back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Doktoreshë Lona: e harruara, e paharrueshme! – nga Edmond Hasani

Gazeta

Qemoran Toptani (1912-1981)
Qemoran Toptani (1912-1981)

Doktoreshë Lona: e harruara, e paharrueshme!

nga Edmond Hasani

Duke pasur një dëshirë dhe ndjerë një detyrë morale për të shkruar diçka për kirurgen e parë shqiptare, Lona Toptani, kolege dhe mikeshë e nënës sime, në maternitetin e Peshkopisë në vitet ‘50 si dhe duke e vlerësuar si simbol profesionalizmi, përkushtimi, humanizmi e qytetarie jo vetëm për dibranët, po për çdo shqiptar, vendosa që t’i shkruaj pak rreshta në mirënjohje për Doktoreshën e famshme Lonën, që emrin e vërtetë e kishte Qemuran Toptani… 
Ajo lindi në vitin 1912, në familjen e njohur fisnike të Fuad Toptanit, dy herë kryetar bashkie i Tiranës, personalitet me kontribute të rëndësishme politike e atdhetare! 
Mbasi mbaroi shkollën fillore në Tiranë dhe të mesmen në Vjenë, ku historikisht Toptanët ishin shkolluar e kishin jetuar përgjat më shumë se 100 vitesh. Studimet për mjekësi Qemuran i vazhdoi në Vjenë dhe i mbaroi në Romë e më pas punoi si kirurge në Tiranë duke asistuar mjekët e njohur si: italianin profesor Loci dhe të famshmin kirurg Frederik Shiroka, përvoja e të cilëve zbukuroi anën profesionale të saj! 

Në të majtë: Shtëpia ku u strehuan Toptanët për disa kohë në Peshkopinë e vjetër
Në të majtë: Shtëpia ku u strehuan Toptanët për disa kohë në Peshkopinë e vjetër

Pas Luftës së Dytë Botërore, me 1949, Lona dërgohet të shërbejë në Peshkopi sëbashku me të vëllanë Man Toptani po edhe Toptanë të tjerë sigurisht për arsye politike, por të kamufluara me arsyet e zhvillimit mjekësor edhe në provinca! 
Në qytetin e Peshkopisë, Lona Toptani gjeti një spital të varfër dhe ku mjekë të shquar iknin e vinin sipas politikës së kohës! Eshtë meritë e saj që e modernizoi dhe futi disiplinën perëndimore në spital e maternitet! E papërtuar, natë e ditë mbi kokën e të sëmurëve, shpirti i saj human hyri jo vetëm në çdo derë dibrane po edhe në çdo zemër!
E dashur, e ëmbël, fisnike… ajo u bë dhe për nënën time, (kolege e saj), një nënë e dytë, një profesore gjinekologjie që e dhuronte zanatin me dashu
Dhoma e saj e fjetjes, një dhomë modeste, ishte një qendër të qytetit e ku mblidheshin mjekë me emër jabanxhinj po edhe ndonjë vendas, e ku flitej natyrisht nën zë për muzikë, filma, letërsi… e ku kërcehej nën muzikën e një gramafoni të vjetër! Në dhomë kishte shumë libra mjekesorë, libra filozofie, libra nga letërsia botërore, botime të viteve ‘30, ‘40! 
Lona Toptani ishte lexuese e Shopenhauer, Niçe, Dikens, Gëte, Hajne, Shekspir, Balzak, etj, ajo ishte organizatore e të parave shetitje ose piknike të intelektualëve dibranë në rrethinat e qytetit! Mbante një aparat të vogël me vete dhe unë si kujtim kam tri foto, një të çasteve të fundit të motrës time Elda, dhe një foto të nënës sime te dera e maternitetit të vjetër në Dublec si dhe një foto kolektive! Nuk duhet harruar, që ta them se Lona Toptani shihej me sy të keq nga diktatura, por njohja personale e Toptanëve të Peshkopisë me Jashar Menzelxhiun, sekretar i parë i Dibrës, ndikoi që ato vite të internimit, t’i kalonin qetësish! Karakteri i saj i hekurt shkonte në harmoni të plotë me dhemshurinë e shpirtit të saj human, e kur ndodhte që i sillnin të mira materiale familjarët e pacientëve, ajo i shpërndante ato ndër të sëmurë! 

Spitali i vjetër ku punoi Lona - foto e vitit 1955
Spitali i vjetër ku punoi Lona – foto e vitit 1955

Në verën e 1954, një incident ndodhi në pazar dhe mbas një zënke të çastit plagosen një polic dhe një fshatar! Për arsye se salla e operacionit ishte veç një, dy të plagosurit i shtrinë pranë njeri-tjetrit! 
Kryetari i Degës së Brendshme, i famshmi Banush Goxhaj, me dy policë me armë në dorë deshën të asistojnë aty kur Doktoreshë Lona t’i operonte!! “Dilni urgjent jashtë, ju thoshte!” 
Banush Goxhaj i thotë se: “Nuk mund të marr urdhër nga një Toptan…” dhe Lona pa ju trembur syri heq bluzën e bardhë dhe i drejtohet atij: “Urdhëro operoi ti!!” 
Lona me sa di unë, u sëmur rëndë mbas një ftohjeje dhe rastisi të shtrohet në sanatorium bashkë me nënën time dhe di që ju nxorrën ujë nga shpatulla e jo operacion në zemër siç lexova diku! Operacioni i parë në zemër në Shqipëri u bë me 4 korrik 1970, nga kardiologu i shquar Petrit Gaçe! Ishte gjendja e saj e rënduar shëndetsore që lejoi të transferohet në Tiranë, ku ajo vazhdoi të shkëlqejë si kirurge po edhe si Njeri! 
Qeroman Toptani iku në qiell në vitin 1981, duke marrë me vete mijra bekime për çka ajo ju fali njerëzve! Unë dhe motra ime e ndjerë patëm fatin të dilnim në dritë prej duarve të saja! 
Interesant është fakti se ajo donte t’ia vinim emrin motrës sime Brigitte, në kujtim të aktores së saj të preferuar të viteve ‘30-’40, gjermanes Brigitte Helm, po për arsye se ky emër ndalohej në ato kohra, motra u quajt Elda! 
Më 1981, isha në magazinën e spitalit për ca materiale dhe në një qosh të errët dallova një radio Sonra! Kur e pyes magazinierin më thotë, nuk e di por asaj i thonë radio e Doktoreshës! Desha ta marr fshehurazi radion e prishur dhe magazinieri ma premtoi, por pas një muaji ai ndrroi jetë dhe magazinieri i ri s’ishte ndihmues për të tilla gjëra! 
Nëna ime thoshte gjithmonë, karakteri im është rezultat i dy grave, i mamasë dhe i Lona Toptanit, ndërsa doktori i shquar dibran Ahmet Alliu thoshte, gruaja më e famëshme e mjeksisë shqiptare quhet: Lona Toptani!

Përtej shkrimit

Në 87 vjetorin e Spitalit të Peshkopisë, si anëtar i komisionit të festës, Meqënëse kisha arkivin në dorë, bëra listën e gjithë mjekëve të viteve ‘40, ‘50, ‘60 e në vazhdim, për të mundësuar edhe dekorimin e disa prej tyre për t’i dekoruar. Por… Ministria nuk i dekoroi mjekët e vjetër… Kështu Lona Toptani s’u dekorua kurrë… për arsye, pa arsye shtetërore!

Foto nga Lona

Tre kolege të Lonës: Fatbardha Hasani, nëna ime dmth majtas, Nora Palushi dhe Diana Trepça. Materniteti i vjetër - 1956
Tre kolege të Lonës: Fatbardha Hasani, nëna ime dmth majtas, Nora Palushi dhe Diana Trepça. Materniteti i vjetër – 1956
Nëna ime dhe mamaja me Eldën e vogël në çastet e fundit.
Nëna ime dhe mamaja me Eldën e vogël në çastet e fundit.
Nëna ime, Fatbardha Hasani...
Nëna ime, Fatbardha Hasani…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.