E para demostratë e mirëfilltë antikomuniste në Shqipni… nga Ilir Seci

Shkoder - 13 Dhjetor 1990 - (Paulin Palushi)

Shkoder – 13 Dhjetor 1990 – (Paulin Palushi)

E para demostratë e mirëfilltë antikomuniste në Shqipni…

nga Ilir Seci

(Kujtime nga data 13 Dhjetor 1990)

…Mbramja e 12 dhjetorit 1990, nuk ndryshonte shumë prej mbramjeve tjera të atij mueji… Në konviktin e djemve të Institutit në Zdrale ishte erresinë, dritat kishin ikë, nëpër dhoma ishin ndezë qirinj, si bahej përnatë kur iknin dritat…
Mbasi hangrëm at supën e lodhun të darkës në mencë, pastruam lugët e aluminit i futëm në xhep dhe shkuem nëpër dhoma… Mbas çdo vakti që hanim me kujdes pastronim lugët e aluminit me të cilat hanim, i pastronim dhe i ruenim fort sepse me mbetë pa lugë mbeteshe pa hangër! Aq e thjeshtë… Secili ruente me kujdes lugën e vet… S’kishte lugë!
Atë mbramje u mblodhëm të dhoma e Ismet Palit, student i fakultetit Gjuhë-Letërsi, me Ylber Hasanin kuksian, e shokët e dhomës së Ismetit dhe po kuvendojshim… Kuptohet kryetema ishte mbi ato që po zienin në Tiranë…
Po diskutonim se edhe na duhej të ngrinim zanin tonë kundër diktaturës, duhej që të protestonim e po ashtu të dilnim në krah të studentëve në Tiranë…
“Unë them të bajmë protestë nesër! – tha Ismet Pali, – Shkojmë nëpër çdo dhomë të konviktit dhe flasim me të tanë studentët! Të nesërmen në mjes, në mënyrë të organizuar shkojmë te godina e Shkencave të Institutit dhe protestojmë!”
…Shkuem at mbramje për disa orë dhomë për dhomë dhe shumica dërrmuese e studentevë ranë dakord për protestën e 13 Dhjetorit… Nuk kishim mbarue krejt dhomat kur në konvikt erdhi nji grup pedagogësh të disa fakulteteve, kryesisht pedagogë të moshës së re… I kishte dërguar qendra për me ndalë atë protestë…
Edhe ata kishin shkue në çdo dhomë, sipas fakulteteve dhe kishin ba presion…
“Mos dilni në protestë se do keni pasoja!”

Dhjetor 1990... Endrra e lirisë

Dhjetor 1990… Endrra e lirisë

Ma në fund erdhën te dhoma e Ismet Palit ku ishim ne që kishim ba thirrjen për protestë… Biseduam gjatë me ta…
“Tash është krijue partia opozitare – ngulmuen pedagogët, – për çka doni me ba protestë!”
I nisëm me bindjen se nuk kishte me pasë protestë të nesërmen… Sa shkuan pedagogët dërguam tjerë studentë të sigurojnë çdo dhomë se do të banim protestë dhe: “Le të bahet çka të bahet!”
Të nesërmen kemi dalë krejt djemtë e konviktit të Zdrales të organizuem nga Zdralja deri te godina e Shkencave… Në auditorin Numër 1, kemi shpallë grevë, mësimi asht braktistë dhe asht kërku takim me drejtuesit kryesorë të Shkodrës… Sekretari i parë i Shkodrës, Xhemal Dymylja ishte kandidat i Byrosë Politike… Mbas kambënguljes tonë si studentë asht kthye mbrapsht Drejtori i Institutit Dhimitër Llora dhe asht kambëngulë për takim vetëm me sekretarin e parë…
Lajmi i protestës së studentëve të Institutit asht përhapë me shpejtësi në qytetin e Shkodrës… Saora janë mbledhë para Institutit rinia shkodrane të gatshëm për protestë… Asht mbushë sheshi para Institutit, kanë ardhë nxansit e gjimnazeve, të rinj, të tanë të rinj e të papërmbajtun… Vullkan që ziente nën dhe! Kur asht marrë vesh se në takim vjen Xhemal Dymylja situata asht elektrizu…
“Po vjen në takim vetëm me studentë!” – u hap fjala… Kjo thanje ka acarue gjendjen pasi aty kishte të rinj nga tanë shtresat shoqnore, e jo vetëm studentë. Disa persona nga protestuesit përjashta arritën me u futë në auditor ku po bahej ballafaqimi me sekretarin e parë… Në atë ballafaqim pedagogu i Matematikë-Fizikës, Kolin Gjoka, (dritë pastë), e ka demasku përpjekjen që po bahej për ta minimalizu protestën si protestë e natyrës ekonomike… Kolini debatoi me forcë me Ali Laçejn, sekretarin e parë të Rinisë… Nji nga protestuesit që nuk ishte student, por kishte arritur të futet në sallë, Nikolin Pemaj i drejtohet Xhemal Dymyles: “Këtu në kët sallë duhen me kenë edhe ata që po protestojnë jashtë! Na jena me studentët, jane vllaznit tanë dhe kërkojmë Demokracinë për të tanë! Boll na keni nda në klasa! Na keni vra e pushkatue baballarët, na keni lanë jetima rrugëve tash as me folë s’doni me na lanë!”
Situata nisi te ndizej, nisen thirrje “Liri-Demokraci!”, “Poshtë Komunizmi!”, etj… Kanë folë disa studentë… Në ato momente ngrihet studenti Flamur Buçpapa që tha: “Puna është të gjejmë një zgjidhje demokratike dhe të shmangim gjakderdhjet!Komunistët duhet të shkojnë me hir ose me pahir!”…
Duke e pa gjendjen se po dilte jashtë kontrollit në auditorin Numër 1, Xhemal Dymylja kërkoi që të zgjidhej nji përfaqësi e vogël studentësh e të diskutonim në nji sallë ma të vogël me justifikimin se “është kaos në auditor dhe nuk mund të merremi vesh”… Ky moment kur asht përhapë lajmi se Xhemal Dymylja ju shmang takimit masiv, asht momenti kur u ndez shkëndija e protestës që mbeti në kujtesë si “Demostrata e 13 Dhjetorit 1990″
U ndez si mund të ndezet shkëndija barutin e thatë! Tanë ajo Rini shkodrane që po priste përjashta Institutit me ta marrë vesh lajmin se sekretari i parë i bishtënoi ballafaqimit masiv, filluen të protestojnë!
Në Shkodër ndjenja antikomuniste ka qenë e gjallë tanë kohës, ne tanë vitet e diktaturës… Shkodra i pat pritë me pushkë komunistët, Kryengritjet si ajo e Malsisë së Madhe me Prekë Calin dhe Kryengritja e Postribës dëshmojnë se Shkodra nuk i desh asnjihere klyshët e Moskovit… Herë mbas here ndër vite në Shkodër janë shpërnda trakte kundër komunizmit… Me 14 Janar 1990, u tentua të rrëzohej busti i Stalinit… Në Qershor 1990 u ba nji tjetër Demostratë, ditën e varrimit të djaloshit Pëllumb Pëllumbi, i cili mbasi u kap në kufi u vra nga forcat kufitare për t’u sjellë në Shkodër dhe trupi i pajetë u nxorr sheshit për të ngjallë terror “duke e ba shembull”… Këto ndjenja të fuqishme antikomuniste vlonin gjakun e asaj Rinie shkodrane, ndjenja që do shpërthenin si vullkan atë ditë…
Në nji atmosferë të tillë do të niste Demostrata… Të revoltuem të rinjtë kthyen mbrapsht nji makinë që deshi të kalonte para Institutit… Nisën thirrjet dhe aty ka nisë edhe Demostrata!
Qenë aty: Sokol Drrasati, Paulin Pali, Benhur Nurja, Hysen Kullolli, Roland Prela, Gjon Maranaj, Artur Komi, Ferdinad Temali, Ardian Rragami, Olsi Lorja, Nikolin Pema, Lek Kurti, Huana Kurti, Kristofor Shabani, Bepin Torta, Bepin Doçi, Alfons dhe Eduard Grishaj, etj, (asht listë e gjatë e të më falin ata që nuk i rendita, sepse ka plot tjerë), dhe jane nisë te “Dugajt e Reja” e mbasandej nëpër “Piacë”
Disa studentë të Insititutit i janë bashkue Demostratës, studentja e Gjuhë-Letërsisë Elida Rrusta – Sulaj, ka pri në rresht të parë, ka spikatë në protestë i studenti i Matematikë-Fizikës, Nazmi Peka, studenti hasjan që u dënue me 25 vjet burg për atë protestë… Për hir të së vërtetës duhet thanë se pjesa ma e madhe e studentëve u stepën nga rrjedha që morën ngjarjet!… Demostrata që nisi aty para Institutit ka ndalë te Dugajtë e Reja, në krye të rrugës ku ishte nji dyqan librash dhe si dihet nga ajo kohë, pjesa ma e madhe e titujve ishin komuniste, veprat e diktatorit, histori të Partisë së Punës… Demostruesit kanë hy në dyqanin e librave dhe kanë nxjerrë jashtë librat politikë dhe u kanë vu flakën! Asnji xham nuk asht thye aty, vetëm janë djegë librat me përmbajtje ideologjike…
Prej aty Demostrata ka marrë rrjedhën drejt qendrës, dhe numri i demostruesve ka ardhë duke u shtuar. Te kryqëzimi i dollarit, demostruesit janë kthye majtas. I riu trim Olsi Lorja ka thye me çekiç pllakatën, “Rruga Enver Hoxha”… Duhet theksuar se ky djalë trim e sypatrembun, ka humbë që nga ajo ditë! Nuk dinë për të as familja dhe as miqtë e tij!? Nuk ka pasur askush kontakt me të qysh prej asaj nate! Demostrata nga ai moment ka marrë theks të qartë politik. Gjithë rrugës dëgjoheshin thirrjet: “Enver-Hitler”, “Nexhmije-Rruspije”, “Liri- Demokraci”, “E duem Shqipnine si tanë Europa”, “O djem rrëmbeni pushkët, Ja vdekje ja Liri!” , “Se mjaft në robëri o e mjera Shqipëri”…
Demostrata ka kulmuar me përballjen me policinë te “Gastronomi”, ku policia qëlloi në ajër, ndërsa protestuesit me gurë të marrin në rrugën para lulishtes “1 Maji”, qëlloi që ishte nji kanal i hapun në anë të rrugës… Nën breshninë e gurëve policia asht tërheqë dhe demostruesit i janë afrue bustit të Enverit, para Komitetit Ekzekutiv… Situata asht tendosë edhe ma. Në godinën e Komitetit të Partisë shihej lëvizje trupash ushtarake. Nji oficer nga një cep muri filloi të shtinte në drejtim të turmës si pasojë kanë mbetë të plagosun disa persona… Nji prej të plagosunve ka qenë Bepin Zefi…
U provue me u rrëzue busti i diktatorit, ngaqë nuk u hoq dot i riu guximtar Sokol Drasati i vuni landë plasëse, (dinamit), bustit duke e hedhe në erë! Protesta asht zhvendosë ma pas drejt “Radio-Shkodrës” ku forcat policore kanë ba qendresë… Nga ai çast demostruesit janë shpërnda…

