back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dioguardi – Përsëri “Kampi i Tepelenës” – reagojnë Ardian Ndreca e Lek Mirakaj

Gazeta

Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)
Kampi Tepelenës (skicë nga Lek Pervizi)

Joseph Dioguardi –

Përsëri “Kampi i Tepelenës” –

reagojnë Ardian Ndreca e Lek Mirakaj

.

Kampi i Tepelenës ishte kamp i komunizmit

dhe jo i popullit të Tepelenës

nga Ardian Ndreca

Joseph DioGuardi, nji politikan pluri-dështak amerikan, nuk dihet se për çfarë alkimije u ba zadhanës i disa komunistave të pacipë shqiptarë të cilëve u jep bezdi përkujtimi i viktimave të komunizmit shqiptar. DioGuardi me argumentet e tija qesharake u tregue nji budalla i rrjedhun, lehtësisht i përdorshëm.
Në vitin 1996, kur vinte në Tiranë për me mbështetë interesat e pakicës greke në Shqipni ishte shumë ma i kthjellët se sot. Përkujtimin e viktimave të komunizmit sigurisht që s’do ta ndalin letrat e tija të neveritshme patetike, dhe as ata që djallëzisht e kanë frymzue për me i shkrue. Kampi i shfarosjes ishte kamp i komunizmit dhe jo i popullit të Tepelenës.
T’ia spjegojë dikush këtë gja këtij teveqeli të mërzitshëm..
.
Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)

Deri ku arrin paftyrësia, z. Dioguardi

reagim nga Lek Mirakaj

I mbijetuar nga Kampi Tepelenës

Ditë më parë z. Asllan Bushati botoi një shkrim në lidhje me një sqarim që Ai dhe z. Zef Bala i kishin bërë ish kongresmenit Dioguardi në lidhje me ish kampin e Tepelenës. Z. Dioguardi i ishte drejtuar organeve vendimmarrëse që të mos financonin ngritjen e Muzeumit në kujtim të viktimave të pafajëshme që vdiqën dhe u trajtuan në mënyrën më mizore gjatë viteve 1949-1954. Pas sqarimit që z. Bushati i kishte bërë z. Dioguardi mbi historinë e dhimbshme të kampit çfarosës të Tepelenës, z. Dioguardi kishte shprehur keqardhjen, duke u justifikuar se nuk i dinte të vërtetat. Cilido njeri i ndërshëm në rast të një gabimi të tillë, më e pakta do kërkonte falje publike dhe do i drejtohej atyre, të cilëve me ndërhyrjen e tij të panevojeshme e të pandershme i kishte keqinformuar t’i sqaronte mbi gabimin. Personalisht nuk kam asnjë dyshim se biseda që z. Bushati e përshkruan me hollësi në shkrimin e tij, është e saktë dhe korrekte. Por, e famshmja por që gjithnjë fsheh diçka të pathënë. Sot në kontradiktë me pohimet e z. Bushati, z. Dioguardi në mënyrën më skandaloze, më të paturpshme, ka pranuar të shesë, tek ata që janë të alarmuar se po dalin të vërtetat e turpëshme të historisë të diktaturës, emrin e tij. Sot dt.15 Gusht 2018, z. DioGuardi, ky kampion i luftës kundër komunizmit, ky kampion i luftës për demaskimin e krimeve që kanë bërë të huajt kundër shqiptarëve, se grekët e serbët të huaj janë, u bë zëdhënësi i qarqeve më kriminale që përpiqen të fshehin të vërtetat e krimeve që kanë bërë shqipfolësit komunistë ndaj grave e fëmijve të pafajshëm të një gjaku e të një gjuhe.
.
Kampi i Tepelenës - Mundimi i grave dhe vajzave
Kampi i Tepelenës – Mundimi i grave dhe vajzave
Sot ky “shqiptar i madh” Xho Dioguardi ka lejuar, të përdoret emri i tij në një letër që i drejtohet kryetarit të Bashkisë se Tepelenës, z. Peçi, ku i kërkohet që të anullojë vendimin e këshillit bashkiak për ngritjen e Muzeumit të viktimave të kampit të çfarosjes, që kriminelët komunistë patën instaluar, pa pyetur asnjë njeri në Tepelenë. Autorët e vërtetë të letrës botuar sot në gazetën Dita, bashkautor i të cilëve është bërë “Shqiptari i Madh” Dioguardi spekullojne paturpësisht duke u përpjekur të ngacmojnë ndjenjat njerzore dhe patriotike të popullit tepelenas. Z. Dioguardi: nuk e di pse ke lejuar të përdoret emri juaj në mënyrë kaq skandaloze e antinjerzore, me siguri Ju do heshtni ose do bëni lojra fjalësh, se Aushvici është i pakrahasueshëm e broçkulla të tjera. Aushvici është simbol i krimit dhe si i tillë përdoret, ashtu si përdoren emrat e Hitlerit, Stalinit, Pol Potit e për ne shqiptarët emri i qoftëlargut Enver, ashtu si themi kur duam të tregojmë ngjarje të përmasave të mëdha, përdorin si simbol, fjalën Biblike. Për dijeni z.Dioguardi, megjithëse z. Bushati Ju a ka sqaruar të vërtetat e kampit të çfarosjes së Tepelenës, Ju pëlqen apo nuk Ju pëlqen zotnisë tënde, po Ju këshilloj nëse keni pak “bonsens” thonë andej nga jeni zotrote, konsultohu me dokumentat e vetë rregjimit, po të duash mund të ballafaqohesh edhe me të mbijetuarit e Aushvicit shqiptar e do mësosh të vërteta të tmerrshme dhe që nuk na nderojnë aspak si shqiptar. Z.Dioguaardi është e turpshme të spekulloje me ndjenjat e tepelenasve, nuk qenë tepelenasit që ndërtuan kampin shfarosës, ashtu si nuk janë matjanët përgjegjës për krimet në Burgun e Burrelit, apo mirditorët për tmerret e Spaçit, Fajtorët janë Enveri me shokë, fajtorë janë edhe ata që kanë shkruajtur atë letër të turpshme që Ju e keni noterizuar. Historia është ajo që është, detyra e jonë e tepelenasve, e matjanve, është t’i ruajmë këto simbole të së keqes, që brezat që do vijnë të jenë të përgatitur për të mos lejuar përsëritjen e krimeve. Z. Dioguardi!
Nuk pritesh nga Ju. Turp!
Lek Mirakaj i mbijetuar i kampit të çfarosjes “Aushvicit” të vogël shqiptar.
.
http://gazetadielli.com/lek-mirakajdioguardi-ka-lejuar-krqperdorimin-e-emrit-te-tij/
.
Joseph Diogardi
Joseph Diogardi

Anuloni vendimin për Kampin e Tepelenës o bëni referendum

Letra e Joseph DioGuardit

Ish Kongresmeni amerikan dhe një nga aktivistët
më të njohur në mbrojtje te interesave shqiptare në SHBA,
i kërkon në këtë letër botuar sot nga gazeta DITA,
kryebashkiakut të Tepelenës
të anulojë vendimin e këshillit të qytetit të tij
mbi kthimin e ish-kampit të interninit te Tepelenës në “Aushvicin shqiptar”.
.
Zotit Tërmet Peçi,
Kryetar i Bashkisë së qytetit të Tepelenës,
Tepelenë – Shqipëri – 12 korrik, 2018
 
