back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Dritë rreth figurës së Bajram Currit (1862-1925) me rastin e 90 vjetorit të Vdekjes

Gazeta

Bajram Curri (1862-1925)
Bajram Curri (1862-1925)

Dritë rreth figurës së Bajram Currit (1862-1925)

me rastin e 90 vjetorit të Vdekjes

Origjina e Familjes Curri

Familja Curri etnogjenezën e ka nga Malësia e Veriut të Shqipërisë, dhe që lidhet me sovranin e saj: Hysen Kurt Currin, i cili ka vepruar në Nikaj me fisin e Krasniqes, ku ishte veprimtar dhe njeri me ndikim të madh. Për këtë arsye edhe sot në fshatin Nikaj gjendet shkolla fillore që e mban emrin e patriotit dhe atdhetarit Hysen Kurt Curri, i cili po në atë fshat kishte mposhtur ushtrine osmane.
Mosbindja e familjes Curri ndaj pushtetit osman e shtyri Hysenin të marrë rrugën e mërgimit. Ai, pas shumë peripecishë, largohet nga Malësia e Veriut dhe vendoset në Gjakovë, ku gjeti edhe përkrahjen e gjakovarëve. Kështu, me ndihmën e banorëve, i ngritën kullën rrëzë Cabratit, që u bë kala më vete, duke mos u përkulur para armiqve që në atë kohë ishin të shumtë si Perandoria Osmane, Serbia dhe Mali i Zi.
Si familje, Currajt nuk kanë pasur pasuri e pushtet, nuk ishin bajraktarë, por ishin të çmuar nga populli, për shkak të vlerave të larta patriotike dhe luftarake në mbrojtje të çeshtjes kombëtare.

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Bajram Curri

Portret nga Faik Konica

Me vdekjen e vërtetuar të Bajram Currit, zhduket një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i shqiptarësisë. I pastërvitur aqë sa s’dinte as të nënshkruante emrin e tij dhe vinte gishtin në vend të emrit në dokumentat. Bajram Curri ishte shumë i mendshëm prej natyre dhe përpiqej në çdo mënyrë që nipërit e tij të hyjin e të mësojnë në më të mirat shkolla të Evropës.
Liberal në mes të despotizmës, patriot në mes të tradhëtisë ose të ftohtësisë kundrejt Atdheut, i patrembur në armët, po përkrahës i brezit të ri dhe i idealit të një Shqipërie të shtruar në punë e në qetësi. Bajram Curri kishte shumë virtyte të bukura; po virtyti më i shkëlqyer i tij ish një besnikëri e patundur në fjalën që jipte.. Një zotim nga Bajram Curri qe një siguri e plotë dhe pa ndonjë hije dyshimi. Mbrojtës i fortë dhe i kthjellët i miqve të tij, Bajram Curri qe i ashpër kundër armiqve, po edhe kjo ashpërsi nuk ish një ashpërsi aq e egër sa të mos zbutej nga zëri i urtësisë dhe nga këshillat e matura.
Marrdhëniet e mia me Bajram Currin, kanë qënë të vjetra dhe kurdoherë të pëlqyera. U poqmë për herë të parë në gusht të motit 1894, në një vakancë të shkurtër qv shkova në Shqipëri të Sipërme, kur mësoja në Francë. Më vonë kur rroja në Belgjikë dhe në London, ishim pak a shumë me marrdhënie të largme e të rralla. Që me 1913 e gjer më 1921, marrdhëniet e mia me të, kanë qenë të dendura e të përzemërta. Bajram Curri ish një plak 72 vjetësh, i gjallë dhe i fortë, me sy të kaltërt e me flokë të thinjura, me dukje madhështore edhe pse ishte i thjeshtë. Mbahej i paqmë, rruhej çdo ditë, vishej mirë, hante pastërtisht në tryezë. Në Vienë e në Romë mbante një kapellë me strehë të gjerë, e na dukej si ndonjë rancher amerikan i pasur nga Teksasi ose nga Arizona…
………
Shtylla e Faik Konicës
marre nga muri i fb. i Ylli Prebibajt

Shkrimi i Konices per Bajram Currin
Shkrimi i Konices per Bajram Currin

Pasaporta e Bajram Currit

Pasaporta e Bajram Currit, mban nr. 269, me 24 faqe, dygjuhësh, e me shkrimin e shtypit në faqen e parë: “N’emën të Shtetit Shqyptar, gjithë auktoritetet civile e ushtërore janë të lutun me e lanë të kalojë lirisht”.
Përsëri me kaligrafi dore shumë të bukur, shkruhet: “Tiranë, më 4/IX/1924, i vjefshëm për një mot.” Nënshkrimi i kryetarit të zyrës, B. Rusi, vula.

Në faqen e dytë janë gjenealitetet e mbajtësit të pasaportës Njivjeçare për Europë, në vitin 1924. Në të shkruhet
Emri: Bajram Curri
Emni i t’et: Shaqir
Emni i s’amës: Hava
Data e lindjes: 1866
Vendi i lindjes: Gjakova
Banimi: Tirana
Profesia: Pronar
Udhëton: Për Europë
Qëllimi i udhëtimit: Për shendetsi
Më poshtë është vula e prefekturës së Tiranës.

Në faqen e tretë, shënime, janë të dhëna për shtatin, moshën, ballin, sytë, hundën, gojën, mjekrën, mustaqet dhe ngjyra, të cilat janë shkruar për 58-vjeçarin Bajram Curri.
Në faqet në vijim, te faqja 4 dhe 5, udhëtojnë bashkë me mbajtësin, ka një vulë dhe firmën e B. Rusit.
Në faqet 6, 7, 8, 9 ndodhen vulat dhe firmat.

Bajram Curri mes luftëtarëve malsorë
Bajram Curri mes luftëtarëve malsorë

Një dokument origjinal për heroin
Gjatë lëvizjeve nëpër Europë si Itali, Francë, etj., nga data 7. 9. 1924, deri më 14.10.1924, pra 5 javë. Nga faqja 11 deri në 24 nuk ka të shënuar asgjë. Kjo pasaportë për jashtë shtetit e njërit prej figurave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, një relike historike e pazëvendësueshme, publikohet për herë të parë. Është interesant fakti që pasaporta nxirret për arsye shëndetësore, ndërkohë kur periudha shtator-dhjetor 1924 është e mbarsur me ngjarje historike dhe aktiviteti i Bajram Currit është i gjithanshëm për çështjen kombëtare, duke qenë përkrahës i qeverisë së Nolit. Pikërisht në fillim të shtatorit 1924 mori pasaportën njëvjeçare për të udhëtuar nëpër Europë për propagandimin e çështjen shqiptare, duke vajtur edhe në Francë, ku siç dihet ajo e kishte lënë në harresë.
Udhëtimi i fundit në Europë i Bacë Bajramit, Garibaldit shqiptar, siç e kishte quajtur Halim Xhelua, ishte 12 tetori 1924, për t’u vendosur në Krasniqe, afër Gjakovës së tij të dashur, e për të qëndruar dimrit të ashpër, deri më 28 mars 1925, kur pushoi së rrahuri zemra e tij. E vajtojcja Xhufe Sylja prej Geghyseni e qau:

“Qajo pushkë, vlla, si muer ty,/ Muer Krasniqen ship për ship,
Gash, Bytyç e deri në Dri,/ Muer Kosovën bytevi…”

Rrëzë Majës së Hekurave, në Alpe, shtrihet një qytet me tetë mijë banorë, më problematiku deri para pak vitesh, por që tashmë i është kthyer jetës normale, me dëshirën që kanë gjithë shqiptarët: futjen në Europë, NATO dhe mbarimi sa më shpejt i këtij tranzicioni të stërzgjatur shqiptar. E ky qytet quhet qyteti Bajram Curri. Në bulevardin kryesor, një statujë me pushkë në dorë dhe me shikimin kah Gjakova përshëndetet çdo mëngjes me vogëlushët që nxitojnë drejt shkollës, drejt dijes. E nuk e dinë vocërrakët bajramcurras se ishte pikërisht ai që gati para një shekulli mblodhi ndihma për studentët në Austri, ndonëse vetë nuk kishte asnjë klasë shkollë…

Monumenti i Bajram Currit ne Bajramcurr
Monumenti i Bajram Currit ne Bajramcurri

Rreth së vërtetës së Figurës së Bajram Currit

nga Dodë Progni

Dhjetë vjet më parë më ra në dorë një numër i gazetës “Iliria” që botohet në SHBA. Ishte hera e parë që kontaktoja me këtë gazetë. Prisja diçka të bukur, por më befasoi titulli i një shkrimi me shkronja kapitale “Bolsheviku pa teser partie” Krahas tij ishte fotoja e Bajram Currit, për të cilin bënte fjalë shkrimi. Që në rreshtat e parë dallohej se, ishte një shkrim tendencioz e dashakeq, i dal tërësisht nga “shinat” e të vërtetës historike dhe i futur në “llogoren“ e politikës së ditës. Bajram Beg Curri akuzohej për bolsheviko-komunist sepse, siç thuhej aty, në vitin 1920 na i paskish shkruar letër “Hazretit Lenin”!! Në të vërtetë nuk e përfundova kurrë së lexuari atë shkrim, por menjëherë mora lapsin në dorë dhe fillova një shkrim për jetën dhe vepren e B.Currit, i cili u botua në të përditshmen “Rilindja Demokratike” dt. 30 mars 1995. Ishte dhe 70-vjetori i rënies së Bajram Currit. U përpoqa të shkruaj rreth figurës së B.Currit ato të vërteta që unë e konsideroja të tilla…

“…Për ato që bëri në të mirë të Atdheut e të Kombit, Bajram Curri ka hyrë në historinë e Shqipërisë si një figurë e kompletuar atdhetari e demokrati. Vetëm ato që ka bërë për Kosovën, si nënkryetar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1920-1924, për të mbajtur gjallë frymën e rezistencës e lëvizjen çlirimtare, për përhapjen e arsimit e shkollës shqipe në Kosovë, si dhe për sensibilizimin e opinionit kombëtar e ndërkomëtar për çeshtjen kombëtare shqiptare, i japin figurës së Bajram Currit dimensione të mëdha njerëzore e kombëtare.
Në luftërat për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë u bë strateg ushtarak i aftë që, jo vetëm luftoi si më i miri luftëtar, por edhe komandoi si më i miri komandant. Me zgjuarsinë që e karakterizonte, ai ndoqi me vemendje situatat politike në Shqipëri, Ballkan e Europë. Për zgjidhjen e çeshtjes kombëtare shqiptare zhvilloi jo pak veprimtari diplomatike. Ai disa herë hyri në bisedime me konsujt e fuqive të mëdha. Iu drejtua me kërkesa e protesta institucioneve më të larta ndërkombëtare si Lidhjes së Kombeve, Konferencës së Paqës në Paris me 1919 si dhe qeverive ose personaliteteve të larta të disa vendeve prendimore e lindore me peshë në politikën europiane e botërore, përfshirë këtu edhe Qeverinë Sovjetike. Kësaj të fundit në vitin 1920 i dërgoi dy letra (promemorje) të cilat gjatë viteve të regjimit komunist, për qellime ideologjike e propogandistike në të mirë të socializmit e të komunizmit, janë publikuar si “Letra drejtuar Hazretit Lenin”, Udhëheqjes së Partisë së Punës i pëlqente glorifikimi i këtij dokumenti nepërmjet të cilit u përpoqën të bindin njerëzit se, meritën më të madhe Bajram Curri e paskish se “qe nga të parët në vendin tonë që çmoi veprën e madhe të Leninit dhe të bolshevikëve në Rusi” (E. Hoxha, Fjala në Tropojë-1970) Me këtë përfundim të gabuar PPSH-ja synoi t’u krijojë njerëzve idenë se, “Bajram Curri në mos jo komunist, simpatizant i flaktë i komunizmit ishte!” Në fakt ky ishte një shtrembërim i realitetit historik dhe shpërfytyrim i figurës së Bajram Currit.
Siç u tha më lartë, vërtet B.Curri i dërgoi letër qeverisë sovjetike, por këtë e bëri, siç thuhet tekstualisht në rreshtat e parë të saj “…Në emër të 1.5 milion shqiptarëve që vuajn nën zgjedhën shnjerzore të qeverisë serbe” E bëri pasi kish mësuar se qeveria sovjetike denoncoi “Traktatin e fshehtë të Londrës” 1915, i cili synonte ricoptimin e Shqipërisë, dhe pasi ajo qeveri kish deklaruar botërisht se do të përkrahte të drejtën e popujve për vetëvendosje. Në atë letër (promemorje) Bajram Curri i bëri të njohur qeverisë sovjetike padrejtësitë e fuqive të mëdha në kurriz të shqiptarëve, madje shënon një për një krahinat shqiptare të rrëmbyera nga fqinjtë dhe i bën apel asaj qeverie të përdor autoritetin e vet si fuqi e madhe për korigjimin e padrejtësive ndaj Shqipërsë e shqiptarëve. Në atë letër Bajram Curri nuk ka përmend në asnjë vend emrin e Leninit, dhe nuk shpreh kurrfarë simpatie për luftën e klasave, as për ateizmin komunist, as për kolkozet sovjetike. Shkurt, promemorja dërguar qeverisë sovjetike ishte një veprim i mençur i Bajram Currit shtyrë nga interesat kombëtare dhe jo nga interesa ideologjike e simpatira për bolshevizmin rus. Ky veprim nuk ja trubullon aspak pamjen figurës së B ajram Currit, përkundrazi e qartëson dhe i rrit vlerat tij si politikan e diplomat patriot që në zemër, në shpirt e në mendje mbante të rrënjosur vetëm ideologjinë kombëtare dhe interesat e Atdheut. Gjithë jeta dhe vepra e Bajram Currit tregon se ai ishte dhe mbeti shembull i shkëlqyer i shqiptarit që luftoi e punoi për të mbjell në zemrat e njerëzve dashurinë për Atdheun, për traditat e vitytet shqiptare, për prosperitetin e kombit e idealet e demokracisë.”
Dodë Progni
http://www.nasergashi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.