back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dje plus sot baras nesër… nga rrëfimet e Bedra Kabës

Gazeta

Bedra Kaba 2014
Bedra Kaba 2014

Dje plus sot baras nesër…

nga përdita e rrëfimeve të Bedra Kabës

24 maj, 2014
Ndoshta do t’ju duket çudi, por unë s’e kam festuar asnjëherë ditlindjen kur jetoja në Savër. Edhe në familjen që krijova në Berat kurrë nuk e festova…
Vetëm ditën e martesës e festoja në heshtje vetë pa i thënë askujt… Atë ditë do të bleja diçka të ëmbël ose do gatuaja vetë ndonjë ëmbëlsirë, sepse atë ditë e quaja si ditën e fitimit të lirisë sime.
Në Berat i festonin shumë ditëlindjet dhe dy shoqet e mia më pyesnin shpesh: “Kur e ke ditlindjen ti Bedra…” dhe unë u thoja me 22 prill. Dhe ato, për disa vite vetëm kur i shihja te dera e shtëpisë dhe pasi rrinim bashkë ato më uronin “Gëzuar ditëlindjen!”
Sikur më fshihej nga mendja ajo ditë dhe vitet kalonin e dita e lindjes ime sikur shtyhesh në harresë…
Para nja dy-tre vitesh vajza e sheh pashaportën timë dhe e shqetësuar më thotë. “O ma… po ti s’e paske ditëlindjen me 22 prill, po me 22 maj!!” “Mirë – i thashë – se paskam parë me vëmendje pashaportën, por nëna ime më thoshte gjithmonë se ke lindur në shëngjergj e ajo festë bie në prill, ndaj unë gjithmonë mbajt mend këtë datë…”
Asnjëherë nëna ime s’na i festoj ditëlindjet se atëherë çdo gjë ishte me racion. Vonë vonë ajo na tregoi se me datë një gusht, na bënte ëmbëlsirë gjithmonë dhe na tha se ajo ishte ditëlindja e vëllait, dhe nuk na e kish thënë, pse s’donte të mendonim se po na diferenconte.
Por kjo dita e kësaj rradhe ishte tjetër, dhe erdhi tepër e ngrohtë dhe embëlsisht në shpirtin tim duke sjellë diçka të munguar në vite.
Shumë miq që më uronin me shpirt këtu në fb dhe mesazhit që i lexoja me një frymë. Ishin të thjeshta e diku-diku kishte edhe fjalë të veçanta që thuheshin nga zemra, disa edhe më mbetën në mendje, si nëna që krahasohej me diamantin, një tjetër që më fliste për yjet, lulet, një tjetër që më quante të pandreqshme, një tjetër mik që më uroj duke më quajtur Savrake, Oh sa bukur më tingëlloi kjo fjalë… apo dikush tjetër: e bekuar!
Dhe unë juë them me gjithë shpirt zoti ju bekoftë të gjithëve ju miqtë e mi, që më festuat me urimet tuaja ditën e lindjes sime dhe supriza: ardhja e mbesës sime dhe e dy shoqeve që kam këtu në Tiranë…

Bedra me fëmijët...
Bedra me fëmijët…

8 qershor 2014
E ndodhur pothuaj në një vend të huaj dhe jo shumë e dëshiruar, megjithse mbas shumë vitesh tepër e respektuar. Atëhere bota dhe drita ime ishin vetëm fëmijët e mi… Vitet ’89 e ’91, kur më lindën ata, ishin vite të vështira tranzicioni. Duhej të veja në punë e t’i lija vetëm dhe duke lënë dhe shpirtin tënd mbrapa, nga ankthi se atëhere edhe rrëmbenin fëmijë. E unë mbrëmjeve, ku shpesh shuheshin edhe dritat unë mblidhesha në krevat me fëmijët dhe u pata sajuar një përrallë me emrat e tyre. E ata thonin: “Ma… na trego pak atë përrallën me Ismën dhe Albertin. Përrallën unë e kisha ndërtuar në mënyrë të tillë që ata po të humbnin shtëpinë do ta gjenin mbasi unë ja përsërisja shpesh se ku ndodhej shtëpia e tyre dhe ke kishin komshi afër. E sot që ata janë rritur dhe po mundohen të çajnë rrugët e kësaj jete, po mbetet realitet përrallë i jetës sime…

