Disidentët e Rremë dhe Martirët e Fjalës së Lirë nga Agim Hamiti

Trifon Xhagjika me motrat

Trifon Xhagjika me motrat

Disidentët e Rremë dhe Martirët e Fjalës së Lirë

nga Agim Hamiti

Trifon Xhagjikës në 53 vjetorit të shpirtmarrjes me tortura

Kryetari i trupit gjykues iu drejtua të pandehurit:
-I pandehur, në bazë të procedurës penale, ke të drejtën e fjalës së fundit mbrojtëse.
-Më jepni një top të qëlloj mbi regjimin tuaj…
[Policët, që e rrethonin, nuk e lejuan atë të shprehej më tej.]……….

Poetet e Masakruar

Poetet e Masakruar

Fragmenti i mësipërm dramatik nuk është shkëputur nga ndonjë skenar filmi, por nga dosja penale e Poetit-Hero Trifon Xhagjika. Gjyqi politik e dënoi me pushkatim, mirëpo i përbindshmi Diktator do t’i rezervonte një fund edhe më mizor…
Një person, i cili ka pasur rastin e rrallë të shikonte dikur disa sekuenca filmike të hetuesisë shtazarake të ushtruar mbi Trifon Xhagjikën, është shprehur: “Kisha parë edhe herë të tjera skena të filmuara të kësaj natyre, por guximi dhe rezistenca e jashtëzakonshme e Trifon Xhagjikës të krijonin përshtypjen sikur ai Njeri nuk përbëhej prej gjaku, mishi e kockash. Vetëm rrethanat, në të cilat i shikoja, më bindnin se ato pamje makabre nuk ishin truke kinematografike…”
Të njëjtin qëndrim heroik mbajti Trifoni edhe në gjyq. Ditën që i komunikuan dënimin me pushkatim (6 dhjetor 1963), Trifoni i pamposhtur nisi të recitonte në sallën e gjyqit poezinë e tij agresive ndaj regjimit: “Atdheu është lakuriq”, të cilën mund ta lexoni më poshtë. E tillë ishte edhe fjala e fundit mbrojtëse:
“E kam për turp të kërkoj mëshirë prej Kriminelëve që vrasin njerëz të pafajshëm. Më jepni një top të qëlloj mbi regjimin tuaj…!”.
Personi që kishte parë sekuencat e lartpërmendura filmike, e përshkruante me këto fjalë fundin tragjik të Trifonit: “Kur katilit Enver Hoxha, i ishte bërë e ditur fjala e fundit mbrojtëse e poetit-vullkan dhe kërkesa e tij për t’i dhënë një top, Diktatori paranoiak, i egërsuar në kulm, kishte dhënë këtë orientim barbar: “Mos harxhoni plumb për atë armik të tërbuar, i cili paska dashur të gjuaj me top mbi Partinë që e bëri artilier…”.
Konform këtij orientimi shtazarak, Trifonin e torturuan deri në shpirtdhënie më 23 dhjetor 1963 – vetëm 17 ditë pasi ishte dënuar me pushkatim prej gjykatës!”.
Eshtrat e Trifon Xhagjikës (si ato të mijëra antikomunistëve të tjerë të ekzekutuar me apo pa gjyq) nuk dihet endé se ku prehen, mbasi DemoNkracia është betuar t’iu qëndrojë besnike krimeve të Diktaturës që e polli: ky ishte kushti kryesor me të cilin iu dhurua pushteti prej paraardhësve gjakatarë. Edhe fletoret me poezi, që iu sekuestruan poetit pas arrestimit, qëndrojnë të kyçura në kasafortat e ish-Sigurimit. Nuk kemi pse të habitemi nga këto veprime çnjerëzore të “demokracisë”: gjersa kalemxhinjtë sahanlëpirës të “Nënës Parti” sot po na dalin “disidentë”, ndërsa Disidentët e Vërtetë si: Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Musine Kokalari e Bilal Xhaferri me shokë duhet t’i mbulojë domosdoshmërisht Harresa si mjet i ri persekutimi ideologjik, për të mundësuar krijimin e një realiteti të rremë, me demokraci të rreme dhe me disidentë të rremë. Gradualisht po krijohet edhe një popull me identitet të rremë, i cili e ka turp të quhet Shqiptar dhe kërkon të maskohet nën mantelin fals të Evropianit. Nuk e kanë mësuar akoma Mjeranët se BE i përbuz popujt pa identitet dhe nuk ua hap kurrë portën.

Familja Xhagjika - Pak kohë para rrënimit komunist

Familja Xhagjika – Pak kohë para masakrimit komunist

E pashë Atdheun lakuriq nga Trifon Xhagjika

Nuk mundem,
nuk mundem,
nuk mundem.

E pashë Atdheun lakuriq
(vetëm, pa shokë e miq).
Mundohej të këpuste një degëz dafine
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të rritur,
Por sa i vogël qenka!
As një degëz nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër,
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh!
Ndihmomëni të gëzoj
se nuk mundem:
Atdheu është lakuriq.
(1962)

Marre nga Muri i Fb. i Agim Hamitit 23 dhjetor 2016

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook