Dordoleci – esse Gabriel Garcia Marques

Gabriel Garsia Marquez (1927)

Gabriel Garsia Marquez (1927)

Dy fjalë rreth këtij përkthimi te Gabriel Garcia Marquez

nga Jozef Radi

Në vitin 2000, Gabriel Garcia Marques, u ballafaque me nji tumor…
dhe për gati pesë vite ai luftoi i paepun mos me iu dorëzue sëmundjes…
Kjo prozë poetike e “Gabo-s” e titullueme Dordoleci,
asht mendue si testamenti i tij shpirtnor,
ndërkohë që ai gjithnji e ma shpesh mendonte vdekjen…!
Prandej ky tekst ka nji fuqi shpirtnore ngritëse…
për cilindo që kalon nji periudhë të vështirë në jetën e vet…
si të thuesh ky shkrim asht nji shteg shpëtimi…
Fakt asht, se mbas 13 vitesh “Gabo” ka vazhdue me shkruejtë edhe tjerë libra…
e sot asht në kufijtë e 87 viteve, dhe e gjithë kjo dëshmon fuqinë e tij të paepun shpirtnore…
Kohët e fundit, Gabo po kalon edhe nji periudhë tjetër të vështirë…
I vëllai ka konfirmue se asht duke vuejtë prej Morbo di Alzhaimer,
ndërsa e shoqja e tij e mohon faktin e të qenit i sëmunë,
vetëm pranon probleme me kujtesën si pasojë e moshës…
Sjelljen e këtij përkthimi e konsideroj si mirnjohje për autorin e “Gjethurinave”,
nji përmbledhje novelash e viteve ’80, e cila na njohu me Realizmin Magjik të Nobelistit
“100 vite vetmi” Gabriel Garcia Marques…
jozef radi, 25 gusht 2013
.
Gabriel Garcia Marquez

Gabriel Garcia Marquez

Dordoleci

esse nga Gabriel Garcia Marques

Sikur Zoti, për nji çast të harronte
se unë s’jam tjetër veç nji dordolec zhelesh
dhe t’më dhuronte veç nji copë jete,
unë me siguri s’do t’ia kallzoja krejt çka mendoj,
pooo, e pa përjashtim do t’i mendoja krejt këto çka po i rrëfej.

Do t’u jepja vlerë krejt gjanave
jo për çka ato vlejnë, po për çka ato nënkuptojnë…

Do të flejsha ma pak, e do të andrrojsha ma shumë,
duke kuptue se çdo minutë që rrijmë symbyllë
humbasim gjashtëdhjetë sekonda drite.

Do të turresha kur shumica ndalen,
dhe do t’qëndroja zgjuet kur shumica flen…

Do të ndigjoja kur shumica flasin,
si me shijue nji akullore të mirë me çokollatë.

Sikur Zoti t’kishte mirsinë me m’falë nji copë jete,
do të vishesha krejt lehtë,
e do të shtrihesha sa gjatë gjanë nën diell,
duke i lanë zbuluet nji pjesë të mirë
të trupit tim… po edhe të shpirtit tim.

O Zoti im, n’se unë do të kisha nji zemër,
do ta shkrueja urrejtjen time mbi akuj
duke pritë mbrritjen e diellit!

E do ta pikturoja nji poemë të t’Bekuemit
nalt mbi yje me nji andërr të van Gogut,
dhe nji kangë të Serratit
do t’ia ofroja hanës si serenatë.

Do t’i vadisja me lotët e mi drandofillet,
me e ndje dhimbjen e gjembave
po edhe puthjen e ndezun prej petaleve të tyne…

Gabriel Garsia Marques - Duke lexuar vetveten

Gabriel Garsia Marques – Duke lexuar vetveten

Oh Zoti im, sikur t’ma falje nji copë jete…

S’do të lija t’më kalonte as dhe nji ditë e vetme
pa ju thanë njerzve që dua se: Ju dashuroj!

Do ta bindja cilëndo grua a burrë,
se janë ata të përzgjedhunit e mi
dhe do të jetoja i dashunuem me dashninë.

Burrat do t’i provoja kur gabojnë
duke mendue se ata duhet t’heqin dorë
prej dashnisë kur plaken, pa e ditë
se ata plaken, veç kur heqin dorë prej dashnisë

Nji fëmije do t’i dhuroja flatra,
ama fluturimin do të dishroja ta mësonte vetë.

Pleqve do t’ua mësoja se vdekja
s’vjen prej pleqnie, po veç kur ata braktisen…

Shumçka kam kuptue prej jush, O Njerëz.

Kam kuptue se krejt bota dëshiron me jetue
n’maje të malit, pa e dijtë se lumtunia e vërtetë
asht në t’vështirën e s’përpjetës.

Kam kuptue se kur nji i posalindun,
mbërthen n’at grushtin e tij të vockël,
për të parën herë gishtin e babës së vet,
e ka futë përjetë atë në kurth.

Kam kuptue se nji njeri ka të drejtë
me e pa nga nalt posht nji tjetër njeri,
po veç kur duhet ta ndihmojë që ai t’çohet në kambë.

Janë të shumta gjanat që kam mbrritë me mësue,
po n’fund të fundit jo gjithçka mundet me m’shërbye
se kur t’i ngjeshi fort krejt gjanat mbrenda ksaj valixhe,
për fat të keq, unë do t’kem dhanë shpirt kaherë…

.

Përktheu: Jozef Radi (26 gusht 2013)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Përkthime  Etiketat: , , , , , , ,
2 Përgjigje
  1. Flamur Shabani Tha:

    Sentenca jetësore të një njeriu që i ka përftuar nga përvoja e gjatë, nga jeta shekullore dhe të përpunuara nga mendja gjeniale e një nobelisti të letrave.
    Mesazhe udhërrëfyese për këdo në çdo moshë e situatë që të gjendet…

  2. Adrina Dine Tha:

    Shumë domethënëse… Ah sikur njeriu të dinte të shijonte gjithcka… sa e ka akoma atë copë jete…

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook