back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Dokumenti: Si e arrestoi Sigurimi Lef Nosin – Mbi debatin për kolaboracionistët nga Auron Tare

Gazeta

 Lef Nosi (1877-1946)
Lef Nosi (1877-1946)

Ndjekja dhe arrestimi i Lef Nosit
dhe loja politike me nji figurë komplekse si ajo e Tij,
do të mbetet nji nga kapitujt ma enigmatikë
për shumë prej atyre që përpiqen ta lexojnë historinë
dhe intrigat politike ndërkombetare përmes thelbit të së padukshmes
dhe të vërtetave të thella që ende janë pjesë e nji pakicë…
Fakti që komunistët që u ndihmuan dukshëm prej anglezëve
dhe satelitëve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore…
dhe lehtësia me të cilën anglezët u larguan
pikërisht prej atyre që i ngjitën në pushtet;
trajtimi i figurës së Lef Nosit, dhe sorollotja e “shpëtimit të tij”,
ndërkohë që komunistët pa krijuar ende nji bazë sigurie
e akuzuan si “agjent i anglezëve”,
mbetet dëshmi e qartë e nji projekti afatlargët
që do të shtrihej gjatë në kohë
e do të ndikonte dukshëm në historinë e shqiptarëve…
Edhe sot, trajtimi i dokumenteve dhe ngjarjeve historike me frymë komuniste…
po edhe interpretimi i personazheve ma të spikatur të krejt historisë shqiptare
edhe prej nji brezi të ri historianësh,
të cilëve siç duket më shumë u intereson stafeta e vazhdimësisë
se sa të vërtetat e historisë së dhimbshme shqiptare…
e cila prodhoi nji negativitet të dukshëm në krejt jetën e këtij vendi…
Ata harrojnë se sot,
për të mbrritur tek të vërtetat historike ka shumë rrugë…
dhe jo vetëm të shkruarat e dokumentet që përdorin historianët e komunizmit…
Sigurisht për kët gjë duhet mjaft kohë dhe përkushtim…
Ata që e deshën dhe u sakrifikuan për këtë vend,
nji ditë do të jenë në Altarin e Kujtesës sonë Kolektive!
Këto dy paraqitje të mëposhtëme të lidhura me figurën e Lef Nosit
e dëshmojnë qartë çka e nënvizova ma sipër…
jozef radi, 9 prill 2016

Dokumenti: Si e arrestoi Sigurimi Lef Nosin

Dokumenti i botuar sot vjen nga arkivi i Sigurimit të Shtetit dhe bën fjalë për zbulimin dhe arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të Regjencës Lef Nosi.
Kapja e Nosit nga Sigurimi ka qenë gjithmonë e rrethuar nga mjegulla duke mos dhënë asnjë detaj mbi dinamikën e ngjarjes dhe personazhet e përfshirë në to.
Nga botimi i këtij dokumenti mund të kuptohet edhe arsyeja e kësaj mjegullnaje, e cila është ngritur për të ruajtur bashkëpunëtorët dhe figurat që morën pjesë në kapjen e regjentit Lef Nosi.
Dokumenti autentik ndodhet në Arkivin e AMPB fondi i SEMP-it. Më poshtë përmbajtja e tij:

“Vëzhgimi bëhej pa ndërprerje gjatë 24 orëve. Ai bëhej jo vetëm për të fiksuar lidhjet e elementeve të dyshimtë por edhe banesat, dyqane, kafene dhe hotele që dyshoheshin se frekuntoheshin nga të huaj dhe të prekur. Verifikimi i lidhjeve të dyshimta maskohej bukur. Vëzhguesit tanë paraqiten si nëpunës të trisketimit të cilët bëjnë “regjistrimin” e banorëve apo si elektricistë që “rregullonin” dritat, si grup “hidraulikësh” përkthyes, shoqërues apo shërbyes.
Kështu u zbulua agjenti i vjetër i zbulimit amerikan profesori Lodz, i cili frekuentonte misionin amerikan dhe nuk ishte identifikuar, si dhe agjentja e vjetër Sara Blloshmi që mbante lidhje me misionarin amerikan Hogdson nën maskën e lidhjeve intime. Në këtë mënyrë u kap edhe agjenti i vjetër i Inteligjence Servisit Lef Nosi, për të cilin armiqtë e partisë u munduan shumë ta arratisnin jashtë shtetit me anë të misionit anglez.
E dhëna e agjentit tonë “Drini” theksonte se Lef Nosi gjendej në Elbasan. SEMP-i i Elbasanit (SEMP është pararendesi i Sigurimit te Shtetit) gjatë kërkimit kishte krijuar dyshime se Nosi mund të fshihej tek një plak, bazë e tij e vjetër (AMPB, fondi i SEMP-it të Tiranës. Raportet e Drinit).
Tek kjo bazë u drejtua informatori XH. N., i cili nga biseda që bëri me plakun mësoi se Lefi gjendej diku i fshehur. Plaku i premtoi XH. N. 40 napolona flori nëse do ta percillte Lefin jashtë shtetit. Më pas megjithëse ja kishte dhënë paret, plaku nuk i tregoi se ku ndodhej Lefi duke u justifikuar se e kishte përcjellë me një tjetër. Në ketë situatë plaku u arrestua ku edhe tregoi se Lefi ishte nisur për t’u dorëzuar në Tiranë tek anglezët.
Ndërkohe një informacion i ardhur theksonte se “Lef Nosin mos e kërkoni se ruhet dhe fshihet nga Esat Ndreu” (fondi i SEMP raporti i Bako Dervishit)
Siç doli nga verifikimi i kësaj informate, Esat Ndreu paskish shkuar në Elbasan si i dërguar i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit pa pasur asnjë dijeni SEMP i Elbasanit dhe ai i krahinës së parë të cilët ishin urdhëruar nga Drejtoria për kapjen e Lef Nosit.
Çështja ju referua Koci Xoxes: “Në formë indirekte thuhet se keni dërguar për kapjen e Lef Nosit në Elbasan, Esat Ndreun. Këtu del se Esati dhe Dali Ndreu kanë gisht. Si të veprojmë?”
Por Koci Xoxe në vend që të merrte masa për verifikim dhe zgjidhjen e kësaj çeshtje të rëndësishme, thirri në drejtori shefin e SEMP të krahinës së parë Bako Dervishin dhe i heq vëmendjen pse kishte raportuar në mënyrë të padrejtë për Dali Ndreun dhe e urdhëroi që të likujdonte të dhënën nga kartoteka si shpifje dhe të vazhdonte kërkimin në rregull.
Në vazhdim të kërkimit u bënë disa veprime nëpërmjet informatorëve dhe miqve të SEMP-it. Nga këto rezultonte se Lefi gjendej në Elbasan dhe se dijeni të saktë kishte një nga bijtë e Cen Elezit, Xhelali.
Deri në këtë kohë Cen Elezi hiqej si patriot. Biri i tij Xhelali megjithëse kishte qenë major i Ballit Kombëtar ishte hedhur në prag të çlirimit në rreshtat partizane dhe tani ishte oficer me gradën toger në një repart të Elbasanit. Për ta shlyer të kaluarën e tij jo të mirë përpiqej të dukej se punonte me vendosmëri për pushtetin popullor, por në bisedat me të afërmit e tij dukej se anonte nga anglezët.
Pavarësisht nga kjo SEMP e tërhoqi në shërbim Xhelalin, duke bërë një punë të madhe edukative për ta bindur se e ardhmja i takonte komunizmit. Në vazhdim të punës me Xhelalin u arrit që ai të hapej para SEMP. Xhelali tregoi se Lefi i kishte thënë se do të ikte jashtë shtetit me anë të misionit anglez në Tiranë. Anglezet do ta shpinin të maskuar me makinë në Greqi. Ai raportonte se Lefi ishte në Elbasan por se ku nuk e cilësonte me pretendimin se nuk e dinte, por më në fund premtoi se do ta sillte në Tiranë në bazën e Z. M. një bazë që ai e njihte mjaft mirë dhe ku do ta priste një misionar anglez për ta nxjerrë pa bujë jashtë vendit.
SEMP-i e kishte të qartë se Xhelali po ndihmonte jo se u bind, por për të shlyer të kaluarën e tij. Kjo u qartësua kur SEMP i kërkoi që ta binte Lefin në shtëpinë e tij pasi Lefi i besonte si mik të vjetër që e kishte. Por Xhelali për sy e faqe kërkoi që ai të mos kapej në shtëpinë e tij. Me këtë rast pa dashje ai nxorri se Lefin do ta sillte në bazën e Z.M nipi i tij, Vasil Nosi, i cili i kishte dhënë edhe maqinën e tij. Ky ishte një variant jo i keq. Në momentin që makina do të ndalonte dhe Lefi do zbriste oficerët e SEMP do ta kapnin. Në këtë mënyrë nuk digjej as baza dhe as Xhelali pasi do të dilte fjala se ai u kap nga pakujdesia e shoferit.