"Zeri i Popullit" - per Shkodren 14 dhjetor 1990

“Zeri i Popullit” – per Shkodren 14 dhjetor 1990

Për këtë Demostratë janë arrestue dhe dënue me akuzën: “Diversion Ideologjik, Organizim i Bandave të Armatosura me qëllim Rrëzimin e Pushtetit Popullor”, Sokol Drasati, Paulin Gjonpali, Hysen Kullolli, Bepin Zefi, Ardian Rragami, Paulin Nosha, Sokol Ndoj, Roland Prela, Nazmi Peka, Kujtim Draçini, etj, që siç dëshmuan më vonë, gjatë procesit hetimor ishin torturuar e masakruar barbarisht në dhomat e hetuesisë së Degës së Brendshme të Shkodrës. Duke e parë që Demostrata u mbajt dhe zani antikomunist jehoi fuqishëm në Shkodër, Sigurimi i Shtetit infiltroi elemente që synuan ta degjenerojnë demonstratën në nji protestë ku pati “thyerje dhe vjedhje të dyqaneve”, që mbrapa makina propagandistike enveriste ta paraqiste “si protestë ku u plaçkit pasuria e popullit” …E vërteta asht se vjedhjet janë ba kudo mbasi largoheshin demostruesit, shumë prej dyqaneve mbyllën qepenat për me “ruejtë mallin” dhe vetëkuptohet shitësit/shiteset shfrytëzuen rastin e morën për veti mallin e dyqaneve… Shumica e dyqaneve kanë qenë në katet e para dhe në mjaft raste atë ditë janë pa banorë të atyne pallateve që merrnin ç’u zinte dora… Demostrata ishte politike, Demostratë e fuqishme antikomuniste dhe duke mos qenë të aftë t’i banin ballë protestës Dega e Brendshme provoi ta nxinte at protestë me “vjedhje dhe plaçkitje”!! Por më kot!Vullkani i asaj date tronditi vendin… Demostrata e 13 Dhjetorit 1990, vuri para provës skemat e Katovicës, që kishte nisë të zbatonte Ramiz Alia! Maska djallëzore e “Revolucionit Kadife” u çorr at ditë në Shkodër kur revolta e Kryeqendrës Antikomuniste shqiptare tregoi botnisht se per fat të keq pjesa tjetër e Shqipërisë nuk kishte të njejten pjekuni shoqnore si pat djepi i qytetnimit shqiptar. Në zonat tjera të Shqipërisë nuk ngritën krye siç ngriti Shkodra për t’ia djegur në duar Byrosë Politike skemat katovociane! Në Shkodër, me 13 Dhjetor 1990, u hodh në erë busti i Enverit kurse disa muaj më vonë në shkurt 1991, në shume rrethe të vendit “Vullnetarët e Enverit” dilnin shesheve me bustet e diktatorit!
Fatkeqesisht pjesa tjetër e Shqipërise nuk e kishte pjekurinë antikomuniste të Shkodrës dhe kjo përban nji nga arsyet kryesore pse Shqipëria ende asht e ngërthyeme në rrjetën e Byrosë Politike…

(Fotoja shoqëruese asht punim nga Mjeshtri Paulin Palushi).

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook