Dy nga perlat poetike të Pablo Nerudës sjellë në shqip nga Jozef Radi

Pablo Neruda dhe Matilde Urrutia

Pablo Neruda dhe Matilde Urrutia

Dy nga perlat poetike të Pablo Nerudës

sjellë në shqip nga Jozef Radi

Kam fjetë me ty…

Tan natën e lume kam fjetë me ty
diku n’detë buz’ nji ishulli
ti m’faniteshe sa e egër aq e ambël
njatje midis dalldisë dhe gjumit
njatje midis zjarrmit dhe ujit.

Ndoshta tejet vonë andrrat tona
u përputhën naltësish
o thellësive
Naltsish – njashtu si degët hepohen
prej erës vetë,
e n’të thellë si rranjtë e kuqe
ndërthuren mes tyne.

Ndoshta andrra jote
asht nda me temen
prej territ të detit
ndoshta t’ka lypë edhe ma parë
kur ti s’ishe kërkund,
e kur papritë e pakujtue
lundroja bri teje
jotja ka kërkue njat që tash asht
bukë, venë, dashni e mëni
që t’i jap me duer t’mbushme plot.
Pse ti ishe njajo kupa
n’pritje darovash t’jetës seme.

Kam fjetë me ty tan natën e lume
kur tokë e zymtë vërtitesh
me t’gjallë e t’vdekun,
kur befas jam zgjue
midis hijesh
e kam gjet krahun tim
rrethekue brezit tand
e mandej as nata
e as gjumi
s’kan mujtë me na nda.

Kam fjetë në ty,
e tuj u zgjue prej buzve tua
t’posadala gjumi
m’ke dhurue shijen e tokës
t’ujnave të detit
e t’algave,
e prej thellsive t’shpirtit tand
ta kam zhgulë njat puthje
t’spërkatun n’drit agu
derdhun prej njatij deti
që rrethue gjithkah na ka.

Pablo Neruda - Oh etshëm jam për buzët tua...

Pablo Neruda – Oh etshëm jam për buzët tua…

Oh etshëm jam për buzët tua

Oh etshëm jam për buztë tua, për zanin tand, për floktë tu
dhe ngarendem rrugësh pa prà, pa kqyrë çka m’pihet

Kurrnji hajr s’ma ban buka, e agu m’lshon përmbys,
tuj lyp melodinë e langët t’kambve tua përg’jat dite.

Oh etshëm jam për njat haren’ tande që derdhet,
e njato duer tua n’ngjyrë hambaresh t’përplota

Oh etshëm jam për njata gurë t’lmuet, për thojtë tu,
me ta rufit njat lkurë tande si bajame t’paprekun.

Oh due me e përpi njat vet’timë, përzhitë n’bukuri tande,
njat hundë solemne e njat t’hekurtën ftyrë,

Oh due me ta pi njat hije gjarpnuese t’vetullave tua
e njashtu etshëm me u sjellë e përsjellë tuj thith muzgun

e tuj t’kërkue ty, njat zemrën tande të ngroftë
njashtu si ajo puma n’vetmitë e Quitratúe-s…

Perkthimi nga Jozef Radi, 12 korrik 2016

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook