back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Dy poezi satirike nga Meti Fidani

Gazeta

Meti Fidani
Meti Fidani

Dy poezi satirike

nga Meti Fidani

Me Meti Fidanin, jam prej vitesh mik nga vjershat e tij!
Si devolli, i ka të rrallë shokët si punëtor
po ajo çka vlerësoj më shumë te Meti
është shpirti i tij i humorit,
ne vjershat e tij plot ironi dhe autoironi
që e bëjnë atë edhe më të simpatik e më të dashur…
Kjo paraqitje është edhe urimi im në kët përvjetor të tij… j.r.
29 maj 2016

Pamela Anderson
Pamela Anderson

Mushkonja dhe Silikoni

Një llampire, një mushkonjë
u çudit, kur pa një zonjë
kullundrisur, qime kashtë
nxjerrë gjiret, gjysma jashtë

Oh ç’gjire, rrumbullak
Këtu – tha – do të ketë gjak
me kto bomba, që ka zonja
do të pijn’, njëqind mushkonja

Bëzzzz e bëzzz, u sorollat
përmbi gji, thumbin ja zgjat
ja ngul majën… thithte thithte
me gëzim krahët përdridhte

thithte, a s’thithte për merak
thithte gjak, por s’ishte gjak
kur papritmas ndjenjat humbi
ju ngjit goja, barku, thumbi

e dredh këmbën dhe rënkon
paskësh thithur silikon
ku ta dinte ajo llampire
se kan’ dalë dhe fallso gjire

Fallco, se kështu erdh rrota
fallco, fallco e tërë bota
Fallco sy, fallco qerpikë
pushtanika e lesbikë
fallco thonj, thua mbi thua
fallco burrë e fallco grua

Fallco emër e mbiemër
fallco mashkull e fallco femër
fallco zogun e fallco lulet
fallco flokët e fallco tulet
fallco vithet e fallco gjiret
ktu u bë, të marrç çairet…

Nastradini dhe Gomari
Nastradini dhe Gomari

Nastradini dhe xhehnemi

Në Anadolli njëherë
dikush tha, një marrëzi
kush kërcen, filan humnerë
gjen parajsë, gjen lumturi!

Mori fjala arratinë
an’e anës, gjith’ të mbledhur
buz’ humnerës, trampolinë
rradh e madhe, për t’u hedhur

Ç’qe kjo gjëmë, ç’qe kjo fjalë?!
Hidhen! Ç’bëjnë?! Vall’ s’e dinë!
Hajd’ të dalë, le ku të dalë
veç ta gjejmë lumturinë!

Hidhen, si thasë mbështjellë
ku i shpje mushka të zinjtë
thonë atje poshtë në shpellë
han’ me lugë të florinjtë

Nastradinit na i vjen sëra
shkon të hidhet, me gomar
në parajsë, kur jan’ të tëra
domosdo, do ket’ dhe bar

-Ush gomar… Hajd’ për hair
Ush… të keqen… Ush… po ku?!
Bam me stap, bam me zinxhir
ngriu gomari, si kërcu

Shikon poshtë, ç’të shohë, xhehnet
qafën, e vërtit si ngjalë
fort i ngul patkonjt’  në dhet
Vërrr e vërr, pordhët ndër shalë

Bën të pllasë, por ju for
veshët shtriu si lëpushkë
e ju mblodhën, shtyjn’ me zor
po ku shtyhet një kokmushkë

Kthehet Nastradini flet
-Kini tru, a s’kini tru
ky s’po hidhet, me qamet
dhe pse ësht’ gomar për dru

Gomar është, ka dhe të meta
por mendon, më mirë se ju
shihni si i dhimbset jeta
s’hidhet posht’ ta zhdëpç në dru

Ç’janë këto marrëzira
marrëzi s’i mban kandari
O po kthehuni ndër shtëpira
merrni shembull nga gomari
………….
Ja ta dini, n’mos e dini
që atëherë e gjer më sot
po t’mos ishte Nastradini
do na qe humnera plot

Marrë nga Muri i fb i Meti Fidanit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.