back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Disidenca si parja fallco, mbas pilafit nga Sait Saiti

Gazeta

Sait Saiti - 2018
Sait Saiti – 2018

Disidenca si parja fallco, mbas pilafit

nga Sait Saiti

Gjatë bisedave me miq rreth letërsisë shqiptare, u ba pyetja nëse kishim lexue Kadarenë, dhe kur m’erdhi radha me iu gjegjë sa për hazërxhevap thashë “Jo, po pres që të vdesin!”. I ndejta këtij hazërxhevapi me Trebeshinën dhe mbrenda dy muejve mbasi ndërroi jetë, këndova ndonjë vepër të tij, një monografi nga Nuri Dragoj dhe shumicën e materialeve që gjenden online, qofshin intervista, rubrika, artikuj. Gja që më erdhi natyrshëm, komplet i shpenguem nga poterja që bahet për të vdekunit në radhojat shqipe, si kofini mbas të vjeli. Por tek shkrimtarët, pasvdekja asht bash vakti kur shihet marrëdhania që kanë pasë me kozmosin.
Në krye të herës kisha për Trebeshinën një koncept të ngulët, pa pasë burime referenciale, por instiktivisht e keqëzoja meqë kishte qenë partizan dhe komunist. Mbasi e lexova, mora frymë dhe e rilexova, kuptova se marrëdhania e tij me jetën ishte burrnore – ma së paku. Më duhet me radhitë arsyen e përdorimit të këtij termi dhe prekonceptimit të natyrshëm që shqiplexuesi ka tuj e marrë si nocion kanunor (tue qenë ky edhe konvencioni tradicional që kemi): burrnia, ose viriliteti, asht nocion metafizik arketipal. Kësodore, për t’iu rikthye, burrnia e Trebeshinës më la mbresë për ma tepër sepse nuk bashkëndahej një mendim solid për të përpos një lloj komploti të heshtun. Dhe komploti i heshtun ku morën pjesë disa xhakoj të munguem të cilët ngatërruen kuvend dhe shkuen me u falë tek shkrimtari i madh, ishte edhe arsyeja se pse Trebeshina ankohej ma së shumti dhe dilte në pah kundrejt klanit të Gjirokastrës apo të stërpërkthyerit me paratë e drogës, siç aludon tek “Dafinat e thara” për atë që shkruen Lorenc Nënshati tek “Albtrans, Top Secret”. Do të thoni ju ç’hyn burrnia në marrëdhanie me letërsinë? Po sigurisht që burrnia shpie drejt një jete me dinjitet dhe detyrimisht dinjiteti e përshkon namin e atij njeriu edhe mbas vdekjes, dhe sidomos në vepër. Ama asht me ia vu gishtin kresë se ku jehoi burrnia e Trebeshinës: në pjesën ma virile të shqiptarisë, në Prishtinë, ku e botuen. Afërmendsh, Kosova kandidoi ma se një herë në kozmos për lirinë e saj me tana asetet e veta dhe patjetër që edhe me pushkën. Trebeshina, pavarësisht se nga cili krah, por si një 17 vjeçar me ideale, kandidoi në histori me idealin dhe me pushkën. Pasojat e atij ideali i dimë, i ka pohue edhe ai vetë fort herët, por marrëdhania nëse njeriu beson në diçka ose jo ka një të vërtetë autentike brendë qoftë edhe kur besojma mund të sjellin qedere.
.

Kasem Trebeshina, Albanian writer
Kasem Trebeshina, Albanian writer
Gjatë bubrrimeve për të, hasa në një kundërvendosje po aq të ngulmët sa keqëzimi jem a priori. Tash, me mbrapavështrim, them se mos edhe kundërvendosja ndaj tij vjen prej faktit që s’e kanë, jo përjetue – sepse përjetimi ndodh në të rrallë, por ndoshta as lexue? E megjithëse idhulli, që dukshëm del, i kësaj kundërvendosjeje ende nuk ka vdekë, po due me e shestue në të njëjtën optikë për së gjalli: meqë veprimtaria e tij ka sosë kahmot, siç pat thanë Besnik Mustafaj “nuk shkroi kryevepra mbas ’90, sepse Kadare nuk e kupton lirinë…
Po nga krahu tjetër? Të kujtohemi për një intervistë të IK ku pohoi se u arrestue për falsifikim monedhash, e siç spjegon ai, u ba për të goditë Tahir Kadarenë (ushtarak i naltë, qartazi fis me Ismailin edhe pse nuk e dimë se ç’e kishte sado njohës arkivash janë të përkushtuem me shkrimtarin). Fallsifikim monedhash pra, shkrimtari i madh ka hedhë kandidaturën e vet në kozmos si një falsifikator. Çështjet e kismetit, a në dashtë kush latinorum: të fatum-it, janë të parashkrueme në mënyrën si kandidon njeriu me çka e rrethon. Ka do vjet që për të u hap një fondacion, u përpiluen një a dy monografi me dokumente në harkun e 20 vjetëve për përpunimin e tij, në një përpjekje për të ndërtue narrativën e disidencës së IK. Asht kaq e lehtë me dashtë me e ndërtue këtë narrativë momentin kur poterja gazetaresko-pseudointelektuale ka fragmentarizue memorien historike: shkrimtari ishte deputet për 12 vjet dhe zv/kryetar i Frontit Demokratik. Dhe tashma shkrimtari i madh, konformist, veshtullor, i përkulshëm, a ma bukur i epshëm, që si gjithmonë ka në njenën dorë arrën dhe në tjetrën gurin po përpiqet me falsifikue, tash që asht afër fundit, jo vetëm vetëperceptimin e tij, dhe si duhet ta perceptojnë shqiptarët veten tue ndjekë këtë vetëperceptim, por edhe tjetërsimin e kumtit të fjalës disidencë. Disidenca kallpe e ndërtueme postum, ose siç thojmë popullorshe mbas pilafit, asht akti i fundit i realizmit pornoburokratik shqiptar – siç e quente rahmetlia Trebeshinë.
Ky asht me përvujtni vetëm perceptimi im, përtej afiliacioneve politike, arsye për të cilat do të kisha mujtë shumë lehtë me i këqyrë te dy me përbuzje. Por në tjetërsimin e skajshëm që na i asht ba shqiptarit zakonor, tashma jemi (shpirt)robër të frymës së burokratit, i cili asht një lloj tjetër atentatori. E për këtë arsye, duhet të la mënjanë politikën për me u marrë me atë që qëndron përtej saj.
.
Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

Thërrimet e dokumenteve, mes gazetarisë dhe historisë

Marrëdhania e shqiptarëve me dokumentacionin asht problematike, sepse shqiptarit në masë të gjanë nuk i vjen natyrshëm me pasë të bajnë në mënyrë impersonale me pushtetin dhe informacionin e centralizuem. Si rrjedhim, me ata pak burime tek të cilat ndërton besueshmëri sa i përket rrjedhës së informacioni, ndërton marrëdhanie varësie. Duke qenë se asht afirmue aksioma që informacioni asht pushtet, abuzimi me të asht një formë tjetër abuzimi me vetë pushtetin, dhe kjo çon tek dilema e gjithmonshme se “kush e ruen rojtarin”. Çështja e burimeve mbi Trebeshinën dhe me Kadarenë don me sanksionue një dikotomi të ngulët, e nëse pikëpyetje apo përpjekje racionalizuese shtrohen, nuk e kanë të gjatë me të përcjellë ndonjë eksponent i realizmit pornoburokratik për te turra e druve. Antikomunizmi në periudhë jokomuniste mbetet një luftë me mullinjtë e erës, por nëse kësaj lufte i ka mbetë ende ndonjë mulli të cilit me i ra, duhet me u sigurue nëse edhe ky mullini i mbetun nuk asht vetë erë. Kurse lufta ndaj së vërtetës, që asht e vetmja luftë e kenun, nuk ka skotë pornoburokratësh që munden me e mbajtë në kambë për aq gjatë derisa të ketë njerëz që lirinë e ndiejnë realisht dhe identifikohen me të edhe sikur vetëm thërrimet t’i kenë mbetë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.