Dr. Myzafer Pipa – I mbytun mizorisht nga Enver Hoxha nga Fritz Radovani

Myzafer Pipa (1914-1946)

Myzafer Pipa (1914-1946)

Dr. Myzafer Pipa

I mbytun mizorisht nga Enver Hoxha

nga Fritz Radovani

30 shtator 1946: “Zhduket” dr. av. Myzafer Pipa… dhe  dosja  e tij…
Myzefer Pipa asht le në Shkodër në 1914. Mbaroi studimet për jurisprudencë në Padova.
Me 28 Janar 1946, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq, me grupin “Bashkimi Shqiptar”…
Tue dalë nga kafe Bar’Impero, prokurori vrasës Aranit Çela i tha: “Hëëë, Muzafer Pipa, e kemi ruajtur gjysëm leku edhe për ty!..”
E arrestuen nga fundi i muejt Gusht 1946…

Legjenda: Vazhdonte hetimet me kriminelin Zoi Themeli… Myzaferi, në mëngjesin e 30 Shtatorit 1946, vendosi me ikë nga hetuesia… U dëgjuen krisma armësh! Kryetari i Degës, Zoi, dërgoi Elez Mesin me marrë një pulë, i këputën kokën… dhe shpërndanë gjakun e saj në çimenton rrethuese të hetuesisë…Pra, “Myzaferi u vra nga rojet tue ikë”.
E vërteta: Me 29 Shtator 1946, Zoi Themeli dhe Vaskë Koleci, i kishin lidhë krahët mbrapa Av. Myzafer Pipës, për një karrigë të mbërthyeme për dysheme. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine… Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë… nga dhimbjet e forta, trupi i Myzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue… Hekuri i skuqun takoi për shtyllën kurrizore dhe Myzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Me 30 Shtator 1946, u përhap edhe “Legjenda”!
Po, “shokun komandant” kush e njoftoi “për zbatimin e urdhërit tij dhënë Koçi Xoxes?”
Në këte 70 vjetor të kësaj mbytje barbare të Dr. Avokat Myzafer Pipës, Shqipnia që Ai e ka dashtë aq shumë, nuk duhet ta vajtojë… Po, përballë Një Monumenti të Myzaferit, çka janë shkodranë e libohovitë, të gjithë bashkë të këndojnë “Hymnin e Flamurit”!

Portret i Arshi Pipës

Portret i Arshi Pipës

Elegjia Vllaznore

nga Arshi Pipa:  

Ma thonte zemra e ngrâta
se jeta t’kishte lânë,
edhe pse miqt’ e shokët
nuk dojshin me ma thânë.

Der’sa mbi krye mandata,
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m’ishte g’jâ.

E pau epileptiku
qi s’njifte mue as ty.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u thye…

Un rashë… m’u turr vërtiku…
humba! Uluroi nji zâ…
Ti u hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole mâ!

Ti vuajte, ti rreziqe
durove simbas stinës
nga ishulli i Ventottenes
ndër telat e Prishtinës.

E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë armik i shtypjes
e Bir’i Atdheut besnik.

Sot qi nga dita e mortit
Ka rrjedhë mâ se nji mot,
tue t’a nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.

Pse për vdekjen e t’fortit
i fortë duhet me u bâmë.
As i përmendi fajtorët:
Nuk kam mâ çka me i nâmë…

Kur ndofta nga mizori
Po përgatitet ura
për mue kët herë e, kânga
e mbramë âsht kjo qi thura,

me gjakun tând Dëshmori
vulosi sot nji bè:
Përbuzi komunizmin
e truhem për Atdhè…!

U shkrue në Burgun e Durrësit, në vitin 1948.
Melbourne, Maji 2016

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook