back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Drita e nji fotoje si përndritje hyjnore arti… – përtej nji fotografie nga Jozef Radi

Gazeta

Muzg vere ne Lövås Gård, (Suedi) Foto Desantila Qerimaj
Muzg vere ne Lövås Gård, (Suedi) Foto Desantila Qerimaj

Drita e nji fotoje si përndritje hyjnore arti…

përtej nji fotografie nga Jozef Radi

Shpesh njeriu ndodhet përballë natyrës, e në çaste t’caktueme Ajo i shpalos atij tabllo t’nji mrekullie e t’nji përmase të pakufishmë sa aj mbetet i gozhduem para shfaqjesh të tilla. Ma shpesh ndodh që ai gjendet i papërgaditun e kjo e ban edhe ma të fuqishme mahnitjen e tij, pse kurrë s’janë kenë të mjafta fjalët me e përshkrue nji t’vërtetë, ku njeriu edhe natyra ndodhen përballë: ku njeni asht n’rolin e aktorit e tjetri të spektatorit…
E mos t’harrojmë, shfaqjet e natyrës, kur asht fjala për lojën e dritave dhe ngjyrave, n’veçanti kjo ndër muzgje, njaq sa asht solemne asht edhe efimere, e mundesh me ndejtë qindra herë n’pritje të këtyne spektakleve e mos me kapë asnji dromcë të ktyne madhështive që natyra herë t’i dhuron me lehtësi e me pamundimin e s’papritunës, e herë si nji gjinokastrite e pashpirt, mundohu sa të duesh ti, e asgja s’del prej saj…
Po ndodh edhe mos me i shijue sa e si duhet këto spektakle, për arsye të ngutjeve të ditës, problemeve të çastit, po mundet t’kemi qëllue edhe krejt të pavëmendshëm, ndoshta edhe ma zi, mos me na ba grimë përshtypjeje mrekullia, ndaj edhe natyra s’i shfaq as përditë hovet e saj e as kurrë njisoj dy spektakle të saj s’i dhuron…
Shpesh, mendoj se jena na që s’e dijmë o nuk e besojmë se magjia e asaj që quhet art, buron edhe prej asaj shkujdesjeje jo të shpeshtë me të cilën natyra i dhuron tabllotë e veta, e këshillon vëmendje pse ajo s’e ka ndërmend me i përsëritë çka e ka dhurue nji herë…
Un besoj në synin që din më vëzhgue, te njeriu i lindun e i edukuem me filtra shpirtnorë, te ajo krijesë e aftë me e jetue e përjetue natyrën n’ato trillet e saja të çmenduna, ku çdo element e detaj asht i vendosun n’nji masë e n’nji harmoni të tillë sa ti s’ke fuqi me e besue se gjithçka ndodh para syve t’tu, s’asht veçse nji shfaqje hyjnore e nji krijese superbe, tejet e madhe, në çastet ma të epërme të dalldive të veta, tue kombinue me nji mjeshtri t’paimitueshme spektaklin e vet n’nji hapsinë tejet të kufizueme, në t’cilin na ka vendosë edhe ne, qoftë edhe si kqyrsa të randomtë në skenare t’realizuem pa regji, pa aktorë e krejt pa shpenzime…
I lumtun kjofë kushdo që e don natyrën e i pranon me pën’me ashk të shpirtit, at çka i dhurohet edhe n’heshtje ma sublime…
Krejt kjo parantezë sot, ka nji motiv të caktuem…
Nji mbramje ndesha n’nji fotografi, që nji mikja jeme e vjetër e kish “shkrepë” njashtu tue vozitë n’dalldi të vët diku n’kufi midis Suedisë dhe Norvegjisë, e saktsisht në Lövås Gård, buzë liqenit Vallen, n’mbasditen e vonë të 5 qershorit të 2022. Tue e ndjekë albumin e saj të fotove, njena prej tyne m’gozhdoi e m’u duk tejet e pabesueshme që ajo foto t’ishte e saja… Me shpirt humori u përpjeka me e vu paksa n’lojë, se mos ndoshta padashtas ishte futë n’album të saj…
Ajo tue qeshë m’tha se ishte e saja! E ç’ka ndodhi?!
Mbasi e vrejta edhe nji herë me vëmendje at foto mbeta i mahnitun n’dy gjana; e para spektri i ngjyrave t’nji portokallie të ndezun drejt së kuqes alle të gjakut, m’kujtonte do nuanca t’Onufrit, të vendosuna butësisht mbi faqet e lmueme t’ujnave, (sigurisht të ndonji liqeni, qe zonat skandinave i kanë aq me shumicë) e t’nji qielli të ndamë e të kontrastuem prej nji lakoreje të errtë, mos me thanë të zezë, kodrinore në të cilën ndërfutej hunda e nji istmi me nji pemë, hija e së cilës ashtu e shpupurisun derdhej aq bukur ndër ujna, tue e nda në dy gjysa t’kuqen e përflakun puplore e t’vijzueme të reve n’qiell të muzgut, me reflekset e mahnitëse t’ujnave t’nji liqeni n’fashë që të deh me at butësinë e përthyemjes së dritës e lojnave verbuese me nji grafikë vijash t’enduna aq amël si në mëndafsh. Jo, s’ishte veç fotografia n’vetvedi që ma dishmonte magjepsjen e atij çasti sublim, n’mendjen teme qe shfaqë edhe diçka tjetër, nji vepër e madhe arti, e cila në momentin e kundrimit n’mënyrë t’vetëtishme i qe fanitë nji pikturë e lindun bash njatyne anve…

Britma (Skirk) - Edward Munch (1894)
Britma (Skirk) – Edward Munch (1894)

Ishte fjala për tabllonë e famshme të piktorit norvegjez Edward Munch, nji kryevepër e pikturës botnore e quejtun “Skrik” (Britma)…!
Gjithnji kisha mendue se “Britma” e Munch-ut me at t’kuqen e gjakut trazue me portokalli t’përflakun e krejt spektrin e alles, i kisha mendue si nji gjetje koloristike e përsosun e autorit, e ku mbivendosja e “Ulurimës” pra e njeriut që klith me tanë forcën e shpirtit në sfond të atij peisazhi gurgullues, për mue mbeteshin nji ekspresion artistik: si klithma e nji njeriu përballë luftës me jetën.
Ajo ndalesë në vëmendje, ajo harmoni midis fotografisë në fjalë e ngjyrave në pikturën e Munch-ut, sikur përmbysën diçka mbrenda meje, tue mbrritë te bindja se Munch-u s’kishte sajue asgja n’fantazi të vet, përkundrazi n’nji prej atyne muzgjeve skandinave, ku natyra kishte shpalosë at mrekullinë e saj, ai befas qe ndalë e kishte ndje e shijue at mrekulli, e kur kishte ardhë çasti me e derdhë n’pikturëi kishte bashkue dhimbën e vet, tue e plotësue kështu magjinë e natyrës me figurën e njeriut të terrorizuem nga jeta…
Le ta ndjekim si aj vetë asht shprehë, për kët tabllo:
“Nji mbramje isha tue ecë përgjat nji shtegu n’kodrat afër Kristianisë (lagje në Oslo) – n’shoqni të dy miqve. Ishte koha kur jeta ma kishte ba copash shpirtin. Dielli po perëndonte – e qe zhytë tue e kuqlue horizontin. Dukej si nji shpatë e përflakun gjaku që po ia priste kryet së kaltrës. Qielli ishte i përgjakun – i ndamë me shirita zjarri – faqet shkambore futë n’nji blu të thellë fjordi – tue u zbardhë n’nji blu të ftoftë, të verdhë e të kuqe. Befas shpërtheu e kuqja e përgjakun – përgjat shtegut e parmakut – e ndërsa miqtë e mi morën nji lumineshencë të zbehtë – un ndigjova nji ulurimë t’madhe, vërtet, nji ulurimë e madhe – ku ngjyrat e natyrës – i shprishën linjat e veta – e shiritat e ngjyrave nisën me tingllue e m’u drithërue – ato lkundje jete jo vetëm i detyruen sytë e mi m’u lëkundë, po m’i trasmetuen ato lëkundje edhe në veshët e mi – sepse un vërtet e ndigjova at britmë – e mandej kam pikturue tabllonë “Skrik” (Britma).
Kohë ma vonë, Munch do ta ripunonte at kujtim tue e shtjellue si nji poezi e tue e shënue në kornizën e versionit të 1895:

“Ndërsa shkoja rrugës me dy shokë t’mi
dielli n’muzg po perëndonte,
kur befas qielli u ba kuq si gjaku.
U ndala, e u mbështeta i lodhun
e i vdekun mbas nji gardhi.
Mbi nji fjord blu t’errtë e mbi qytet
kishte vërshue gjak e gjuhë flakësh.
Miqtë e mi e vazhduen hecjen
ndërsa un po dridhesha frike…
Dhe ndjeva nji britmë t’pakufi
që tejpërtej natyrën e përshkoi…”

 Edvard Munch -  Britma (fragment)
Edvard Munch – Britma (fragment)

Ishte bash ky detaj i lexuem qysh herët që m’përfshiu të tanin ndërsa kundroja fotografinë e Desantila Qerimajt. Mos asht njeriu shkaktari i tana të kqijave e Natyra mbulesë e krejt tragjedive tona, ku veç do shpirtna të ndjeshëm munden me i rrokë e me i monumentalizue?!? Nashtu siç i kishte ndodhë Munch-un n’nji muzg skandinavie, me na lanë nji kryevepër arti të papërsëritshme…!!
U ndala te fotoja n’fjalë e bana nji paralele me ato vende, se jo veç piktura po edhe fotografia e realizueme n’mënyrë instiktive prej nji poeteje ma dëshmonte ma s’miri se me e ba at foto ajo kishte ndenjtë për thuejse nji ore tue “e braktisë” darkën, në pritje t’nji çasti solemn spektakli, ndërsa muzgu rrzohej ambël e ai perëndim i flakruem gjaku, me krejt spektrin e portokallisë n’alle ia kishte shpërblye durimin e saj… Natyra ia kishte shfaqë mrekullinë e saj Njeriut që din me e pritë at çast, sepse veç pak minuta mbas fotos, gjithçka ishte zhytë n’terr e ajo mrekullia e dritës së muzgut s’ishte ma kërkund, veç n’kristalin e saj të pritjes…
E pra, ajo e kishte pritë dhe e kishte kapë mrekullinë e atij muzgu, njatje buzë ujnave të liqenit Vallen, diku midis Norvegjisë e Suedisë, krejt afër Munch-ut të Madh, tue m’dhurue arsye m’u ndalë e me reflektue n’kujtesë rreth magjisë s’nji çasti të vetëm e ta konsideroja at rastësi si nji mrekulli për pak prej nesh ku Natyra, Njeriu e Arti vendosen befas n’ekuilibre të paimagjinueshme, po veç për njata që dijnë me vëzhgue hollë e me ndje ma s’thelli…
e premte, 1 korrik 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.