Por pas kësaj Xhelali raportoi se Lefi mund të vinte në bazën Z.M jo me maqinë po me pajton dhe nuk do të futej nga rruga kryesore por nga rrugica e errët. Ai tha se Lefi mund të kishte edhe armë. Dhënia e një raporti të tillë një ditë para se Lefi të vinte në Tiranë nuk u studiua dhe nuk u konkludua, por u morën këto masa: u bë rrethimi i bazës, u vunë prita përqark që nuk dukeshin nga të tjerët.
Në rrugicën e errët qëndroi shoku Siri Çarçani me një shok tjetër, përpara Edip Çuçi dhe Z.M si dhe disa shokë të tjerë. Sapo u duk makina Z.M dha sinjalin dhe shokët u turrën për ta kapur por makina nuk ndaloi, por iku dhe u zhduk. Ky ishte një gabim i rëndë që vinte nga padurimi. Shokët nuk priten që makina të ndalej dhe të fikte dritat por u turrën kuturu. Gabimi më i rëndë ishte se nuk u identifikua targa dhe drejtimi se nga shkoi kjo makinë. Kjo i linte shteg informatorit që të justifikohej për kontributin dhe informatën që dha. Me këtë kamuflonte misterin e raportit që dha në prag të kapjes si dhe lojën e dyfishtë që po bënte.
Pavarësisht nga disfata SEMP mori të gjitha masat: Ngriti postoblloqe duke mos lejuar të dilnin makinat pa bërë kontroll të imët. Edhe Xhelali pavarësisht se qëndronte në bazë informoi se maqina nuk qëndroi, por ajo iku në drejtim të pacaktuar. Operacioni dështoi.
Për këtë gjendje shkoi vete shoku Enver Hoxha në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit ku pasi dëgjoi raportin për ngjarjen tha: “Ky është një minus i punës. Mungesa e durimit ju kushtoi rëndë. Kjo shokë duhet riparuar sa më parë. Lefi dhe kriminelët e tjerë duhen kapur të gjallë!” U dhanë udhëzime se si duhej punuar më mirë.
Pas analizës oficeri i SEMP-it, Siri Çarçani duke dyshuar në të dyja të dhënat e Xhelalit i shkoi në shtëpi gjoja për t’i kërkuar mendim, në fakt të bënte verifikime dhe të shikonte sjelljen e tij. Me këtë ai deshi t’i jepte të kuptonte Xhelalit se SEMP dinte gjithçka të sigurt për Lef Nosin, por donin që ai vetë të tregonte.
Xhelali duke parë se oficeri i SEMP-it i qëndronte serioz se e dinte në fakt ku fshihej Lefi u përgjigj i shqetësuar me gjysëm zëri: “Lefin e kam këtu. Si e latë dhe u turrët të gjithë pas maqinës? Mos kini merak se është brenda dhe do ta kapim të gjallë!”.
Siri Çarçani nuk bëri zë pasi gjoja këtë e dinte veçse i tha i qetë: “Gjithçka është e qartë dhe masat janë marrë me kohë. Vepro me kujdes se ky është fundi i lojës”. Xhelali mezi foli: “Mos kini merak po do ishte më mirë ta kapnin në bazën ku u pata thënë!”.
-Edhe këtu nuk është keq – e ndërpreu Siriu, – asnjeri nuk do ta marrë vesh se ku u kap Lefi.
Siri Çarçani lajmëroi shokët që morën masa të menjëhershme sepse mendohej se Xhelali si dhelpër që ishte mund të bënte gjithçka. Ajo që e përforconte dyshimin ishte veprimi i deritanishëm me dyfaqe i Xhelalit. Kishte rrezik që Xhelali ta dorëzonte Lefin në misionin anglez pavarësisht se misioni që vënë nen vëzhgim të rreptë.
Rreth 20 shokë të SEMP të Tiranës bënë rrethimin e bazës. Siriu trokiti në derë.
-Ej si thua, ne kemi ardhur të gjithë për kapur Lefin – ia preu ai prerë Xhelalit sapo hapi portën.
-Më mirë më vrisni se sa ta kapni këtu – u gjegj Xhelali me zë të dridhur.
Përsëri ju theksua se askush nuk e dinte se ai do të kapej në shtëpinë e tij. Pa humbur kohë e urdhërojnë Xhelalin të shkojë përpara dhe Siri Çarçani më Manolin pas u futën në dhomën ku flinte Lefi.
-Lef, o Lef – i thiri lehtasi Xhelali – ngrehu se ka ardhur (emri i fshirë) të të marrë se e kanë marrë vesh ata të Sigurimit. Duhet të ndërrosh bazë.
Lefi ngrihet i tronditur. Siri Çarçani dhe Manol Milo e kapin nga krahu.
-Ti Vasil je? – pyeti ai, pasi qe errësirë.
-Po mos ki frikë se je në duar të sigurta! – ishte përgjigjia.
Sapo doli në korridor Lefi u përpoq të shpëtonte por ishte vonë.
Kështu u kap krimineli i Luftës Lef Nosi agjent i vjetër i zbulimit anglez i rekrutuar që në vitin 1920, nga kuadri i Inteligjence Servisit, Margaret Hasllek, e cila pati ardhur në Shqipëri në 1919 nën maskën e studiueses së folklorit shqiptar”…
(AMPB, fondi i SEMP-it)

Auron Tare
Auron Tare

Mbi debatin për kolaboracionistët

nga  Auron Tare

Tashmë që panairi i Librit u mbyll dhe nuk ka më debate që shërbejnë për promovime librash mendova të sillja një dëshmi dokumentare të gjendur në Arkivin e Sigurimit të Shtetit mbi figurën e Lef Nosit. Një dëshmi, e cila është në një farë mënyre një epilog i jetës së Nosit.
Lef Nosi një shqiptar eksentrik, i cili njihet përveç të tjerave edhe për kontributin e tij në ruajtjen e vlerave dokumentare përben një rast tejet interesant në debatin e përvitshem (çdo fund nëndori) midis atyre që mbrojne tezën e revizionizmit të figurave të kolaboracionizmit dhe atyre që janë kundër.
Përmendja e figurës se tij si një personazh libri risolli me vrull debate të nxehta duke mjegulluar qartësisht faktin se Lef Nosi apo figura te shquara të politikës dhe historisë shqiptare kanë qenë bashkëpunëtorë të Gjermanisë Hitleriane: si të tillë të dënuar qartësisht nga Europa fituese me damkën e kolaboracionistëve.
Që Lef Nosi apo shokët e tij nacionaliste e donin Shqiperine ndryshe nga pala fituese kjo nuk ka asnjë diskutim. Që Nosi ishte një kontribues i njohur i çeshtjes shqiptare, përsëri kjo nuk ka diskutim. Që Nosi ishte një patriot shqiptar edhe kjo nuk ka diskutim.
Fati i tij dhe i miqve të tij fatkeqesisht u vulos në momentin kur ai vendosi të ishte një bashkëpunëtor i vullnetshëm i Gjermanisë Hitleriane. Arsyet pse e mori këtë vendim mund të kenë qenë mjaft fisnike dhe nacionaliste, por aleati që ai zgjodhi, Gjermania, humbi Luftën dhe për këtë si Nosi si figura të tjera europiane pro-gjermane u cilësuan si Kolaboracionistë.

Para gjyqit - Nosi-Harapi-Bushati Tirane 1946
Para gjyqit – Nosi-Harapi-Bushati Tirane 1946

Nosi ishte pjestar i rëndësishem i Regjencës, një Qeverie e ngritur me miratimin gjerman. Regjenca ashtu si qeveri të tjera në Europën e pushtuar që u ngritën me miratimin gjerman ishte pjesë e bashkëpunimit.
Historiani amerikan Stanley Hoffmann (i cili sapo u nda nga jeta ne Harvard Masachuset) që në vitin 1974, e ka përdorur termin kolaboracionistë për të gjitha ata simpatizantë të Nazizmit, të cilët për arsye ideologjike kërkonin bashkëpunim me Gjermaninë hitleriane: “Kolaboracioni është një bashkëpunim ndërmjet elementeve të popullsise së pushtuar dhe përfaqesuesve të fuqisë pushtuese” (Stanley Hoffman)
Profesori i famshem shkruan se kolaboracionizmi mund të kategorizohet në dy nëngrupe: Servilë dhe Ideologjikë. E para “si një shërbim i qëllimshëm dhe e dyta si një mbështetje e qëllimshme e bashkëpunimit me një forcë të huaj, e cila shikohet si mbështetëse e një objektivi, e cila sjell një transformim të brendshëm”.
Mbeshtetesit e tezës së revizionimit të kolaboracionistëve shqiptarë sjellin tezën se shumë bashkëpunëtorë të Gjermanisë hitleriane kanë sjellë si argument, bashkimin me Kosovën dhe Çamërinë nën ombrellën gjermane. Nën këtë vështrim është një fakt historik krijimi i Divizionit Malor SS Skenderbeg ne Prill te 1943, me miratimin e Himlerit. Megjithëse ky Divizion malor nuk kishte një jetë të gjatë dhe nuk pa aksion në beteja në mbrojtje të kauzës hitleriane nuk mund të mos merret në konsideratë fakti se krijuesit e tij ishin mbështetës ideologjikë të Gjermanisë.
Po kështu roli i forcave ushtarake qeveritare kundër partizanëve të cilët tashmë ishin një forcë luftuese e njohur nga aleatët anti-hitleriane nuk mund të injorohet. Të gjitha këto veprime kishin mbështetjen politike të figurave që u rreshtuan në krahun Gjerman pjesë e Regjencës. Si nga dokumentacioni i Misioneve Agleze si dhe dokumentacioni i forcave gjermane del qarte tablloja e situatës në Shqipërinë e asaj kohe. Forcat pro aleate kishin si objektiv luftën kundër gjermanëve ndërsa gjermanët në terren mbështeteshin nga forca shqiptare të cilat ishin pjesë e qeverisë kolaboracionistë apo forca politike pro gjermane.
Mbështetesit e temës se Shqipëria u përfshi në Luftë Civile injorojnë faktin se gjatë Luftës së Dyte Botërore palët ndërluftuese ishin qartësisht të ndarë. Pro Aleatëve dhe pro Gjermanisë naziste.
Trajtimi i figurave politike me kontribut ne historinë e Shqipërisë, por që u rreshtuan në krahun gjerman nuk mund të diskutohet jashtë kontekstit europian. Si shembull mund të marrim Francën një prej vendeve që tradicionalisht kane ndriçuar Europën dhe më gjerë me shembullin e saj.
Pas çlirimit Franca u përfshi nga një valë e ekzekutimit të personave që cilësoheshin si kolaboracionistë. Janë të famshme fotot apo filmimet ku në bulevardet e Parisit grave që kishin pasur marrdhënie me oficerë gjermanë ju qethej koka si shenjë e turpit për qëndrimin e tyre gjatë okupacionit. Të gjithë ata tregtarë që kishin përfituar nga tregu i zi gjatë luftës u cilësuan si “ profiteurs de guerre” dhe njiheshin me emrin “BOF” (Gjalpë, Vezë dhe Djathë) pasi kishin shitur keto prodhime me çmime katastrofike për popullsinë e gjerë.
Megjithatë vala e zemërimit popullor u kontrollua nga Qeveria Provizore e Republikës Franceze e cila stabilizoi rregullin dhe solli kolaboracionalistët përpara gjyqit. Megjithatë duhet përmenduar fakti se një numër zyrtarësh të ulet të Qeverisë pro Gjermanë të Vichis përfituan amisti nga Qeveria Franceze.

Lef Nosi para gjyqit komunist
Lef Nosi para gjyqit komunist

Historianët e fushës kanë përcaktuar tre faza të marrdhenieve me Kolaboracionalistët post okupacionit:
Faza e parë: zemërimi popullor (épuration sauvage), ekzekutimi pa gjyq si dhe qethja e flokëve në mënyrë publike e grave franceze. Sipas përllogaritjes zyrtare të Prefekteve të Policisë depozituar në 1948, 6.000 persona janë egzekutuar gjate çlirimit dhe 4.000 direkt pas çlirimit.
Faza e dyte: (épuration légale), fillon me Urdhërin e Parë të De Golit në 26 Qershor 1944 që krijonte Komisionin Legal të Gjykimit të Kolaboratorëve, i cili dënoi rreth 120.000 përfshirë1.500 emra të njohur, me vdekje.
Periudha e tretë: një periudhë më tolerante ndaj kolaboracionistëve ku përfshihet gjyqi ndaj Mareshallit Peten, i cili u dënua me vdekje por egzekutimi u transferua në dënim të përjetshëm me urdhër të De Golit. Apo dënimi i shkrimtarit Louis-Ferdinand Céline.
Ende sot në Francen Republikane dhe liberale ka debate mbi rolin e kolaboracionistëve në shërbim të gjermanëve. Por duhet theksuar se zyrtarisht Franca e konsideron Qeverine e Vichi-së një qeveri ilegale e themeluar nga tradhtarë nën influencën e huaj.
Ky përshkrim i shpejtë i marrëdhënies së Francës me kolaboracionistët e saj tregon qartë se Europa fituese nuk është treguar dashamirëse me ta. Sigurisht që historia nuk është bardh e zi dhe nuk mund të trajtohet si e tillë. Por megjithë ngjyrimet e saj ka një vije të qartë midis palëve që dolën fituese dhe atyre që humbën Luftën.
Askush nuk mund të revizionojë rolin e kolaboracionistëve në shërbimin e një ideologjie e cila humbi Luftën. Prandaj në mendimin tim debate mbi Lef Nosin dhe figura te tjera si ai duhen bërë në kontekstin shqiptar mbi kontributin në çeshtje të caktuara të historisë shqiptare, por qartësisht duke lënë mënjanë përfshirjen e tyre në një kauzë humbëse, e cila për veç të tjerash mund të kishte sjellë shpërbërjen e Shqipërise në favor të fqinjëve tanë.
Marre nga Gazeta Tema

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.