Duke kujtue Musine Kokalarin… Dr. Lazër Radi (1993)

Musine Kokalari studente

Musine Kokalari studente

Duke kujtue Musine Kokalarin…

Dr. Lazër Radi (1993)

Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes

Ndonëse nji vit ma parë kisha qenë në Romë për nji kohë krejt të shkurtë, pothuej kalimthi, prap se prap, ai mjedis, ato rrethina të Stacionit Termini më dukeshin sikur gjendesha në nji qytet të njoftun dhe të dashtun. Me valixhe n’dorë iu drejtova portikëve të Sheshit Esedra – që tash quhesh Sheshi i Republikës – dhe zuna vend në nji prej tavolinave përjashta, të kafes “Grande Italia”. Isha i shqetësuem. Kisha problemin e parë, me at botë të panjoftun: sistemimin me nji dhomë, prej ku mund ta filloja jetën e re studentore! E dijsha se n’at kafe shkonin mjaft prej studentve shqiptarë me këmbye qoftë dy fjalë në kambë “arbënisht”.
Prita! Po at mëngjes shtatori asnji fytyrë shqiptari s’u duk andej pari!!
Në Tiranë, kisha marrë numrin e telefonit të nji vajze, me të cilën njifeshim pak, dhe që e dija se vazhdonte vitin e dytë të Fakultetit të Letërsisë. E ndërsa pija kafen, e thirra në telefon.
Mbasi u prezantova kush isha dhe i tregova arsyen pse e kisha marrë, më tha:
-Më prit aty! Nuk vonohem, vij menjëherë.
Dhe vërtet, nuk vonoi dhe mbas pak Ajo u shfaq. Ishte Musineja… e Kokalarëve të njoftun!

***
Me Musinenë ishim njoftë vite ma parë në redaksinë e gazetës “Shtypi” ku botonim të dy: ajo me pseudonimin “Muza” kurse unë, herë me emnin e vërtetë, po ma shumë me pseudonimin “Ladi”.
Skicat e para Musineja i ka në nji shqipe letrare të pastër dhe vetëm te libri “Ç’më tregoi nënua plakë” përdor me mjaft elegancë dialektin e Gjinokastrës.
Siç e theksova, për t’parën herë, u njofta me Musine Kokalarin në redaksinë e gazetës “Shtypi”, ku nji nga redaktorët ishte Andrea Varfi. Ai takim ndodhi në rrethana mjaft interesante.
Nji ditë shkova në redaksinë e gazetës, që ndodhej te nji godinë në trekandshin karshi pallatit mbretnor. Ishte nji sallon mjaft i gjanë ku në tri-katër tavolina punonin disa vetë. Iu drejtova njenit prej tyne që m’u duk si ma i ngeshmi. Mbasi e mori vesh se isha aty me dorzue nji artikull për botim, më drejtoi te redaktori përbri, i cili po fliste me nji vajzë, e ku herë mbas here i lexonte me gjysë zani pjesë nga dorëshkrimi, zà i mjaftë me u ndigjue prej meje në qetësine e plotë që mbretnonte në sallë. Pa u ndje u afrova te tavolina e redaktorit dhe po ndigjoja ma nga afër bisedën po edhe pjesë nga shkrimi i asaj zonjusheje të hijshme, të veshun me nji grykse të zezë, si nxanëse Institutit “Nana Mbretneshë” që ishte. Andrea i lexonte herë mbas here pasazhe të skicës “T’isha një lule”. Po e ndigjoja me vëmendje dhe m’pëlqente edhe gjykimi i redaktorit po ma shumë shpjegimet e vajzës. N’bisht të synit, lexova në fund të shkrimit: “Muza”.
Ah, thashë me vedi, të gjeta “Muzë!”!
S’e di se çfarë emocionesh provova at çast. Di që ma në fund kisha zbulue misterin e “Muzës”. U gëzova ma shumë që po m’jepej rasti me u njoftë personalisht me shkrimtaren e re, po njiherësh edhe me shkrimtaren e parë shqiptare.
“Muza” ishte nji brune e kandshme, me shtat te mesatarja, me sy gështenjë, të zgjuet dhe depërtues, me përgjigje të shpejta, inteligjente dhe të matuna.
-Me siguri – i tha redaktori – je ndikue nga leximet e ndryshme dhe ke ardhë në përfundimin se krejt jeta asht nji pakënaqsi!!
Biseda vazhdoi dhe aty m’u dha rasti me u prezatue me njeni tjetrit, dhe me dëshmue që i lexonim me kënaqsi shkrimet e njeni tjetrit!
Musineja shkruente mjaft skica ne dialektin e origjinës, atë të Gjinokastrës…
N’at vorbull asokohe ishte përfshi edhe publicisti i shquem Mati Logareci, i cili kish nisë me “Rrem Voglin – katunar prej Rrashbulle” nji polemikë fort simpatike dhe mirdashëse. U pat shkruejtë shumë dhe bukur në at kohë në kët drejtim, por novelëzat e “Rrem Voglit, katunar prej Rrashbulle”, mbetën sot e kësaj dite ‘kryevepra të vogla’ të letërsisë dialektore shqipe…

Shkolla Musine Kokalari

Shkolla Musine Kokalari

***
Tash Musineja qendronte në kambë përballë meje!
Mbasi u përshëndetëm, me shumë xhentilesë ajo u ul po nuk porositi asgja. Më pa ashtu të shqetësuem dhe me at vështrimin e saj depërtues ma kuptoi krejt hallin që kisha. Doemos ishte krejt e qetë dhe plot energji. Me eksperiencën e saj tashma njivjeçare në “Qytetin e Amshuem”, pa zhurmë ajo u ngrit, shkoi te nji kioskë aty afër dhe bleu gazetën “Il Messaggero” dhe u kthye në tavolinë.
-Kjo gazetë ka mjaft “Lajmërime” për dhoma, shtëpi, për punë… me nji fjalë për gjithçka. E shofim mos gjejmë diçka të leverdishme edhe për ty. Bani disa telefonata dhe shkathtësia e saj në pak minuta ma kish zgjidhë problemin: u gjet nji dhomë e vetme diku aty afër.
Musineja kish ardhë në Romë me vazhdue studimet universitare nji vit ma parë, në 1937-ën. Nji vit mbas saj isha edhe unë aty. Mbetëm gjithnji miq. Veçse ajo ndriste gjithkund me seriozitetin, korrektesën dhe vullnetin e paepun me i mbrritë synimet e veta. Si e tillë studimet i kreu shpejt dhe me mjaft sukses, pse ishte e zellshme, skrupoloze dhe krenare. Temën e doktoraturës e mbrojti me veprën e Naim Frashërit, dhe me thanë të drejtën m’erdhi shumë keq që s’munda me marrë pjesë në diskutimin që i bani Laurës së vet, pse ajo ndodhi në fillimvjeshtë të dyzetenjishit, kohë në të cilën gjindesha në Shqipni. Megjithatë ne kishim folë dhe diskutue mjaft bashkë për kët gja… dhe unë isha i bindun në suksesin e e plote te saj…
Qysh n’ato vite të hershme të rinisë, dallova te ajo vajzë nji formim dhe nji pjekuni të admirueshme. Erudicioni i saj vajze ishte i thellë dhe i plotë. Talenti i saj ishte i nji niveli superior, sjellja e saj e fisshme dhe aftësia e saj mendore e shkëlyeshme. Edhe pse pak ma i madh se ajo, para saj unë ndjehesha – siç e kam konsiderue gjithnji veten time – nji mik dhe dishepull i saj!!
Ndonse kishte lexue e studjue mjaft dhe s’i shpëtonte asgja, prap se prap, për gjithçka të re e të bukur ajo shpërthente në esklamacione duke e shfaqë çiltërsisht at çudinë e ambël dhe gëzimin spontan, qoftë kjo edhe për gjanat ma të thjeshta. Sepse të çuditesh, simbas saj, për gjithë gjanat e reja që mëson dhe t’u gëzohesh atyne asht me t’vërtetë nji lumtuni e madhe! Kët virtyt Musineja e kishte si askush tjetër… e kishte në shpirt!

