back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Dosjet, oh dosjet, ah dosjet… Po deri kur me dosjet!? nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

Dosjet, oh dosjet, ah dosjet… Po deri kur me dosjet!?

nga Jozef Radi

(variant për dajre dhe lodra)

Ky shkrim është e disa viteve ma parë, kur çeshtja e Dosjeve mbushte herpashere tregun mediatik me “shumë zhurmë për asgjë…”! U përpoqa edhe unë si pjesë e korit të krijoja disa variante, po asnjiherë s’ia mbrrita të shfaqesha ndokundi… Sot Kryeminstri shqiptar e kishte cekur bunkereve kët detaj, si duket për t’iu kthyer edhe ai “shumë zhurmës për asgjë…”, sepse duhet të gjëmojnë edhe dajret, lodrat dhe gërrnetat e epokës së re që po vjen… Ndoshta ky shkrim i kahershëm dhe i harruar, i bëhet nji ndihmë sado e vogël pushtetit në këto kohë disi të vështira… j.r.

“Ne i përkasim asaj shkolle të re për Shqipërinë që nuk ja fsheh publikut misteret e së shkuarës. A ka kush mundësi të më thotë se si është e mundur që kjo ngrehinë të ruhej si mister dhe ti fshihet publikut si sekret shtetëror jo vetëm nga ata që do luftonin me botën mbarë por edhe nga ata që i gënjeu mendja se e përmbysën bashkë me regjimin e vjetër edhe mendësinë e këtij regjimi. Ruajtja e këtij misteri ashtu si ruajtja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit janë vazhdimësia e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin pavarësisht kostos dhe tonelatave të propagandës gënjeshtare që derdhet përditë mbi të terat. Jemi për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën. Jo për të rishkruar historinë, por për të ekspozuar të shkuarën. Për t’i treguar gjeneratave të reja dëshmitë, skutat, imazhet, dokumente e saj si një mundësi për të inspiruar imagjinatën krijuese…”- u shpreh Edi Rama (Minerva, 22 nëntor 2014)

Dosjet...
Dosjet…

Gjithnji e ma shpesh daullet e politikës nga Arnautistani kur gjimojnë gjithnji e më fort, s’premtojnë kohë të mirë.
Është ky mekanizëm i parandjenjës që na zhyt te instinkti dhe na parapërgatit për të keqen e radhës që na vërdallet. Sigurisht stinët ndrrojnë, po kokfortësia e mendimit tonë se diçka duhet të ndryshojë patjetër, mbetet gjithsesi.
Sërish m’u desht me iu kthye atij diskutimi që e kemi riciklue edhe herë mbas here, e që në fund na del mushkë. Jep kushtimin dikush, dhe gjithë ne të tjerët “urrrraaa” mbas tij rrahim ujë në havan bashkarisht: Të hapen dosjet… të shpallen spiunët… Të qërohen nga administrata, nga pushteti! Kurse ata që i kanë dosjet nëpër duar dhe i shoshisin për qejf, thonë gjithnji “Të hapen ore, pse mos të hapen!”, sepse ia dinë fundin kësaj meseleje; ata që nuk kanë dosje tkurren, sepse nuk duan t’i rëndojnë shokët, miqtë apo të afërmit e tyre, për atë çka u kanë bërë, e për çka kanë dashur t’u bëjnë, të rekrutuarit e Partisë. Ata që janë me dosje, (e që nuk janë të pakët) bëjnë sehir, bërtasin më shumë: “Të hapen Dosjet” dhe qeshin paksa nën buzë… “I bini, o i bini, se i bini mirë…!”
Tashmë të gjitha palët duket sikur me kënaqësi janë bërë në kor, pjesëtarë dhe protagonistë të kësaj tragji-komedie shqiptare që po kapërcen çerekun e shekullit…
Po kësaj radhe debatit i dha flakë e zjarr më i Madhi i Letrave… (po citoj një shprehje të një mikut tim), në përgjigje të një letre të shkruar dy vite e kusur më parë nga vëllai i një poeti të pushkatuar pse shkruante vargje.
Gjer këtu s’kemi asgjë të keqe. E keqja vjen pas.
Pyetja shtrohet: Pse herë mbas here i gjëmohet kësaj teme dhe nuk i jepet dum një zgjidhjeje që të biem në paqe të gjithë? Pse tani që bëhet lufta e ligjit të pronave, shpërblimit të viteve të burgut dhe rikthimit të votës së lirë na shfaqet kjo “çështja e dosjeve”?! Dosjet në Arnautistan janë hapur me vakt e me kohë, vetëm qorrat s’e shohin, vetëm shurdhët s’e kuptojnë, vetëm të leshtët s’e kanë marrë vesh! Edhe qeni im i ndjerë, Foksi, i ngordhur këtu e tridhjet vjet të shkuara, i njihte ata të dosjeve, dhe u lehte emër për emër… A do t’ja u kujtoj…?!?
A nuk janë përplasur hera herës në parlament “ajka jonë e kollareve” a nuk janë sharë me pseudonime dosjesh me njëri tjetrin, deri në të zbardhur të ditës? A nuk kemi ngritur komisione parlamentare për këtë punë, dhe kryetarët e këtyre komisioneve i gjeje duke shitur libra me bëma spiunësh qoskave? Mos u lodhni të na mashtroni. Vërtet jemi ca budallenj, e ju mbajmë mbi shpinë ngahera, po mos na pshurrni edhe në qafë!
Ore e doni të vërtetën! Ja unë po jua them haptas: Jam me dosje dhe s’kam hequr dorë nga zanati i vjetër i spiunimit. Ore edhe sot spiunoj dhe ma shpërblejnë…. Ja, ku po jua them edhe një gjë tjetër, në një shtet imoral si ky i yni, nuk është imoralitet të jesh spiun, imoral është të jesh shtetas, qytetar, i ndershëm, dinjitoz! Ne spiunët jemi të gjithë nëpër punëra, me shtëpi, me fëmijë të sistemuar, me biznese, me pensione të mira, patriotë jemi (edhe me flamur po deshe, edhe me kaqola ne gjoks po deshe!!), sepse si ata të lashtët edhe këta të rishtët na e kanë njohur devotshmërinë, e na e paguajnë mirë… Hallall u qoftë!
Nëse dikush e lëshoi atë pushtetin e përjetshëm “për të mirën e popullit”, ne pse të hiqnim dorë nga zanati? Pse të hiqnim dorë nga të mirat tona, dhe nga e keqja ndaj të tjerëve?! Pse të heqnim dorë nga ata rekrutuesit aq të dashur që kurrë s’na braktisën edhe në ditët më të vështira?! Më thoni o miq pse të hiqnim dorë…?! Po në fund të fundit ata na thanë dhe na dolën borxhit, “Edhe nëse është për t’ua dhënë pushtetit të vuajturve, më mirë ua japim (të vuajturve që na shërbyen, se sa të vuajturve që janë betuar e s’na kanë bërë asnjë lloj shërbimi, përkundrazi na janë kundërvënë si qenër!!) Juve që na keni shërbyer, juve ju takon pushteti,  e jo atyre qenve që e vuajtën komunizmin, i bënë burgjet, e humben jetën, po që mosnënshtrimi s’u dha asgjë…”
Dhe e vërteta nji ditë doli në dritë o miq, apo jo?!
Unë për vete, jam me më të Madhin e Letrave, jam që të hapen dosjet, pse të mos hapen, mbas dyqind vjetësh le të hapen, ama të hapen. Burrash e them, se nuk ka asnjë kuptim që spiuni të mos ndëshkohet… O po të varet në litar maskarai, pse e hoqëm këta shejtanër, pushkatimin, pse të hiqej  kur Franca gijotinën e demokracisë ma ka përdorur varda or varda. Ja kun po jua them: do dal xhadeve e do ulëras, do ulëras me të madhe: “Spiunët në satër!” Të gjithë or të gjithë, unë i pari, sepse kam spiunuar edhe xhaxhanë, edhe vëllanë, edhe babanë, bile e futa edhe në burg. Po ai ore qe “armiku i popullit”! Pse të isha unë sa të qe jeta, i biri armikut. Po kam spiunuar dhe plot të tjerë, po ata zagarët e Sigurimit vetëm ca prej tyre u futën në burg, të tjerët vetëm i internuan dhe i demaskuan!!
Ama partia nuk ma nxori asnjëherë namin si spiun. Kësaj i them Parti unë, t’ja ruash gjer në vdekje nderin e tjetrit, këtij i them moral komunisti! Ja para ca ditësh kur po ziente shtypi nga letra e të Madhit të Letrave, u afrova edhe unë të marr vesh ndonjë gjë. Nga kryeartikujt kuptohej se kësaj here qe mprehur keq shpata. S’ka llafe thashë. Drunë or drunë spiunëve, sepse s’po dimë kush është e gruri dhe kush egjra. Spiunët na kanë na kanë mbirë në sy e na kanë zënë bashin e vendit.
Të them të drejtën u tremba ca se fushatë është – thashë, – i mençur është ai që u shpëton fushatave, u kam shpëtuar edhe atëherë, pse të mos u shpëtoja edhe tani. Takova atë kapon e vjetër të kaskets dhe i thashë “kështu kështu po zien kazani. Më duket se kësaj here do i hiqen petët byrekut!” Ai e rrudhosi ca buzët dhe surratin me atë buzëqeshjen e dikurshme, si ahere kur më thoshte rri ti se “Partia i di të gjitha!”, hoqi kasketën, më rrahu nga shpatullat si dikur dhe tha: “Budalla! Akoma s’e ke marrë vesh, kjo është lojë, mor lojë. Kur s’na ecin punët ashtu si duhet, e nuk na vijnë para sa duhet, ne shpikim ndonjë nga ato të zanatit… Ore, po ti tani je edhe i vjetër në këto punë, pse une duhet të mësoj ty!? Nuk duhet të biesh ti në grackën e këtyre gjepurave që shpërndajmë ne vetë… përkundrazi, të takon ty i pari të shkruash e të bërtasësh me të madhe për dosjet, të takon ty i pari të ulërasësh për hapjen e tyre, e të mos lesh gurë pa lëvizur për ndëshkimin e “spiunëve”… Ai e fshehu buzëqeshjen, ma shkeli synë, e ngjeshi kasketën në qeroskë dhe iku.
“Eh more miq, ka njerëz të mençur ky vend. – thashë, – po ka edhe të ardhme… Se i miri dhe maskarai flenë nën një strehë, se krimineli dhe i vrari, hanë në një sofër, dhjesin në një qyp… E hajde gjeje ti, kush është në ket vend spiuni dhe kush viktima e tij…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.