back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Dy artistë shqiptarë pjesë e kastit të Traviatës… – nga Elida Buçpapaj

Gazeta

Nina Muho & Hektor Leka
Nina Muho & Hektor Leka

Dy artistë shqiptarë pjesë e kastit të Traviatës…

nga Elida Buçpapaj

Pas erës Covid, po fillon era e re. Njerëzimi po përpiqet të kurojë dhimbjet, traumat, i etur të rifillojë jetën!
Alfabeti i kuptueshëm për të gjithë, që nuk ka nevojë për interpret është muzika, gjuha universale e njerëzimit, sikur thotë Longfellow, që ka fuqi magjike të rigjallërojë shpirtrat e lodhur nga diçka që nuk e kishin imagjinuar kurrë se do t’ju ndodhte.
Në Zvicër përshembull, karnavalet e famshme të Bazelit, që sot janë pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe mbrohen nga UNESCO ishin shtyrë në 1920 katër javë për shkak të gripit spanjoll, ndërsa një shekull më vonë, do të pezulloheshin dy vite rresht, pra bota kulturore, megjithë përpjekjet për të treguar potencialet e veta, ishte nën karantinë. Gjithsesi, shpresojmë që çka përjetuam këto dy vjet t’i shërbejnë njerëzimit për të nxjerrë mësime.
.
Fragment nga Traviata e Verdit
Fragment nga Traviata e Verdit
Por tani gjithçka është rizgjuar!
Pas periudhës të plotë të izolimit, ku sallat e koncerteve qëndronin të heshtura, dhe nëpër teatrot e mëdha platetë e lozhat ishin bosh dhe nuk dëgjoheshin më duartrokitjet ndërsa artistët me artin e tyre ishin privuar nga emocionet prej kontaktit direkt me publikun… Tani gjithçka po rifillon, me energji të reja për të demonstruar fuqine madhështore të Artit.
Edhe Italia, atdheu i muzikës lirike, “il paese del bel canto”, ka rilindur si pas një ankthi, për të rinisur jetën artistike, turet koncertore të artistëve, teatrot për rifilluar me repertoret, për të hapur sezonin.
.
Fragment nga Traviata e Verdit
Fragment nga Traviata e Verdit
Teatri lirik i Triestes e hap kalendarin e shfaqjeve me “Traviatën” e Giuseppe Verdi, emrin e të cilit edhe mban.
E bukura është se kësaj here pjesë e kastit të Artistëve janë dy shqiptarë Nina Muho dhe Hektor Leka, i cili është i shtëpisë në këtë teatër, pasi aty është i angazhuar prej kur la Shqipërinë bashkë me familjen, me nënën e tij të shquar, të famshmen Rozmari Jorganxhi, e cila këndoi në skenën e Verdit deri sa doli në pension.
Hektori më thotë: “Shqipëria ka nxjerrë këngëtarë më tepër se politikanë, por të cilëve mjerisht u mungojnë skenat. Shqipëria duhet të kishte të paktën katër Teatro Lirikë. Në qytetet, nga ku shpesh ka patur zanafillën arti dhe muzika si për shembull në Shkodër, ku u interpretua për së pari opera e parë shqiptare Mrika e Prenk Jakovës, në Korçën e kulturës, në Vlorë ku ka një traditë të mrekullueshme këngëtarësh dhe në Tiranë si metropol”.
.
Fragment nga Traviata e Verdit
Fragment nga Traviata e Verdit
Duke iu kthyer skenës të Giuseppe Verdit të Triestes, basi Hektor Leka tregon se në këtë skenë kanë interpretuar shumë yje shqiptare, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Mirjam Tola, Gëzim Myshketa, Orjana Kurteshi, Frano Lufi, Enkeleida Shkoza, emra të shkëlqyer të belkantos që performojnë në botë, ndërsa për ta dihet pak ose aspak në Shqipëri.
Nuk është hera e parë që në skenën e Teatrit lirik të Triestes një shfaqje të interpretojnë dy shqiptarë, tregon Hektori, duke u ndalur kësaj here tek talenti premtues i Nina Muhos e cila interpreton rolin kryesor, atë të Violetës. Nuk është hera e parë as që sopranoja shqiptare Nina Muho vjen e ftuar nga Teatrit lirik G. Verdi i Triestes. Falë talentit dhe përkushtimit të saj në realizimin e roleve, Nina do të jetë e angazhuar edhe në projekte të tjera”,- përfundon Hektor Leka, duke na premtuar se do të na mbajë në djeni në vijim për të rejat më të fundit.
Teatri “Giuseppe Verdi” i Triestes e hap sezonin me Traviatën më 25 qershor, dhe pastaj më 26, 27, 29 qershor si dhe 2 dhe 3 korrik.
.
Marre nga Voal – 23 Qershor, 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.