Dy fjalë për gjuhën shqipe… dhe nji poezi “Veç Shqip” Jozef Radi

Jozef Radi 2015 (perpunim grafik)

Jozef Radi 2015 (perpunim grafik)

Dy fjalë për gjuhën shqipe…

dhe nji poezi “Veç Shqip”

nga Jozef Radi

Që gjuha shqipe asht gjuhë e vjetër, s’asht ndonji zbulim i imi, as më takon mue me e nënvizue kët fakt historik, dhe as synoj me bindë ndokënd për çka unë mendoj… Veç, si lavrues i zelltë kësaj gjuhe dhe si gërmues kambngulës i kahershëm, mundem me thanë se nji gjuhë që mbrrin me i pshtue tana të zezave të kësaj bote, dhe krejt sundimeve të pësueme prej popujsh të fuqishëm – edhe ashtu e pashkrueme – ka diçka të madhe reflektuese mbrenda saj… e kur theksoj se përreth saj ka pasë gjuhë pushtuesash të mëdhej me gjuhë aq të mirpërpunueme, të cilat sot e tan ditën rrinë në themele të shumë gjuhëve; kur mendoj elaboratet për sundimin, nënshtrimin dhe zhdukjen e kësaj gjuhe, i lejoj vedit guximin me thanë se kjo gjuhë madhështisht e mbijetueme futet në rrethin e atyne të paktave që shkojnë baras me ngjizjen e botës…
E mandej më duhet me shtue, se kjo gjuha e ruejtun ndër malet shqiptare, ndër kangët, kodet dhe legjendat e lahutave e ruen edhe të gjallë edhe sot tharmin e kësaj së vërtete të madhe, dhe më plotson në at çka shkrova ma sipër…
Kjo poezi që paraqes, e që mundet edhe mos me u quejtë tamam poezi, simbas meje ruen në thelb nji mendim temin mbi vjetrësinë e kësaj gjuhe – Fjalët Njirrokshe, – ato arkaiket, kur fjala ngjizesh prej buze dhe bahesh kod në bashkimin e dy-tri tingujve, e që për çudi shqipja i ka aq të shumta e që rrinë njashtu si gur të randë në themele të saj…
Poezia asht e gjitha njirrokshe, me trajtat e cungueme dhe apostorfet aq të lehta të gegnishtes… Asht nji mendim dhe nji mundim i kahershëm, që nji ditë m’u shfaq ksisojit… nji kollonë e gjatë fjalësh njirrokshe, që rreken me ndërtue nji koncept poetik… gja për të cilën jam i sigurt se s’mundet asnji gjuhë tjetër! Janë ma shumë se 120 fjalë njirrokshe në njishkollonë të përdoruna në dëshmi që veç nji gjuhë rranjthellë mundet…
13 mars 2015

Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta

Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

Veç shqip…

Asht
ma
shum
se
drit,
për
bes
djell
them
e
ndjej,
dhe
as
shof
as
ndij
ma,
veç
flas
e
flas
pa
pra,
e
t’lus
o
Zot
o
Hyll
i
tret
larg

m’run,
e
m’shef

m’pret
e
s’flet
sa
frym
t’marr
rend
mbas
m’ke,
e
buz
e
m’buz
tuj
t’fol,
e
sy
e
m’sy
tuj
t’kqyr
si
zogjt
m’je;
n’e
kapsh
njat
fjal
gdhend
hyjsh
n’gur
e
n’dru
n’rras
e
n’vorr
ma
ruj
e
mos
ma
truj!
M’fal!
N’gjunj
t’kam
ra,
e
ma
shif
si
syt,
prej
nalt
ku
je
o
Zan
ku
hesht
e
s’bzan,
se
për
njat
nder

m’ban
n’jet
e
ma
tej
as
hup
as
tret.
Je
Ti
o
fjal,
pra…
jam
dhe
un
vet.
Pensacola, Florida mars 2015

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Kafe letrare, Poezia  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook