back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Dy diplomat… nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci dhe piktura e Gerome-s ne Met
Ilir Seci dhe piktura e Gerome-s ne Met

Dy diplomat…

nga Ilir Seci

Mbas u martuam në vitin 1994, me shoqen e jetës, mes shumë përpjekjesh gjetëm një dhomë me qera ku me jetu… në nji shtëpi të vjetër te Rrugica e Burgut, në Sarrreq… Ishte nji dhomë vetëm, por e konsideronim veten me fat që gjetëm atë dhomë sepse në atë kohë ishte e zorshme me gjetë nji kulm mbi krye! Sidomos ekonomikisht kanë kenë kohna shumë të vështira!… Megjithë vështirësitë ekonomike, koha që jetova në atë lagje, prap mbetet nji nga periudhat ma të pasuna të jetës…
Lagjia Sarreq ishte nji nga lagjet ma interesante që mund të gjëndej në trojet shqiptare! Çdo mjes më takonte me u shndërru në rrugica me disa pleq që njoftë e pa njoftë më përshëndesnin dhe më uronin ditën e mbarë! Ma vonë kur më qëllonte me kalu andej me ndonji nga banorët e lagjes mësoja se ai plaku që më përshëndeste përditë, njaj që rrinte ulë në shkallë para shpisë kishte studiu në Firence për muzikë, ndërsa ai tjetri që rrinte tanë kohës me të, kishte mbaru për inxhinier urash në Universitetin e Vjenës… Me kohë njoha shumë prej njatyne pleqve dhe u miqësova me disa… Shpesh ulesha me ta për nji kafe dhe fillonim biseda që zgjatnin me orë të tana! Ato vite që kalova në at lagje ishin si me kenë vite studimesh, njohje me njerëz e karaktere që është vështirë me i ndeshë kund! Pleq që në rininë e tyne kishin studiue në universitetet ma të mira të Europës, që njihnin disa gjuhë të hueja, eruditë, sikur të ishin biblioteka ambulante!… Shpesherë banim biseda me orë të tana mbi teorinë e Kierkegaardit, sa herë banim debate për pesë argumentet e famshme të Niçes mbi ekzistencën ose mosekzistencën e Zotit! Herë tjera shprehnim keqardhjen për vdekjen e parakohshme të filozofit gjenial austriak, Otto Weininger, që vdiq vetëm 23 vjeç… debatonim se ku e ka teprue Shopenhaueri, se si e ka vjedhë Karl Marksi filozofin Hegel, pse asht estet i madh Benedeto Kroçe apo çka e ban të veçantë filozofin spanjoll Miguel Unamuno…

Pesha e Randë e Jetës
Pesha e Randë e Jetës

Shumica e tyne kishin vuejtë dënime në burgjet politike të diktaturës komuniste… Vite të randa burgu në ferrin enverist… Kur i shihja ashtu të drobitun, të krrusun nga pesha e randë e viteve të burgut, ajo krrusja e tyne me ngjante si nji pikëpyetje e madhe! Nji krrusje si me kenë shenje pikëpyetje që përditë endej rrugicave si nji PSE-hë e madhe që randonte mbi ndërgjegjien shoqnore shqiptare! Pikëpyetje që dukej sikur brofnin në çdo rrugicë të asaj lagjie pa marrë asnjiherë përgjigjen!
“Pse u dënuem!? Pse na e shkatërruet jetën pa ja fillue mirë!?” – dukej sikur ngulmojshin ato pikëpyetje…
Nji rast nji nga këta pleq fisnikë, ndërsa po flisnim për absurditetin e sistemit komunist, për ta ilustrue marrëzinë kolektive me nji shembull konkret, më kallzoi historinë e jetës së vet…
“Kur hynë komunistat në Shkoder, menjihëre nisën terrorin… – fshani Burri plak, – Sa ishe martue me zojën që jetoj edhe sot! Familja jeme ishte e njoftun në Shkodër, brez mbas brezi tregtarë të kamun e kjo nuk pëlqehej nga komunistët. Në familjen tonë kishte pasë priftën e murgesha ndaj të ashtëquejtunit çlirimtarë mbasi burgosën shumicën e meshkujve të shpisë sonë na morën edhe shpinë krejt me çka kishte mbrënda! Ata thoshin “Po e konfiskojme në emën te Popullit!”, por e vërteta asht se i nisën tana plaçkat e shpisë tonë për në Tiranë, sepse duhej mobilue Blloku i Udhëheqjes që sa ishte kriju! Familja jonë si familje tregtarësh kishte mujtë me mbledhë pasuni nëpër vite! Me mund e me djersë! Natë e ditë në dugajë! Por komitat që e quejshin veten partizanë s’dojshin me ditë! Morën gjithshka… – Mbasi u ndal pak e pshërëtiu thellë, Plaku vazhdoi… – Meqë ishem i ri, vetëm 23 vjeç, mue nuk më burgosën, por nji ditë herët në nadje na morën bashkë me gruen e na internuan në nji fshat të thellë në Tepelenë. Aty na kallzuen nji kolibe dhe na thane: “Ketu do jetoni!”… Nuk mund të qahesha, se kur mendoja çka hjekshin ata nëpër burgje internimi jo se ishte ma i mirë por të paktën isha me teme shoqe!…Në atë kohë propaganda komuniste kishte nisë me të madhe luftën kundër analfabetizmit dhe tanë shqiptarët duhej me krye kurset kundër analfabetizmit që me mësu shkrim e këndim… Nji ditë na vjen në shpi kryetari i këshillit nacionalclirimtar të atij fshati, nji ish-partizan arrogant që tanë kohës kutërbonte era qepë e raki dhe na thote në derë:
“A jeni rregjistruar në kursin kundër analfabetizmit?!”
“Unë kam mbaru Universitetin në Grac të Austrisë mor zotni!? – i them, – Çfare kursi kundër analfabetizmit kam me ba?! Kam mbaru shkollën fillore e të mesme ndër jezuite në Shkodër, njoh shtatë gjuhë të huaja!”… –
“Ato janë shkolla borgjeze!…Kjo s’do të thotë asgjë! Duhet të rregjistrohesh në kursin kundër analfabetizmit ose do të të vë hekurat!” – m’u hakërru kryetari i këshillit…
“Ishte kohë marrëzish! Nuk duhej diskutu shumë dhe unë nuk e zgjata me të, por u rregjistrova në kursin kundër analfabetizmit! Për 9 muaj ndoqa kursin nji me nji mësues që kishte nevojë për veti me mësu me shkru e lexu ma shumë se nxanësit e vet! Mbas nandë muejsh mora diftesën që provonte se kisha mësu me shkru e lexu! Kur të kesh nge ndonji ditë hajde ta diftoj se asht e bukur!” – qeshi plaku…
Nji ditë, me të vërtetë shkova te shpia e tij dhe m’i kallzoi të varuna në murin e dhomës së pritjes…Ishin të varuna në korrniza pranë e pranë njana tjetres Dy Diplomat… I kam te varuna në mur të dyja, Diplomën e Universitetit të Gracit në Austri dhe Diplomën e Kursit Kundër Analfabetizmit, marrë… mbasi kisha krye Universitetin!”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.