dhe të lartësojë me aq sa mundet mesazhin e veprave të pavdekshme që na kanë lënë të parët tanë, (publicistika e viteve ’30 – ’40) dhe të kuptojë si duhet lexuar realiteti që e rrethon sepse “dituria, – na thotë Anton Harapi, – ka me të vërtetë një fuqi të mrekullueshme, po gjer më një pikë; fuqinë e dashurisë ajo nuk mundet ta krijojë…”
Ku duhet kërkuar fuqia e dashurisë?
Tek nota e një mesazhi që buron prej një të vërtete të kaluar dhe që sot duhet të ngadhënjejë në formën e një mendimi të pastër intelektual.
Botuar te Gazeta Shqiptare (Suplementi kulturor “Milosao”)

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.