back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ditët e fundit të Lef Nosit (1873-1946)

Gazeta

Lef Nosi (1877-1946)
Lef Nosi (1877-1946)

Ditët e fundit të Lef Nosit (1873-1946)

Flet e mbesa, Adelina Kosturi

dhe rrëfen izraeliti Mark Manahemi.

Portreti i papublikuar,
por edhe shumëdimensional i njeriut që hyri në historinë e shtetit të parë shqiptar,
Lef Nosi, është njëherazi edhe portretit i një njeriu që e njohu
jo vetem Elbasani po e gjithë Shqipëria,
por edhe më shumë se kaq, që e vrau tradhëtisht komunizmi.
Atë e njohën edhe kancelaritë e huaja europiane
për vetë kontributet që kishte ky njeri si intelektual, si burrë shteti,
si humanist, si filatelist, si alturist, si një nacionalist i thekur,
por që e përdhosi, e tjetërsoi dhe u mundua ta harronte
diktatura staliniste e Enver Hoxhës.
Shërbimet që Lef Nosi i ka bërë kombit,
janë të gdhendura në kujtesën tonë historike dhe atë njerëzore,
janë të skalitura në mendjet e elbasanasve dhe mbarë kombit,
si dhe të anglezëve, gjermanëve dhe deri në Izrael,
për shkak të shërbimeve atdhetare që ky njeri kreu gjatë gjithë jetës së tij,
duke u “martuar” me idealet e shenjta të shqiptarizmës,
por që shërbëtorët e sllavokomunizmit antishqiptar e vranë
vetëm e vetëm se ishte një shqiptar i lartë.

Ditët e fundit të Lef Nosit
Duke dashur që të kujtojë çdo moment që ka lidhje me atë ngjarje që nisi serinë e dënimeve politike nga më monstruozet në historinë e këtij vendi, mbesa e Lef Nosit, njëherazi edhe motra e doktor Nosit, Adelina, në atë kohë 31 vjeçare, tregon me dhembjen e një motre për vëllanë: “Më 12 shkurt 1946, gjyqi ushtarak i Tiranës dënoi me vdekje Lef Nosin dhe me dënime të ndryshme nga 6 në 4 vjet për personat që ndihmuan që ai të fshihej. Vasil Nosi, Steliano Nosi, Marko Menahemi, Xhemal Farka, Fahrije Averiqi dhe Adem Samurri.” Kur e kemi takuar herën e fundit para pushkatimit, erdhi nga Elbasani edhe e motra Lefit, halla ime, Polikseni Dodbiba. Ne e kishim bërë me fjalë që ne të mos e jepnim veten e të mos qanim para Lefit. Edhe Lefi e mbajti veten shumë mirë dhe na tha “Një herë vdes njeriu. Unë iki me ndërgjegje të pastër se nuk kam kryer asnjë faj, kam punuar për Shqipërinë. Jam i qetë që edhe djemtë e miqtë e mij nuk u dënuan me dënimin kapital. Djemtë do bëjnë dënimin dhe do dalin!”. Më vonë mora vesh se, pasi ishte ndarë prej nesh, kishte qarë. Morëm vesh se drejtori i burgut Janaq Karapataqi, që ishte një person shumë human dhe u bë mik i familjes sonë, na tha se Lefi kishte qarë, kur kishte mbetur vetëm, i çliruar që miqtë e tij kishin shpëtuar dhe nuk ishin dënuar me vdkje. Kur doli në gjyq i kam çuar kostum e këmishë, ndërkohë që më tha me shaka “Po ti dhëndërr do më bësh”. Dua të dalësh i veshur, i thashë”.
Dua të kujtoj edhe një episod që më ka lënë mbresa të mëdha në atë ditë të zezë, kur e pushkatuan Dajën. “Lefi ka mbajtur në shtëpi një qen të quajtu Capi, i cili ishte qeni që i kishte lënë atij Fan Noli, kur iku nga Shqipëria. Ditën e pushkatimit, qeni kishte që në mëngjes që qante. Ai vetë hapi një gropë, duke e gërmuar me thonj dhe po atë ditë vdiq edhe ai”.
Tashmë është e ditur, por që ka nevojë të rikujtohet ajo kohë që mbolli vetëm zi, që shtroi rrugën e tragjedisë së një vendi që ishte perlë e natyrës, kishte nxjerrë burra trima dhe intelektualë të zot, por që i vrau plumbi i pabesisë të ashtuquajtur komuniste, por që ishte dora e zezë e sllavokomunizmit. Këtë Lef Nosi ia ka thënë në konfidencë Hafyz Musait në Elbasan, kur ky i fundit e pyeti se përse merret me politikë dhe Lefi i është përgjigjur se “çunat janë të rinj e nuk e dinë se serbi ia ka me hile”. (Për çunat Lefi nënkuptonte partizanët). Në mënyrë kuptimplote u pushkatuan së bashku më 6 shkurt 1946, Lef Nosi, Patër Anton Arapi dhe Maliq Bushati, një ortodoks, një katolik dhe një musliman, u pushaktuan në kodrat pranë Tiranës. Realisht ka dy versione që ose i vranë në Kodrën e Priftit, por ka edhe një version për në Kodrën e Kryegjyshatës bektashiane.
Përsëri për këtë kohë, Adelina, pak vite më parë në moshën 92 vjeçare, kujtonte: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, që ka vdekur prej shumë vitesh, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma. Është gjithashtu e vërtetë se personi që tradhëtoi Lef Nosin, më pas e graduan nga kapiten në major dhe me sa di unë, bëri 10 vjet burg, u lirua pas viteve ’90 dhe sot gëzon statusin e të përndjekurit politik, madje shkruan edhe kujtime?!
Varri i Lef Nosit nuk është gjendur ende. Nuk dihet nëse organizmat qeveritare dhe jo qeveritare do të bëjnë ndonjë tentativë për ta zgjidhur këtë mister”.

Njohja ime me Adelinën, mbesa e lef Nosit
Me këto ndjesi u prezantova me zonjën Adelina, mbesën (vajzën e vëllait, Grigorit) e këtij njeriu të pavdekshëm jo se dua të quaj unë, por se vepra që la ai e bëri të tillë. Edhe pse në moshën 92 vjeçare, si motra e të nderuarit doktor Nosit, fliste me dhembje për njeriun e shtrenjtë të kësaj familje të madhe dhe fisnike, aq sa bëhej keq, për ato që hoqi veçanërisht në fundin e jetës së tij diplomati, akademiku, shtetformuesi dhe euriditi i madh Lef Nosi. Si një nga tre regjentët e Shqipërisë, bashkë me të mirënjohurit Patër Anton Arapi dhe Mehdi Frashëri, Lef Nosi hyri në historinë shqiptare që në ditën e parë të shtetit të ri shqiptar më 28 nëntor 1912, përkrah Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit etj, si ministri i parë i Posttelekomunikacionit.
Me shumë takt dhe një delikatesë femërore, edhe pse në një moshë të thyer, Adelina Kosturi, tregon me hollësi dhe një kujtesë brilante ato momente, kur hynë në histori si “Çlirimi i Shqipërisë”, por që u bënë pushtimi i shqiptarëve nga murtaja komuniste. Ishin vitet e para të pasçlirimit, kur Lef Nosi gjendej atje ku nuk pritej, fshihej ku të mundte, se derën e kishte të hapur për shkak të emrit që kishte dhe reputacionit që gëzonte në opinionin mbarëshqiptar. Ishte në malësitë e Veriut të Shqipërisë në ato kohët e fundit para se ta arrestonin dhe ta gjykonin mizorisht njeriun e Pavarësisë së Shqipërisë. Adelina rrëfen me një brengë të madhe për Dajën, siç e qujnë elbasanasit vëllanë e babait. “nuk e kisha idenë se ku ndodhej Lefi, brenda apo jashtë vendit, kur një ditë erdhi në shtëpinë tonë një burrë që nuk e njihja, i ra derës dhe ai më tha se kur të errej, do të vijë Lefi në shtëpinë tuaj. Unë e di se ai ka ikur, i thashë. Kishte mbetur me Patër Antonin. Ai erdhi, por unë nuk e pyeta Lefin se ku ndejte. Xhemal Farka, një shok i Nosit në Robert Kolegj përgatiti vajtjen e Lefit në misionin anglez. Për këtë arsye blemë disa punime druri si çibukë, tasa druri dhe gdhendje të tjera dhe të veshur si fshatar, pasi i blemë një shami të kuqe. I lidhëm me këtë shamit të kuqe të gjitha sendet dhe i vumë dhe një qeleshe në kokë dhe me këto vajti tek misoni anglez. Ne u gëzuam se anglezët e pranuan. Atje ndejti 5-6 orë dhe natën erdhi përsëri. Kapërceu kangjellat e rrethimit të oborrit dhe trokiti në derën e brendshme të shtëpisë. Në atë kohë ne banonim në shtëpinë e arkitekt Butkës që ndodhet edhe sot në rrugën “Sulejman Pasha”. Është vila ku banon arkitekt Emin Riza. Ato kangjella janë edhe sot e kësaj dite që flasim”.