Bedra & Vera
Bedra & Vera

5 korrik 2014
Ishte një mbrëmje pothuaj dimri, mos gaboj ishte nëndor. Mbasi mbaronim mjeljen e lopëve ashtu rrotullimthi nxirrnim bidonat me qumësht dhe në këtë kohë vinte edhe autoboti. Unë bashkë me një shoqen time hipnim lart dhe dy- tre veta poshtë na i jepnin bidonat të cilat ne i derdhnim në autobot. Duke marrë bidonat njëri pas tjetrit në një moment më shkojnë sytë te kanali i madh ku dritat e makinës binin në të dhe shoh se diçka po lëvizte në ato ujra të ftohta të kanalit. I them shoqes time se diçka lëviz në kanal, pastaj vete lajmëroj brigadierin për këtë dhe vetë futem në stallë për të bërë punët e fundit dhe të bëhem gati për t’u kthyer në shtëpi. Në darkë ne mblidheshim të gjithë në zyrën e brigadierit dhe jepnim kilet e qumështit që kishim marrë, ose bëhej ndonjë mbledhje dhe iknim secila drejt shtëpisë mbas një ditë tepër të lodhshme.
Edhe atë natë gratë hynin e dilnin vetëm po jepnin qumështin kur unë futen në zyrë. Brigadieri më thotë: Po kush do ta marrë këtë plakë se asnjera s’po e merr… Po kjo i them nga doli?! “Bedra, – më thotë ai, ajo që lëviste në kanal ishte kjo plaka, thotë jam nga Sopëza dhe shkoj te nipi në Qerret, po s’po e merr asnjë këtë grua në shtëpi dhe të gjitha ikën!”
Në atë kohë kishim mbetur unë dhe një grua komuniste, të fundit. Ajo s’fliste dhe rrinte ashtu në heshtje. Pa u menduar fare i them: “Mirë se po e marr unë! Me të vërtetë e ke më thotë ai… Po mor – i thashë… Hajde nëne. E marr nënën dhe shkoj me të në shtëpi. Savrën e kishte pushtuar një terr i thellë mbasi at natë nuk kishte drita. Kur hy te barakat e mija, shoh se edhe atje drita s’kish. Babai kish ndezur llambën e vajgurit dhe rrinte atje në minderin prej kashte vetëm nën hijen e llambës. Unë me një gëzim të paparë i bije derës dhe i thërras: “O Li, se kështu i thërisja babit tim, a do miq?! Dëgjohet zëri i tij: “Po hajde bujrëm, po nga na i solle këta miq natën pa drita, mbasi ora tashmë ishte tetë e darkës. E fus nënën brenda dhe babai habitet nga e kisha gjetë atë të shkretë. I tregoj se kishte rënë në kanal të madh te stallat dritat e makinës më bënë të shoh diçka që lëvizte dhe kishte qenë kjo nëna. Mamaja s’ishte aty kishte shkuar te vëllai, që e kish shtëpinë ngjitur, dhe kur vjen ajo habitet. Merr i ndrron fustanin se e kishte ujë, ia lan dhe ia than në sobën me dru dhe mbasi i dha darkë e shtroi të flerë. Ndërsa unë aq e pata prurë në shtëpi, me të u mor nëna ime!!
Të nesërmen në tre gjysëm unë shkova prap në punë dhe kthehem aty nga ora shtatë. Kur erdha e gjej vetëm babanë, e mbas pak vjen edhe nëna. Ajo më thotë se e përcolla at gruan e çova deri te rruga e gurit i tregova nga të shkonte e ta gjente fshatin. Unë thotë nëna u ktheva në rrugën time dhe atë e lashë në rrugën e saj. Mbasi s’kisha ecur as njëqind hapa rrugë kthej kokën për ta parë se sa kishte ecur edhe ajo, po për çudi në rrugë s’kishte asnjë grua. Ndenjta ashtu e hutuar duke vështruar gjithandej, por rruga ishte bosh fare asnjë gjurmë njeriu nuk dukesh. S’e d moj bijë…
S’kaluan shumë kohë dhe unë u fejova. Në atë kohë shumë vetë u çuditën për fejesën time. Isha 28 vjeçe në interrnim… Ajo gruaja komuniste, kur e mori vesh ndodhinë, i thotë nënës time: Dëgjo  oj V… Uratat e asaj gruas që s’e mori asnjëri në shtëpi atë natë i kanë hapur fatin vajzës tënde…

7 korrik, 2014
Në të humba dashuri,
asnjëherë s’të pata gjetur,
brënda ëndrrës mbete ti,
ëndërr në mes mjegulle mbetur…

9 korrik, 2014
Ecën koha… s’është më si atëherë kur njerzit numroheshin me gisht ata që kishin vlerë, e ca të tjerë që s’mund të ecnin për biografinë e mjerë… Ajo kohë na përplasi sa në një derë në një tjetër… Më qe ngulur në mendje një fjalë e vajzës: “Atëhere ty mam të la biografia, e mua me duket se do më lerë paraja e mjerë!” Por falë Zotit, ajo e mbaroi shkollën, por asgjë nuk ndryshoi në jetën e saj, sepse me diploma ka shumë, dhe po s’pate një mik je i humbur si unë.

14 korrik, 2014
Njerëz të pashpirt të rrethojnë përditë, të mbysin e të helmojnë me idjotsitë dhe prapaskenat e tyre të frikshme… Dhe ti mundohesh t’i sfidosh, ndonjëherë, apo shpesh edhe t’i sqarosh, t’i bindesh në drejtësinë e veprimeve të tua, por eh, është e kotë, e kotë, është bota përreth, ajo që vetëm do të gllabrojë me ligësinë e saj. Duke mos të lënë asnjë shteg kalimi, ndoshta shumë herë,  mbetesh në atë dilemën e paqartësisë… Bedra.

15 korrik, 2014
Të gabosh do të thotë, se ti e provove shijen e hidhur të gabimit tënd. Por rëndësi ka sa peshe la ai gabim në shpirtin tënd. E gjithë bota ecën në gabim, por askush s’e korigjon veten e tij… e ti, pse duhet ta mundosh shpirtin tënd për diçka që e gjithë bota e ka…?

Bedra... aksion në Pogradec
Bedra… aksion në Pogradec

21 korrik, 2014
S’ka shumë që erdha nga Pogradeci, ku isha e ftuar nga mikja ime shumë e dashur dhe e veçantë Valbona. Një grua e rrallë që ka mbi pesë vjet që e kam njohur këtu në fb, grua me zemër dhe me shpirt të veçantë që më inkurajoi dhe më dha forcën e besimin, se unë mund të shkruaja, e të shkruaja, dhe se ato shkrime njerëzit do t’i lexonin e do t’i vlerësonin dhe kështu ajo më ndenjti githmonë afër, edhe me komentet apo vlerësimet e saj. E tani një surprizë tjetër tepër e bukur prej saj: Ftesa për të shkuar te ajo, dhe te familja e saj!
U nisa drejt Pogradecit, qytetit që vetëm një herë e kisha shkelur në jetën time, në vitin e tretë të gjimnazit në aksionin hekurudhor Prenjas-Gurikuq. Duke udhëtuar m’u kujtuan ato vite që ikën dhe s’kthehen më. Por në shpirt më kishin lënë atë ngrohtësinë e një miqësie tepër të bukur shkollore…
Mbrrij në Pogradec, aty ku mikja ime me priti me gaz dhe me një mirësi që i lexohej në sy. Me la shumë mbresa në zemër ngrohtësia dhe mikpritja e saj, prezantimi me miqtë dhe të afërmit. Shetitjet buzë liqenit në atë rrugë fantastike plot njerëz dhe gjallëri. Vajtjëm me miken e saj, Linditën në Tushemisht në fshatin tepër të veçantë ku na doli Ollga… tashmë e  derdhur në brox… pashë njerëz që afroheshin e shihnin dhe bënin foto me të.
Faleminderit mikja ime Valbona, që më bërë të përjetoj dy ditë të mrekullushme sa një jetë… Zoti qoftë me ty në çdo hap të jetës për mirësinë, butësinë, dashurinë dhe mikpritjen me të cilën më rrethove, më prite dhe më përcolle duke lënë një shije të ëmbël  e të rrallë ngohtësie në shpirtin tim…

James Bakker - 21 korrik 1991
James Bakker – 21 korrik 1991

21 korrik, 2014
Sa me emocion e përshkruante një mikja ime studente e atyre viteve kët ngjarje. Ajo më thoshte se “…emocionet që kemi provuar atë ditë nuk mund t’i përshkruaj askush, veçse ne që e jetuam atë ditë historike për Shqipërinë. Për ne njerëzit e thjeshtë e të persekutuar të atyre viteve ankthi, shpresa dhe besimi për një ndryshim ishte një ëndërr, që kishte jetuar me vite në mendjen dhe në shpirtin tonë. Po na dukej sikur Zoti po hapte ngadalë portat e së ardhmes dhe ne po ashtu ecnim me besim në të ardhmen… por që një e ardhme që po zgjat sa një përjetësi…

22 korrik, 2014
Sa të vegjël më duken disa kur kujtojnë se çdo gjë mund të blihet me para… Po ecni o njerëz me këmbë në tokë, se karakterin dhe vlerat e çdo njeriu s’mund t’i ndryshoni dot… me Paratë tuaja.

 

22 korrik, 2014
Ka njerëz që vërtet të mërzisin… ndonjëherë oh sa të mërzisin sa nuk di ç’të bësh me ta, por ka edhe njerëz që me një veprim fare të vogël,  duan ta pastrojnë nga fytyra dhe nga shpirti brengën dhe vuajtjen e shumë viteve…
I tillë është Maksi, i cili ma dhuroj këtë foto të viteve të shkuara, thjesht duke e pastruar pak,  dhe bërë pak më mirë…
Megjithëse s’te njoh o Maks, por të njoh atë shpirtin që më shfaq këtu si shok në fb.
Faleminderit Maks…

Acropoli - Athine
Acropoli – Athine

23 korrik, 2014
Duke dëgjuar një këngë greke seç ndjeva mallë për atë vend që e shkela ca kohë më parë. Çuditërisht po udhëtoja me mend në atë lagje ku ndenja për gati 15 ditë. Rrugët tek shetisnim me metro, për të shkuar diku… një ditë tjetër vizituam Akropolin, e ndërsa ngjitesha atje të shfaqej përpara e nga të gjitha anët krejt Athina, e pafundme… dhe unë s’ngopesha duke e parë atë Parajsë që rrinte aty para syve të mi…
Një ditë tjetër udhtuam me metro për të shkuar diku brenda Athinës, nën tokë o zot ç’mrekulli ishte. Dukej sikur çdo gjë shkonte në rrjedhën e saj pa u trazuar. Ecja rrugës në boulevard dhe anës saj kishte pemë ulllinjsh portokallesh e deri mëna… një ditë kemi ngrënë edhe mëna të kuq…!!
Një ditë tjetër dolëm buzë detit duke shijuar atë pamje fantastike që shpalosej para syve të mi… Dhe ditët iknin… gati përditë dilnim ndofta shoqja ime që më kish ftuar u sforcua pak ato ditë, sepse sot jeta është e tillë… por unë të them të drejtën ato dy javë u ndjeva mjaft mirë… dhe mu duk sikur po jetonim si dikur ashtu mjaft afër njëra tjetrës, veçse jo më në ato barakat e famshme të vuajtjeve tona, por në kryeqytetin helen që ndoshta e kishim ëndërruar dikur në ato filmat e famshëm që kishim parë.
Nesër do ikim diku tjetër Bedra, në një manastir, gati dy ore rruge larg dhe unë shihja gjithçka që më shfaqesh para meje. Manastiri qe i vendosur nq njq fillim kodre me ullinj… Një pamje fantastike. Futem brenda dhe shoh gra të veshura kallogre që merreshin me pastrimin dhe rregullimin… diku tjetër u ndalëm dhe morëm pak vaj ulliri… pastaj në një vend tjetër pashë një arkivol dhe brenda tij ndodhej një njeri i shenjtë. Dhe shoqja më shpjegonte historinë e atij njeriu të shenjtë qi ishte i patrazuar në arkivol. Diku brenda Manastirit ndaluam te një dyqan që shiste gjëra artistike, dhe blemë një gotë ku tregohej Manastiri dhe një byzylyk me një kryq. Shoqja ime kthehet dhe më sheh me habi, po byzylykun me kryq pse e bleve? Do ta vendosësh në dore… po ti je edhe myslimane?! Po – i thashë – do ta vendos dhe do ta mbaj. Për mua Zoti është një, ai që e ka krijuar Gjithësinë. Emrat që mund t’i vene fetë që krijojnë njerzit për mua pak rëndësi kanë!!!
Dalim prej aty me një lehtësi në shpirt dhe duke disktuar për ngjarjen tepër të rrallë të këtij Shenjti dhe atij Manastiri. Edhe disa ditë në Athinë dhe pastaj shkuam në Patra, te motra tjetër, e cila jetonte me nënën dhe fëmijët e saj. Ecnim drejt Patrës dhe gjithë kohës shihja peizashin që hapej para syve të mi. Mbas 23 viteve do të takoja nënën e shoqeve të mia. Ishim rritur bashkë dhe ndjeja mall për atë grua fisnike që me aq mund e dinjitet diti ta përballojë jetën në ato baraka internimi. Duke i rritur me sakrifica e vetme tre femijët e saj, mbasi burri më tepër përfundonte burgjeve të komunizmit…
Mbas dy orësh udhëtim ishim në Patra dhe në shtëpinë e sajë. Një shtëpi e madhe e bollshme plot drite, nga ku dukej deti… Dhe duke takuar nënën e shoqeve të mia, m’u duk sikur po përqafoja nënën time, dhe lotët më pikonin vetvetiu nga sytë. Mall… oh sa mallë… tek përqafoheshim e qanim të dyja… m’u duk sikur vitet u kthyen mbrapsht. U ulëm dhe m’u duk vetja sikur isha po atje në Savër, dhe e ndjeja praninë e atij vendi që na bashkoi në të keq e në të mirë, e që ndamë çdo ditë vuajtjet e shumta po edhe gëzimet tona të pakta.
Ai moment takimi me nënën e shoqeve dhe mund të them edhe motrave të mia ishte tepër prekës dhe magjik për t’u besuar mbas asaj ndarje prej aq shumë vitesh. Ajo më pyeste për të gjithë si janë, ku janë, si u ka shkuar jeta… më pyeste për njerzit e mi, për fëmijët e xhaxhait, për farefisin tim. Se njiheshim aq mirë me njëri tjetrin… Kishim jetuar një jetë bashkë… mbase më të dhimshmen, por edhe më të bukërën për harmoninë dhe dashurinë që i kishim falur njëri tjetrit…. sepse në vuajtje shihet vlera e vërtetë e njeriut…
Udhëtimit tim tashmë i kish ardhur fundi, por ndjehesha shumë e lumtur që takova dhe jetova me ata njerëz dhe me atë familje të mrekullushme.
është shumë i bukur takimi me njerëzit që të duan dhe i do me shpirt… ngelen gjithmonë ato kujtimet e pashlyeshme, prandaj ndarja bëhet tepër e hidhur. Po jeta kështu është diku të gëzon e diku të prek e të hidhëron.
Ndahem me të gjithë miqtë e mi me mall dhe ju  uroj të gjitha të mirat e kësaj bote… kësaj nëne të mrekullushme dhe fëmijeve të saj që më dhanë mundësinë t’i shoh si ka ndryshuar jeta e tyre dhe të përjetoj çaste mjaft të bukura nostalgjie dhe malli.
Nga autobuzi i shoh dhe njëherë të gjithë për t’i fiksuar në kujtesën time këta njerëz dhe këtë vend dhe s’e di pata shumëë mallë dhe shkrova për këtë udhëtim ndërsa tingujt e një kënge greke vazhdojnë të jehojnë në veshët e mi…

Gjithnji mike të afërta...
Gjithnji mike të afërta…

25 korrik 2014
Duke ardhur vërdallë me punët e mëngjezit… më bie zilja e derës, dhe me vete them: kush mund të jetë në kët orë…. dhe shoh komshijen time, që ishte përballë meje për ca muaj, po që ngelëm mike, megjithëse tashti është ca largë meje…
U përshëndetëm dhe më thotë… “E di pse erdha Bedra…? – Jo më thuaj – i thashë, Do shkoj të kërkoj një punë te Kmy, por s’dua të shkoj vetëm, a mundesh të më shoqërosh…? Epo mirë, – i them – ja sa të vishem dhe dalim! Ata janë nga Skrapari, ishin në emigrim në Greqi dhe kanë një vit që kanë ardhur në Tiranë, mbasi atje punë nuk kishte më. Edhe në Skrapar ndenjtën ca muaj, por atje është një qytet i vdekur midis ca malesh të braktisura pa ndonjë prespektivë…
Po bëjnë vitin në Tiranë me shpresën e një punësimi që të ushqehen… Dola së bashku me të dhe u nisëm për te zyrat e Kmy-së ku e kishte rekomanduar një mik i saj. Ngjitemi lart te zyrat dhe ndalojmë pak para një dere… “Mund të futeni këtu…! na thotë dikush dhe ne të dyja futemi në një sallë ku përballë ishte një zyrë gjithë xhama dhe ku shihej punëdhënsi me një vajzë që po bisedonin. Ai na sheh dhe na pyet se çfarë kërkonim… Për punë! – i them unë… Më pa pak si vëngër, dhe më thotë dilni në koridor. Pa i kthyer përgjigje dalim dhe presim në korridor. Ulemi te stolat që ishin aty… vapa është tepër e madhe dhe pse ambjenti tepër lluksoz, por pa freski… Dhe tek pushoja në stol mendoja atë sjelljen e tij mjaft të pahijshme, dhe them me vete… “Mos ndoshta mendon se po kërkoj punë unë…!” Eh sa çudi… dikur kur isha e re kërkonin gra me eksperiencë kurse tashti është e kundërta… bëjnë sikur të shohin, por duket se s’ju intereson ti… Vajza që ishte brenda del, atëhere hyn komshia ime, unë nuk e shoqëroj, po rri aty në stol, duke e pritur dhe në botën e mendimeve të mia… që më duket sikur s’do të kenë zgjidhje kurrë. Ndërkohë komshia del, ajo tepër e kujdesshme, s’flet fare… hypim në ashensor dhe ikim… Jashtë e pyes, me trego si të shkoj takimi… Po, – më thotë ajo – më pyeti ku rri, nga vjen, sa fëmijë ke, ku ke punuar më parë, më mori numrin e telefonit, dhe midis këtyre më pyeti se çfarë e ke atë gruan që ishte me ty! I thashë – është vjerra ime… Ashtuuu… – më tha – Po ishte dhe e mbajtur dhe shumë moderne! Ajo do ta mbajë djalin, po të fillosh punë…? Po! – i thashë… Mirë – më tha mund të ikësh… nëqoftëse do të gjejmë një punë do të marrim në telefon mbas dy javëve…
Dhe u kthyem në shtëpi me shpresën se ndofta e marrin në punë… Ajo është vetëm 23 vjeçe ka një fëmijë dhe joton me qera në Tiranë!!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.