back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Dy pyetje dhe një thirrje për Parlamentin e ri në Tiranë po edhe për diplomatët perëndimorë atje – nga Frank Shkreli

Gazeta

Parlamenti i ri shtator 2021
Parlamenti i ri – Shtator 2021

Dy pyetje dhe një thirrje për Parlamentin e ri në Tiranë

po edhe për diplomatët perëndimorë atje

nga Frank Shkreli

Kur do të dënohen, zyrtarisht,
krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës
dhe kur do të deklarohet distancimi zyrtar nga ai regjim gjakatar?
.
Wesley Clark & Frank Shkreli
Wesley Clark & Frank Shkreli
Javën që kaloi filloi punimet parlamenti i ri i Republikës së Shqipërisë dhe të shtunen qeveria e Kryeministrit Rama bëri betimin për një mandat të tretë katër vjeçar. Që të jem i sinqertë, nuk jam shumë optimist se gjërat do të ndryshojnë, në mënyrë të dukëshme, në atë vend, pasi pak a shumë kemi të bëjmë me të njëjtit aktorë të dështuar dhe të papenduar të skenës politike shqiptare, të këtij 30-vjeçari të shëmtuar politik.
Por, në çdo fillim të ri, është njerëzore që të shpresojmë, pasi shpresa është e fundit që humbet. Është e natyrshme që të shpresojmë e të themi, hajt, ndoshta ky është rasti, momenti. Gjatë 20-viteve të fundit kam shkruar dyzina artikuj duke trajtuar gjendjen e ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri dhe jam munduar të theksoj nevojën që ai vend dhe shoqëria shqiptare, në përgjithësi, të përballet zyrtarisht, njëherë e mirë me të kaluarën e saj komuniste, si obligim moral dhe një kërkesë e domosdoshme për zhvillimin e demokracisë normale në një vend ish-komunist, si Shqipëria. Veçanërisht, kam nënvijuar nevojën për dënimin zyrtar të krimeve të regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës, ashtu siç kanë bërë shumica dërmuese (me përjashtim të Rusisë) e vendeve ish-komuniste të Evropës lindore e qendrore. Por, ja sot në shekullin e XXI – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe pas ndryshimit të regjimeve komuniste në Evropë – klasa politike shqiptare “post-komuniste – ka kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtojë gjithnjë me kokëfortësi dhe arrogancë dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe refuzon të përballet me të kaluarën e saj komuniste megjithë pasojat të cilat edhe sot e kësaj dite pengojnë zhvillimin normal të një demokracie të vërtetë në Shqipëri, duke i detyruar shpërngulje masive të rinisë shqiptare për në perëndim duke e larguar Kombin shqiptar për ditë e më shumë nga endërra shekullore për të zenë vendin e tyre në sofrën e kombeve evropiano-perëndimore, aty ku e kanë vendin. Jo vetëm që qeveritë shqiptare të këtyre 30-viteve të fundit nuk kanë dënuar krimet e komunizmit dhe kanë refuzuar vazhdimisht – në nivel zyrtar dhe personal – të përballen me atë të histori të shëmtuar.
.
Kampi i Tepelenes - skice nga Lek Pervizi
Kampi i Tepelenes – skice nga Lek Pervizi
Por, kësaj klase politike të ricikluar në pushtet për 30-vjetë, pasardhës dhe nostalgjikë të klasës kriminale komuniste të regjimit të shekullit të kaluar – i ka munguar vullneti, guximi, ndërgjegja dhe bindja morale që të pakën – ashtu siç kanë bërë edhe Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës të përballet me atë histori. Kur do të caktojë Shqipëria një ditë në vit, për të kujtuar mijëra viktimat e komunizmit në atë vend, varrezat e të cilëve ende nuk dihen? Kjo pra është edhe kërkesa ime për të disatën herë dhe e shumë të tjerëve. Që edhe Shqipëria të trajtojë krimet e komunizmit, në përputhje me vendet e tjera të Evropës ishin komuniste.
Një barrë të madhe, për këtë papërgjegjësi morale, politike dhe shoqërore të politikës shqiptare mbajnë mbi supet e veta edhe përfaqsuesit diplomatikë perëndimorë aktualë dhe të dekadave të kaluara në Tiranë, të cilët kurrë s’e kanë ngritur zërin për dënimin e krimeve komuniste dhe kujtimin e viktimave të atij regjimi në Shqipëri si një çeshtje morale dhe si një obligim politik i Shqipërisë si anëtare e NATO-s. Turp të keni! për veten tuaj dhe për vendet demokratike dhe organizatat ndërkombëtare që ju përfaqësoni në Tiranë! Me heshtjen tuaj për krimet e komunizmit dhe për nevojen e Shqipërisë për t’u përballur me të kaluarën e saj të zezë komuniste, ju diplomatët perëndimorë vetëm po ndihmoni në përjetësimin e një kulture qeverisëse autoritare dhe anti-demokratike, rrënjët e të cilës janë të ngulitura thellë në ish-regjimin komunist.