Duke marrë frymë me zor, jo vetëm prej moshës, por edhe prej tensionit që kishte kur fliste për këtë ngjarje, kjo zonjë e nderuar dhe nga një familje me një emër të nderuar edhe sot e kësaj dite, shtonte me një ofshamë se “unë u çudita se si i kish kapërcyer kangjellat se ishte në moshë të thyer. E vura re në sy se ishte shumë i mërzitur dhe më tha se kishte bërë shumë fjalë me anglezët. Lefi më tha se ata i kishin thënë se nuk mund të prisheshin me qeverinë shqiptare. Në atë kohë ne kishim një shërbyese e cila banonte tek ne. Për këtë arsye e fsheha Dajën në një dhomë të vogël ku mbaheshin shtresat, e cila komunikonte me dhomën tonë të gjumit. Në këto kushte lajmërova vëllanë tim Vasil Nosin që të vinte nga Elbasani. Vasili erdhi, takoi Lefin dhe të nesërmen u rikthye nga Elbasani bashkë me një mikun besnik të familjes sonë, Adem Samurrin nga Mengli i Elbasanit. Së bashku me Ademin udhëtoi në këmbë nga Tirana në Elbasan. Ndër të tjera, me sa di unë, ka fjetur një natë në shtëpinë e Ahmet Daklit, një natë tek familja Santos të cilët i kishte nipër. Ka fjetur tek shtëpia e Thanas Floqit dhe në Labinot tek Samurrët. Sa më ka thënë im vëlla Steliano Nosi, është strehuar edhe në Godolesh dhe në ndonjë familje tjetër që unë nuk e di. Në këtë kohë për Lefin kujdeseshin dy vëllezërit e mij Vasili dhe Steliano si dhe miq të tjerë të familjes, një pjesë e të cilëve kanë mbetur anonimë. Lefin e strehuan edhe në fabrikën e alkoolit, pronë e familjes sonë. Madje, im vëlla doktori, tregonte se si në një mëngjes të atyre ditëve, kur ishte duke vizituar, i vjen një njeri i njohur si oficer i sigurimit që ka mbetur anonim, sepse im vëlla nuk ma ka treguar emrin, i thotë Nosit, se duhet ta vizitonte shpejt se kishin një punë të rëndësishme se do të shkonin në një aksion për të kapur një njeri andej nga Godoleshi. Nosi, e vizitoi dhe menjëherë merr biçikletën dhe shkon tek familja ku ishte Daja dhe e lajmëron të iki. Lefi dhe ata të tjerët u ngjitën në një vend të lartë dhe pas një ore panë se erdhën, e rrethuan shtëpinë dhe nuk gjetën njeri. Kështu shpëtoi atë rradhë”.

Lef Nosi - Mehdi Frashëri - Pater Anton Harapi
Lef Nosi – Mehdi Frashëri – Pater Anton Harapi

Marko Menahemi, miku Izraelit i familjes Nosi
Duhet thënë se në shtëpinë e Nosëve në Elbasan ishte i strehuar një izraelit, Mark Menahemi quhej, i cili ishte arratisur nga trenat e vdekjes të cilët i dërguan në kampin famëkeq të Treblinkës, 64 pjesëtarë të familjes së tij dhe rrethit familjar, përfshi prindërit dhe që do të hynte në historinë e kësaj familjeje si një njeri i nderuar dhe besnik. Ky njeri ka luajtur një rol të rëndësishëm në strehimin e Lef Nosit, për të cilën në vend që të riatdhesohej në Izrael në vitin 1946, kaloi 4 vjet në burgjet e Shqipërisë komuniste tashmë dhe mundi të riatdhesohej vetëm në vitin 1991. Në një letër që ky izraelit i dërgon familjes Nosi, (pas vitit 1994), shkruan disa nga peripecitë që hoqën ai dhe të gjithë bashkë në ato ditët para se ta arrestonin komunistët Lef Nosin. Ndër të tjera në këtë letër, një kopje të së cilës e ruante djali i Adelinës, Skënder Kosturi, thuhet se “në qershor të vitit 1944, unë fshihesha në Cerrik. Unë ika nga Cerriku në Elbasan dhe u strehova, sipas rekomandimeve, në shtëpinë e familjes Nosi. Në fillim kam jetuar në shtëpinë e tyre, ku jetonin Vasil Nosi me gruan e tij, vëllai i tij doktor, Steliano Nosi, nëna e tyre Eleonora, që u bë edhe nëna ime, dhe kohë pas kohe vinte motra e tyre Adelina Kosturi e martuar në Tiranë dhe në të njejtin oborr banonte Lef Nosi, i cili ka qenë njeri nga të tre Regjentët e Shqipërisë në periudhën shtator 1943 – nëntor 1944. Më vonë, kur gjendja u bë e vështirë, kalova në fabrikën e alkoolit të familjes Nosi jashtë Elbasanit, ku kisha një dhomë dhe çdo ditë dikush nga familja më sillte ushqime. Pasi u arrestova nga gestapoja, familja Nosi hoqi shumë telashe derisa më shpëtoi dhe më strehuan në Hotel-Parkun në pronën e tyre në Llixhat e Elbasanit, ku kujdeseshin për mua. Pas 29 nëntorit 1944, kur komunistët morën pushtetin, unë qëndrova tek Nosët të cilët nmë donin shumë dhe më propozuan të qëndroj në Shqipëri dhe të punoj në fabrikë. (Mark Menahemi ishte një inxhinier specialist i disa fushave)

Më vonë filluan ngatërresat.
Komunistët kërkonin të tre Regjentët që ishin në krye të shtetit gjatë okupacionit gjerman për t’i dënuar me vdekje. Vasili m’u lut për të fshehur xhaxhanë e tij Lefin. Vasil Nosi, Steliano dhe unë vajtëm në shtëpinë e një mësueseje, Fahrie Averiqi, në Rrugën e Kavajës në Tiranë, me ndihmën e mikut të tyre, Xhemal Farka. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim tek Nako Spiru, që Lefi të dorëzohej vullnetarisht, sepse, duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje. Unë, – shkruan Marko, – nuk isha dakord dhe fatkeqësisht doli fjala ime. Mirëpo ato ditë Nakoja kishte ikur me shërbim në Moskë. Atëherë Lefi kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të vjetër të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. Unë, – shkruan Mark Manahemi, – i thashë Vasilit se nuk kisha besim tek ky person, pasi përpara se të merrte grada në ushtrinë partizane, kishte një të kaluar të errët me forca të tjera ushtarake. Pavarësisht nga këto dyshime, rreth orësës 9 të mbrëmjes duhet t’ia dërgonin Lefin këtij kapiteni të ushtrisë partizane në shtëpi. E hipën në makinë dhe, me të kaluar urën që të çon tek rruga e Elbasanit, dy burra të rinj u lëshuan me vrap për të na ndaluar. Duke dredhuar nga kryeministria, tek rruga e Durrësit, e kthyem Lefin në shtëpinë e mësueses. Vasili shkoi vetë dhe e kontaktoi personin në fjalë i cili e qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. “Unë po të pres në shtëpinë pa drita”. E nxorrëm Lefin për së dyti. E përcolla unë Marko Manahemi. Personi në fjalë duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha “Mos u bëj merak tani Vasil”. Por, sikurse na tregoi Lefi në birucë, kur ishim të arrestuar, pas gjysmë ore i kish thënë: “Lefi, të kërkojnë tek porta”, ai sa hapi portën, e arrestuan. Të njejtën mbrëmje u arrestuan edhe Vasil e Steliano Nosi, Xhemal Farka, si dhe unë Marko Manahemi, me pasaportë në xhep për t’u nisur të nesërmen me vaporr në Izrael. Nuk fjeta në vaporr vetëm për të ngrënë një darkë me miqtë e dashur Vasil, Steliano e Xhemal, para se të largohesha përfundimisht nga Shqipëria, duke e ditur që nuk do t’i takoja më dhe për t’ju shprehur mirënjohjen time të pakufijshme. Por ndodhi ajo që thashë më sipër”.

Figura te Politikes dhe Kultures... mes tyre Lef Nosi
Figura te Politikes dhe Kultures… mes tyre Lef Nosi

Arrestimet e Nosëve dhe miqëve të tyre
Duhet thënë se bashkë me këta u arrestuan dhe Adem Samurri dhe Fahrije Averiqi. Meqenëse në atë periudhë, mbesa Adelina nuk ishte në Tiranë, se kishte shkuar në Korçë. Anastas Koja, i martuar me një mbesë të Lefit, ka marë dyshekun e shtëpisë, e ka ngarkuar në kurriz dhe ia ka çuar Lefit në burg.
Përsëri Adelina, që tashmë kishte ardhur nga Korça, në atë kohë që Lefi ishte futur në burg, pas 60 vjetësh kujton me një saktësi të madhe: “Lefi ishte i burgosur tek selvia në rrugën e Dibrës (ku ka qenë ambulanca e lagjes nr. 3 në Tiranë) në një birucë nën shkallë. Deri në kthimin tim nga Korça, kujdesej familja e Anastas Kojës. Me kthimin tim, pas pask ditësh, u kujdesën duke dërguar ushqimet dhe të gjithë gjërat që nevojisteshin në burg për të 7 të arrestuarit të cilët prisnin të dilnin në gjyq. Në këtë kohë së bashku me të afërm të tjerë të familjes, u përpoqëm të bënim përçapje pranë personave me influencë, pasi shqetësimi ishte shumë i madh jo vetëm për jetën e Lefit, që ishte e paragjykuar, por edhe për jetën e dy vëllezërve të mij dhe të personave të tjerë, pasi ligjet dhe rregullat në fuqi në atë kohë parashikonin një dënim që mund të ishte deri në vdekje. Më pas, prej andej i kanë çuar në burgun e vjetër të Tiranës në rrugën “Mine Peza”.

Dënimet e tjera
Vasil Nosi – u dënua me 6 vjet dhe vdiq i burgosur në fabrikën e alkoolit në Elbasan.
Dr. Steliano Nosi – u dënua me 4 vjet që i kreu duke shërbyer si mjek. Vdiq në viutin 1983.
Marko Menahemi – u dënua me 4 vjet. Më pas shërbeu si pedagog në politeknikumin “7 Nëntori” dhe dha një kontribut të shquar në shumë projekte madhore të shfrytëzimit të rezervave minerale natyrore të vendit tonë. Pas vitit 1990 iu plotësua ëndërra e tij për të shkuar në Izrael në atdheun e tij. Vdiq në vitin 2005. Në vitin 1993 organizata Jatt Vashem në Izrael, në shenjë mirënjohjeje për shpëtimin e jetës së Marko Menahemit, i akordoi dr. Steliano Nosit, Vasil Nosit dhe motrës së tyre Adelina Kosturi, titullin e lartë “I drejtë midis popujve”. Emrat e tyre janë të gdhendur në një pllakë bronzi në Muzeun e Holokaustit në Jatt Vashem si dhe në Washington.
Xhemal Farka – u dënua me disa vjet burg, kurse më pas u ridënua me pushkatim për shërbime në misionin ushtarak angloamerikan.
Farije Averiqi – u dënua me 4 vjet burg, kreu tre dhe më pas, së bashku me të vëllanë, u arratisën nga Shqipëria dhe shkuan në një shtet Europian.
Adem Samurri – u dënua me 6 vjet burg nga të cilat vuajti 4 prej tyre. Vdiq në shtëpinë e tij si një mik i familjes Nosi.
Përgatiti Hyqmet Zane
http://www.aafhsite.com/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.