back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“…Duke i kujtuar, më dridhet zemra” – Neriman Hoxha – Fragment

Gazeta

Neriman Hoxha - Kopertina e Librit
Neriman Hoxha – Kopertina e Librit

Pjese nga libri me kujtime i Neriman Hoxhës
“…Duke i kujtuar, më dridhet zemra!”,
botim i Shtëpisë Botuese KLEAN.
Nji rrëfim rrënqethës i jetës së nji familje të kultivuar,
e vendosur brenda kuadrit të tragjedisë së krejt nji populli…
Në kopertinë, është lënë nji shënim nga studiuesi Fatos Beja,
kurse Parathënia e librit është shkruar nga Jozef Radi. 2014

“…Duke i kujtuar, më dridhet zemra”  –

kujtime nga Neriman Hoxha

Fragment nga libri

Kujtoj me dashuri shoqen time të klasës, Ruzhdie Lufën. Ajo më qortonte pse nuk shkoja në shtëpinë e saj për të marrë mësimet kur mungoja në shkollë. Ishte shumë e zgjuar dhe e dashur. Shkëlqeu në letërsi dhe hartimet e saj lexoheshin në klasë si më të mirat. Por krimbi i zilisë dhe ligësia që kishin pushtuar mëndjen dhe zemrën e idhtareve komuniste e gjetën pretekstin për ta hequr qafe Ruzhdien që shoqërohej me mua dhe që qe më e zgjuar se ato. Edhe tani që po shkruaj, më rrënqethet trupi: si ka mundësi që një vajzë e re të shpikë një shpifje aq diabolike për shoqen e pafajshme të shkollës!? Vetëm tani mund ta shpjegoj: arsyeja e vërtetë qëndron në kompleksin e inferioritetit, i cili mund të të çojë deri në krim.

Familja e Vehip Hoxhës
Familja e Vehip Hoxhës – Vehip e Nalo – Neriman, Handan, Asaf e Suzan

Do t’ju tregoj, aq sa më lejon kujtesa, meqë kanë kaluar shumë vjet, si ndodhën ngjarjet. Ishim nxënëse në Shkollën e Mesme Pedagogjike. Kishim një orë pushim dhe po rrinim prapa palestrës, pranë hyrjes së bibliotekës. Një ditë më parë kishim parë kolektivisht (që të “formoheshim ideologjikisht”) filmin sovjetik “Rënia e Berlinit” dhe po komentonim filmin. Dikush nga shoqet thoshte se ushtarët sovjetikë ishin të fortë e të shëndetshëm, ndërsa ata gjermanë të dobët e verdhacukë. Ruzhdija që nuk mundi ta kalojë në heshtje këtë vërejtje prej injorantësh, me shumë takt e pa qëllim dashakeq shtoi:
-Janë efektet e filmit për të nxjerrë në pah superioritetin e sovjetikëve ndaj nazistëve. Prandaj edhe aktorët përzgjidhen.
-Ç’thua, moj ti!? Pse të gjithë aktorë qenë? Stalini ishte ai vetë: sa i zgjuar, strateg i madh, i pamposhtur, i vuri përpara  gjermanët – ia priti një shoqe.
-Edhe ai aktor qe. Stalini real, ndoshta në atë moment mund të ishte duke u rruar, apo mund të ishte i sëmurë, a ku ta di unë.
-I sëmurë Stalini!!  Mos e dhëntë zoti!
Kjo gozhdë që u ngul thellë në trurin e zemrën e besnikeve, i tërboi ato. “Partia na mëson të jemi vigjilente: të hapim mirë sytë e veshët për të zbuluar armiqtë e klasës”. Kjo porosi “e shenjtë” e shtyu njërën nga shoqet e klasës të shkonte me vrap te sekretarja e organizatës bazë të partisë dhe ta denonconte Ruzhdien e gjorë.
Ndërkohë ne hymë në mësim pa ditur fare se ç’kish gatuar truri i sëmurë i spiunes. Mësimet mbaruan dhe u shpërndamë, disa për në shtëpira, të tjerat në konvikt, të lodhura pas një dite shkolle. E ku ta dinim ne se brenda në shkollë, në zyrën e partisë kazani po vlonte e po gatuante diçka të kobshme. Të nesërmen, si zakonisht, u mblodhëm në oborrin e shkollës. Asgjë e veçantë s’na ra në sy deri në çastin  kur u futëm në rresht sipas klasave. Në krye të shkallëve kishin zënë vend drejtori i shkollës Zijaudin Kodra, sekretarja e organizatës së partisë Eftiqi Konomi, sekretarja e organizatës së Rinisë Liri Gjoliku dhe  trupi pedagogjik. “Diçka e madhe duhet të ketë ngjarë, derisa janë nxirë në surrat…” – mendova, por s’e pikasja arsyen. Heshtjen e akullt e theu zëri i drejtorit:
-Jemi mbledhur këtu për t’ju informuar se mes nesh është zbuluar një armike e rrezikshme e klasës. Ajo na ka mashtruar duke punuar në heshtje për të minuar nga brenda shkollën tonë…
Unë e shoqet e mia filluam të shqetësoheshim, aq e madhe ishte frika e raprezaljeve. Kush e kishte atë fat të keq? Përse akuzohej?
…Në kohën që ne i gëzohemi fitoreve të mëdha të partisë sonë, të popullit heroik, të ndihmës bujare e të paçmueshme të Bashkimit Sovjetik dhe shokut Stalin, ka në mes jush që mendojnë se shoku Stalin është i sëmurë. Këtë mendon dhe shpreh hapur Ruzhdie Lufa, por vigjilenca e shoqeve e zbuloi. Për këtë arsye Organizata Bazë e Partisë, Organizata e Rinisë, Drejtoria e shkollës dhe Këshilli Pedagogjik unanimisht vendosën përjashtimin e saj nga të gjitha shkollat e Shqipërisë…
Mandatën e shpallën, por puna s’mbaroi me kaq. “Të akuzuarën”, shoqen tonë të dashur, Ruzhdie Lufa, e nxorrën në krye të nxënësve: ne duhej të parakalonim para saj dhe ta pështynim. Si mund ta bënim një gjë të këtillë poshtëruese ndaj shoqes sonë…!!?

Neriman Hoxha dhe Valbona Çoku - Savër 1961
Neriman Hoxha dhe Valbona Çoku – Savër 1961

Të tillë njerëz të paskrupullt merrnin vendime të rënda për jetën tonë. Sekretarja e rinisë së shkollës sonë, Liri Gjoliku, pasi mësoi se kisha qenë e përjashtuar nga organizata e pionierit, mori vendimin të më përjashtonte edhe nga organizata e rinisë. Iu nënshtrova përsëri dënimit për të ndenjur në bangë të veçuar dhe pa folur me njeri. Me kalimin e kohës kjo masë ndëshkimore m’u hoq dhe, si për çudi, u bëra “e denjë për shoqërinë!!” Shoqet më mbanin afër, por kjo periudhë izolimi la gjurmë të pashlyeshme në personin tim. Duhej kohë që të merrja veten…
Ndërkohë, dy shoqet e mia Elsa Zallari dhe Violeta Kikino, që vazhdonin mësimet në politeknikum, u përjashtuan nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, si të padenja për t’u shkolluar në shkollë të mesme. Lufta kundër Elsës kishte filluar me demaskimin politik të saj, sepse ajo kishte guxuar të mbronte babanë e saj, Mihal Zallarin, të burgosur si antikomunist. Kjo qe arsyeja që ajo u vu në shënjestër të organizatës së Rinisë Komuniste. Elsa e Violeta kishin baballarë dy arsimtarë të nderuar. Preteksti i përjashtimit u gjet: të dyja s’kishin mundur të bënin një hartim në gjuhën ruse. Hartimin s’e kishte bërë as e motra e Foto Çamit, funksionar i Partisë Komuniste, por ajo e kaloi lehtë, vetëm me një vërejtje, ndonëse ngulte këmbë që të merrej masë njëlloj dhe për atë.
Përjashtimi i tyre u bë me “ceremoni…” I rrahën dhe u shkulën flokët. Elsa Zallari u rrah mizorisht nga krimineli Hamdi Haska, i cili shoqëronte çdo të goditur me fjalët “jam komunist” si për t’u treguar të tjerëve se ishte më fanatik se papa.
Ai derdhi kafshërisht inatin mbi Elsën, sepse kjo e kishte refuzuar të kërcente me të në një mbrëmje vallzimi. Kështu shpjegohet ajo dallgë tërbimi që e kishte kapur, ndërsa godiste pa mëshirë vajzën e gjorë. “Na detyronin me forcë të shkonim në mbrëmje vallëzimi – na tregonte Elsa, – dhe ajo shprehja ‘Kemi krizë damash’ më dukej shumë fyese… Pastaj, unë të vallzoja me një komunist, kur babai im torturohej në burg nga komunistët!!  Prandaj e refuzova  ftesën e tij!”
Po të kishin vijuar shkollën, të dyja këto vajza do të ishin bërë kuadro të nderuara dhe do t’i kishin dhënë shumë shoqërisë shqiptare, sepse ishin me të vërtetë vajza shumë të zonja.
Por, atyre ua vranë rininë dhe ëndrrat e bukura.
Edhe pse u martuan, persekutimi i tyre vijoi me bashkëshortët që guxuan të lidhnin jetën me to.

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.