I nderuar Kryebashkiak Peçi,
Mua më quajnë Joe DioGuardi.
Jam një ish-anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara me origjinë shqiptare. Paraardhësit e mi ishin nga formacionet ushtarake të Gjergj Kastriotit që luftuan dhe fituan një betejë të rëndësishme në Itali (“Beteja e Pulias”) dhe, dhe si shpërblim Mbreti i Napolit iu dha tokë për trimëritë e treguara në qytetin e Grecit në Kampanja në 1461 përpara se Kastrioti të kthehej në Shqipëri për të vazhduar betejën e tij 25 vjeçare kundër Perandorisë së madhe Otomano-Turke.
Që nga ajo kohë, shqiptarët e Grecit kanë vazhduar të ruajnë gjuhën dhe traditat e tyre të bukura, të cilat turqit osmanë u përpoqën t’i zhduknin gjatë 425 viteve të pushtimit brutal.
Gjatë kohës që unë isha kongresmen i Shteteve të Bashkuara, e vizitova Tiranën bashkë me kolegun tim kongresist, të ndjerin Tom Lantosh. Gjatë takimit prej dy orësh e gjysmë me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, ne mësuam për herë të parë mbi një nga aktet më të nderuara dhe më fisnike  të popullit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe ata që erdhën nga Europa Perëndimore përmes Kosovës në Shqipëri gjatë kohës së errët të holokaustit nazist. Vitet e fundit, së bashku me gruan time Shirley, jam munduar nëpërmjet iniciativave të panumërta të ndaj me publikun amerikan si dhe atë ndërkombëtar një nga tiparet më fisnike të kulturës Shqiptare, Besën, e cila na nderon të gjithëve ne.
.
Rrathet e Feerrit - Tepelena (Lek Pervizi)
Rrathet e Feerrit – Tepelena (Lek Pervizi)
Prandaj, unë jam i shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj  të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Kjo – ashtu siç ju e dini – lidhet me disa plane të çuditshme për të kthyer barrakat ushtarake në qytetin tuaj në një farë soj Muzeumi dhe Kompleks Memorial si “Kampi i Shfarosjes së Tepelenës”.
Për këtë arsye unë isha shume i kënaqur nga intervista Juaj në Shkurtin e 2018-s ku ju u angazhuat për të mos e lejuar qytetin Tuaj të përdoret për iniciativa kontroverse, përçarëse dhe fanatike.
Siç Ju e dini mirë Kryetar Peçi, Tepelena ka një histori të madhe. Është vendlindja e Ali Pashës, i cili u përpoq të krijonte shtetin e parë Shqiptar pas Skënderbeut. Është vendi të cilin Lord Bajroni e vizitoi dhe e përshkroi me aq bukuri. Është një zonë ku është luftuar me trimëri për lirinë e kombit shqiptar gjatë gjithë historisë. Është në vendin tuaj dhe më saktësisht në fshatin Kodër ku bandat Greke kryen një nga aktet më barbare në historinë e Ballkanit.
Prandaj kur qyteti juaj ka kaq shumë histori për t’u ndjerë krenar si dhe për ta ndarë atë me publikun dhe ta ruajë atë, si është e mundur që disa njerëz kanë guximin të etiketojnë Tepelenën si “Aushvicin Shqiptar”?
Prandaj unë ju nxis, me autoritetin e Kryetarit te Bashkisë së Tepelenës të tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks  i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan  “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës”. Dhe, meqenëse Këshilli i qytetit tuaj ka kaluar një “rezolutë” mbi të ashtuquajturin “Memorial i Kampit të Shfarosjes të Tepelenës”, unë Ju nxis që zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë dhe, në se do të ishte e nevojshme, të linit popullin e Tepelenës të vendosë nëpërmjet një referendumi lokal nëse një njollë  e tillë e pashlyeshme do të vendosej në qytetin e tyre të bukur dhe historik.
Duke Ju falënderuar për vëmendjen tuaj në këtë çështje shumë të rëndësishme.
Me kënaqësinë për t’ju takuar në të ardhmen e afërt në Tepelenë apo në Shtetet e Bashkuara nëse Ju do të vini për vizitë këtu përpara nesh atje.
Sinqerisht i Juaji, Joe DioGuardi
Letra e Dioguardit per Termet Peçin
Letra e Dioguardit per Termet Peçin

.

http://www.gazetadita.al/ekskluzive-letra-e-joe-dioguardit-per-kryebashkiakun-e-tepelenes/
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.