Jam i sigurt se diplomatët perëndimorë janë në dijeni të plotë së aty, në atë Shqipërinë që ata vazhdimisht deklarojnë se e duan dhe e dashurojnë, një nomenklaturë ish-komuniste dhe ish-sigurimsa – shumë prej të cilëve kanë marrë mbështetjen e tyre të plotë për të siguruar detyra të rëndësishme në “demokracinë” e sotme shqiptare -vazhdojnë të ushtrojnë kontrolle politike dhe ekonomike në të gjitha sferat e politikës, të drejtësisë dhe ekonomisë, si parazitë të shoqërisë shqiptare. Edhe pas 30-vjetë të ashtuquajtur “tranzicion”, kjo nomenklaturë pseudo-komuniste, shpesh justifikon e lavdëron ish-regjimin komunist, publikisht, si një sistem që ka bërë shumë të mira për shqiptarët, si një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit të vendit. Nganjëherë edhe duke u mburrur publikisht me krimet e ish-regjimit kundër njerëzimit, ndërsa, njëkohësisht, glorifikojnë edhe sot e kësaj dite ish-udhëheqsit kriminalë të regjimit komunist, disa prej tyre, krenarisht, kanë zenë karriget në parlamentin e ri.
Në mungesë të drejtësisë gjyqësore, atëherë të paktën do të duhej që drejtësia morale dhe njerëzore si dhe vlerat perëndimore, nuk duhet të lejonin përjetësimin e një fryme tolerante ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri.
.
Kampi i Tepelenës - Vdekja e Foshnjave - Pikturë nga Lek Pervizi
Kampi i Tepelenës – Vdekja e Foshnjave – Pikturë nga Lek Pervizi
Zonja e Zotëri diplomatë perëndimorë në Tiranë,
heshtja juaj ndaj krimeve të ish-regjimit të Enver Hoxhës dhe ndaj mungesës së përballimit me atë të kaluar barbare të klasës politike shqiptare, për tre dekada tani, duhet të marrë fund. Heshtja e juaj në mbrojtje të të drejtave viktimave të komunizmit në atë vend, nuk është njëra prej “vlerave të përbashkëta” që ndajmë me këtë klasë politike në atë vend. Është e turpshme që 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, qeveritë shqiptare të njëpasnjëshme, të kryesuara nga dy partitë kryesore atje, nuk kanë gjetur ende vullnetin as guximin moral që, zyrtarisht, të distancohen nga krimet e komunizmit në Shqipëri. Fyese është gjithashtu edhe heshtja juaj ndaj këtij fenomeni të turpshëm shqiptar, të nderuar diplomatë perëndimorë. Thoni se po punoni dhe po shpenzoni fonde të taksapaguesve amerikanë e evropianë për reformën, pa dyshim shumë të nevojshme në drejtësi, me qëllim për të luftuar korrupsionin gjithpërfshirës në atë vend. Në rregull, por a kini pyetur kohët e fundit se pse partitë politike – përfshirë atë Socialiste dhe Demokratike – nuk kanë kërkuar para zgjedhjeve të fundit nga Autoriteti i Dosjeve, pastërtinë e kandidatëve të tyre për në parlamentin e ri?! Media shqiptare ka njoftuar se mund të jenë deri në 30 anëtarët që në parlamentin aktual, kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit famëkeq, ose persona, që në një mënyrë o një tjetër, kanë qenë të lidhur ngushtë me ish regjimin komunist. Kjo nuk u shqetëson ju të nderuar diplomatë perëndimorë, pasi thoni se po punoni për një “demokraci” perëndimore në Shqipëri? Unë nuk e di se kush është më i rrezikshëm për demokracinë shqiptare, një gjykatës i korruptuar materialisht, një deputet ish-sigurims, apo një zyrtar i lartë, nostalgjik i ish-regjimit komunist!? A nuk duhet të jenë krimet komuniste çështje drejtësie? A nuk duhet të ketë drejtësi për viktimat e komunizmit?
Sidoqoftë, unë propozoj dhe me përvujtëri i bëj thirrje parlamentit të ri shqiptar dhe, njëkohësisht, kërkoj mbështetjen dhe aktivizimin diplomatik perëndimor në Tiranë, për të ndryshuar sado pak këtë frymë të patolerueshme në politikën dhe në shoqërinë shqiptare ndaj krimeve komuniste kundër njerëzimit – që një ndër aktet e para të këtij parlamenti të jetë dënimi i krimeve të komunizmit dhe zyrtarisht të deklarohet distancimi politik nga ish-regjimi enverist dhe nga e kaluara komuniste. Dhe në përputhje me vendet e tjera të Evropës të caktohet një ditë në përkujtim të viktimave të komunizmit ndërkombëtar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Për këtë propozim e kërkojë mbështetjen e diplomatëve perëndimorë në Tiranë, sepse ua kemi borxh atyre viktimave të shkreta të komunizmit shqiptar dhe sllav si dhe familjeve të tyre sot – pasi dihet se shumica e atyre viktimave janë vrarë e burgosur sepse besonin, pikërisht, në vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë. Fatkeqsisht, kjo botë është plot hipokrizi!
.

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Për autoritetet shqiptare në Tiranë por edhe në Prishtinë përballimi me krimet e komunizmit dhe kujtimi i viktimave të atij regjimi gjakatar në trojet shqiptare duhet të jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pahile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në qoftë se kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah me demokracitë perëndimore dhe me kombet që kanë vuajtur nga komunizmi si një hap i domosdoshëm drejt një pajtimi të vërtetë kombëtar. Një vendim i tillë zyrtar për të kujtuar viktimat e komunizmit në trojet shqiptare – në mbështetje “të kujtesës kundër harresës”, siç ka thenë shkrimtari çek Milan Kundera – kërkon kurajë morale, vendosmëri politike dhe vullnet serioz për të kujtuar ato viktima të pafajshme të një regjimi ilegal dhe shtypës, siç ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe ai sllavo-komunist jugosllav në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Përcaktimi i një date kushtuar viktimave të komunizmit në trojet shqiptare, do të lehtësonte gjithashtu edhe përballimin aq të nevojshëm të politikës dhe të shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste dhe do të ndihmonte edhe në zbardhjen e krimeve të komunizmit, në përgjithësi kësaj ideologjie çnjerëzore të një regjimi të imponuar sllavo-aziatik mbi Kombin shqiptar për pothuaj gjysëm shekulli.
.
Vizatime sipas origjinalit në Kampin e Tepelenës nga piktori Lekë Pervizi, vet i internuar në atë kamp

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.