back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

E panjohura e Donikës – nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Andronika Kastrioti - Arianiti (1428-1505)
Andronika Kastrioti – Arianiti (1428-1505)

E panjohura e Donikës

nga Ilirjan Gjika

Të “ndrydhur” në problemet e realitetit të çuditshëm shqiptar, një masë e konsiderueshme e studiuesëve dhe historianëve tanë presin që edhe për epokën e Skënderbeut, ashtu si edhe për periudha të tjera të historisë së Shqipërisë, të dhënat dhe faktet e reja, të publikohen vetëm prej botimeve të huaja. Një gjë e tillë po ndodh rëndom, jo për dëshirën apo mungesën e seriozitetit të historianëve tanë, por për mundësitë e pakta që u krijohen atyre, qoftë nga ana e shtetit, qoftë nga institucionet e tjera kulturore, etj.
Ndërkohë që të paktat zbulime që janë bërë kryesisht jashtë shtetit në arkivat, bibliotekat, apo në kisha dhe varrezat historike janë bërë nga studjues të ndodhur rastësisht si diplomatë ose nga ndonjë iniciativë e “çartur” private e ndonjë hulumtuesi “aventurier”. Pavarësisht se me sytë e kthyer nga “sofra” e miqve të huaj, nga e cila mund të na vijë ndonjë “thërrime”, apo “kafshatë”, përsëri historianët shqiptarë po vazhdojnë të përpiqen dhe të mundohen, që edhe me këto mundësi të pakta të shfrytëzojnë botimet e përgatitura në perëndim për të pasuruar sado pak mozaikun e historisë sonë kombëtare. Diçka e tillë ndodhi edhe këto ditë, kur miku im, përkthyesi i apasionuar Genci Zaka, më dhuroi “frutin” e parë të punës së tij. Ishte një libër historik, i botuar në gjuhën shqipe në Leçe të Italisë nga projekti Italo-Shqiptar i quajtur “Promoalba”. Është pikërisht studjuesi i mirënjohur i historisë, Profesori i Universitetit të Salentos, Giancarlo Vallone, i cili në librin e tij “Periudha pas Skënderbeut”, tregon për integrimin e familjes Kastrioti dhe Shqiptarëve të tjerë të emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut në institucionet e mbretërisë së Napolit në shekujt XV-XVII. Aty tregohet me fakte dhe dokumenta të mbledhura me kujdes dhe të prezantuara me profesionalizëm nga autori, për Gjon Kastriotin e ri, bashkëshorten e Skënderbeut: Donikën, pasardhësit e kësaj familjeje, Kastriotët e Italisë, si dhe të Shqiptarëve që u vendosën në brigjet Salentine. Por më e rëndësishmja midis fakteve dhe dokumentave të ndryshme është publikimi nga historiani Vallone i pemës gjenealogjike të Kastriotëve, që nis nga Gjergji dhe Donika dhe vazhdon më tej deri tek dy degët e kësaj familjeje që vijojnë të jetojnë edhe sot në Leçe dhe Napoli. Ndërkohë që për mua më me interes ishin të dhënat që jepen në libër për Donika Kastrioti-Arianitin, bashkëshorten e Heroit tonë kombëtar, të panjohura nga historografia jonë më parë. Aty, autori pohon se e veja e Skënderbeut, e quajtur në gjuhën vendase si “Scannalibeca”, ka jetuar në mërgim me krenari dhe mençuri aq të matur, duke mos e vuajtur emrin e madh të të shoqit dhe duke mos e poshtëruar atë, (f. 75). Andronika, e cila në Historinë e Shqipërisë njihet me emrin Donika mbërriti në Itali në 23 maj të vitit 1468.
.
Gjergj Kastrioti (1405-1468)
Gjergj Kastrioti (1405-1468)
Dokumenti i publikuar në faqen 74 të librit na njofton se ajo merrte si të ardhura një pension prej 1000 dukatësh nga mbreti i Napolit. Në 27 Gusht 1468, ajo u zhvendos nga feudet që mbreti Ferdinant ja kish dhënë të shoqit në Salento drejt Napolit, ku fillimisht nisi të banonte në shtëpinë e juristit të njohur Pietro Cola D’Alessandro, në afërsi të Santa Chiarës. Disa vite më vonë pas ardhjes në Napoli të gruas së dytë të Ferdinantit, Giovannës, pikërisht në 11 shtator 1477, në rrethana të panjohura Donika Kastrioti nisi të shërbente pranë saj, duke luajtur një rol me peshë në oborrin Aragonez, (f. 75). Ndërkohë që të tjera dokumenta na dëshmojnë se kur në vitin 1496 u rindërtua në Castelnuovo, në rezidencën mbretërore apartamenti i Giovannës III-të, zonja Donika kishte një dhomë mbi të, në katin e dytë të krahut perëndimor, si edhe madam Porfida, që ishte nga dera e Arianitëve dhe kishte lidhje gjaku me të. Duke qenë me prestigj dhe me ndikim të përditshëm në oborr, mbreti tjetër i Napolit Alfons i II-të, i beson në 20 Tetor 1494 zyrtarisht Giovannën III-të, të cilën Donika do të përpiqet që ta bindë që të mos e lërë Napolin pas vdekjes së Mbretit Ferdinant. Për këto shërbime mbreti i ri i Napolit, Federiko, gjatë një ceremonie në oborr do të përqafohet me: “La mogliere de scannalibecho” (Donikën), dhe do t’i dhurojë asaj për shërbimet që kishte bërë në oborr, feudin e Goglianos në 1 prill të vitit 1498. Ndërsa në një tjetër dokument na jepet letra që përfaqësuesi i Legatës Veneciane në Napoli, Francesco Morosini, e shkruan në janar 1501, e cili na njofton për udhëtimin e zonjës Donika në Spanjë, duke shoqëruar tashmë nënën mbretëreshë, Giovanna. Në letër diplomati venecian, shkruan se “Giovanna III ka qëndruar në Napoli, është e veja e mbretit Ferrandino, është e ndershme dhe e kujdesshme: me të është Andronika (Donika), e veja e Skënderbeut, mike e ngushtë e Venecias, (fq.78). Me sa duket në vitin 1501 kur mbërriti në Spanjë zonja Donika Kastrioti tashmë ishte 73 vjeçe dhe nuk do të kishte më mundësinë që të kthehej në Napoli. Ajo duhet të ketë vdekur sipas autorit, në harkun kohor midis marsit të vitit 1505 dhe shtatorit 1506. Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovannës III-të, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Këtë fakt autori e vërteton edhe nga një burim tjetër. Ai i referohet autorit G. A. Summote dhe librit të tij të titulluar në italisht “Del Istoria della citta’ e Regno di Napoli IV”, dhe të botuar në Napoli në vitin1675. Pikërisht aty në faqen 17 të tij, pohohet se: “Gruaja e Skënderbeut ishte varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia në vitin 1506”.
Ky fakt që për shumë historianë ka qenë i panjohur duhet marrë tashmë në konsideratë pasi na plotëson një boshllëk të historisë sonë. Kështu, na del si detyrim moral që të hulumtojmë në Valencia, se ku ndodhet kisha e Shën Trinisë së Shenjtë dhe a gjendet pranë saj në një varrezë të vjetër, varri i bashkëshortes së Heroit tonë kombëtar? Le të shpresojmë në dëshirën tonë. Ndoshta historia do të na servirë ndonjë tjetër surprizë.
.
(Botuar në Gazetën Standard, me 12 shtator 2008)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.