back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Katër poezi nga Pablo Neruda – Përkthye nga Jozef Radi

Gazeta

Pablo Neruda dhe Matilde Urrutia
Pablo Neruda dhe Matilde Urrutia

Kater poezi nga Pablo Neruda

Përkthye nga Jozef Radi

Të due!

Të due
me gjendjet e mia shpirtnore aq të shumta
që humorin ma ndryshojnë sa tash e mbas
për çka tashma ti e di aq mirë: për kohën, për jetën, për vdekjen.

Të due
s’bashku me at botë që s’e kuptoj hiç
s’bashku me ata njerëz që as i marr vesh fare,
s’bashku me dyftyrsinë e shpirtit tim,
me mospërputhjen e krejt gjesteve të mia,
me pamundsinë e shmangies së fatit,
me fshehtësitë e dëshirës,
me dykuptimsinë e së vërtetës
pse edhe kur të them s’të due
të due fort,
madje edhe kur të tradhëtoj, s’të tradhtoj aspak
pse n’thellsinë ma të thellë, çoj përpara mendimin,
me të dashtë sa ma shumë

Të due…
pa e mendue, njashtu i pandërgjegje,
e i papërgjegjshëm, n’mënyrën ma spontane,
njashtu padashtas, e instinktivisht,
njashtu me t’shtyme shpirti, çoroditshëm.
pse s’kam asnji arsyetim logjik,
as të improvizuem
me e ngjizë dashninë që ndiej për ty,
që lindi mistershëm prej asgjasë,
e me magji s’ka zgjidhë asgja,
po që për fat, ca nga ca, pak o hiç
e ka përmirësue krejt t’keqen time.

Të due,
të due njashtu si njaj trupi që s’mendon asgja,
si njajo zemra që s’arsyeton asgja,
si njajo koka që asgja s’përputh.

Të due
njashtu pa e kuptue as vetë pse
pa e pyet kurrë vedin pse të due,
pa i dhanë asnji randsi faktit pse të due,
pa i futë vedit asnji dyshim n’kuptimin pse të due

Të due
thjesht pse të due,
pa e ditë as vetë pse të due.

Pablo Neruda dhe Matilde Urrutia
Pablo Neruda dhe Matilde Urrutia

Buzëqeshja Jote

Edhe bukën mundesh me ma hjekë,
edhe ajrin mundesh me ma ndalë,
mos ma hjek njat trandafilin tand,
njat shigjetë që m’shkon tejpërtej,
e befas ujnat shpërthejnë prej haresë tande,
n’at spirale dallgësh t’argjanta që ty të lind.
E ashpër asht beteja ime e unë mbrrij me sy të lodhun,
shpesh tuj e pa njat tokë që s’ndryshon,
po tuj u shfaqë ti, buzqeshja jote ngjitet qiejsh
tuj kërkue t’m’i hapë krejt portat e jetës…
(Marrë nga Poemë dashnie)

Biri

A e din prej kah vjen?
…prej rrethinash ujnash dimnore
unë dhe ajo kemi naltue nji flakë të kuqe
tuj fërkue buztë e njeni tjetrit
tuj i puthë shpirtnat,
tuj hjedhë gjithçka në flakë,
e tuj e djegë jetën.
Kështu i kena ardhë ksaj bote.
Dhe ajo për me m’pa
dhe për ta pa nji ditë
kapërceu detna,
unë me e përqafë
mesin e saj t’hijshëm
krejt tokës rrotull i rashë,
me male e me luftna,
me arena e me shkurre.
Kështu i kena ardhë kësaj bote.
Prej shumë vendesh je i ardhun,
prej ujnash e prej tokash,
prej zjarresh e prej bornash,
prej udhëtimesh të pafundme
drejt ne të dyve,
prej dashnisë që na mban shtrengue n’pranga,
dhe duem me e dijtë
si jeni, e ç’na thoni
sepse ju dini ma shumë
mbi Botën që ju dhamë.
Njashtu si nji stuhi e fuqishme
ne e shkundim fort
pemën e jetës,
deri n’ma t’padukshmet
kapilare t’rranjve
dhe tash shfaqu
tuj këndue midis gjethnajes,
n’ma të naltën degë
që së bashku kena me e mbrritë.
nga libri “Vargjet e kapitenit”

(dy poezitë përkthye me, 27 shtator 2016)

Kanga e sirenave - Loje dashnie
Kanga e sirenave – Loje dashnie

Lojna të përditshme

Luej përditë me dritën e krejt kësaj bote.
Vizitore delikate, që futet ndër lule e ujna.
Je shumë ma tepër se kjo fytyrë e bardhë që e shtrëngoj
përditë si nji verigë midis duerve të mia.
S’i ngjan kërkujt prej se jam dashurue me ty.
M’lejo me t’vendosë midis kunorave të verdha.
E le të mundet ndokush ma e shkrue emnin tand me gërma tymi midis yjeve të jugut!?
Oh, m’lejo me t’kujtue si ishe njat herë kur ende s’ekzistoje.
Befas ulurin era e përplaset mbas dritares sime të mbyllun.
Qielli asht nji rrjetë përplot me peshq të zymtë.
Këtu vijnë me dhanë shpirt tana ernat.
Shiu asht i xhveshun lakuriq.
E zogjtë shkojnë nxitueshëm.
Era. Era.
Unë mundem me luftue veç kundra pushtetit të burrave.
Stuhia vërtit ndër vorbulla gjethe të errta
e tana varkat që mbramë ishin ankorue n’qiell i zgjidhi.
Ti je këtu. Ah, ti jo nuk largohesh.
ti ke me m’u përgjigjë deri n’ma të fundmen britëm.
kruspullue pranë meje si të ishe e frigueme
edhe pse ndonjiherë vrapon nji hije e çuditshme n’sytë e tu.
Tash, edhe tash voglushe, m’dhuron dorëzonje,
pse gjinjtë i ke të parfumuem.
Ndërsa era e trishtë n’galop i shkel fluturat
Unë të due, e gëzimi im kafshon buzët e tua të kumbullta.
Kushedi sa ka me t’kushtue me iu përshtatë
shpirtit tim vetmitar e të egër,
emnit tim që të gjithë i rrijnë larg.
I kemi pa kaq herë yjtë të digjen tuj u puthë sysh
e mbi kokat tona shfaqeshin perëndime ndër vorbulla rrotulluese
e fjalët e mia kanë më ra si shi mbi ty e kanë me të ledhatue.
E kam dashtë qysh s’e smbahet mend trupin tand të qelibartë plot diell.
Besoja n’ty, se je edhe zotnuese e gjithësisë.
E prej maleve kam me të nisë lule t’hareshme,
lajthi të errta, n’shporta t’argjanda puthjesh.
Pse dëshiroj me ba me ty
çka pranvera ban me qershitë!
Përktheu Jozef Radi, dhjetor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.