back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Dritero Agolli (1931-2017) – Shkrimtari dhe Vdekja – 27 Opinione

Gazeta

Dritero Agolli - (pikturë nga Bashkim Alushi)
Dritero Agolli – (pikturë nga Bashkim Alushi)

Dritero Agolli (1931-2017) 

Shkrimtari dhe Vdekja – 27 Opinione

Më dhëmbin gjitha Vdekjet – edhe tëndja,
po më shumë më dhembin Poetët e Vrarë…
nga Heshtja e Poetëve që një ditë shkojnë
së bashku me Vdekjet e Firmosura
në emër të nënshtrimit… jozef radi

Artan Gjyzeli

Iku edhe Dritëroi… U prehtë në paqe!
Poet mesatar dhe prozator i mirë. Autor i dy poemave artistikisht të fuqishme, (përtej ideologjisë që i përshkonte) dhe i qindra vjershave e poezive, me pak përjashtime, mediokre në tërësinë e tyre.
Autor prozë të gjatë e të shkurtër të nivelit të lartë që i mbijetoi me sukses kohës dhe ndryshimeve sociale të hullive letrare shqiptare.
Ikonë dhe Celebrity edhe 26 vjet pas përmbysjes së sistemit ideologjik të cilit i shërbeu me artin e vet. Shkrimtari më i dashur për shqiptarët.
Mendoj se çelësi që shpjegon këtë ndjeshmëri të lexuesve ndaj tij gjendet të natyrshmëria dhe thjeshtësia proverbiale e njeriut dhe shkrimtarit Dritero.
Mund të gjeja plot vargje të tij që nuk më plotësonin artistikisht si lexues, por asnjë varg të tij të shtirur, fallco apo të stisur për hir të modernitetit apo trendeve letrare.
Agolli mbeti vetvetja në krijimtarinë e tij. Edhe kur besoi në komunizëm, edhe kur u zhgënjye nga realitetet shqiptare të eksperimentit komunist, edhe në postdiktaturë ai mbeti i vërtetë dhe vetvetja në çfarë shkruajti, diçka tepër e rrallë sot në botën letrare shqiptare të pushtuar nga kameleonët e së djeshmes dhe nga majmunët narcistë të të sotmes.
Eshtë kjo arsyeja që edhe pse nuk jam një adhurues i veprës së tij poetike, si lexues ndjej një boshllëk që më bëri të shkruaj këto rreshta për ikjen e tij…
 

Parid Turdiu

Driteroi, si kryetar i Lidhjes dhe anëtar i KQ, ka qenë një Gëbels i regjimit enverist dhe ka marrë pjesë në dënime njerëzish e gjymtimin e kulturës kombtare.
Meritonte të dënohej për krime kundër Njerëzimit dhe tradhëti të lartë ndaj Atdheut të Përjetëshëm.
Duke mos i dënuar u është bërë një disfavor, se ikën me peshë në zemër, e pa i shlyer fajet.
 

Viron Graçi

Secili ka arsyet e tij për ta kujtuar një shkrimtar, por unë nga Dritëro Agolli gjeja e fundit që do të harroj do të jetë pohimi i tij në një intervistë: “Lufta e klasave që zhvilluam në komunizëm është gjymtimi më i madh fizik e shpirtëror që rraca shqiptare ia ka shkaktuar vetes!”
 

Lluka Qafoku

Apostulli i papenduar i Ateizmit militant….

Çapajev Gjokutaj

Dritëro Agolli shkroi dhe botoi për gati 70 vjet. Dhe ishte punëtor e prodhimtar si ai.
Vetkuptohet se jo çdo krijim i këtij korpusi gjigand do t’i mbijetojë kohës.
Shirat e harresës do bien e do bien mbi relievin e përthyer të krijimtarisë së tij, do ta përmbytin dalngadalë për të lënë vetëm majat. Eshtë ky një proces krejt i natyrshëm, ndodh me çdo artist.
E sigurt është se majat e krijimtarisë së Dritero Agollit do vazhdojnë të lexohen gjatë.
Edhe brezat që do të vijnë, sado të përparojë jeta dhe teknologjia, do ndjenë mall për të shkuarën, për fëmininë dhe të parët, për të thjeshtën dhe të natyrshmen, për sinqeritetin dhe humorin, për erën e bukës dhe shijen e kripës, për të vërteta e përralla.
 

Behar Gjoka

Jeta dhe vdekja janë bashkudhëtarë të njeriut…
Ndërroi jetë, duke lënë gjurmë në letërsi, ndonëse nuk qe engjëll, qe njeri me të gjithë dritëhijet, që na la koha, ku jetuam dhe jetojmë… Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, të jep dritë, edhe kur jeta është në terr…
Paqe dhe ngushëllime familjes!
 

Nevila Jaupaj

Gjyshja ime ish njeriu me gojëëmbël në botë, por kur largohej dikush nga jeta thosh gjithmonë atë që ndjente. Kur ish njeri i mirë kish fjalën, “Qoftë i xhenetit!”, kur ish me bëma jo të mira thosh: “Ngordhi dhe një qën!” (Në respekt të qënve të sotëm, se në kohën e gjyshes time ata kafshonin dhe po të asaj fare vazhdojnë të kafshojnë me atë që kanë lënë të shkruar).
T’ju ketë lënë uratën Nxiroi!
 

Edmon Hasani

Iku nga kjo jetë dhe Dritëroi i thjeshte si balta! Poet i mirë në kohra të këqija të cilave ju shërbeu me gërma heroike, erotike, luftarake, lirike…!
Do e kujtoj me tepër si autor i “Tek varri i një kulaku” dhe për analizën anti-Enverhoxhë në kongresin kur bushtra ndrroi emër!
Dritero, ike në heshtje! Pa bujë si vargjet me frymë katundareske që ti pëlqeja shumë! Si ateist nuk di nëse do trokasësh në xhehnet ama uroj që shpirti të të ketë gjetur paqe në amshim!
 
Lajmërimi Mediatik i Vdekjes së Agollit
Lajmërimi Mediatik i Vdekjes së Agollit

Mexhit Prençi

Pak ore me pare u nda nga jeta poeti, shkrimtari, dramaturgu, skenaristi, publicisti dhe akademiku Dritero Agolli.
I shquar ndër të shquarit.
Eshtë shkrimtar realist dhe klasik. Krijimtarinë e tij e përshkon fryma popullore, ndjeshmëria njerëzore, dhe dashuria. si kumt për mirëkuptim midis njerezve, sidomos në dy dekadat e fundit.
Largimi nga kjo jetë e Dritëroit është dhimbje për familjen, për të afërmit, miqtë e kolegët, por edhe për të gjithë njerëzit e letrave shqipe.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
 

Ejëll Miculi

…Ajiiii paska vdekë!
Po ju mos u mërzitni sepse e ka kullote livadhin e tij… një jetë të tanë n’shërbim t’diktatorit dhe diktaturës…
Njerëz si aj, leshin tetë e dekshin dhetë!

 

Zef Bushati

“Ne ishim pranë tij, bashkë si gishtat e dorës,
Në akull, pranverë, dritë a terr,
Ne ishim pranë tij mes skamjes, urisë, dëborës,
Dhe ti i thoshe, prij biri i nenës… Enver!” Dritero Agolli. (fragment nga poema Nënë Shqiperi)
Dritero, ti ishe prijës i vërtetë.
Prijës i letërsisë dhe i poezisë shqipe. Jam krenar që kam recituar poezitë dhe poemat e tua, jam krenar që kam interpretuar personazhe të romaneve të tua.
Lamtumirë o gjigand i letrave shqipe! Shpirti yt pushoftë në paqe!

 

Xhabir Tabaku

Kah njëra anë gëzohem që vdiq Driteroi, kah po shof si po tranohen gjindja për vdekjen e poetit.
Edhe për mua kështu mendoj se kan me u tranu kur të vdes… Bile ndoshta ma shum se un jam ma modern se aj katunari Devollit!
 

Dorian Koçi

Sot u fik i madhi Dritëro!
Nuk e di por thellë në ndërgjegjen time gjithmonë e kam lidhur emrin e tij me të filozofit francez Didero, por vetëm me një ndryshim.
Dideroi gjeti një traditë shumë të pasur prej nga u ul e shkroi dhe përmblodhi Enciklopedinë franceze kurse Dritëroi ynë ka shprehur enciklopedinë e shpirtit shqiptar nga thellësia e shpirtit të tij. Kjo gjë e bën atë të pavdekshëm dhe të papërsëritshëm në historinë e kulturës sonë. I paharruar do jesh i madhi Dritëro, sepse poetët janë gjithmonë bijtë e dritës!
 

Frang Bardhi

Ne kemi te drejte t’i duam lirikat e Agollit,
por vajtimin për ikjen e tij duhet t’ia lemë Partisë!
 

Sabah Jemishta

Kur mora vesh për Dritëroin, mu kujtua një ndodhi kur ishim studentë!
10-15 studentë po rrinim grumbull në shkallë të fakultetit duke pritur të hynim në provim. Ca ishim në këmbë, ca ulur në shkallë.
Po ngjiste shkallët një pedagog, prej atyre që të mërziste b… me partishmëri. Ndërsa kalonte, studentët u ngritën në këmbë dhe u mënjanuan për të liruar rrugën. Njëri nuk lëvizi nga vendi, por qendroi ulur në shkallë. Kur pedagogu erdhi drejt me studentin që nuk u ngrit në këmbë, iu drejtua me ton:
-Po ti pse nuk ngrihesh në këmbë?!
-Pse duhet të ngrihem? – u përgjigj studenti, pa lëvizur nga vendi.
-Për respekt, të paktën – i tha pedagogu.
-Pikë respekti nuk kam për ty! – u përgjigj studenti.
 

Ismail Kadare

Lajmi i vdekjes së Dritëro Agollit ka qenë një nga njoftimet më tronditëse të këtij dimri, jo vetëm për njerëzit e artit, por për gjithë shqiptatrët, kudo ku ata ndodhen.
Dritëro Agolli ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë i pazevendësueshëm në vlerat dhe në dramën hijerëndë të letërsisë shqiptare.
Ai do të na mungojë të gjithëve. (Paris)
Dritero Agolli (1931)
Dritero Agolli (1931)

Kastriot Marku

Ana njerëzore për këdo është prekëse kur vdes një njeri, për me tepër një njeri publik sikurse është shkrimtari, por të bësh kritikun letrar dhe të qurravitesh në atë fare soj sikurse bëjne disa humbëtare, për Driteroin kjo me duket si punë populizmi mercenar.
Driteroi ishte shkrimtar shqiptar si e gjithë ajo tufa e sojit të tij që shkroi për opinga, baltë me the e të thashë, pjesën më të mirë një leterësie mediokre, e qe i dha mundësinë që ta kalojë kufirin e Menkulasit të tij dhe të mbrrijë në saj të Partisë deri në Tiranë.
Qe njeri i sinqertë dhe i ndershëm me veten dhe me letërsinë e tij, me gratë, me pijen, me partinë, me Zotin dhe brekushet e reve me komisarin, njeriun me top, me Zylon, dështakun, pelegrinin dhe kaq qe ara e lëruar prej tij. Këta që e bëjnë kaq të madh, nuk duhet t’i keqkuptojmë se kaq e kanë kandarin e estetikës së leximit të letërsisë.
Ngushëllime familjes Agolli!
 

Seferina Serani Selenica

Agolli ishte një poet që kishte edhe madhështi poetike sikurse edhe poshtërsi partiake!
Populli e di dhe merr atë që i duhet prej tij duke flakur të tepërtën! Le të shkojë… dhe nuk ka gjykim më të rreptë se ai i vetvehtes. Kurse sonte e pret, Gjykimi suprem i Zotit, sepse fajet e Komunizmit ishin të ndyra dhe lënduan mijra njerëz, familje dhe ndërgjegje!
 

Vehap Kola

Terrëroi!
 

Eduart Frrokaj

Dritero Agolli ishte Poet, Partizan, Komunist, Kooperativist, Socialist nga pak thonë edhe Alkoolist për pikë të qejfit. Të gjitha ngapak.
Tani kur ngushëllimet paskan mbaruar, më bëhet më e kujtuar ketë të parin më të fortin nga tiparet tjera… Dritero poetin (përlotje)
 

Arben Kallamata

Iku një burrë i mençur.
Iku një njeri zemërgjerë dhe shpirtmadh, një artist i vërtetë. Që pinte duhan, raki, verë sa i çudiste të gjithë dhe, që s’i bënte dëm asnjeriu, as vetes së tij me gjithë ato që pinte. Një figurë stërmadhe, para të cilës këlyshët që i lehin sot duken të vegjël e të zgjebosur. Një njeri me humor të pakrahasueshëm.
Jo rrallë, si gazetar i ri te “Drita” më binte rasti të raportoja nga takimet që bëheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ai fliste, unë mbaja shënim. Dritëroi shprehej ngadalë, me ca fjalë që sikur i nxirrte me pincë nga diku thellë. Kur e dëgjoje të krijohej përshtypja se do të ishte e vështirë t’i lidhje ato fjali të thëna me aq shumë pauza midis tyre. Por kur shkoja lart në zyrë, përpara makinës së shkrimit dhe zbardhja shënimet, habitesha sa mirë të renditura ishin, sa qartë ishin shprehur gjërat, sa logjikisht lidhej mendimi.
Një herë kur po shikonim bashkë një diskutim të tijin që unë e kisha zbardhur nuk m’u durua dhe ia thashë këtë mendim. Ai qeshi pak dhe bëri një shenjë fare të lehtë si për të thënë “leri këto furça tani.” Po nuk tha gjë, sepse Dritëroi nuk dinte të lëndonte njeri!
 

Çelo Hoxha

Dritëro Agolli s’ka asnjë vlerë si poet po i hoqe kontekstin komunist që e promovoi. Përmes tij sistemi propagandonte jetën në fshatin socialist, dashurinë për ugarin, për lopët, etj. Nëse Dritëroi do kishte nisur të shkruante pas viteve ’90, askush nuk do ta lexonte, do ishte njëlloj me mijëra poetë që shkruajnë e botojnë për fshatin pa i respektuar kush si poetë, as fshati i tyre. E, duke i hequr kontekstin e shkrimtarit, vdekja e tij është si e çdo njeriu që ka lënë fshatin e jeton në Tiranë dhe nuk njihet jashtë rrethit të tij.

Dije Demiri Frangu

Po, Agolli ishte komunist tipik, dhe poet lirik…
Po, komunist ishte, dhe nga ata shumë të kuq, një pjesë e poezisë së tij është komuniste, transparente… por ka një lirizëm hollak, si fije peri që të ngacmon estetikisht. Është origjinal në lehtësinë e shkrimit dhe poetizimin e situatave – thuajse triviale. Ka lënë poezi që do të jetojnë dritërisht.
 

Zirkon Disha

Sot po më dukej FB… sikur ishte viti 1985!
 

Xhabir Tabaku

Kot shqetësohen disa kur dikush ngre në pjedestal Dritëroin; e kot shqetësohen disa të tjerë kur dikush tjetër baltos Dritëroin.
Ky është Dritëroizëm i mirfilltë.
Dritëroi donte me zemër e urrente me zemër. Le t’i shikojmë vargjet thonë disa të tjerë… Asgjë s’do ndryshojë. Prap do ndeshemi me dashuri ndër vargje e me urrejtje ndër vargje.
Le të mos bëjmë asnjëra palë hipokritin, por ta shohim realitetin në kokërrllok të syrit. Ne jemi komb i pambrujtur… plot të meta e urrejtje. Duke u përlotur a duke u ngazëllyer për vdekjen e Dritëroit nuk do ndërrojë asgjë.

Ne në fakt urrehemi ndërveti.

Donika Dabishevci

I përbotshmi, Dritëro!
 

Miranda Jegeni

Mua nuk më pëlqen të them se u shua shkrimtari. Jooooo, kurrsesi! Mua më pëlqen të them se ti dritëron në parajsë tani Dritero!
Njeriu që ishte Njeri si rrallëkush, me emrin më të bukur në botë, na la pas në mënyrë urdhërore një mesazh paqeje! Dritëroni në jete si ai, shkrimtari, humanisti, pa të cilin muzgu do të jetë me pak i dritësuar nesër… dhe Parajsa më e përndritur!
Faleminderit që një shpirt të tillë e fale në atdheun e shqipeve Zoti im! Shtegëtim të mbare drita jonë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.