back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Duke kënduar Sofínë… në Përvjetorin e lindjes së Et’hem Haxhiademi (8 mars 1902 – 17 mars 1965) – Përmblodhi & rrëfeu Hortensia Haxhiademi

Gazeta

Et'hem Haxhiademi (1930)
Et’hem Haxhiademi (1930)

Duke kënduar Sofínë… në Përvjetorin e lindjes

së Et’hem Haxhiademi (8 mars 1902 – 17 mars 1965)

Përmblodhi & rrëfeu Hortensia Haxhiademi

“…të dua shumë!”
***
“…për dhimbjet është gjithmonë vështirë të dëgjosh… vështirë të flasësh…!! Por dhimbjet e mëdha janë të heshtura… gjithmonë!
Nga ime Ëmë dhe im Atë, kam dëgjuar shpesh të flisnin për Haxhiademin, për Gjyshin tuaj, Hortensia… fjalë të thëna me admirim, me dhimbje. Në shtëpinë e mamasë në Elbasan, kemi 2 vepra te Tij, Lyra dhe Skënderbeu…
Isha diku në klasë të pestë apo të gjashtë, kur mamaja me dha Lyrën për ta lexuar… Një libër shumë i dashur i gjyshit tim dhe i mamasë… Kanë kaluar shumë vite që atëhere, dhe nuk e kam rilexuar (duhet!), por akoma ruaj shijen e mirë, melodioze, me ndjenjë e elegancë të vargjeve të Tij… dhe filozofinë e tyre… dhe me një gjuhë shumë të pasur, siç i pëlqente të shprehej ime Ëmë… Një botim i vjetër, i para luftës… nga shtypshkronja Luarasi…
Elda Filipeu, 7 mars 2018
.
Elda Filipeu
Elda Filipeu
***
Nji mësonjës i imi më shkruante njiherë kështu për Natën e Zezë (do e perifrazoj pak sepse ishte ajo herë e parë – kur ai lot’i bukur , u ndí sërish tanë dhimbë & ritëm, prapë mbas 80 vitesh)…
“Hortensia, e lexova Natën e Zezë. Unë s’para pëlqej poezi a poema, pse s’i kuptoj(?). I lexoj pak e i pëlqej akoma më pak… Por “Nata e Zezë” më pëlqeu mjaft. Kishte – e këtë s’ ta them të t’bëj qefin – ritëm e tingull si të Edgar Allan Poe-së, që është pak a shumë e vetmi poet që pëlqej”
a. k. Qershor ’15
 
***
Dhe ja ku qenë: Poeti që dua, dhe Ai që gjithnji kam dashtë!!
Më kujtohet ky shënim i shkurtër i profesorit tim që pëlqen pak – sepse më ka ngelur kaq i bukur vlerësim për Të. Si s’e kisha menduar vetë, e unë i njoh të dy.
Pam pam, i bukur ritëm. Ja që s’mi paskeni mësue tana…
 
Jozef Radi… është Këndonjësi i Lyrës… dhe i Haxhiademit!
Kaq!!
Qysh prej atij shkrimi që përjetova nji mëngjes Maji, vjete të shkueme, thurë me nji gjuhë notash të kapuçta, lëmue si ledhe e largtë; këndue n’hana tjera. Mbaj mend, më pëlqeu ai shkrim. Pjese pjesë, më ndali n’mahni.
Radi – sikur po e fliste me nji tingull që rrallëherë e pata hasë në shtyp, jo prej të sotmëve sidoqoftë. Sikur po i bahesh nji kunorë e pandame vargut… Qysh athere Radi më len të kuptoj, kurdo i vjen rasti: që e don Haxhiademin edhe ma fort se unë…, e kupton ma shumë…, e padyshim e vajton si kangë ma bukur se imja…
E unë e lej
Jozefi shkroi kur paraqiti “Elegjinë për Naim Frashrin”
“…Mandej, ishte nji violinë e dytë që ata rreshta me të zezë të mshueme, m’i shpjegonte ndrysh’, e me fort urti… pse e vërteta e Haxhiademit mund të mshehet, mund të heshtet, mund të vjedhet edhe mund të dëshirohet me u zhdukë, po ama me vdekë: Jo! Kurrë…!!
Vepra e tij letrare edhe ashtu e heshtun asht në kambë: si nji model i përsosun jo vetëm i klasikes shqiptare po edhe si nji dëshmi e bashkjetesës së harmonishme të gegnishtes me tosknishten…
Ajo ishte dhe asht e shkrueme, e zeza mbi të bardhë…
.
Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi –
Vepra poetike – Lyra 1939

***

“Lyra” e Et’hem Haxhiademit, e botueme ne vitin 1939, asht pa as ma të voglin diskutim, jo vetëm nji prej monumenteve të poezisë shqipe, po mundem me shkue edhe ma tej e me thanë se: asht nji prej monumenteve edhe të kulturës shqiptare.
 
***
Si Tragjik i Madh, Et’hem Haxhiademi s’kishte ikë pa e lanë nji mallkim hyjnor si në tragjeditë e Antikitetit ndaj së Keqes: nji Namë dhjetë vargjesh, të nji bukurie të rrallë e të nji thellsie klasike, nji dhimbje e dalë nga ashku e shpirti të këtij filozofi që s’kish dashtë kurrë që vendi vet, të pësonte nji tragjedi si ato që ai kish shkrue…!!!
Bekue qofshin këto vargje tuat, O Tragjik i Madh i Shqipes!
Jozef Radi – 16 maj ’15
 
***
Anton Çefa i është referuar gazetarëve më në zë të viteve ’30-’40 kur ka shkruar për Haxhiademin:
“Branko Merxhani, për këtë vepër: “Libri i fundit dhe ma i bukur i dramaturgut t’onë Etem Haxhiademit asht “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, Tiranë, 1935. Fëtyra e çuditçme e fatozit t’onë legjendar, symbolizon typin e njeriut tragjik, të cilit nuk i mungon elementi demonik për të frymëzuar tragedinë ma të goditur, jo vetëm të jetës së tij private, por edhe të mjerimeve historike të së gjithë jetës së popullit shqiptar. Vepra e Haxhiademit, që zë një vend të posaçëm nëpër botime letrare të vitit të kaluar, asht prova e parë guximtare për të krijuar një Typologi të shpirtit rreth epokës karakteristike të Skënderbeut. Fatozi i ynë kombëtar, ky burrë i math me origjinën e tij shqiptare, me edukatën bizantino-islamike dhe me shpirtin e shqiptarit të kulluar dhe “par excenllence”, produkt gjigand i mythit primitiv të Malsisë s’onë, është Titani që ngreh lart grushtin e vet kundrejt dënimit të fatit, që tyranizoi qysh prej shekujve Gjenin t’onë dhe që ka mbyllur, me zemrim dhe me keqdashje, udhën e madhështisë s’onë mun në pragun e historisë. Njerëz që rrojnë jetën si nji tragjedi, kanë vdekjen e nji heroit…”
Anton Çefa
 
***
Makensen Bungo e mbyll kështu nji shënim të tij tek Dielli , 2014 – shkruar për 50 vjetorin e ikjes së poetit. I bën thirrje qytetit të tij kulturëdashës & arsimdashës; qytetit të Skampës – që fitoi në Tiranë të Vetmet Kupa Florini me dramat e Haxhiademit: “Me këtë rast dua të kujtoj qytetin e tij për vlerësimin e nderimin që duhet t’i bëhet figurës së këtij poeti dhe atdhetari të shquar. Elbasani ka monumentin e atdhetarit dhe gjuhëtarit të madh Kostandin Kristoforidhi, ka gjithashtu monumentin e atdhetarit Aqif pashë Biçakut, krahu i djathtë i Ismail Qemalit, ka bustin e atdhetarit dhe filantropit Ali Agjahut, ka bustin e atdhetarit, gjuhëtarit dhe mësuesit Aleksander Xhuvanit, pse të mos ketë, midis tyre, përballë nymfave të Shkumbimit, edhe monumentin e atdhetarit dhe poetit dramaturg Et’hem Haxhiademi?!
Makensen Bungo, 30 qershor ’14, (Marrë nga http://gazetadielli.com/
.
Vitet '30 - Intelektuale elbasanas - Haxhiademi i pari djathtas
Vitet ’30 – Intelektuale elbasanas – Haxhiademi i pari djathtas
***
“Libri që mori dritën e Diellit, sikurse shtypshkronja ku u lidh – shkruan Dr. Prof. Fatmir Terziu për Abelin në librin e tij “Elbasani, në Arkivat Britanike”, dhe vazhdon: “Ky libër me shënimin përkatës ndodhet prej vitesh në Bibliotekën Britanike, me një shënim të vogël që detajon edhe përkujdesësin apo dhuruesin e tij.”
“Lyra – shkruan ai …iu shfaq lexuesit në Ditën e Verës, një datë e shënuar për trevën që e lindi dhe një ditë festive dyfish për të. Pikërisht më 14 mars 1937. “Lyra” do të udhëtonte me ndjesinë e saj më të fuqishme letrare edhe përtej dimensioneve gjeografike…”
 
***
Revista Poeteka nga ana tjetër i ka ba nji homazh tanë reverencë dy vjete t’tana! Pa pushim! Shënime rreth veprës së Tij, mbledhun prej botuesit të saj Arian Leka, me kaq kujdes e përkushtim. Nji ditë shtatori, tek bëja ca pushim nga bota e fb e miqve, më nis mama nji udhë-rrëfenjë drejt Poetekës 44, që sapo kishte dalë… Isha në orar të drekës… E ia përhumbë vështrimin për minuta të tana kopertinës së revistës. Nji si shkallare… e pafund. E due atë kopertinë, mbi të tjera… Im bir tek ia tregoja nji ditë tanë Poetekat – më thotë: ‘Poeteka, paska kopertina mjaft interesante mama, konceptuar shumë thellë. Arbër zgjodhi këtë mbi të tjera. S’më tregoi pse… Po unë, përherë kur e shoh, mendohem ku vallë shkon kjo shkallare? Ku ngjitet: ku të ënda mue!!
Dua ta përshëndes, e ta falenderoj Arianin e Poetekën – për punën. E po aq për at mënyrën e qetë, heshtun si e mblodhi kët mozaik të bukur me kaq përkushtim. Ja vodha nji pjesë të vockël, paraqitë në Tomorrin e viteve ’40 e në Poetekën 44 në 2017. Pasi e studion Abelin e Haxhiademit krahasue më tanë simbolet e të mirës e të keqes, përfshi ato të lord Bayron i madhi Vangjo Nirvana shkruan për Lyrën: “Dhe kur herë pas here largohe gjiri i Melpomenës dhe merr lyrën për të kënduar, Haxhiadèmi s’e harròn humanistin dhe kështu ëndërrat e tija poetike i vesh dëndur me symbòlet e mythologjisë greke. Këtë na provon LYRA e tij, në të cilën Haxhiademi përmbledh vjershat që ka botuar kohë pas kohe në Austri dhe në Shqipëri.
Nga këto vjersha duhet të veçojmë “Nymfat e Shkuminit”, që e nderojnë poezinë shqiptare. Nuk bien poshtë edhe “Nata e Zezë”, “Naim Frashërit”, “Lufta e Drangojvet me Kuçedrën”. Janë xhevaire që mallëngjejnë. Vjersha “Naim Frashërit”, botuar me rastin e sjelljes së eshtravet të Poetit dhe Apostolit Kombëtar nga Stambolli në tokën shqiptare, i ka shkakëtuar Haxhiademit ndjekje e dëme lëndore nga ana e regjimit të kaluar, i cili nëpër vargjet haxhiademiàne shihte dënimin e pamëshirshmë të atij regjimi. Nymfat, Najadat, Driadat, Zanat, Galatèa, Fàtet, Fèbi, Amazonat, një botë e tërë e Parnàsit helenik popullon vjershat e Haxhiademit dhe bëhet zinxhir për të bashkuar Lyrën me tragjedinë në një synthezë, që e vë në dukje poetin dhe dramaturgun humanist të parë të letravet shqiptare të ditëvet t’ona.
Vangjo Nirvana (Vangjel Koça) – Gazeta Tomorri i Vogël
 
***
Më vijnë në mendje studime të tjera nga: Elvira Taro, Jup Kastrati, Plassari, Plangarica, Profesor Matraxhiu, Stringa, etj.
“…këndej gjuha e Haxhiademit është e pastër, pa fjalë të huaja, një elbasanishte që vështron më tepër në qytetin e Elbasanit, me lidhje të sakta gramatikore, e ngritur në nivelin shkencor të kohës së tij, e qëruar nga trajtat kalimtare, që rrjedhin nga përzierja e dialekteve, sepse dihet që e folmja e këtij qyteti buzë Shkumbinit është krijuar nëpër shekuj nëpërmjet një pozite ballafaquese ku “…trajtat tepër të ashpërta e të vrazhdëta të gegërishtes së veriut dhe ato tepër të qullëta të toskërishtes së jugës vijnë e pastrohen e ëmbëlsohen në ujërat e Shkumbinit.”
R. Stringa, botimi shkencor UNIEL, 2003
 
***
Visar Zhiti, i quen n’dhimbë e nderim: Lajmëtarë të Europës! Haxhiademin si bekim: Eskilin e tragjedisë së shqiptarëve… që e mbushi vendin me Tinguj të Argjendtë…
Noé ndërpret romanin e fundit, ulet buzëlumi shkëmben vargje me të.
Unë, gjithnji përpjekë fort mos shkruej gjatë për Ty. Sepse prekem, shumë ndjenja përzi… kjo dhuratë e të rrallëvet. Pastaj, kohët kanë ndryshue vargtari im. Ata të vargjeve quhen si thue ti “të sëmundë”. Tanë bajmë ç’ka mundemi e sa mundem asht drita jeme! E jotja.
Ju – ishit Lajmëtarët e Europës!! Këndonit e flisnit në shtatë gjuhë. E kur ata praktikët e sotëm, që siç më thonë bëjnë çudira. S’merret njeri me vargje këta më thonë. Të paditur ndonjëherë, a ndonjiherë të njohur e të… mësuar. Idealizma prapa bote… mbledh buzët si në çudi; Unë nga ana tjetër s’du me qenë moderne a ç’ka më flasin a jo… U buzqeshi që prej pyllit tim e s’baj asfare çudi. Nji këshillë megjithatë: Bibla – asht ndërkohë punë e bitisme. Asnji s’ban tinguj hyjnorë, derisa mrekullisht bajnë… Mbase s’ban keq me e lexu nga nji faqe…
Vetë megjithatë, gjithnji kujtohem vë ndonji lule për data të shënueme, e vazhdoj timen, amanetin e tim Eti. Të mijtë, t’i vendosën ato fjalë tua t’mençme aty mbi mermer e ndanë lule…
“Qëndro gjersa të marrish frymë i lirë
Dhe krenarin qi t’fali ty gjithsija,
Të mos e lshojsh tyke kërkue mëshirë
Nga plogështija…”
Haxhiademi, “Andrra e Jetës” Janar ’35
 
***
…m’rrëfyen n’prehën dhimba e kujtime, nga t’cilat lexuesi shqiptar asht i privuar… Megjithatë, s’ka pse të jetë nga vepra. Publikues shqiptarë, shkronjës mësipër, bashkpunim me mua – u ba vite e paraqesin, online e print. Sepse ajo asht Sodia e vërtetë .
J. Radi, që e ka kënduar e studiuar të gjithën, më ka këshilluar njiherë: “Hortensia, Ai qe aq i madh – duhet të përpiqesh e ta nderosh duke e pa si lexuese e jo si mbesë…” Fjalë më të mençura s’janë folur ndonjiherë!!
E megjithëse unë përpiqem vërtet, mes atyre dashnive për Babat, e vargut – sepse s’është aq e lehtë, unë e njoh veprën e tij si askush, deri në tingullin ma të bukur!, apostrofin ma të vockël që ia godit si ánda Tij.
E mund ta them me bindje të plotë, si lexuese, vargdashse e gazetare: Haxhiademi ishte nji nga ma t’Mëdhenjtë krijues shqiptarë! Edhe mos e pata unë kët mbiemër e gjak.
Të kam mbledhë nji buqetë të bukur – shkronjësish të mençëm Gjyshi im.
Ti ishe vërtet shumë i madh, që t’i shpëtoje zemëratës së të Keqes e Padijës…
I madh, koherent, me mësime përherë të Tanishme thurë në vargje t’tua! Gjithnji i pranishëm, në nji mënyrë a tjetër, edhe n’kohë të zeza.
Vetmitar, i menduem… Si im Atë mendoj ndonjëherë. Si unë…
Po i Mençur!
Ata që e kanë njohur, brenda atyre mureve të Burrelit dëftejnë: “…kur kërkonim ndonjë mësim rreth temave të rëndësishme, shkonim ke Profesori. Ai, na dëgjonte me vëmendje, gjatë… e në fund thoshte pjesën e Tij…”
E kaq!
Elbasanlli kaq tradicional, po e kishte marrë me mjaft e si askush atë kulturën perëndimore.
Mix ma i bukur!!
Po aq i madh mos t’i shpëtosh vëmendjes e mendimeve të shumë shkollarëve e gazetarëve – at’here e tani…
 
***
Mendoj Lyra asht shkrue si kangë, vajë & mësonjë Dashnije. Për çdo gja të bukur e krenare ka Jeta. Shkrue për nymfa të njelmta me petka t’holla; me sy si lumej ëndërronjës. Ndaj e dua fort.
Ndaj e fillova Ditën Tënde me shënimin e Eldës. Që më erdhi i ngrohtë e kaq i dhimbun në muaj tënd. E desha, ma fort nga t’tanët kam lexue… Ever! Pa e ditë në fillim pse. Nji si çudi… Sepse njoh pak të brezit tonë ta përshkruajnë Lyrën aq ambël e ditun… Sikur i përkundte ato fjalë n’vehte. Kjo është vajza e Fotaq Filipeut – kujtoj e prekun, nga fjalët e saj… nga mendimet time. Sigurisht flet me atë nuancë të lilt si muzikë e dhimbun. Rritun n’tinguj.
Kaq e menduar jam, shpesh e zhgënjyer për shpërdorimet e kësaj kohës s’sotme të shkujdesun; Sikur kemi “shumë” me shpërdorue. I knojmë kryeveprat e botës si “ekspertë”, i botojmë e shesim librarish. Harrojmë tonat. Ndaj u harrova edhe unë nji çast… që Lyra, kumboi njiherë amël… në sallone ku gjindeshin e në fakt shfletoheshin libra! E ata që e deshën, ia përcollën gjakut të vet, siç provohet ndonjihere kështu, kaq si fllad e me finesë.
Elda, po ah, të njihka… M’u duk sikur na e kishin lexuar të dyjave atë libër të bukur… Njiherë, kohë më parë, kur qemë të vogla… E mua kur më duket kështu, e është Ditë e Jotja (çdo gja pritet prej meje…) Premë nga e njejta këngë e bukur at çast, mësimet e babave të rrallë, sikur njisoj. Ndaj edhe dhimba mbase njisoj… e po njilloj ledhe.
Unë, mund të zgjidhja në Ditën Tate, cilëndo poemë prej atij libri. Po due me përmendë Sofínë – nji letër t’vockël, aq e brishtë – e vockël fare sikur e shkrueme n’re. Mëçefë mes Elegjive të bukura të mdhaja fort.
“Sofísë”, të duket sikur t’fluturon nga duert po ta shtrëngosh fort, sikur t’shkërmoqet në mija ledha t’vogla të nji burri të Madh!
Po unë, e kam të dashme shumë Sofínë. E kam të veçantë kaq! Sepse më mahnit! Nji Haxhiadem hijerandë, filozof i lindun!, t’ketë qenisë me kaq delikatesë, e kshilla të vockla t’dashme e kujtesa t’ambla si mjaltë rrjedh amël avashëm, sa t’ngop!
 
***
“Dodonës”, përmendet vetëm në letrën shkruar Mit’hat Frashërit që daton: Elbasan 20 Shtator ’27, po që nuk gjendet në vëllimin “Lyra” të Haxhiademit, e unë s’e kam hasë më asnji shënim tjetër të tim Gjyshi a arkiv. Dhemb pak, sepse besoj duhet të qe nji xhevair ledhesh sikurse Sofíe.
Tek Lyra, përveç Sofisë që e kam shumë ëndje – gjenden kryepoezi & poema, ca Përmendore porsi Piramida “i quan vetë Poeti Tragjik i letrave shqipe,” më 1937, në faqen e pasme, kur Lyra u mblodh e plotë, lidhë nga – Shtëpia Botuese Luarasi – Shtypshkronja Dielli, më 1939.
Kjo ásht mëse e vërtetë, Heronjtë & Lyra vetë! Kryefjala të Shqipes!!
 
***
P.s. Nji shok imi i gazetarisë më referohet gjithnji me ankesë: “Haxhiademse, na vdiqe me kët gegnishten!!!!”
Kjo asht për tim Gjysh në Ditën e lindës!
.
Hortensia Haxhiademi
Hortensia Haxhiademi

Sofíe – Poezi nga Et’hem Haxhiademi

Lyra, 1939

Për kokën tande thuëj Sofi,
Kush t’i fërkon balluket,
Nashti qi gjindem larg nga ti
Dhe malli nuk më duket;
Për t’gjat’ të lumit shkojshim,
Ahere na n’pranverë,
Dhe kurr nuk e kujtojshim
Të ndamen ndonji herë,
 
Dhe sot, Sofí, ti kúr kalón
Andej me ndonji t’jetër,
Nga zemra e ime gjak pikòn
Prej dashunis së vjetër;
Ahere ti më thoje
Se t’jetër nuk do t’ketë,
Qi zemrën t’ia dhuroje,
Derisa t’ijshe n’jetë.
 
E lark atje ti, ku buçet
Danubi me tallaze,
Më thuëj, Sofi, me cilin flet
Aq ambël ti me naze;
Prej turpit kúr të ngjyhen
Mollzat e faqes ty
E në të kuqe lyhen,
Un duë të shoh me sy.
 
Por drit’e yllit tand t’a dishë,
Qi deri tash më dogji,
Do t’zbehet shpejt, Sofí, po t’rrishë,
Në prehën të ndonji shoqi;
Kúr do të duësh t’shikohesh,
Gëzuëshëm në pasqyrë,
Aq tepër mos krenohesh,
Se je me at’ fëtyrë.
 
Prá buzët t’uëja mos i len
Prej t’jetri të kafshohen,
Se erë e lules mâ s’të vjen
E t’gjith’ do të largohen;
Kûr të qëndrojsh e lamun
Si vesa në mëngjes,
Ahere ke me pamun
Se sa të rijt i ndes.
 
E lumin ti kûr don me pa,
Mbështetun n’pezull t’gurit,
Të ruhesh tepër mos me vra
Dy mollët e krahnurit;
Kur ti, Sofí, kërruse,
Shkëlqejn’ porsi kristal,
Se dalin jasht prej bluse,
Por t’jetri: Mos ja fal!
 
E n’kopësht prehnin kur e mbush
Me lule prej zambaku,
Të ruhesh mos të qaset kush,
Se muë më prishet gjaku;
Ató, si t’i mbështjellish,
Ti lidhish me kordhel
Edhe te un t’i sjellish,
Prej mallit qi s’më del.
 
Dhe kúr të dalish me shetitë
Ndën gjethet e nji ahu,
Të mos të dukesh ndonji ditë
Me tjetër krah për krahu;
Por vetëm duë të endesh,
Si endem unë këtu,
Dhe s’shoh prej aso sendesh,
Qi shohin syt e tu’.
 
Por ah, ti ndoshta po kërcen
Ndër valle e gëzuëme,
Edhé të tjerve i ndërsen
Të t’uëjat buz’ të shkruëme;
Sepse dhe muë m’përvlove,
Si bane buzën n’gas,
Ahere kúr kalove
Dhe un të ndoqa pas.
 
Por ti ahere qe e re
Edhe me sy s’shikoje,
Nji her’ këtheve kryët e m’pe
Në rrugën qi vazhdoje;
Por prap kur e këtheve
Fëtyrën e argjandë,
Ti zemrën m’a rrëmbeve
Me pamjen tande t’randë.
 
Prandaj Sofí, e urt’ të jeshë,
Si qingjat e kullotës,
Se veç ahere do të keshë
Ndriçimin e gjith’ botës;
Fëllanzën e ndjek gjahtori,
Derisá flururon,
Po në kafas po e mori,
Me sy – as s’e shikon.
23 – V- 1934
.
N. Jersey, 08.03.2018
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.