Musine Kokalari në gjyq

Musine Kokalari në gjyq

***
Tashma kohnat po ndryshonin në të keq!
Nji mjegullnajë çoroditëse kish nisë me e hjedhë mantelin e kobit mbi krejt tokën arbnore. Në ajrin e kulluet të maleve shqiptare kish nisë me shpërthye ajo flakërima e egër e nji lufte vllavrasëse, e ndër gjethet e rrëzueme të vjeshtës tash po shtrihej si qefin nji ylber i përgjakun…
Midis kësaj atmosfere ndjellakeqe, në moshën ma të mirë e ma të bukur, kësaj vajze të talentueme, kësaj “Muze letrare” plot energji dhe besim, befas gëzimi po i kthehej në tmerr, vlerat në fatkeqsi dhe bukuria e saj në llahtar.
Dyert e dhunës së kuqe ishin hapë përbindshëm dhe bashkë me qindra andrra fisnike, po prangohej e dhunohej edhe andrra e jetës së Musine Kokalarit!!
Eh, çfarë vitesh të kobshme!
N’ato kohna terrori edhe ndjenjat ma njerzore u tmerruen dhe morën lemerinë! Shpirtnorja kishte mbetë pa emën. Krahët e zi të asaj murtaje të shëmtueme ishin shtri sa gjatë gjanë mbi krejt hapsinën arbnore të martirizueme keqas. Po humbte edhe kaltërsia e qiellit, po humbnin misteret e bukurisë, po humbte edhe shpresa e krejt atyne që kishin mendue nji Shqipni ndryshe… Gjithkah shfaqeshin vizione të përmotëshme. Gjithë shpirtnat jetonin nën dridhjet e nji tërmeti që do të vazhdonte për nji gjysë shekulli. Qeniet e gjalla, gjysë të gjalla po edhe të vdekunit ruheshin dhe druheshin njeni tjetrit. Njeriu për njeriun qe ba bishë… e çfarë bishe! Ky tmerr pasqyrohej gjithkund, jo veç në trajtat e tokës që po humbte zot, po ma tepër ne shpirtin e njerzve, në imagjinatën e tyne: Jo s’ishte mendue nji batërdi e tillë… jo, kurrë ajo persiatje e pabesueshme kufomash të gjalla…
…Kët tmerr tash e përjetonte krejt nji popull… po ajo ma dhimbshmja, ma e pabesueshmja, ma makabre ishte skenë rrënqethëse që ndoqën pak kalimtarë të Mirditës, kur trupi i virgjneshës hyjnore Musine Kokalari, tashma kufomë e përdhunueme me burgje e internime pafund, me survejime e poshtërime të pabesueshme, ashtu e mbërthyeme në katër dërrasa armature, u ngarkue mbi zhavorrin e nji kamioni riportabël dhe u gropos në nji prej humbtinave t’asaj humbtine të madhe dhe misterioze të quejtun Shqipni Komuniste dhe atij shkëlqimi mashtrues të dhunës së kuqe që s’po ngopej as me nji krijesë magjike si… Musine Kokalari.
(Pjesë e shkëputun dhe e korigjueme nga dorshkrimi Memoriali III, “Në vorbullat e jetës universitare”)
(RD, e premte, 4 qershor 1993)

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Dr. Lazër Radi, Artikuj 1991-1998, Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,
2 Përgjigje
  1. lola shehi Tha:

    Një përshkrim i mrekullueshëm, me atë dialekt të dashur dhe shumë të këndshëm që ia shton dyfish ndjesinë këtij shkrimi.
    Shqiptarët mesa duket, kanë lindur për t’u zhgënjyer, në të gjitha epokat…

  2. Eduard M. Dilo Tha:

    Kam lexuar shkrime për të Mrekullueshmen Musine, por jo aq të bukur e me vlerë sa ky. Falenderoj që m’u krijua kjo mundësi…

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook